All for Joomla All for Webmasters

ÇFARË E TRONDIT AKIDEN

. Posted in Hutbe.

Pin It

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe përfundimi i mirë është për të devotshmit. Paqja dhe mëshira më e plotë dhe më e përsosur qoftë për robin e Allahut, të dërguarin dhe mikun e Tij të afërt, besnikun e shpalljes së Tij, pejgamberin, prijësin dhe zotërinë tonë, Muhamed ibën Abdilah, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi këdo që ndjek rrugën e tij dhe orientohet me udhëzimin e tij deri në Ditën e Kiametit.

Akideja (besimi) është ajo që njeriu beson dhe e konsideron si fe, qoftë e mirë apo e keqe, qoftë rregullim apo shkatërrim. Ajo që kërkohet është besimi i saktë dhe ato gjëra që i janë obliguar robit, sepse në botë ekzistojnë ideologji të shumta, që me përjashtim të njërës prej tyre të tjerat janë të kota. Ai është besimi me të cilin erdhi libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Tij salallahu alejhi ue selem. Ai është besimi islam, i cili është i pastër dhe i kulluar nga ndotja e shirkut, bidateve dhe kundërshtimeve. Ky pra është besimi me të cilin erdhi libri i Allahut, po ashtu për këtë argumenton Suneti i të dërguarit të Allahut, ky është Islami.

Allahu i Lartësuar thotë: "Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami."Al Imran, 19.

Në një ajet tjetër Allahu i Lartësuar thotë: "Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj." Al Maideh, 3.

Pra, Islami është feja e Allahut dhe nuk pranohet prej askujt tjetër fe veç saj. Allahu i Lartësuar thotë: "Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur." Al Imran, 85.

Islami është feja e të gjithë pejgamberëve, është feja e babait tonë Ademit -alejhi selam- dhe është feja e pejgambereve pas tij si: Nuhut, Ibrahimit, Musait, Isait.

Ajo është feja e pejgamberit tonë, Muhamedit salallahu alejhi ue selem, të cilin Allahu e dërgoi për gjithë njerëzimin. Pejgamberi thotë: "Pejgamberët janë vëllezër, bijtë e një burri me gra të ndryshme dhe feja e tyre është një." Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Kuptimi i këtij hadithi është se feja e pejgamberëve është një e vetme, është njësimi i Allahut (në adhurim) dhe besimi se Ai është, padyshim, Zoti i botëve dhe Krijuesi i gjithçkaje, i dijshëm për çdo gjë. Gjithashtu, është besimi në Botën e Pastajme, ringjalljen, tubimin, xhenetin, zjarrin, peshoren dhe në çështjet e tjera që i përkasin Botës së Pastajme, kurse për sa i përket ligjeve (të pejgamberëve) ato janë të ndryshme. Ky është dhe kuptimi i fjalës: "Janë djemtë e një burri me gra të ndryshme." Ai e përdori këtë në kuptim figurativ duke pasur për qëllim ligjet.

Allahu i Lartësuar thotë: "Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë" El Maideh, 48.

Islami është dorëzimi ndaj Allahut, bindja dhe nënshtrimi ndaj Tij, me njësimin e Tij dhe përkushtimin e plotë ndaj Tij. Po ashtu, është kryerja e vazhdueshme e urdhrave të Tij dhe urdhrave të të Dërguarrit të Tij, prandaj është quajtur edhe Islam (dorëzim), sepse muslimani ia dorëzon çështjen e tij Allahut, e njëson të Lartësuarin, adhuron vetëm Atë duke mos i shoqëruar Atij askënd, i bindet me nënshtrim urdhrave të Tij dhe i largohet të ndaluarave të Tij dhe qëndron tek kufijtë e Tij. Ky është Islami.

Por, disa njerëz janë bërë pre të disa çështjeve që e tronditin akiden islame dhe kanë rënë në disa të kundërta që e kundërshtojnë atë. Prandaj ngelet si detyrë që t'i sqarojmë ato në këtë hytbe.

Këto gjëra që e tronditin akiden janë dy lloje:

- Njëri lloj e kundërshton këtë akide dhe e bën atë të pavlefshme, kështu që edhe ai person që hyn në këtë lloj është jobesimtar - Allahu na ruajt prej kësaj.

- Kurse lloji tjetër e bën të mangët këtë akide dhe e dobëson atë.

Lloji i parë

Gjërat që e tronditin akiden dhe janë shkak për mosbesim. Ato gjëra që e kundërshtojnë Islamin, të cilat e bëjnë të detyrueshme braktisjen e fesë dhe ato quhen të kundërta. E kundërta është herë fjalë, herë vepër, herë besim dhe herë dyshim. Njeriu mund ta braktisë fenë qoftë edhe me një fjalë që thotë, me një punë që vepron, me një besim që beson apo një dyshim që has (takon). E kundërta që e trondit akiden dhe e bën të pavlefshme vjen si pasojë e këtyre katër gjërave që përmendëm lart.  
1. Braktisja e fesë me fjalë.

Të kundërtat që e kundërshtojnë Islamin janë shumë. Disa prej tyre janë me fjalë, si p.sh.: sharja e Allahut. Kjo fjalë është në kundërshtim të plotë me fenë. Po ashtu dhe sharja e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem; d.m.th.: mallkimi dhe sharja e Allahut dhe të dërguarit të Tij, ose cilësimi me shprehje të pahijshme, si p.sh.: të thotë: Allahu është i padrejtë, Allahu është i varfër, ose të thotë se Allahu i Lartësuar nuk i di disa çështje, ose nuk ka mundësi për disa gjëra. Që të gjitha këto fjalë janë braktisje e Islamit. Kushdo që e cilëson Allahun me diçka të pahijshme, apo e shan, apo e cilëson me diçka të mangët, ai është jobesimtar që e ka braktisur Islamin –Allahu na ruajt prej kësaj-.

2. Braktisja e fesë me vepër.

Prej braktisjes së fesë me vepër është dhe tavafi (sjellja rrotull) rreth varreve duke e bërë në shenjë afrimi tek banorët e varreve, ose të falet për ata ose për xhinët. Këto, gjithashtu, janë braktisje e fesë me vepër.

Ndërsa lutja që bën njeriu duke iu drejtuar atyre, kërkimi i ndihmës prej tyre dhe zotimi për ta është braktisja e fesë me fjalë. Për sa i përket atij që bën tavaf rreth varreve duke patur për qëllim me këtë vepër adhurimin e Allahut, ai ka bërë një bidat (risi) që e trondit fenë, porse nuk është dalje nga feja.

Prej kufrit (mosbesimit) me vepër është edhe kur dikush ther diçka për dikë tjetër përveç Allahut dhe kur afrohet me atë që ther tek dikush tjetër përveç Allahut. P.sh.: kur ai ther delen, pulën ose lopën për të varrosurit për t'u afruar tek ata duke i adhuruar ata me anë të tyre, ose kur e bën një gjë të tillë për xhinët, duke i adhuruar ata me anë të tyre. Po ashtu, kur dikush i bën këto për yjet, duke u afruar tek yjet me këto vepra. Këto nuk janë therur me emër të Allahut, po për dikë tjetër përveç Tij. Prandaj kanë gjykimin e së ngordhurës dhe ky veprim i tyre është kufër i madh. Që të gjitha këto që përmendëm janë prej braktisjes së fesë dhe prej të kundërtave të Islamit me anë të veprave.

3. Braktisja e fesë me anë të të besuarit.

Prej llojeve të braktisjes së fesë me anë të të besuarit, është kur dikush beson me zemrën e tij se nuk ekziston ringjallje, as tubim (i njerëzve në ditën e gjykimit) dhe se çdo gjë që ka ardhur në këtë çështje nuk është e vërtetë, ose beson me zemrën e tij se nuk ekziston xheneti dhe zjarri, as jeta tjetër, pra kush i beson këto me zemrën e tij edhe pse nuk i flet këto ka rënë në mosbesim dhe ka braktisur Islamin. Po ashtu, veprat e tij janë të pavlefshme dhe përfundimi tij është në zjarr, për shkak të atij besimi që ai ka. Gjithashtu, kur dikush beson me zemrën e tij se Muhamedi salallahu alejhi ue selem, s'është i sinqertë (nuk thotë të vërtetën), ose beson se ai nuk është vula e pejgamberëve dhe se pas tij do të vijnë pejgamberë të tjerë, ose beson se ka njerëz të tjerë pas tij të cilët janë profet si ai, atëherë ai është mosbesimtar me këtë besim që ka. Allahu i lartësuar thotë: "Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta (i vetmi që meriton të adhurohet), kurse gjithçka që adhurohet përveç Tij, është e pavërteta. Dhe, pa dyshim, Allahu është më i Lartësuari dhe i Madhërishmi". El Haxh, 62.

4. Braktisja e fesë me anë të dyshimit.

Shembulli i braktisjes së fesë me anë të dyshimit, është sikurse ai që thotë: “Unë nuk e di a është i vërtetë Allahu apo jo? Unë jam në dyshim për këtë”. Ky është mosbesimtar që ka bërë mosbesim me anë të dyshimit. Po ashtu, ai që thotë: “Unë nuk e di nëse është e vërtetë ringjallja apo jo?” Ose thotë: “Unë nuk e di a janë të vërteta xheneti dhe zjarri apo jo? Unë nuk e di, jam në dyshim”.

Nëse këto gjëra gjenden tek ata që thonë se janë myslimanë apo më keq tek ata që falen e agjëronë, atëhere duhet që patjetër të shpejtojnë e të pendohen, sepse nëse i gjen vdekja, puna e tyre është e kotë dhe mundi i tyre është i dështuar.

II

Lloji i dytë

Gjërat që e tronditin dhe që nuk janë kufër (mosbesim), por që e bëjnë të mangët besimin dhe e dobësojnë atë.

Në pjesën e parë sqaruam gjërat që e tronditin akiden, që e kundërshtojnë Islamin dhe e bëjnë atë të pavlefshëm, ndërsa për sa i përket atij personi që i vepron ato, ai është person që e ka braktisur fenë dhe kërkohet prej tij që të pendohet.

Kurse lloji i dytë është: Gjëra që e tronditin akiden e dobësojnë besimin, e bëjnë të mangët atë dhe e bëjnë personin që i bën këto t'i ekspozohet zjarrit dhe zemërimit të Allahut. Mirëpo, ai që bie pre e këtyre gjërave nuk quhet mosbesimtar.

Tani do të paraqesim disa shembuj konkretë në lidhje me këtë lloj, si p.sh.: imoraliteti ai që e bën atë është gjynahqar dhe besimi i tij është i mangët. Ky gjynah, që ai bëri, e tronditi akiden e tij, mirëpo nuk arrin në gradën e kufrit (mosbesimit). Por nëse ai beson se imoraliteti është i lejuar, atëherë ai quhet mosbesimtar.

Gjithashtu, nëse dikush thotë se vjedhja është e lejuar ose fjalë të tjera të kësaj natyre, quhet mosbesimtar, sepse lejon atë që e ka ndaluar Allahu.

Edhe përgojimi, thashethemet, mosrespektimi i prindërve, ngrënia e kamatës dhe gjynahet e tjera, që të gjitha janë prej gjërave që e tronditin akiden dhe dobësojnë fenë dhe besimin (imanin).

Këtu hyjnë edhe bidatet (risitë), të cilat janë më të këqija se gjynahet. Bidatet në fe e dobësojnë besimin, por nuk arrijnë deri në gradën e braktisjes së fesë përderisa në to nuk gjendet shirk. Prej shembujve konkretë lidhur me këtë çështje është bidati i ndërtimit mbi varre, si p.sh.: të ndërtojë një xhami ose kube mbi varr, por që nuk beson që lejohet t'i lutesh të vdekurve, apo të kërkosh ndihmës prej tyre dhe të zotohesh për ata. Ai vetëm beson se me këtë vepër të tij, i respekton ata dhe i vendos në gradën që meritojnë. Atëherë, kjo vepër nuk është kufër, por bidat i cili e trondit fenë, e dobëson besimin, e bën atë të mangët dhe është rrugë që të çon drejt shirkut.

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë: "Gjërat më të këqija janë gjërat e shpikura (në fe) dhe çdo bidat është humbje." Transmeton Muslimi.

Gjithashtu thotë: "Kush shpik në çështjen tonë çfarë nuk është prej saj, ajo është e refuzuar." Transmeton Buhariu dhe Muslimi. D.m.th.: ajo vepër i refuzohet atij.

Bledar Haxhiu

Imam dhe hatib në xhaminë e Cërrikut

Burimijetes.com

26.09.2009 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com