All for Joomla All for Webmasters

MIRË SE VJEN RAMAZAN!

. Posted in Hutbe.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut i cili kohë të begatë na dhuroi, i Cili për në shfrytëzimin çasteve të jetës tonë na udhëzoi, e që Xhenetin e Tij – që është sa gjerësia e tokës dhe e qiellit na e premtoi. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut, i vetëm dhe i pa shok dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, udhëzues e qortues, thirrës e përgëzues; nderimet, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për të, familjen dhe shokët e tij, si dhe të gjithë ata që i pasojnë gjurmët e tyre deri në Ditën e Kiametit.

O ju muslimanë! Ja hëna e Shabanit po shuhet, por vendin e saj do ta zërë hëna e një muaji të madh, bashkë me të po ju vjen një kohë e begatë, në të cilin Zoti juaj shfaq mëshirën e Tij sikur asnjëherë tjetër.

Muaji që sjell kjo hënë është një muaj për të cilin hapen zemrat e besimtarëve, muaj i cili sjell tek muslimanët gjallërinë shpresën dhe ndryshimin.

Po na vjen muaji në të cilin ne rregullojmë marrëdhëniet tona me adhurimet, pas një kohe të gjatë që na ka rrëmbyer pakujdesia dhe angazhimet.

Me këtë hënë Allahu na lajmëron se tashmë na ka ardhur një shans tjetër që sa shumë kishim që e prisnim, ja tashmë ai po na vjen përsëri, për të hapur një fletë të re në ditarin e jetës sonë, ndaj le të përgatitemi që dita e parë e tij të jetë pikënisja e ndryshimit dhe pista e garimit në bindjen e Allahut dhe arritjen e shpërblimit.

Vëllezër dhe motra muslimanë! Ja dhe disa ditë dhe ne presim një mik të shtrenjtë, por çfarë kemi përgatitur për ardhjen e tij! Çfarë do të vepronte çdokush prej nesh nëse merrte vesh se po i vjen një mysafir për të cilin e ka marrë malli, sigurisht që do të përgatiste çdo gjë të bukur për të. Atëherë si të sillemi ne më këtë mik kaq të shtrenjtë të cilin na e sjell kjo hënë e re e që ndoshta nuk mund ta arrijmë dot vitin tjetër!

Po, ne e kuptojmë se çdo ndjenjë ka emocionin e saj, por ndjenja që ka muslimani kur pret këtë muaj të madh –Ramazanin-, i tejkalon të gjitha këto kuptime e ndjenja.

Këtë hënë e këtë muaj e kanë pritur edhe njerëz të tjerë, të cilët na kanë mësuar se si duhet përfituar kjo kohë kaq e çmuar. Profeti salallahu alejhi ue selem, kur afrohej Ramazani i përgëzonte shokët me ardhjen e tij dhe u thoshte duke u treguar për vlerat e tij, në mënyrë që të përgatiteshin për të.

Ebu Hurejre transmeton se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “U erdhi Ramazani, muaj i bekuar. Allahu ua ka obliguar agjërimin e këtij muaji. Në këtë muaj hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e xhehenemit, lidhen në pranga shejtanët e inatosur. Allahu në këtë muaj ka vendosur një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga të mirat e kësaj nate, është privuar nga çdo e mirë”. (Nesaiu, sahih).

Ky hadith i lartpërmendur na mëson se duhen përgëzuar dhe uruar muslimanët me njëri-tjetrit për ardhjen e këtij muajit të bekuar dhe fitimprurës. Ibn Rexhebi, rahimehullah, ka thënë: “Si ka mundësi që të mos përgëzohet besimtari me hapjen e dyerve të xhenetit?! Si ka mundësi që mos të përgëzohet mëkatari me mbylljen e dyerve të zjarrit?! Si ka mundësi që njeriu i mençur të mos përgëzohet për kohën, në të cilën prangosen djajtë?! Si ka mundësi që kjo kohë t’i përngjajë në ndonjë mënyrë kohëve tjera?!”. “Lataiful-Mearif”, fq. 279.

Sa vizitorë i mirë që qenka ky që po na vjen? Muala bin Fadël thotë se sahabët gjashtë muaj para se të vinte Ramazani bënin lutje që ta arrinin atë dhe pasi Ramazani përfundonte e largohej bënin gjashtë muaj të tjera lutje që Allahu t’ua pranonte.

Pothuaj se na ka ardhur muaji i Ramazanit, muaj i adhurimit dhe bindjes, muaji i pastërtisë dhe thjeshtësisë. Ramazani është muaj i pendimit dhe agjërimit, namazit dhe qëndrimit në këmbë. Ramazani muaj i bujarisë dhe Kuranit, muaj i përkujtimit dhe tesbihut. Po, po na vjen ky muaj i cili sjell pranverë në zemrat e të mirëve dhe gëzim në zemrat e besimtarëve. E lusim Allahun që ta arrimë muajin e Ramazanit e të na bëjë ne prej të liruarve të zjarrit.

Në Ramazan njeriu si qenie ngjallet e lartësohet, zemra freskohet e pastrohet. Në Ramazan shfaqet dukshëm forca e imanit dhe vendosmëria në adhurime. Në të besimtarët lënë ato të cilat i dëshirojnë dhe kënaqen e gëzohen më shumë se ata të cilët i shijojnë, sepse ata e dinë se kështu Zotit të tyre i binden dhe e madhërojnë. Allahu i Lartësuar atyre që në këtë muaj janë të duruar, u ka dhënë një premtim të cilin në librin e Tij e kanë të shkruar:

“Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë”. Zumer, 10.

Besimtarët në këtë muaj gëzohen pse ngrënien dhe pirjen lënë dhe lumturohen pse para Zotit të tyre qëndrojnë në këmbë.

Ky është Ramazani i cili është shkollë e sakrificës, durimit, përmbajtjes dhe tolerimit. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur të vijë nata e parë e ramazanit, hapen dyert e Xhenetit e nuk mbyllet asnjëra prej tyre dhe mbyllen dyert e zjarrit dhe nuk hapet asnjëra prej tyre dhe prangosen shejtanët e sëmurë, më pas një thirrës nis e thërret: o kërkues i së mirës, afrohu! O kërkues i së keqes, largohu dhe Allahu çliron njerëz nga zjarri për çdo natë Ramazani”. Buhari dhe Muslimi.

Vëllezër dhe motra të besimit! Ramazani është më i miri ndër muajt e vitit, sepse Allahu e ka veçuar duke e bërë agjërimin në të obligim dhe shtyllë të katërt të Islamit, Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Islami është ndërtuar në pesë shtylla: dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i muajit të Ramazanit dhe haxhi në shtëpinë e shenjtë”. Buhari dhe Muslimi.

Allahu ka obliguar agjërimin e ditëve të tij, ndërsa Profeti i Zotit ka nxitur besimtarët dhe muslimanët të falen në netët e tij, sepse në të gjendet një natë e madhe, adhurimi në të cilën është më e vlefshme se adhurimi i tetëdhjetë e tre viteve. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “U erdhi Ramazani, muaj i bekuar. Allahu ua ka obliguar agjërimin e këtij muaji. Në këtë muaj hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e xhehenemit, lidhen në pranga shejtanët e inatosur. Allahu në këtë muaj ka vendosur një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga të mirat e kësaj nate, është privuar nga çdo e mirë”.

Ndaj a nuk është me meritë që kur vjen një muaj i tillë besimtarët të gëzojnë e të mirët të përgatisin vetet e tyre që për në bindje të Allahut të garojnë?

Vëllezër dhe motra! I dëgjuat ato që thashë, i kërkoj Allahut falje për vete dhe ju dhe ju kërkoni Atij falje se vërtet Ai fal shumë.


II

Musliman i nderuar!...O vëllai im, O motra ime, O rob dhe i dashuri i Allahut!

A më lejon që të kem nderin të të informoj?!

A më lejon që të gëzohem për ç’ka do të lajmëroj?!

A e di o adhurues i Allahut dhe ti o mik dhe pasues i Profetit, paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, se me çfarë do të lajmëroj?!

Jam i bindur se tashmë e kuptove dhe se që ai po na vjen me plot begati e mësove, por kurrë mos harro, se ai është përgëzim i lumtur dhe i madh!

Ai është gëzim i madh dhe i pakrahasueshëm! Ai është garim botëror, i cili fillon në natën e parë të muajit Ramazan dhe që nuk përfundon me natën e fundit të tij!

Përgatitu o biri i Ademit…Përgatitu o përmallues i Xhenetit…

Përgatitu për shansin tënd më të madh në vit… për stinën më të begatshme në vitin tënd…

Ajo është gara e madhe, të cilin e shpalli Sunduesi Famëlartë në librin e Tij:

“Prandaj garoni me njëri-tjetrin, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe një kopsht të gjerë sa qielli dhe Toka, që është e përgatitur për ata që i kanë besuar Allahut dhe të dërguarve të Tij. Ajo është mirësia e Allahut, që Ai ia jep kujt të dojë; e Allahu ka mirësi të pafund”. Hadid, 21.

Pasha Allahun e Lartësuar! Shpërblimi i kësaj gare është shpërblimi më i madh… është xheneti. Po xheneti, gjerësia e të cilit është sa qiejt e toka, në të cilin ka begati çfarë të dojë njeriu, çfarë të pëlqejnë sytë; në të ka kënaqësi shpirtërore dhe trupore çfarë syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe as që e ka imagjinuar ndonjëherë mendja e njeriut. Në të do të jetë një derë dhe një vend i veçantë për agjëruesit.

Ja se ç’ka thënë profeti ynë Muhamedi alejhi selam: “Xheneti ka tetë dyer e një derë e tij quhet Rejan dhe që është përgatitur enkas për agjëruesit, e ku nuk do të hyjë në të askush tjetër veç tyre.” Buhari.

O njeri i mençur! A thua pas Xhenetit ka ndonjë kërkesë më të mirë për kërkuesit e gradave dhe të përmalluarit për kënaqësinë e Allahut dhe shikimin në fytyrën e Tij?!

Allahu na bëftë ne e gjithashtu edhe juve prej atyre të cilët janë më të shquarit në bërjen e veprave të mira.

E lusim Allahun që të na bëjë prej robërve të Tij të devotshëm, të na mundësojë që ta kalojmë këtë muaj të bekuar në ibadete dhe në ato vende ku Allahu është i kënaqur me ne.

“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin”. Nahl, 90.

 Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

22.08.2009

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com