All for Joomla All for Webmasters

TË MËSOJMË TË BËJMË DURIM

. Posted in Hutbe.

Pin It

durimiNuk ka dyshim se ne si krijesa kalojmë një jetë të mbushur me ndodhi dhe situata ku shumë prej të cilave janë të paparashikueshme, sepse ne nuk e dimë gajbën. Shpesh herë ndodhemi keq, herë të tjera na godasin fatkeqësi, si dhe vazhdimisht kemi nevojë për diçka e cila do të na ndihmojë të ecim drejt Allahut; të gjitha këto kanë nevojë për një cilësi të madhe e cila duhet të jetë prezent tek çdo njëri prej nesh, dhe kjo cilësi është durimi.

Allahu na ka treguar për këtë realitet, na ka bërë të qartë se sa kemi nevojë për durim dhe gjërat me të cilat ne do të përballemi:

 “Ju, me siguri, do të sprovoheni në pasurinë e në jetën tuaj dhe do të dëgjoni shumë fyerje nga popujt që iu është dhënë Libri para jush, si dhe nga paganët. Por, nëse ju duroni dhe ruheni (nga të këqijat), atëherë kjo është vërtet përcaktuese e çështjeve”.

Durimi është pjesë e besimit tonë, sepse me anë të tij ne i përmbahemi urdhrave të Allahut, kufizohemi nga ndalesat e Tij dhe i bëjmë ballë të papriturave të kaderit. Allahu për shkak të kësaj vlere që ka sabri dhe domosdoshmërisë së tij na drejtohet e thotë:

 “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit. “ 

Nëse të godet një dhimbje, mos mendo se je i vetëm, ti sigurisht që ke ku të marrësh shembull, nëse sprovohesh me fatkeqësi, do të gjesh histori të atilla që do të japin zemër dhe kurajë për të duruar.

Kurrë mos mendo se durimi është cilësi e cila kërkohet vetëm prej teje; jo nuk është kështu, të gjithë duhet të durojmë, madje kjo gjë i është kërkuar edhe njeriut dhe krijesës më të lartë Muhamedit -alejhi selatu ue selam:

Prandaj, ti bëhu i durueshëm (o Muhamed), ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të dërguarit e vendosur”

Nëse vëlla dhe ti o motër ke marrë përsipër të ftosh njerëzit në fenë e Allahut, por ke hasur në mosdëgjim, moskokëçarje apo dhe injorim, të them duro, bëj pak durim nga durimi i Nuhut -alejhi selam, i cili plot 950 vite duroi arrogancën, sharjet dhe ofendimet e popullit të tij.

 “Ai tha: “O Zoti im, unë e thirra vërtet popullin tim natë e ditë, por thirrja ime edhe më tepër i largoi (nga e vërteta). Sa herë, që i thirrja për t’i falur Ti, ata shtinin gishtërinjtë në veshë dhe mbuloheshin me petkat e tyre, duke këmbëngulur me mendjemadhësi (në mosbesim). Pastaj i thirra me zë të lartë. Më pas ua shpalla edhe botërisht, edhe fshehurazi”.

Por kush ishte përfundimi i këtij durimi kaq të gjatë:

 “Kështu, Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të në barkën plot, kurse të tjerët që mbetën pas, i fundosëm”.

Nëse ke humbur vendin e punës, të humbi pasuria apo një sëmundje e vështirë ka kapluar trupin tënd, të them duro, bëj pak durim nga durimi i Ejubit të cilit i humbi gjithçka që kishte, fëmijë, pasuri e pozitë. E kur Allahu pa ke ai durim e vendosmëri, iu përgjigj.

 “(Kujtoje) Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: “Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!” Ne iu përgjigjëm atij, ia larguam mjerimin që kishte dhe ia kthyem familjen të dyfishuar në numër. (Këtë e bëmë) nga mëshira Jonë dhe që të jetë përkujtesë për ata që Na adhurojnë.”

Nëse përballesh me probleme financiare, vuan në brendësinë tënde kur sheh se fëmijët e tu nuk ushqehen si të tjerët, duro; bëj pak durim nga durimi i njeriut më të mirë të cilit i bën embargo dhe e izoluan për tre vjet me radhë aq sa njerëzit që ishin me të, të rritur e fëmijë hanin edhe gjethe pemësh në mesin e shkretëtirës. Bëj pak nga durimi i Profetit tënd në shtëpinë e të cilit kishte raste që për një muaj rresht nuk ndizej zjarri, e ushqimi i të cilit ishin hurmat dhe uji.

Nëse njerëzit e tu më të shtrenjtë të kthejnë krahët, jo për ndonjë të keqe që mund ta kesh bërë, ti sërish bëj durim, bëj pak durim nga durimi i Jusufit -alejhi selam- të cilin vëllezërit e hodhën në pus dhe e shitën si skllav, i cili qëndroi në burg për vite me radhë thjesht për një akuzë të rreme e jo për ndonjë krim që ai e kishte bërë. Bëj durim dhe mbështetu tek Allahu, se Ai padyshim do të nxjerrë ngadhënjimtarë ashtu sikur nxori dhe Jusufin.

Nëse të humb i afërmi apo drita e zemrës tënde -fëmija yt- bëj durim; bëj pak durim nga durimi i Jakubit -alejhi selam- kur i humbi biri i tij, edhe në këtë gjendje ai tha: “Unë po bëj durim Allahut i kërkoj ndihmë kundër asaj që po tregoni ju”.

Nëse dikush padrejtësisht të akuzon në nderin tënd, apo familjes tënde, bëj durim; bëj pak durim nga durimi i nënës së besimtarëve Aishes të cilën hipokritët e akuzuan për gjëra të pahijshme. Bëj durim dhe mbështetu Allahut, e të jesh i sigurt se Allahu do ta nxjerrë të vërtetën në shesh, ashtu sikur e nxori edhe për Aishen.

Nëse familja të braktis për shkak të fesë tënde, për shkak se ti kërkon të jesh rob i denjë i Allahut, bëj durim; bëj pak durim nga durimi i Mus’ab ibn Umejrit, apo Umu Habibes vajzës së Ebu Sufjanit, mos u thyej, ec përpara e të jesh i sigurt se ke për të arritur atë që ata arritën.

Nëse dikush kërkon të vër në provë besimin tënd, apo kërkon që të shuaj besimin tonë, le të bëjmë durim e ta përballojmë këtë situatë me iman e bindje në ndihmën e Allahut. Të bëjmë durim siç bënë muslimanët e parë, nëna e Jasirit dhe babai i tij; bëni pak durim nga durimi i Bilalit apo siç bëri Profeti me të gjithë muslimanët e parë.

Të jesh i sigurt se çdo gjë që të ndodhë, edhe sikur ti më të mos ekzistosh, kjo është fe e Allahut e Ai ka vendosur t’i japë ngadhënjimin asaj.

 “O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!”

II


Le të bëjmë durim sepse Profeti -salallahu alejhi ue selem- ka thënë: “Durimi është gjysma e besimit”. “Durimi është dritë”. “Nuk i është dhënë dikujt dhuratë më e mirë se durimi”.

Le të bëjmë durim se Allahu i do durimtarët dhe është me ta, madje Ai për ta jep shpërblim pa masë.

 “Përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!”

Përgatiti: Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

15.07.2012

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com