All for Joomla All for Webmasters

Në ikje të Ramazanit

. Posted in Hutbe.

Pin It

ramadan lamtumireFalënderimi i takon Allahut, i Cili është i Plotfuqishëm Dhurues, Falësit të gjynaheve dhe Pranuesit të pendimit, që dënon ashpër, si dhe Zotëruesit të të mirave. Nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij dhe tek Ai do të kthehen të gjithë.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër me meritë veç Allahut, i Vetëm dhe i pa shok, si dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Gjykimit.

Të nderuar agjërues! Ja dhe muaji juaj po largohet, me fundin e kësaj jave ne përcjellim muajin e mëshirës, muajin e begative, muajin i cili na ngjalli zemrat, na freskoi shpirtin, na ripërtëriu lidhjen me Kuranin, xhaminë dhe veprat e mira. E lusim Allahun që ashtu si na lehtësoi agjërimin e ditëve të tij dhe faljen e netëve, të na i pranojë këto adhurime, ta bëjë Ramazanin argument për ne dhe jo kundra nesh.

Ndërkohë që ne përcjellim këtë muaj të madh, padyshim që kemi nevojë ta këshillojmë njëri-tjetrin para se ti japim atij lamtumirën.

Vëllezër dhe ju o motra! Përcilleni si duhet këtë musafir, shtojini përpjekjet në këto ditë të fundit, shtoni dhikrin, sadakanë dhe namazin, sepse Profeti Muhamed salallahu alejhi ue selem e shtonte përpjekjen në fund të këtij muaji si asnjëherë më parë.

Dijeni se edhe këto ditë që kanë mbetur janë kopshte Xheneti, mëshirë të cilën Allahu e ka zbritur në tokë, ndaj është shans për ne që ti shfrytëzojmë, është mundësi për bamirësit që në to të garojnë.

Vëllezër dhe ju o motra! Përpiquni që vepra juaj të jetë e pranuar, të parët tanë të mirë, përpiqeshin maksimalisht që adhurimi i tyre të jetë i përsosur, e megjithatë ata sërish ishin të frikësuar se ndoshta nuk do tu pranohej, ashtu si i ka cilësuar Allahu kur thotë:

"Dhe ata të cilët kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre".

Padyshim se Allahu e pranon mundin dhe përpjekjen e atyre të cilët janë të devotshëm. A thua vallë na janë pranuar adhurimet që njëri-tjetrin ta urojmë, apo mos na janë refuzuar që njëri-tjetrin ta ngushëllojmë, sepse asnjëri prej nesh nuk e dinë se a do të mundet që deri në Ramazanin tjetër të jetojë.

O Zot pranoi adhurimet tona dhe mos na bëj prej të refuzuarve, fali mëkatet tona në këtë muaj, se nëse nuk na falen mëkatet tani, vallë kur do të na falen? Na prano pendimet dhe përmirësoi gjendjet tona në këtë muaj. Dhe na bëj prej robërve të Tu yë përulur edhe pasi ky mik i shtrenjtë të largohet.

 

II

Falënderimet dhe madhërimi janë për Allahun, ndërsa lavda dhe bekimet qofshin mbi vulën e Profetëve Muhamedin salallahu alejhi ue selem.

O ju agjërues! Nëse Allahu ju jep jetë dhe arrini ditën e gëzimit (bajramit), falënderojeni dhe madhërojeni Zotin tuaj, i Cili ju mundësoi ta përfundoni muajin e Ramazanit.

Para se të falni Bajramin, nxirreni zekatin e fitrit, sepse ai e plotëson agjërimin tuaj dhe e pastron atë.

Dilni për në ditën e Bajramit të gëzuar me mirësitë e Allahut dhe Mëshirën e Tij, dhe mos e ktheni festën që vjen pas adhurimit një ditë gjynahu dhe kundërshtimi.

Nga veprat e preferuara në ditën e Bajramit është madhërimi i Allahut me tekbire, të cilat fillojnë që natën e fundit të Ramazanit e të cilat mbarojnë menjëherë pas namazit të Bajramit.

Larja për namazin e Bajramit, parfumosja dhe veshja e rrobave më të mira është nga veprat e preferuara.

Ngrënia e diçkaje përpara se të dalësh për të falur namazin e Bajramit, ku preferohen që ato të jenë hurma, e në mungesë të tyre diçka tjetër.

Shkuarja për në faltoren e Bajramit le të jetë nga një rrugë dhe kthimi të bëhet nga një rrugë tjetër, sepse kështu ka vepruar Profeti ynë Muhamed salallahu alejhi ue selem.

Në namazin e Bajramit është e preferuar që të merren me vete gratë, dhe fëmijët, sepse kjo është festa juaj dhe festa tyre.

Dëgjimi i hytbes dhe përshëndetja e muslimanëve dhe urimet e njëri-tjetrit.

 

Bledar Tefik Haxhiu

Burimi Jetës

23.06.2017

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com