All for Joomla All for Webmasters

QËNDRIMI PARA EKRANEVE NË MËNYRË TË PAKONTROLLUAR

. Posted in Hutbe.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Pjesa e parë

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s'ka kush e humb dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s'ka Zot tjetër me meritë përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

"O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!" Ali Imran, 102.

"O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se Allahu është Mbikëqyrës mbi ju." Nisa, 1.

"O ju besimtarë, kini frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta. Ai (Allahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja, e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh."Ahzab, 70-71.

Fjala më e mirë është fjala e Allahut dhe udhëzimi më i drejtë është udhëzimi i profetit Muhamed, ndërsa gjërat më të këqija janë gjërat e shpikura në fe, sepse çdo gjë e shpikur në fe është bidat, ndërsa çdo bidat është humbje dhe çdo humbje të çon në zjarr.

Robër të Allahut! O ju besimtarë! E porosis veten time dhe ju, me atë të cilën Allahu ka porositur të parët dhe të fundit; e ku ka më mirë se ti përmbahesh këshillës dhe porosisë së Allahut!

وَلَقَدْ وَصَّيْنَا الَّذِينَ أُوتُواْ الْكِتَابَ مِن قَبْلِكُمْ وَإِيَّاكُمْ أَنِ اتَّقُواْ اللّهَ

"Ne i kemi porositur ata që u është shpallur Libri para jush dhe juve: ‘Frikësojuni Allahut!’”Nisa, 131.

Në kohën që jemi duke jetuar është vështirë të gjesh shtëpi e të mos gjesh në të televizor, televizori tashmë është bërë pjesë e pandashme e jetës, madje në disa shtëpi gjen se në çdo dhomë ka nga një të tillë, në mënyrë që pjesëtarët e familjes të shohë çdokush emisionin apo filmin e preferuar pa shqetësuar të tjerët.

Kështu që të gjithë kemi rënë në këtë sprovë kaq të madhe, të cilën ose duhet ta menaxhojmë me kujdesin më të madh, ose pasojat e saj në familjet dhe shoqëritë tona do të jenë vërtet shkatërruese.

Jo më larg se koha që jetojmë, njerëzit ishin më bujar, më të ndërgjegjshëm, më fisnikë dhe shoqëria nuk kishte problemet të cilat ne i hasim në ditët e sotme, në ditët e globalizmit mediatik.

Është vërtet për t’u habitur fakti se dje edhe pse njerëzit ishin më të varfër, në veprimet dhe veshjet e tyre, ishin më të rregullt se sot, kur shikon veshje dhe veprime nga më të habitshme.

Njerëzit me qëndrimin para ekraneve të televizorit, në mënyrë të pa kontrolluar, nuk kanë bërë gjë tjetër veçse me dashje apo pa dashje kanë fituar sjellje dhe virtyte të cilat i veprojnë njerëzit e skenës.

Tashmë në shumë familje marrëdhëniet midis pjesëtarëve të saj janë si një telenovelë. Në këto familje gjen se burri sillet me bashkëshorten e tij si në filmat kinematografik apo telenovelat, madje dhe fëmijët sillen si të tillë.

Me dashje, pa dashje, ne po bëhemi shkak që t’u mësojmë brezave një edukatë të huaj dhe të shfrenuar, e cila për fat të keq është bërë e modës te shumica e shoqërisë, sepse ata janë mësuar tashmë me të nga ekrani i televizorit.

Nëse do të vazhdojmë kështu, ne nuk do të bëjmë gjë tjetër vetëm se do t’i mësojmë vajzat tona të bëjnë si vajzat e filmit apo telenovelës, të marrin lirinë absolute, të përbuzin martesën dhe të kenë të dashur, madje të vishen si karnavale, madje dhe më keq, gjë që askush nga ne nuk do ta dëshironte.

Nëse do të vazhdojmë të shohim televizorin, në mënyrë të pakontrolluar, atëherë është e kotë që i pengojmë fëmijët të shoqërohen me shokë jo të mirë, sepse nëse fëmija jonë e kalon shumicën e ditës përpara ekranit me filmat hollivudian, ku nuk mungojnë skenarët e vrasjes, apo të vjedhjeve mafioze, nuk ka dyshim se ai do të bëhet ndër më të rrezikshmit dhe më ordinerët, vetëm nëse e ruan Allahu. Po vërtet kështu është, sepse Profeti -alejhi selatu ue selam- ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, ndaj le të shohë çdo kush kë merr për shok." Dhe në rastin tonë fëmijët nëse ne nuk e kontrollojmë televizorin kanë marrë shokun më të keq, i cili do t’i mësojë gjithçka të cilën ti nuk e ke dashur apo e ke urryer.

O prindër! Të gjithë ne jemi barinj dhe jemi përgjegjës për tufën që kemi në ngarkim. Profeti -salallahu alejhi ue selem- ka thënë: "Të gjithë ju jeni barinj dhe çdonjëri prej jush është përgjegjës për tufën e tij. Babai është bari për shtëpinë dhe familjen e tij dhe është përgjegjës për tufën që ka. Edhe nëna është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe është bareshë për tufën e saj.”

A nuk e vini re se sa qesharakë janë bërë sot njerëzit, thuaj sikur tek ata të mungojë logjika e shëndoshë. Gjen të rinj të cilët ndjekin modat e ekranit, disa nuk ndryshojnë nga femrat, të tjerë vishen të arnosur, thua sikur janë kthyer nga ndonjë betejë, ndërsa disa të tjerë sikur mbi kokat e tyre kanë vendosur ndonjë fole zogjsh.

Ndoshta dikujt mund t’i vijë për të qeshur nga këto fjalë, por ky është realiteti të cilin na e ka importuar televizori dhe ne nuk e kemi ndier. Ndaj kini gjithmonë parasysh këtë fjalë të Allahut, përpara se të jetë tepër vonë.

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا قُوا أَنفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَارًا وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ عَلَيْهَا مَلَائِكَةٌ غِلَاظٌ شِدَادٌ لَا يَعْصُونَ اللَّهَ مَا أَمَرَهُمْ وَيَفْعَلُونَ مَا يُؤْمَرُونَ

"O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato."Tahrim, 6.

E lusim Allahun të na udhëzojë nga e drejta, të na bëjë punues të së mirës të largohemi nga e keqja dhe të na ruaj nga sprovat!

Pjesa e dytë

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Tij qofshin mbi Muhamedin -salallahu alejhi ue selem-.

O ju muslimanë! Qëndrimi me orë të tëra përpara televizorit dhe të ngjashmeve me të është humbje kohe, për të cilën ti dhe unë do të përgjigjemi. Profeti -salallahu alejhi ue selem- ka thënë: “Në dy gjëra njerëzit janë mashtruar: shëndeti dhe koha e lirë." Shënuar nga Buhariu.

Nga ana tjetër pjesa më e madhe e atyre që njerëzit i dëgjojnë në televizor janë falsë apo të sajuara dhe në shërbim të njerëzve, apo organizatave të caktuara. Kështu që njerëzit i dëgjojnë lajme apo emisione të tilla, pastaj fillojnë t’i analizojnë ato duke i besuar si të drejta, e ku në realitet ato janë falsë e mashtrime. Profeti -salallahu alejhi ue selem ka thënë: "Mjafton për njeriun të konsiderohet si gënjeshtar nëse flet gjithmonë atë që dëgjon." Shënuar nga Muslimi. Ndaj të jeni të bindur se të pavërtetat që i dëgjoni në televizor janë më të shumta se të vërtetat.

O ju muslimanë! Allahu i madhëruar na fton që kështu të sillemi në Kuran:

وَقَدْ نَزَّلَ عَلَيْكُمْ فِي الْكِتَابِ أَنْ إِذَا سَمِعْتُمْ آيَاتِ اللّهِ يُكَفَرُ بِهَا وَيُسْتَهْزَأُ بِهَا فَلاَ تَقْعُدُواْ مَعَهُمْ حَتَّى يَخُوضُواْ فِي حَدِيثٍ غَيْرِهِ إِنَّكُمْ إِذًا مِّثْلُهُمْ إِنَّ اللّهَ جَامِعُ الْمُنَافِقِينَ وَالْكَافِرِينَ فِي جَهَنَّمَ جَمِيعًا

"Ai jua ka shpallur në Libër: Kur të dëgjoni se mohohen fjalët e Allahut dhe bëhet tallje me to, atëherë mos rrini me ata (njerëz që veprojnë kështu), derisa të ndërrojnë bisedë, përndryshe do të ishit si ata. Allahu do t’i tubojë në xhehenem të gjithë hipokritët dhe mohuesit."Nisa, 140.

Ndërsa në një ajet tjetër Ai thotë:

وَإِذَا رَأَيْتَ الَّذِينَ يَخُوضُونَ فِي آيَاتِنَا فَأَعْرِضْ عَنْهُمْ حَتَّى يَخُوضُواْ فِي حَدِيثٍ غَيْرِهِ وَإِمَّا يُنسِيَنَّكَ الشَّيْطَانُ فَلاَ تَقْعُدْ بَعْدَ الذِّكْرَى مَعَ الْقَوْمِ الظَّالِمِينَ

"Kur t’i shohësh ata të nënçmojnë shpalljet Tona, largohu prej tyre, derisa të kalojnë në bisedë tjetër. E, nëse djalli të bën të harrosh, sapo të përmendesh, mos rri me keqbërësit!"En'am, 68.

Por, eja dhe vështro tek ne se si sillemi në shtëpitë tona dhe përpara ekraneve televizive, të cilat janë të mbushura plot tallje dhe sharje të ajeteve dhe fakteve të Allahut.

Shumica jonë qëndron e magjepsur përpara ekraneve kur shfaqin emisione argëtuese  edhe pse emisione të tilla kanë shpalosur haptazi se humori i tyre nuk ka kufi, madje bëhet humor me ajetet, faktet dhe krijimin e Allahut.

A nuk është vërtet çudi që ne shohim emisione të tilla! Madje më keq se kaq kur ne jo që ta ndërrojmë kanalin kur përdoren ajetet e Allahut në batutat e “Portokallisë”, por gajasemi me ta sikur s’na bëjnë përshtypje shprehje të tilla dhe se ai që përqeshet në këto batuta është Allahu i Madhëruar.

A nuk e dimë se ne kështu jemi bashkëfajtorë me njerëz të tillë, madje përqeshja me Allahun dhe fenë e Tij janë kufër (mohim), i cili të nxjerr nga feja. Ja se si i drejtohet Allahu atyre të cilët veprojnë gjëra të tilla.

وَلَئِن سَأَلْتَهُمْ لَيَقُولُنَّ إِنَّمَا كُنَّا نَخُوضُ وَنَلْعَبُ قُلْ أَبِاللّهِ وَآيَاتِهِ وَرَسُولِهِ كُنتُمْ تَسْتَهْزِؤُونَ{لاَ تَعْتَذِرُواْ قَدْ كَفَرْتُم بَعْدَ إِيمَانِكُمْ إِن نَّعْفُ عَن طَآئِفَةٍ مِّنكُمْ نُعَذِّبْ طَآئِفَةً بِأَنَّهُمْ كَانُواْ مُجْرِمِينَ

"Nëse i pyet, ata do të të përgjigjen: ‘Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim’. Thuaj: ‘A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?’ Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar. Nëse Ne i falim disa prej jush (për shkak se u penduan), do t’i ndëshkojmë të tjerët, ngase janë fajtorë (nuk u penduan për talljen që bënë)."Teube, 65-66.

Tallja me fenë është rrezik i madh, ajo e nxjerr njeriun nga feja e Allahut, por edhe qeshja me talljet që i bëhen fesë është e rrezikshme, prandaj kini kujdes, o ju myslimanë!

Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

03.05.2008

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com