All for Joomla All for Webmasters

Besimi i njësimit të Allahut në adhurim

. Posted in Bazat e besimit.

Pin It

teuhid2Besimi i njësimit të Allahut në adhurim (uluhije)

 

Njëzimi i Allahut në adhurim nënkupton se vetëm Ai është Zoti i vërtetë dhe nuk ka rival. Nocioni ilah nënkupton i adhuruar me dashuri dhe i lartësuar me respekt. Allahu thotë:

Zoti juaj është një Zot i vetëm! S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!” El Bekare, 163.

Gjithashtu, Ai thotë:

Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot tjetër përveç Atij, të Plotfuqishmit, të Urtit.” Ali Imran, 18.

Kushdo që merr dikë tjetër për zot dhe e adhuron atë, krahas Allahut, adhurimin e ka të kotë.

Allahu thotë:

Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta (i vetmi që meriton të adhurohet), kurse gjithçka që adhurohet përveç Tij, është e pavërteta. Dhe, pa dyshim, Allahu është më i Lartësuari dhe i Madhërishmi.” El Haxh, 62.

Emërtimi i tyre zota nuk i bën ata zota të vërtetë, që të adhurohen me meritë. Allahu i Lartësuar, lidhur me Latin, Uzanë dhe Menatin, thotë:

Këta janë vetëm emra që ua keni ngjitur (idhujve) ju dhe të parët tuaj, kurse Allahu nuk ju ka dërguar për ata asnjë provë.” En Nexhm, 23.

Ndërkaq, lidhur me Hudin, që iu drejtua popullit të vet, Allahu thotë:

A më kundërshtoni mua për emrat (e idhujve), të cilët ua keni vënë ju dhe prindërit tuaj e për të cilët Allahu nuk ju ka sjellë kurrfarë diturie?” El Araf, 71.

Ndërkaq, lidhur me Jusufin, i cili iu drejtua dy shokëve të burgut, thotë:

O shokët e mi të burgut! A janë më mirë një mori zotash të ndryshëm apo Allahu, i Vetmi, Ngadhënjimtari? Ata që ju i adhuroni në vend të Allahut, janë vetëm emra, të cilët i keni vënë ju dhe të parët tuaj, pa pasur prej Tij asnjë argument.” Jusuf, 39-40.

Prandaj, për këtë arsye edhe të dërguarit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ta, u thoshin popujve të tyre:

Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij!” El Araf, 59.

Mirëpo, idhujtarët refuzuan ta pranojnë këtë dhe adhuruan zota të tjerë përveç Allahut, ua kërkonin ndihmën dhe u mbështeteshin atyre. Allahu i Lartësuar kotësinë e zotave të tyre e ka kundërshtuar me dy argumente logjike:

I pari: Idhuj, që ata i konsiderojnë zota, nuk kanë asnjë cilësi hyjnore. Vetë ata janë të krijuar, rrjedhimisht nuk mund të krijojnë, nuk i sjellin ndonjë dobi adhuruesve të tyre, nuk mund t’ua largojnë asnjë dëm. Nuk japin jetë e as vdekje. Nuk e kanë mundësinë e sundimit të qiejve e as nuk janë pjesëmarrës në sundimin e tyre. Allahu i Lartësuar thotë:

E megjithatë ata adhurojnë në vend të Tij zota, të cilët nuk krijojnë asgjë e që vetë janë të krijuar, që nuk zotërojnë për veten as dëm e as dobi e që nuk janë në gjendje të japin as vdekjen, as jetën e as që të ringjallin.” El Furkan, 3.

Gjithashtu, Ai thotë:

“Thuaju (o Muhamed): “Thirrini ata që i hyjnizoni krahas Allahut! Ata nuk kanë pushtet as sa pesha e një thërrmije, qoftë në qiej apo në Tokë; për ata nuk ka pjesë as në qiej, as në Tokë dhe Allahu nuk ka asnjë ndihmës nga radhët e tyre. Asnjë ndërmjetësim tek Ai nuk bën dobi, përveçse për atë që Ai jep leje.” Sebe, 22-23.

Po ashtu, thotë:

A mos vallë ata i veshin Atij si ortakë idhuj që nuk mund të krijojnë asgjë, ndërkohë që vetë janë të krijuar?! Idhuj, që nuk mund t’u japin ndonjë ndihmë atyre e as veten nuk mund ta ndihmojnë?!” El Araf, 191-192.

Prandaj, nëse gjendja e atyre zotave është e tillë, atëherë adhurimi ndaj tyre dhe konsiderimi i tyre për zota është budallallëku më i skajshëm dhe ndër kotësitë më të mëdha.

I dyti: Idhujtarët pohonin se Allahu i Lartësuar është i vetmi Zot, i Vetmi Krijues, në dorën e të Cilit është sundimi i gjithçkaje, Ai është Mbrojtësi dhe askush askujt nuk mund t’i kërkojë ndihmë për t’u mbrojtur prej Tij. Së këndejmi, meqë ata (idhujtarët) e pranojnë adhurimin e Tij në krijim (rububije), kjo e bën të domosdoshme ta pranojnë njëzimin e Tij në adhurim (uluhije). Lidhur më këtë, Allahu thotë:

“O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat); i Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun.” El Bekare, 21-22.

Po ashtu, thotë:

“Nëse i pyet ata se kush i ka krijuar, me siguri që ata do të thonë: “Allahu!” Atëherë, përse largohen prej Tij?!” Ez Zuhruf, 87.

Gjithashtu, Ai thotë:

Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parit? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?” Ata do të thonë “Allahu”. E ti (o Muhamed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?” Ky është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. E çfarë ka pas së vërtetës, përveç humbjes? Atëherë, përse largoheni?” Junus, 31-32.

 

"Shpjegimi i bazave të besimit"

Muhamed ibn Salih el Uthejmin

____________

Burimi i Jetës

19.08.2017

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com