All for Joomla All for Webmasters

Besimi në librat

. Posted in Bazat e besimit.

Pin It

kuran2Besimi në librat nënkupton shkrimet (librat) që Allahu ua ka shpallur të dërguarve të Tij si mëshirë ndaj krijesave, si udhëzues për ta, përmes të cilëve do të kenë mundësi për ta arritur lumturinë në këtë jetë dhe në të përtejmen (ahiret).

Besimi në librat përfshin katër çështje:

1. Besimi se këta libra vërtet i ka shpallur Allahu.

2. Besimi në emrat e librave që na janë bërë të ditur. Kështu, Kurani i është shpallur Muhamedit alejhi selam, Teurati i është shpallur Musait, Inxhili (Ungjilli) i është shpallur Isait dhe Zeburi i është shpallur Davudit. Ndërkaq, librat, emrat e të cilëve nuk na janë bërë të njohur, i besojmë në mënyrë të përgjithshme.

3. Besimi se përmbajtja e këtyre librave është e saktë, duke e besuar përmbajtjen e Kuranit dhe atë që nuk është ndryshuar apo nuk është shtrembëruar nga librat e mëparshëm.

4. Të punuarit në përputhje me ligjet që përmbajnë librat që nuk janë shfuqizuar. E, kjo të bëhet me kënaqësi dhe nënshtrim ndaj atyre ligjeve, pavarësisht nëse ua kuptojmë urtësinë apo jo. Të gjithë librat e mëparshëm janë shfuqizuar nga Kurani. Allahu i Lartësuar thotë:

“Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre.” (El Maide, 48) Muhejmin (shq. mbrojtës të tyre, cekur në ajet) do të thotë gjykatës mbi ta. Prandaj, bazuar në këtë, nuk lejohet të punohet me asnjë lloj ligji e gjykimi tjetër të librave të mëparshëm, përveç atyre që janë të sakta dhe që i miraton Kurani.

 

Frytet e besimit në librat

Besimi në librat sjell fryte madhështore, ndër to:

1. Njohja e kujdesit të Allahut të Lartësuar ndaj robërve të Vet, ku çdo populli i ka shpallur libër me të cilin mund të udhëzohen.

2. Njohja e urtësisë së Allahut të Lartësuar rreth ligjvënies, ku çdo populli i ka caktuar ligje të përshtatshme me rrethanat e tyre. Allahu i Lartësuar thotë:

“Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë.” (El Maide, 48)

3. Mirënjohja ndaj begatisë së Allahut për këtë.

 

"Shpjegimi i bazave të besimit"

Muhamed ibn Salih el Uthejmin

____________

Burimi i Jetës

12.11.2017

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com