All for Joomla All for Webmasters

NË MBROJTJE TË PROFETIT ALEJHI SELAM

. Posted in Hutbe.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Robër të Allahut! Duhet ta dimë se Allahu na ka mëshiruar me një mëshirë të gjerë, në momentet në të cilin na veçoi për të na bërë nga pasuesit e krijesës më të mirë, me të cilin Allahu na nxori nga errësira në dritë, nga humbja në udhëzim, nga vuajtjet në lumturi, nga poshtërimi, padrejtësia, injoranca, përçarja e nëpërkëmbja, në krenari, drejtësi, dituri, bashkim dhe nderim.

Kush do të ishim ne nëse nuk do të ishte feja e Muhamedit?! Cila do të ishte vlera jonë nëse nuk do të ishin mesazhet dhe legjislacionet e tij?! Ku do të ishte përfundimi ynë nëse nuk do të ishte thirrja dhe akidja e tij.

“Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kuranin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar”. Al Imran, 164.

E përçoi mesazhin në mënyrën më të mirë, e përmbushi amanetin dhe e këshilloi popullin e tij, si dhe luftoi në rrugë të Zotit derisa i erdhi vdekja.

Populli i tij e mundoi, ndërsa i duroi në mënyrë që të përçonte këtë fe. Shkoi në Taif (në një distancë prej 100 km), në këmbë vetëm për të përhapur këtë fe, ndërsa ata hodhën kundra tij fëmijët, i gjakosën këmbët, ndërkohë që ai bënte durim në thirrjen e tij. Shkonte nëpër fise për t’u treguar Islamin dhe ata e përzinin, megjithatë ai vazhdoi të thërriste. Shokët e tij dënoheshin e mundoheshin për shkak të fesë në pikën e vapës, megjithatë duronin derisa u urdhëruan për të emigruar. Profeti alejhi selam kur vendosi të largohej prej Mekës, qëndroi në kufijtë e saj dhe tha: “Pasha Allahun! Ti je vendi më i dashur tek Allahu, je vendi më i dashur edhe tek unë, nëse populli yt nuk do të më kishte përzënë nuk do të largohesha prej teje”.

Në ditën e luftës së Uhudit, iu ça koka, dhëmbët iu thyen, armiqtë iu vërsulën për ta vrarë në luftën e Hendekut, mblidhen e bëhen parti duke kërkuar kokën e tij, porse e gjitha kjo nuk e dobëson vendosshmërinë e tij për të përhapur këtë fe, aq sa Islami u përhap në Lindje e në Perëndim.

Mirësitë e tij nuk kanë të sosur, e vlerat e tij nuk kanë të mbaruar, nuk ka cilësi të lartë veçse me të është cilësuar. Allahu mendjen e tij e lavdëroi: “Se shoku juaj (Muhamedi alejhi selam), nuk ka humbur e nuk ka devijuar!” Nexhm, 2.

Gjuhën e tij e pastroi: “Ai nuk flet sipas qejfit të vet”.

Lavdëroi legjislacionin e tij kur tha: “Por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij”.

Lavdëroi mësuesin e tij kur tha: “Ia ka mësuar atij një (engjëll) shumë i fuqishëm (Xhebraili), mendjelartë, që iu paraqit qartë”.

Lavdëroi mësuesin e tij kur tha: “Zemra (e tij) nuk gënjen për atë që ka parë”.

Lavdëroi shikimin e tij kur tha: “Shikimi i tij nuk u shmang dhe as nuk e kaloi masën”.

Lavdëroi shokët e tij kur tha: “Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre”. Fet’h, 29.

Madje e lavdëroi atë të tërin kur tha: “Se ti je me virtyte madhore”. Kalem, 4.

Allahu atë e përshkroi si Profetin e Tij: “Muhamedi është i Dërguar i Allahut”. Fet’h 29.

E nderoi me adhurim duke qenë rob i Tij: “I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin)”. Madje dëshmoi se ai e plotësoi në mënyrën më të përkryer: “Kur robi i Allahut (Muhamedi), u ngrit t’i lutej Atij”. Xhin, 19.

Allahu atij gjoksin ia hapi, barrën ia hoqi, emrin e tij e ngriti. Dritën e tij e përmbushi dhe fenë e tij e plotësoi. Zoti i tij nuk e braktisi e as nuk e urreu, përkundrazi e gjeti atë në humbje dhe e udhëzoi, e gjeti të varfër dhe e pasuroi. Kur i thanë të përzgjidhte mes përjetësisë në dynja dhe shkuarjes te Zoti i tij, ai zgjodhi shkuarjen te Zoti i tij.

Ndërsa sot vijnë njerëz të cilët nuk e njohin Zotin as sa hap e mbyll sytë, të cilët jetojnë në errësirë dhe mes shthurjes, mendimet dhe parimet e të cilëve janë më shumë se të ndyra, të cilët përpiqen të shuajnë këtë kandil ndriçues.

Fillimisht vjen një gazetë danimarkeze e një tjetër norvegjeze, aq sa arrin çështja në libra e shkrime të autorëve shqiptarë, si dhe përkthime të librave të autorëve amerikanë që ndaj kësaj feje janë ziliqarë e të shajnë më të mirin e njerëzimit në sytë e të gjithë muslimanëve. Ku është xhelozia?! Ku është dashuria për Profetin alejhi selam?! Ku është mbrojtja ndaj Profetit Muhamed alejhi salatu ue selam?!

Nuk ka dyshim se Allahu do të hakmerret ndaj tyre, sepse Ai në librin e Tij ka thënë: “Allahu të ruan ty prej njerëzve”. Maide, 67.

E mundoi atë Utbe bin Ebi Lehebi dhe e përqeshi, por Profeti alejhi selam e luti Allahun t’i lëshonte një bishë prej bishave të Tij, ndaj ky njeri nuk flinte veçse në mesin e shokëve dhe miqve nga frika se mos e zinte lutja e Profetit, e më në fund në një nga udhëtimet e tij u bë një vakt i shijshëm i një luani, kur po copëtohej prej tij ulërinte dhe thoshte: “Më vrau lutja e Muhamedit”.

Kisra e shqeu dhe e grisi mesazhin e tij dhe Profeti alejhi selam  u lut ndaj tij dhe Allahu e vrau dhe mbretërinë e tij e copëtoi për të mos arritur të kenë më mbretëri pas tij. Kjo realizoi atë të cilën Zoti i kishte premtuar: “Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë”. Keuther, 3. D.m.th, se çdokush që të urren dhe armiqëson, Allahu do ta shkatërrojë, do t’ia marrë dritën e syrit e do t’ia presë përkujtimin.

Por, cili është qëndrimi ynë o robër të Allahut?! Duhet patjetër që t’i pyesim vetvetet. A vallë e duam Profetin alejhi selam me dashurinë e sinqertë dhe të merituar, apo jemi thjesht vetëm në kornizat e pretendimit?!

Profeti alejhi selam ka thënë: “Nuk beson askush nga ju derisa të jem më i dashur tek ai se prindërit, fëmijët dhe të gjithë njerëzit”. Umer bin Hatabi i tha: ”O Profet i Zotit, ti je më i dashur për mua se të gjithë këta, me përjashtim të vetes sime”. Profeti ia ktheu: “Jo, o Umer, derisa të jem më i dashur edhe se vetja jote”. Umeri i tha: “Tani je më i dashur edhe se vetja ime”.

Ebu Bekri qante nga gëzimi kur mori vesh se do shoqëronte Profetin alejhi selam në emigrimin e tij nga Mekja në Medine, gjatë udhëtimit, ecte përpara Profetit alejhi selam kur mendonte kurthet dhe ecte prapa tij kur mendonte se i ndiqnin, aq sa kur erdhi momenti i rrezikut e shpagoi me kokën e tij, duke mos e lënë akrepin të shkonte te Profeti alejhi selam, por të pickonte në trupin e tij.

Nesijbetu bintu Kab, gruaja e cila me shpatën e saj largonte armiqtë nga Profeti alejhi selam në luftën e Uhudit, kur Profeti alejhi selam i thotë të lutet, ajo kërkon të jetë më të në Xhenet. La ilahe ila llah, dashuri në dynja dhe dashuri në ahiret.

Kur mbaroi lufta e Uhudit dhe ushtria po kthehej në Medine, ata kaluan pranë një gruaje së cilës iu vra në këtë luftë burri, babai dhe vëllai, në momentin që po e ngushëllonin, ajo filloi tu thoshte: “Profeti si është?” Sahabët e qetësuan duke i thënë se është mirë, por ajo kërkoi ta shihte e kur e pa iu drejtua e i tha: “Çdo dhimbje pas teje është e vogël, o i dërguar i Allahut”.

Kurejshët kur dërguan Urue bin Mes’ud Ethekafiu për të bërë marrëveshjen e Hudejbijes me Profetin alejhi selam dhe ai pa shembujt e pazakontë të dashurisë ndaj Profetit alejhi selam, kur u kthye te kurejshët u tha: “Kam parë shumë mbretër, por nuk kam parë asnjë mbret ta duan e ta madhërojnë shokët e tij ashtu sikurse e duan dhe e madhërojnë shokët e Muhamedit Muhamedin”.

Kjo është dashuria e sahabëve për Profetin alejhi selam, por ne a e duam vallë Profetin alejhi selam? Apo çështja është vetëm pretendime?! A po e respektojmë atë?! A po e përhapim sunetin e tij?! Vallë a po edukohemi me edukatën e tij?! A po ecim pas udhëzimit të tij?!

“Me të vërtetë, Ne të kemi dërguar ty (Muhamed) dëshmitar, sjellës të lajmeve të mira dhe paralajmërues, që t’i besoni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që ta ndihmoni e ta nderoni atë (Muhamedin alejhi selam) dhe që ta lavdëroni Atë (Allahun xheleshanuhu) me namaz në mëngjes dhe mbrëmje”.

Allahu më begatoftë mua dhe juve me Kuranin e lartësuar, na bëftë dobi me ajetet dhe mësimet e tij të çmuara, e thash këtë që dëgjuat dhe i kërkoj falje Allahut për vete dhe ju, dhe ju kërkoni falje se vërtet Ai është Falës i madh. 

II

O ju robër të Allahut! Dashuria e Profetit është akide dhe besim rreth së cilës janë një të gjithë muslimanët kudo që janë. Të gjitha zemrat e duan atë, ndaj ne duhet që këtë krizë botërore, e cila po shtohet si shkak i cenimit të figurës së tij, ta shfrytëzojmë në njësimin e radhëve tona, në bashkimin e fjalës sonë, në mënyrë që të jetë urrejtja e muslimanëve për fenë e tyre në drejtimin e duhur. Duhet të përhapim respektin dhe nderimin e tij në popull, ti njohim brezat me virtytet e tij. Është detyrë e nënave t’i ushqejnë fëmijët me dashurinë për Profetin alejhi selam, sikurse është detyrë për baballarët t’i japin një pjesë kohe historisë së tij për ta lexuar me familjen. A nuk kemi mundësi ta shfrytëzojmë këtë rast që të bashkohemi, pasi boll mbetëm të përçarë e të jemi bashkë në mbrojtje të figurës së Profetit tonë Muhamedit alejhi salatu ue selam.

Ky është një rast historik për ne që ta shfaqim qartë dashurinë  tonë për Profetin alejhi selam, si dhe të refuzojmë bashkëpunimin me çdo kënd që nëpërkëmb nderin e tij, madje ti presim lidhjet me ta qoftë edhe me anën tregtare.

Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

29.07.2009

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com