All for Joomla All for Webmasters

SHOQËRIA E MUSLIMANIT

. Posted in Hutbe.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Pjesa e parë

Falënderimi i takon Allahut. Vetëm Atë falënderojmë, falje dhe ndihmë prej Tij kërkojmë. Atë që udhëzon Allahu nuk ka kush që ta humbë dhe atë që humb Allahu nuk ka kush që ta drejtojë. Dëshmojmë dhe deklarojmë se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, i Cili është i vetëm dhe i pashoq dhe se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) është rob dhe i Dërguari i Tij.

Vëllezër, me lejen e Allahut të Lartësuar, sot do të flasim për shoqërinë që duhet të ketë muslimani.

Sepse Allahu i Lartësuar i krijoi njerëzit dhe dihet se këta njerëz nuk mund të jetojnë dot të vetmuar, por detyrimisht, pra nga krijimi i Allahut, që i bëri ato të jetojnë bashkë. Për këtë arsye Allahu i Lartësuar solli në Kuran disa ajete dhe gjithashtu Profeti (salallahu alejhi ue selem) në shumë hadithe ka sqaruar se muslimani duhet të zgjedhë një shoqëri e cila i bën dobi dhe e drejton në rrugën e hajrit.

Do të përmendim ajetin kuranor kur Allahu i Lartësuar i drejtohet Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) duke i thënë: "Përmbaje veten (duro) në ata njerëz që e adhurojnë Allahun në mëngjes dhe në mbrëmje dhe nuk kërkojnë prej Allahut vetëm se kënaqësi."Pra, Allahu i Lartësuar në këtë ajet kuranor i bën thirrje Profetit (salallahu alejhi ue selem), po gjithashtu edhe muslimanëve që shoqëria e tyre të jetë me besimtarët. Pra, shoqëria e tyre të jetë me këta njerëz të cilët janë të sinqertë në adhurimin, që adhurojnë Allahun në mëngjes dhe në mbrëmje dhe nuk kërkojnë prej Zotit të tyre vetëm se kënaqësi. Kjo është ajo shoqëria e hajrit që Profeti (salallahu alejhi ue selem) u urdhërua që të shoqërohet me këta njerëz, sepse në Mekë shoqëria e kurejshëve të cilët kishte prej tyre me pozitë, ishte e shthurur dhe jo e sinqertë dhe e padrejtë. Prandaj Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin (salallahu alejhi ue selem) që të shoqërohej me këta njerëz, të cilët ishin si Bilali, si njerëz të tjerë të cilët ishin skllevër, por pasi ata e pranuan Islamin, Allahu e urdhëroi Profetin (salallahu alejhi ue selem) që të durojë dhe të shoqërohet me ta, sepse shoqëria me këta njerëz është e dobishme edhe nëse këta janë të dobët, edhe nëse këta janë të varfër, por shoqëria më këta njerëz zbatonte ato që urdhëronte Allahu i Lartësuar. Nga ky ajet kuranor kuptojmë se Allahu i Lartësuar i urdhëron të gjithë muslimanët që të zgjedhin njerëzit e hajrit, njerëzit e mirë, ata njerëz e ata shokë që e drejtojnë muslimanin tek Allahu, nga feja e Tij.

Gjithashtu në një ajet tjetër kuranor Allahu i Lartësuar tregon për gjendjen e Musait (alejhi selam) që i tregoi Musait se ka dhe një njeri tjetër i cili është më i ditur se Musai. Por, ç'bëri Musai (alejhi selam) në çastin kur mori vesh se në një vend ndodhet një person i cili prej shoqërimit të tij do të përfitonte? Këtë na e tregon Allahu: "Kur Musai i tha djaloshit (shërbëtorit): 'Ne do të shkojmë tek vendi ku bashkohen dy detet'." Sepse atij ia kishte shpallur Allahu se do te takohej me një rob prej robërve të Allahut e Musai do të përfitonte pre tij. Më pas vazhdojnë ajetet: "Dhe Musai e gjeti atë (robin që ne ia shpallëm) të cilit i dhamë mëshirë dhe i mësuam atij prej dijes sonë." Pra, ky njeri që takoi Musai ishte një njeri që kishte dije dhe Musai përfitonte prej dijes së tij. Atëherë, çfarë i tha Musai atij? Megjithëse Musai i cili ishte profet i Zotit, kishte dituri, i tha këtij njeriu i cili quhej Hidër: "A të ndjek, a të shoqërohem unë më ty që të më mësosh atë që ta ka mësuar Zoti ty?" Musai (alejhi selam) kur e mori vesh se në një vend të largët ndodhej një person prej të cilit mund të përfitonte nga shoqëria e tij, u përpoq që të takohej më këtë njeri dhe të merrte e të përfitonte prej këtyre njerëzve të lartë dhe të mirë. Kjo gjithashtu është urdhër dhe mësim për ne që njerëzit të cilët kanë dije, njerëzit të cilët janë të devotshëm dhe besimtarë, është obligim për ne që këta njerëz t'i mbajmë afër, sepse nga këta njerëz ne përfitojmë si në këtë botë dhe në botën tjetër.

Le të përmendim një hadith të Profetit (salallahu alejhi ue selem) të transmetuar nga një sahab i cili e ndan shoqërinë e keqe dhe shoqërinë e mirë.

"Shembulli i shoqërisë së mirë nga i shoqërisë së keqe është si ai person që në dyqanin e tij ka misk (parfum), ndërsa shembulli i shoqërisë së keqe është si shembulli i kovaçit që punon në kovaçhane." Sa i përket atij peroni që ka misk prej tij përfitohen tri gjëra: ose ai do të të japë një aromë të mirë prej së cilës ti përfiton dhe kënaqesh, ose ti do të kërkosh për të blerë diçka dhe ti përsëri je i kënaqur, ose vetëm hyrja jote në këtë vend të bën që të marrësh erë të mirë dhe ti nuk largohesh i pakënaqur nga ky vend. Kështu është edhe shoqëria e mirë. Personi i mirë më të cilin do të shoqërohesh ose do të këshillojë dhe këshilla e tij do të të bëjë dobi si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Nëse je gabim, ke shkelur kufijtë e Allahut, ky do të këshillojë dhe ti do të largohesh. Ose mund t'i kërkosh këtij personi dituri dhe do të përfitosh ti për vete. E më e pakta nga shoqërimi me të ti do të shmangesh nga harami. Nuk ke mundësi të praktikosh haramin në mesin e tyre, sepse ata menjëherë do të të ndalojnë, pra nuk të lejojnë dhe kjo përsëri është e hajrit për ne si muslimanë. Kurse kur vazhdon të shoqërohesh me kovaçin (që në këtë hadith është shëmbëllyer me shoqërinë e keqe) më e pakta gjë ai do të djegë ty rrobat ose do të ndjesh erë të keqe. Kështu është edhe shoqëria e keqe, nëse shoqërohesh me ta do të marrësh zakonet e tyre, do të veprosh veprat e tyre. Nëse ti nuk ndikohesh nga zakonet e tyre të këqija apo nuk vepron veprat e tyre të këqija, më e pakta gjë do të heshtësh për ato të këqijat e tyre, por përsëri edhe kjo është mëkat dhe të gjithë bëjnë pjesë në këtë gjynah. Kur e keqja ndodhet në mes dhe të tjerët nuk flasin, të gjithë i përfshin mërzitja e Allahut, Zoti na ruajtë!

Në një hadith tjetër Profeti (alejhi selam) shpjegon hadithin e mëparshëm duke thënë: "Personi është me fenë e shokut të tij. Prandaj le të shohë se me cilin shoqërohet." Nëse ky person është i keq edhe ti detyrimisht do të bëhesh i keq si ai. Nëse ky person është i mirë, atëherë detyrimisht do të bëhesh i mirë sikurse ai. Nuk mundet që i miri me të keqin të ecin gjithmonë bashkë; ose i keqi do të bëhet i mirë, ose i mirë do të bëhet i keq. Prandaj Profeti (alejhi selam) u thotë muslimanëve se personi është në fenë e mikut apo shokut të tij, prandaj le të shikojë se më kë po rri. D.m.th.: nëse është i keq largohu prej tij dhe gjej një person që është i mirë dhe të bën dobi ty në këtë botë dhe në botën tjetër.

Në një hadith tjetër Profeti (salallahu alejhi ue selem) thotë: "Mos shoqëro vetëm se besimtarin..." Pra, në këtë hadith Profeti (alejhi selam) e nxit muslimanin që të mos shoqërohet vetëm se me besimtarin që është i sinqertë, që nuk ka asnjë lloj interesi, nuk është hipokrit, por çdo gjë që e bën, e bën për Allah, kur të shikon në gabim të këshillon, kur të shikon keq të ndihmon, nëse ka mundësi. Vazhdon pjesa tjetër e hadithit: "... dhe mos ta hanë ushqimin tënd vetëm se të devotshmit." Pra, vetëm të devotshmit, sepse devotshmëri do të thotë të zbatosh urdhrat e Allahut dhe t'i shmangesh ndalesave që Allahu t'i ka ndaluar. Nëse personi është i tillë, i devotshëm, atëherë Profeti (alejhi selam) thotë se ky njeri duhet ta hajë ushqimin tënd. Pse? Sepse ai të ruan ty, nderin tënd dhe nëse vjen deri te shtëpia, nuk vjen për ndonjë interes dhe nëse ti mungon nuk je prezent tek ky, ky të ruan edhe tek shoqëria e cila nëse të përgojon menjëherë i ndalon. Pra, kjo do të thotë besimtar dhe i devotshëm.

Gjithashtu, në një hadith tjetër thotë: "Personi është me atë që do." Hadithi është i gjatë po ne do të shkëpusim pjesën e fundit. Nëse personi do shoqërinë e keqe ai bën pjesë, futet apo është pjesë e kësaj shoqërie të keqe. Nëse personi është me shoqërinë e mirë dhe e do njeriun e mirë është pjesë e kësaj shoqërie të mirë dhe i përfshin mëshira e Allahut. Shkaku i këtij hadithi është se njëri prej beduinëve erdhi tek Profeti (alejhi salatu ue selam) dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut, kur do të bëhet Kiameti?" Profeti (alejhi salatu ue selam) i tha: "Çfarë ke përgatitur për Kiametin?" Atëherë beduini tha: "Unë nuk kam përgatitur shumë namaze (kam falur vetëm farzin, por nuk kam falur shumë nafile), kam dhënë zekatin (që është farz), por nuk kam dhënë shumë sadaka, kam agjëruar muajin e Ramazanit (që është obligim), por nuk kam agjëruar nafile ... por, unë e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij." Atëherë tha Profeti (alejhi selam): "Personi është me atë që do."

Enesi (radiallahu anhu) thotë se nuk jam gëzuar më shumë se me këtë hadith dhe thotë se unë e dua të Dërguarin e Allahut, e dua Ebu Bekrin, e dua Umerin; pra të gjithë njerëzit e mirë. Nëse personi i do njerëzit e mirë mundohet, të përpiqet dhe të jetë në shoqërinë e tyre e të zbatojë ato këshillat ose ato moralet e këtyre njerëzve të mirë. Prandaj, e lusim Allahun e Lartësuar të na bëjë prej atyre të cilët e zgjedhin shoqërinë dhe nëse jemi në një shoqëri ta këshillojmë njeri-tjetrin me të mira! Amin!

Pjesa e dytë

Falënderimi takon Allahut. Paqja dhe bekimi qofshin mbi Muhamedin tonë (alejhi salatu ue selam), mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin këtë rrugë deri në Ditën e Gjykimit.

Dëshiroj t'ju tregoj edhe dy fragmente në hytben e dytë që kanë lidhje me pjesën e parë të hytbes nga jeta e Profetit (alejhi salatu ue selam) se si shoqëria e keqe e hedh personin në zjarr të xhehenemit.

Fragmenti i parë është me xhaxhanë e Profetit (alejhi selam), Ebu Talib, i cili e ndihmoi Profetin (alejhi selam) gjatë gjithë kohës kur ishte gjallë, e ndihmoi fenë e Profetit (alejhi selam), e ndihmoi që mushrikët (idhujtarët) mos ta dëmtonin, mos ta vrisnin etj. Në momentin kur i erdhi sëmundja Ebu Talibit, Profeti (alejhi selam) shkoi për ta këshilluar, për t'i thënë që të thoshte: "La ilahe il Allah". I tha që ta thoshte këtë fjalë që me këtë fjalë të argumentohej tek Allahu, pra të shpëtonte nga zjarri i xhehenemit. Por, në kokën e Ebu Talibit, shoqëria e keqe që ishte Ebu Xhehli, njëri nga kokat e kufrit, siç e ka quajtur Profeti (alejhi selam) si faraon të këtij umeti,i tha Ebu Talibit: "A do të lësh fenë e të parëve tanë? Fenë e Abdul Mutalibit" Dhe feja e tij ishte feja e idhujtarëve. Kur e pa se shoqëria e keqe ishte pranë dhe e kapi ajo sedra e sëmurë që kundërshtoi fenë në këtë rast, atëherë Ebu Talibi tha: "Unë jam në fenë e Abdul Mutalibit." Vdiq duke qenë në fenë e idhujtarëve. Për shkak të shoqërisë Ebu Talibin e dënoi Allahu i Lartësuar e vendi i tij është xhehenemi.

Gjithashtu, fragmenti i dytë tregon për kohën e Profetit (alejhi selam) ku njeri prej mushrikëve të asaj kohe e kishte emrin Ukbete ibn Ebi Muejdh, njëri prej mushrikëve i cili ulej afër Profetit (alejhi salatu ue selam) në Qabe. Kur mushrikët filluan ta ofendonin Profetin se doli me fenë islame, Ukbete nuk e shante. Kur e panë mushrikët se Ukbete nuk po fliste, atëherë kujtuan sikur ky u kthye dhe u bë musliman. Thanë që ky ka një shokë të ngushtë, por shoku i tij ende nuk kishte ardhur dhe kur u ai u kthye i thanë se Ukbete, shoku yt i ngushtë, ka pranuar fenë e Muhamedit. Menjëherë shoku i Ukbes tha se nuk do t'i fliste atij derisa Ukbe të shante Profetin (alejhi selam). Kështu, Ukbete e shau dhe e ofendoi Profetin (alejhi selam) për hir të shoqërisë, u vra si qafir, si mushrik në luftën e Bedrit dhe zbriti ajeti kuranor që thotë Allahu i Lartësuar: "Në atë ditë (në Ditën e Gjykimit) kur do të dalë mizori (ai njeri i padrejtë) do të kafshojë duart e tij duke qortuar veten e do të thotë: 'Ah, sikur të kisha ecur në rrugën e Profetit! Ah, sikur të mos e kisha marrë filanin (atë shokun tim) si mik, sepse ai më shmangu nga rruga e të Dërguarit, pasi më erdhi e vërteta.' Vërtet, shejtani do ta poshtërojë birin e Ademit." Pra, në këtë ajet kuranor Allahu i Lartësuar e bën të qartë se çdo person që ka shoqëri të keqe kjo do të jetë fjala e tij në Ditën e Gjykimit. Pra, ajo shoqëri e cila e devijoi këtë person nga feja e Allahut, ose jo vetëm e devijoi nga feja, por e futi në mëkate, fjala e tyre do të jetë e njëjtë në Ditën e Gjykimit, sikurse përmendet ne ajetin e mësipërm: "Ah sikur të mos e kisha marrë për mik atë filanin!"

Ndërsa në një ajet tjetër kuranor, tregon Allahu i Lartësuar duke shpjeguar edhe ajetin që ne përmendëm: "Ah, sikur të kthehemi edhe njëherë në atë botë, që të shmangemi prej kësaj shoqërie të keqe, sikurse u shmangën ata sot në Ditën e Gjykimit." Sepse në Ditën e Gjykimit nuk do të ketë më shok, siç thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër kuranor: "Ata miq që janë dashur sot për hir të diçkaje (jo për hir të Allahut) në Ditën e Gjykimit do të jenë armiq të njeri-tjetrit, përveç njerëzve të devotshëm." Njerëzit e devotshëm të cilët i janë bindur Allahut, kanë zbatuar atë që thotë Zoti dhe çfarë ka thënë Profeti (alejhi salatu ue selam).

Prandaj ne të gjithë, secili prej nesh nëse ka shoqëri të keqe që e drejton në rrugë të shtrembër, jo në rrugën e Allahut, atëherë menjëherë të largohet para se të vijë Dita e Kiametit që mos të thotë: "Ah, sikur të kthehem edhe njëherë në atë botë!"

E lusim Allahun e Lartësuar të na ruaj nga shoqëria e keqe! Amin!

Gëzim Karaj

Burimijetes.com

05.06.2007

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com