All for Joomla All for Webmasters

Besimi në Emrat dhe në Cilësitë e Allahut

. Posted in Bazat e besimit. Vizita: 992

Pin It

emrat e AllahutBesimi në emrat dhe në cilësitë e Allahut nënkupton të besohet çdo gjë që Allahu e ka pohuar për Veten e Tij në Librin e Vet dhe ajo që është konfirmuar në Sunetin e të Dërguarit të Tij alejhi selam në lidhje me emrat dhe me cilësitë e Tij, ashtu siç i takojnë Atij, pa shtrembërim, pa mohim, pa i dhënë formë dhe pa shëmbëllim. Allahu i Lartësuar thotë:

 

Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutuni Atij) me to dhe largohuni nga ata që i shtrembërojnë emrat e Tij. Ata do të ndëshkohen për çfarë kanë vepruar.” El Araf, 180.

Gjithashtu, ka thënë:

Atij i përket shembulli më i lartë në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” Er Rrum, 27.

Po ashtu, ka thënë:

Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.” Esh Shura, 11.

 

Sa i përket kësaj çështjeje (rreth emrave dhe cilësive të Allahut), kanë devijuar dy grupe (sekte):

 

Grupi i parë: Mohuesit (el-muattile), që i mohojnë emrat dhe cilësitë e Allahut ose mohojnë disa prej tyre, duke pretenduar se konfirmimi i emrave dhe cilësive të Allahut nënkupton përngjasimin, respektivisht përngjasimin e Allahut me Krijesat e Tij! Ky pretendim është i kotë dhe i pavlerë në disa aspekte:

 

Aspekti i parë: Kjo obligon gjëra të kota, që bie ndesh me fjalët e Allahut të Lartësuar. Sepse Allahu i Lartësuar i ka konfirmuar për Vetveten emrat dhe cilësitë e Tij, ndërkohë e ka mohuar përngjasimin me dikë tjetër! Po qe se konfirmimi i tyre do ta nënkuptonte edhe përngjasimin, atëherë do të hasnim kundërshti në fjalët e Allahut si dhe përgënjeshtrim ndërmjet disa fjalësh!

 

Aspekti i dytë: Dy gjëra, që kanë të njëjtin emër ose cilësi, nuk nënkupton medoemos të jenë të njëjta edhe në aspekte të tjera! Mund të shohësh dy persona, ku secili prej tyre dëgjon, sheh dhe flet, porse kjo nuk nënkupton se ata janë të njëjtë edhe në cilësitë njerëzore, në të dëgjuarit, në të shikuarit e në të folurit. Gjithashtu, kjo vërehet edhe te kafshët: ato kanë duar, këmbë dhe sy, por kjo nuk do të thotë se kanë duar, këmbë dhe sy të njëjtë. Prandaj, meqë dallimet qenkan të dukshme  ndërmjet krijesave, ndonëse kanë emra ose cilësi të ngjashme, nuk ka dyshim se dallimi ndërmjet Krijuesit dhe krijesave është më i thellë dhe më i madh!

 

Grupi i dytë: Përngjasuesit (el-mushebiheh), që i konfirmojnë emrat dhe cilësitë (e Allahut), porse Allahun e përngjasojnë me krijesat e Tij, duke pretenduar se tekstualisht kështu tregojnë argumentet, ngase Allahu i Lartësuar iu drejtuaka robërve të Vet vetëm me atë që ata kuptojnë. Ky pretendim është i kotë dhe i pavlerë në disa aspekte:

 

Aspekti i parë: Përngjasimi i Allahut të Lartësuar me krijesat është i kotë, gjë që e përgënjeshtron mendja e shëndoshë dhe Sheriati. Është e pamundur që tekstet kuranore dhe profetike të përmbajnë diçka që është kotësi!

 

Aspekti i dytë: Allahu i Lartësuar u foli robërve të Tij ashtu siç e kuptojnë ata në kuptimin parësor të fjalës, por realiteti dhe esenca e këtij kuptimi, lidhur me Qenien dhe me cilësitë e Tij, janë diçka që Allahu e ka veçuar me dijen e Vet (e vetëm Ai i di ato se si janë).

Allahu ka konfirmuar për Veten e Tij se është Dëgjues, dhe, domethënia e dëgjimit në kuptimin parësor të fjalës nënkupton kapjen e zërave, por kur kemi të bëjmë me të dëgjuarit e Allahut të Lartësuar, kjo është e panjohur, ngase realiteti i të dëgjuarit ndryshon, madje edhe brendapërbrenda vetë krijesave, rrjedhimisht dallimi ndërmjet Krijuesit dhe krijesave është më i thellë dhe më i madh.

Kur Allahu i Lartësuar tregon për Vetveten se Ai është ngritur mbi Fronin (Arshin) e Tij, ngritja, në kuptimin parësor të fjalës, është e njohur. Mirëpo, realiteti i ngritjes është i panjohur, në kuptimin se si Allahu është ngritur mbi Fronin e Tij! Sepse realiteti i ngritjes te krijesat nuk është i njëjtë sikurse tek Allahu. Ngritja dhe qëndrimi mbi një karrige të palëvizshme nuk është e njëjtë sikur të ngrihet dhe të qëndrohet mbi një deve, që është e vështirë për t’i hipur. E, meqë dallimi te krijesat qenka i dukshëm, atëherë dallimi ndërmjet Krijuesit dhe krijesave është më i thellë dhe më i madh.

 

Frytet e besimit në Allahun

Besimi në Allahun e Lartësuar, ashtu siç përshkruam, u sjell fryte madhështore besimtarëve, ndër to janë:

I pari: Realizimi i njësimit të Allahut të Lartësuar, duke mos iu drejtuar askujt me shpresë e as me frikë dhe duke mos adhuruar dikë tjetër në vend të Allahut.

I dyti: Dashuria e plotë ndaj Allahut të Lartësuar, duke e madhëruar Atë në përputhje me emrat e bukur dhe me cilësitë e Tij të larta.

I treti: Realizimi i adhurimit të Allahut, duke kryer urdhëresat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave që i ka vënë.

 

 

"Shpjegimi i bazave të besimit"

Muhamed ibn Salih el Uthejmin

____________

Burimi i Jetës

09.09.2017

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2017 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com