All for Joomla All for Webmasters

SPROVA E YMETIT TIM ËSHTË PASURIA

. Posted in Hutbe.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s'ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se s'ka hyjni tjetër përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

"O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!" Ali Imran, 102.

O robër të Allahut! Allahu i Lartësuar thotë në Kuranin Famëlartë:

“Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu.” Al Imran, 14.

Kurani madhështor përcakton epshin e çdo personi përgjatë gjithë kohërave, më pas ai tregon se sa është vlera reale e tyre, në mënyrë që të qëndrojnë në vendin e duhur e të mos e kapërcejnë atë.

Islami nuk e fton njeriun që t'i lejë ato pas dore apo që t'i nënçmojë, porse ai fton njeriun që të njohë natyrën e tyre, që më pas t'i vendosi në vendin e duhur, e në mënyrë që të mos jepet vetëm pas tyre e të harrojë atë që është më e dobishme se ato. Islami ka nxitur në kërkimin e riskut të lejuar (hallall) dhe që ta gjallërojë dynjanë, sepse ajo është rrugë për në ahiret, ku dhe pasuria është një prej këtyre faktorëve, porse ai në kohën e materializmit është bërë shkak që miqtë e vëllezërit të grinden pa asnjë shkak, pasuria sot është bërë idhulli i kohës tek shumica e njerëzve.

Një pjesë e mirë e njerëzve mendojnë se vetëm nëpërmjet pasurisë arrihet lumturia dhe nderimi, por nëse do të shohim më nga afër gjendjen e shumicës së këtyre njerëzve shohim se pasuria për të cilën ata vuanin për ta mbledhur nuk u ka shtuar vetëm se vuajtje dhe mundime, strese dhe brenga. Këta njerëz nuk i zë gjumi nga frika e humbjes së kësaj pasurie, kështu që as nuk po e gëzojnë atë dhe as që po jetojnë të qetë. Si mund të jetojnë të qetë kur dashuria ndaj saj i ka bërë që të harrojnë të Plotfuqishmin!

Allahu i madhëruar i ka dhuruar shumë njerëzve pasuri dhe thesare, por në momentin që ata u treguan kryeneç ndaj Zotit të tyre, Allahu i fundosi ata bashkë me pasurinë e tyre në barkun e tokës.

Njëri prej tyre është dhe Karuni, të cilit Allahu i dha një pasuri aq të madhe saqë çelësin e depove të saj e mbanin dhjetë burra të fuqishëm, por kur ai i kaloi kufijtë në arrogancë dhe përbuzje gjë të cilën e tregon Allahu:

“Ai tha: 'Kjo më është dhënë vetëm prej diturisë sime'. El Kasas, 78, arriti në përfundimin e keq dhe të hidhur:

 “Ne bëmë që Karunin dhe shtëpinë e tij t’i gëlltiste toka dhe askush nuk arriti që ta mbronte nga dënimi i Allahut, madje as ai vetë nuk mund ta mbronte veten”. El Kasas, 81.

Në një moment të vetëm humbi ajo që ishte mbledhur dhe ndërtuar, e kështu u zbatua urdhri i Allahut. Allahu e dënoi atë dhe e bëri shembull për të gjithë njerëzit, në mënyrë që ata të kuptojnë se nuk është pasuria e gjithë mirësia, e se pasuria ndonjëherë është dënim për pronarin e saj. Allahu thotë:

 “Por vërtet që njeriu shkel çdo cak”. ElAlak, 6.

 “E, kur të hidhet (në zjarr), pasuria e tij nuk do t’i bëjë dobi”. ElLejl, 11.

 “As pasuria juaj, as fëmijët tuaj nuk do t’ju afrojnë më shumë te Ne, por vetëm ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira (e meritojnë këtë). Ata do të kenë shpërblim të shumëfishtë për atë që kanë bërë dhe do të jenë të sigurt në banesa të larta (në xhenet)”. Sebe’e, 37.

Disa njerëzve kur u kujton pasurinë, gjen tek ata një përpjekje dhe vullnet me të cilën mbajnë barrë shumë më të madhe se ç’mund të imagjinohet, por nëse ndonjë e thërret tek e vërteta, çohet i plogësht, i rëndë e duke tërhequr këmbët zvarrë, madje ndoshta nuk është në gjendje që as dhe të çohet. Sa bukur që e përshkruan Profeti një person të tillë: “I poshtëruar është robi i dinarit, i poshtëruar është robi i dërhemit dhe kadifes, nëse i jepet atij diçka gëzohet e kënaqet, e nëse nuk i jep, zemërohet e brengoset”. Buhari.

Po, është e vërtet se ai i cili jeton në këtë gjendje është rob i pasurisë, ai jeton me euron dhe me dollarin, nuk shikon se nga e merr dhe e përfiton atë, nga hallalli apo nga harami! Për të ai miqëson dhe armiqëson, do dhe urren dhe ky është adhurimi i vërtet.

Hasan el Basri ka thënë: “Çdo popull e ka patur idhullin e tij, ndërsa idhulli i këtij populli është dinari dhe dërhemi”.

Të gjithë ne përpiqemi ta shtojmë pasurinë, por ku është kujdesia që ne tregojmë për shtimin e imanit?! Të gjithë përpiqemi kur na shtohen të ardhurat t'i mësojmë shifrat e llogarive bankare, por përse nuk po i lëmë zemrës pak vend për mësimin e Kuranit?!

Është e vërtet se sot mentaliteti i njerëzve ka ndryshuar shumë. Sot ka ndryshuar dhe mënyra se si vlerësohen njerëzit, nëse je i pasur –pa parë sesi e ke fituar këtë pasuri, me drogë, prostitucion, bixhoz, vjedhje apo diçka të ngjashme me to-, ti je njeri i lartë dhe me pozitë në mesin e shoqërisë, je i nderuar dhe i privilegjuar, madje ka shumë prej njerëzve që të thurin lavde. Ndërsa atë fukaranë, i cili është njeri fisnik, i pastër, i drejtë dhe serioz, njerëzit nuk e përfillin, madje ndoshta edhe më keq, e diskriminojnë dhe e poshtërojnë.

E pra, a nuk janë bërë njerëzit vërtet robër të lekut e pasurisë?! Muadh bin Xhebel ka thënë: “Nesër nuk do të peshohet pasuria apo varfëria, por do të peshohet durimi dhe mirënjohja, po ashtu vlerësimi dhe gradat nuk do të jenë në saj të pasurisë, e as të varfërisë, por në saj të devotshmërisë, nëse do të jenë të njëjtë në frikën ndaj Allahut, ata sigurisht do të jenë të njëjtë në gradë tek Ai.”

O ju muslimanë! Të vërtetën e ka thënë Profeti alejhi selatu ue selam, kur tregon për kohërat të cilat do të vinin pas tij dhe që vërtet përputhet me kohën tonë shumë. Ai ka thënë: “Do të vijë një kohë ku njerëzit nuk do të shohin se nga e përfitojnë pasurinë e tyre, a nga hallalli apo nga harami”. Buhari.

Njeriu sot nuk interesohet nga e përfiton pasurinë, e fiton atë në saj të kamatës, apo ryshfetit, e fiton në saj të bixhozit apo të fallit e magjisë. Hallall dhe e pastër tek këta njerëz është ajo që arrin në duart e tyre, e çdo lloj forme qoftë ky përfitim, madje edhe nëse për të janë shfrytëzuar njerëz, është përdhosur nderi apo është marrë jeta e tyre!

Kjo pasuri për këta njerëz do të jetë disfatë, në këtë botë nuk do të ketë nga ai dobi e bereqet, ndërsa kur të dalë përpara Zotit të drejtë do ta hedhë në zjarrin e nxehtë.

Këta njerëz nëse bien në hall dhe seriozisht i drejtohen Zotit me lutje atyre nuk do t'u dëgjohet e nuk do t'u përgjigjen lutjet nëse nuk heqin dorë, të pendohen e të kthehen tek zoti i tyre, sepse Allahu nuk e dëgjon lutjen e atij që ushqehet me haram, pi haram e vishet haram.

O ju muslimanë! Përmirësojini lidhjet tuaja me Allahun. Pastrojeni pasurinë tuaj. Gjeni rrugët dhe metodat e lejuara për fitimin e pasurisë, dhe dijeni se ju nuk do të mund ta trashëgoni dot atë që keni mbledhë, ndaj bëjeni pasurinë rrugë për t'u afruar tek Allahu -Zoti juaj-. Bëje pasurinë tënde rrugë për në lumturinë e vërtetë përpara se të vijë vdekja, shpenzoje atë atje ku kënaqet Allahu: bëj bamirësi, ushqe të varfrit, jep zekatin, ndihmoi borxhlinjtë, kujdesu për jetimët, dhe dhuro për përhapjen e kësaj feje. Ebu Dheri transmeton se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ata të cilët janë të pasur në dynja, do të jenë të varfër në ditën e gjykimit, me përjashtim të atij të cilit Allahu i ka dhënë mirësi dhe ai e shpërndan atë nga e djathta dhe nga e majta dhe punon me të mirësi”. Buhari, porse sa pak që janë ata!

II

E falënderojmë Allahun, i cili është Mik i të mirëve. Dëshmoj se s'ka hyjni tjetër përveç Allahut, i cili është Një dhe pa ortak, i cili është Zoti i mbarë botëve. Dëshmoj se zotëria dhe pejgamberi ynë, Muhamedi, është i dërguar dhe rob i Allahut, është zotëria i pejgamberëve të dërguar. Allahu ynë bekoje dhe përshëndete atë, familjen dhe mbarë shokët e tij!

"O ju besimtarë, kini frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta. Ai ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja, e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh." El Ahzab, 70-71.

 “Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu. Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët”. El Kasas, 77.

O besimtarë, çoni selame e përshëndetje për profetin Muhamed salallahu alejhi ue selam.

Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

17.10.2008

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com