All for Joomla All for Webmasters

Besimi në melekët (engjëjt)

. Posted in Bazat e besimit. Vizita: 1200

Pin It

 

driteMelekët janë krijesa të padukshme, krijuar për ta adhuruar Allahun e Lartësuar. Nuk kanë veçori krijimi e as cilësi hyjnore. Allahu i Lartësuar i krijoi prej dritës. Janë plotësisht të nënshtruar ndaj urdhrave të Tij dhe janë të aftë në kryerjen e atyre urdhrave.

Allahu i Lartësuar thotë:

Ata që janë tek Ai (engjëjt), nuk ngurrojnë për të adhuruar Atë e nuk ndiejnë lodhje, por e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, paprerë.” El Enbija, 19-20. Numri i tyre është i madh, që nuk e di askush përveç Allahut të Lartësuar. Në dy koleksionet e sakta të haditheve është konfirmuar nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se, në ndodhinë e Miraxhit, Pejgamberit alejhi selam iu shfaq Bejtu-l-mamuri në qiell, ku çdo ditë aty falen shtatëdhjetë mijë melekë. Me t’u larguar, nuk e përsëdytin më kurrë.

 

Besimi në melekët përfshin katër çështje:

  1. Besimi në ekzistencën e tyre.
  2. Besimi në melekët që ua dimë emrat, siç është Xhibrili, ndërkaq melekëve që nuk ua dimë emrat, i besojmë në formë të përgjithshme.
  3. Besimi në cilësitë e tyre, për ata që kemi njohuri, fjala vjen, për Xhibrilin. I Dërguari alejhi selam e kishte parë në formën e tij të vërtetë në të cilën është krijuar, ku kishte gjashtëqind krahë, me të cilët e mbulonte horizontin. Engjëlli, me lejen e Allahut, mund të shndërrohet në formë njeriu, siç i kishte ndodhur Xhibrilit, kur Allahu i Lartësuar e dërgoi te Merjemja. Asaj iu shndërrua në formën e përsosur njerëzore. Gjithashtu, ai i kishte vajtur edhe Pejgamberit alejhi selam tek rrinte me shokët e tij. Kështu, i kishte ardhur në formën e një njeriu me rroba shumë të bardha e tejet flokëzi, tek i cili nuk vëreheshin shenja udhëtimi. Atë nuk e njohu asnjë sahab. U ul me Pejgamberin alejhi selam duke i vendosur gjunjët e tij afër gjunjve të të Dërguarit e duke i vënë shuplakat e duarve të tij mbi kofshët e veta, me ç’rast pyeste Pejgamberin alejhi selam rreth Islamit, imanit, ihsanit, Kiametit dhe shenjave të tij. I Dërguari iu përgjigj pyetjeve të tij dhe u largua. Pastaj Pejgamberi u tha shokëve: “Ky qe Xhibrili, erdhi për t’jua mësuar fenë tuaj.” (Shënon Muslimi) Po ashtu, melekët që Allahu i Lartësuar i ka çuar tek Ibrahimi dhe te Luti, qenë shfaqur në formë njeriu.
  4. Besimi në funksionet (detyrat) e tyre, që ne ua njohim. Këto detyra ata i kryejnë meqë i urdhëron Allahu i Lartësuar, siç janë lartësimi dhe adhurimi ndaj Tij ditë e natë, pa u lodhur e pa u mërzitur. Kështu, disa prej tyre kanë detyra të veçanta:
  • - Xhibrili besnik ka për detyrë ta përcjellë shpalljen e Allahut të Lartësuar, që ua çon pejgamberëve dhe të dërguarve.
  • - Mikaili është i ngarkuar që të kujdeset për reshjet dhe për bimësinë.
  • - Israfili është i ngarkuar për t’i fryrë Surit kur të bëhet Kiameti dhe ringjallja e krijesave.
  • - Meleku i vdekjes ka për detyrë marrjen e shpirtrave kur njerëzve t’u vijë momenti i vdekjes.
  • - Maliku ka për detyrë të kujdeset për Xhehenemin dhe është roja i tij.
  • - Melekët e ngarkuar me detyrat lidhur me embrionin në mitrën e nënës. Kur embrioni t’i mbushë katër muaj në barkun e nënës, Allahu ia dërgon një engjëll dhe e urdhëron t'ia shkruajë furnizimin, jetëgjatësinë, veprat si dhe nëse do të jetë i dëshpëruar apo i lumtur.
  • - Melekët e ngarkuar me ruajtjen e veprave të njerëzve dhe me shkrimin e tyre për secilin individ. Ata janë dy melekë, njëri në krahun e djathtë, kurse tjetri në të majtin.
  • - Melekët e ngarkuar me marrjen në pyetje të vdekurin kur të vendoset në varr. Në atë moment i venë dy engjëj dhe i parashtrojnë pyetje për Zotin, për fenë dhe për të dërguarin e tij.

 

Frytet e besimit në melekët

Besimi në melekët sjell fryte madhështore, ndër to veçojmë:

  1. Njohja e madhështisë së Allahut të Lartësuar, fuqisë dhe pushtetit të Tij. Madhështia e krijesave e aludon madhështinë e Krijuesit.
  2. Falënderimi ndaj Allahut të Lartësuar për kujdesin e Tij ndaj njerëzve. Ai i ngarkoi ata engjëj të kujdesen për ta, duke i ruajtur, duke ua shënuar veprat e tyre dhe dobi të tjera për ta.
  3. Dashuria ndaj engjëjve për shkak të adhurimit që bëjnë ndaj Allahut të Lartësuar.

Disa të devijuar e mohojnë faktin se engjëjt janë trupa. Pretendojnë e thonë se engjëjt janë koncept për forca të brendshme pozitive që fshihen brenda krijesave. Ky koncept bie ndesh me Librin e Allahut të Lartësuar, me Sunetin e Pejgamberit alejhi selam dhe me njëzëshmërinë (ixhmanë) e muslimanëve.

Allahu i Lartësuar thotë:

Lavdërimi qoftë për Allahun, krijuesin e qiejve dhe Tokës, i Cili i ka bërë engjëjt të dërguar me nga dy, tre dhe katër krahë.” Fatir, 1.

Gjithashtu, thotë:

“Eh, sikur të shihje sesi engjëjt ua marrin shpirtrat mohuesve! I godasin ata në fytyrë dhe shpinë (duke u thënë): “Shijoni dënimin e zjarrit!” El Enfal, 50.

Po ashtu, thotë:

“Ah sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): “Shpëtojeni pra veten (nëse mundeni)!” El Enam, 93.

Po ashtu, Ai thotë:

“Kur t’u hiqet frika nga zemrat e tyre, ata do të thonë: 'Çfarë tha Zoti juaj?' dhe do të përgjigjen (engjëjt): 'Të vërtetën! Ai është i Lartësuar dhe i Madhërishëm.'” Sebe,  23.

Dhe thotë:

“Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit) (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!” Er Rrad, 23-24.

Sahihun e Buhariut Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari alejhi selam ka thënë: “Kur Allahu e do një njeri, e thërret Xhibrilin duke i thënë: “Allahu e do filanin, duaje edhe ti!” Xhibrili do ta dojë atë e pastaj u thërret banorëve të qiellit: “Allahu e do filanin, kështu që edhe ju ta doni atë.” Kështu, të gjithë banorët e qiellit do ta duan atë njeri e kësisoj i sigurohet edhe kënaqësia e njerëzve të tokës.”

Gjithashtu, po ai përcjell se i Dërguari alejhi selam ka thënë: Kur vjen e premtja, melekët zënë vend në çdo derë të xhamisë për t’i shënuar emrat e njerëzve sipas radhës që hyjnë (kush më herët e kush më vonë për faljen e xhumasë). Kur imami ulet (në minber), ata i palosin shkresat e tyre duke u bërë gati për ta dëgjuar ligjëratën e imamit (hytben).”

Këto tekste qartazi vërtetojnë se engjëjt kanë trupa dhe se nuk janë ndonjë koncept fuqie, siç thonë disa njerëz të devijuar. Mbi domethënien e këtyre teksteve është i ngritur konsensusi i muslimanëve.

 

Muhamed ibn Salih el Uthejmin

____________

Burimi i Jetës

13.09.2017

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2017 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com