All for Joomla All for Webmasters

LLOJET E NJËSIMIT

. Posted in Libri i Njesimit.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Në aspektin gjuhësor teuhidi është njësimi i një gjëje, bërja një e vetme.

Në aspektin ligjor teuhidi është veçimi i Allahut në krijim, adhurim, si dhe në emrat e cilësitë e Tij.

Ndarja e njësimit: njësimi në krijim; njësimi në adhurim; njësimi në emrat dhe cilësitë e Allahut.

Të gjitha këto përfshihen në fjalën e Allahut: "Zot i qiejve dhe i tokës dhe i gjithçkaje që gjendet mes tyre… ” Merjem, 65.

Njësimi në krijim

Është veçimi i Allahut në krijim, sundim dhe rregullim.

Veçimi i Allahut në krijim

Allahu i Lartësuar thotë:

"… Padyshim që i Tij është krijimi dhe komandimi..." Araf, 54.

"… A ka krijues tjetër përveç Allahut i Cili do t’ju furnizojë ju nga qielli dhe toka?... ” Fatir, 3.

Veçimi i Allahut në sundim

Duhet të jemi të bindur se krijimin e sundon vetëm Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe Allahut i takon mbizotërimi dhe mbisundimi i qiejve dhe i tokës …" Ali Imran, 189.

"Thuaju! Në Dorë të kujt është i mbisundimi i gjithçkaje? …" Muminun, 88.

Veçimi i Allahut në rregullim

Njeriu duhet të ketë bindjen se nuk ka rregullues veç Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju (o Muhamed)! Kush ju sjell furnizim nga qielli dhe nga toka dhe kush është Zotëruesi i të dëgjuarit dhe të shikuarit? Kush e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush është Rregulluesi dhe Sunduesi i të gjitha çështjeve? Do të thonë të gjithë: ‘Allahu.’ Thuaju! A nuk do të keni atëherë frikë nga ndëshkimi i Allahut?”

"Ky është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. Kështu, pas së vërtetës, ç’gjë tjetër mund të ketë përveçse të gabuarës? Si atëherë keni humbur (nga e vërteta drejt mohimit)?” Junus, 31-32.

Argumente logjike se ka vetëm një Krijues

Allahu i Lartësuar thotë: "Asnjë fëmijë (pasardhës) nuk lindi Allahu dhe nuk gjendet asnjë ilah (zot - i adhuruar) tjetër përkrah me Të; (po të kishin qenë shumë zota) atëherë ç’të shihje! Secili zot do të kishte hequr mënjanë çfarë do të kishte krijuar vetë dhe disa do të përpiqeshin të mposhtnin të tjerët! I lartësuar është Allahu mbi çdo gjë që ata i veshin e ia përshkruajnë Atij! ” Muminun, 91.

Sikur të ketë në botë dy krijues, çdo krijues do të veçohej apo ndahej me atë që ka krijuar.

Njësimi në adhurim

Është veçimi i Allahut në adhurim. Ai që e meriton adhurimin është Allahu, i Cili thotë: "Kjo ngaqë Allahu, Ai është i Merituari, Ai është i Vërteti dhe gjithçka që ata lusin në vend të Allahut ose përkrah Tij është batil (e rreme, e humbur, e kotë)..." Lukman, 30.

Adhurimi paraqitet në dy gjëra:

1. Adhurim me kuptim: nënshtrim ndaj Allahut, veprimin e urdhrave të Tij dhe largimin prej të ndaluarave të Tij me dashuri e madhërim.

2. Të adhuruar me kuptimin siç thotë Shejhul Islam Ibn Tejmia (Allahu e mëshiroftë!): "Adhurimi është term i përgjithshëm për të gjitha fjalët dhe veprat e dukshme dhe të padukshme që Allahu i do dhe kënaqet."

Veçimi i Allahut me këtë njësim të bën rob të Tij, duke e adhuruar ashtu sikur Ai e lejon. Allahu i Lartësuar thotë: "O njeri! Mos vër përkrah me Allahun ilah (të adhuruar, zot) tjetër, ose do të ulesh i përçmuar, i braktisur (në zjarr)." Isra, 22.

Këtë lloj të njësimit e kanë mohuar shumë prej krijesave dhe për këtë shkak Allahu dërgoi të dërguar dhe zbriti libra. Ai thotë: "Dhe Ne nuk kemi sjellë ndonjë të dërguar para teje (O Muhamed) e që të mos e kemi frymëzuar Ne (duke i thënë): 'La ilahe il-la ene' (Nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Meje (Allahut). Pra, më adhuroni Mua të Vetëm.” Enbija, 25.

Edhe me këtë ndjekje e të dërguarve ishte e pakët. Transmetohet nga Ibn Abazi se Profeti alejhi selam ka thënë: "Kam parë profet që me të ka qenë xhemat, profet me të ka qenë një person dhe dy persona, profet nuk ka qenë me të askush.” Buhariu.

Njësimi në emrat dhe cilësitë e Allahut

Veçimi i Allahut në emrat dhe cilësitë përfshin dy gjëra:

1. Vërtetimi. Vërtetimi për Allahun të gjithë emrat dhe cilësitë e Tij, të cilat i vërtetoi në librin e Tij dhe Profetit alejhi selam sunetin e tij.

2. Mohimi i përngjasimit. Nuk ka të ngjashëm në emrat dhe cilësitë e Allahut, i Cili thotë: "…Asgjë nuk i përngjet Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi." Shura, 11.

Ky ajet vërteton më së miri se të gjitha emrat dhe cilësitë e Allahut nuk përngjasohen me ato të krijesave edhe pse mund të ndërlidhen në kuptim, por ndryshojnë në realitet. Kush nuk i vërteton ashtu siç i ka vërtetuar Allahu, ai është i dështuar dhe ky dështim është i ngjashëm me atë të Faraonit. Kush i vërteton ato duke i përngjasuar bëjnë përngjasimin sikur mushrikët (politeistët), të cilët adhuruan me Allahun tjetërkënd. Kush i vërteton ato pa i përngjasuar është prej njësuesve.

Në këtë lloj të njësimit humbën disa prej popujve islam, të cilët u ndanë në shumë grupe. Prej tyre morën rrugën e dështimit. Mohuan cilësitë me pretendimin se Allahu është i pastër dhe i pastër në të vërtetë është Ai të cilit i mohohen të metat. Ai që thotë se Allahu nuk dëgjon, nuk shikon, nuk di dhe nuk ka mundësi nuk e pastron Allahun nga të metat.

Ka thënë Shejhul Islam Ibn Tejmia dhe të tjerë prej dijetarëve: "Të besojmë ashtu siç e ka cilësuar dhe e ka quajtur Allahu veten e Tij në librin e Tij me gojën e të Dërguarit të Tij, larg çdo devijimi, dështimi, përshtatjeje dhe përngjasimi."

Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe Unë (Allahu) nuk i krijova njerëzit dhe xhindet, veçse që ata duhet të më adhurojnë vetëm Mua." Dharijat, 56.

Adhurimi është nënshtrimi ndaj Allahut duke iu bindur urdhrave të Tij dhe duke u larguar prej ndalesave. Bindja në Allahun është njësimi i Tij. Kjo është urtësia për të cilën Allahu ka krijuar njerëzit dhe xhinët.

Allahu thotë: "Dhe me të vërtetë që Ne kemi dërguar te çdo umet (bashkësi njerëzish, popull, komb) të dërguar (duke shpallur): 'Adhuroni vetëm Allahun dhe shmanguni dhe i rrini larg tagutit (shejtanëve ose çdo gjëje tjetër që adhurohet pos Allahut)'." Nahl, 36.

 

Nga “Kaulu mufid ala kitabi teuhid” i Shejkh Muhamed ibn Salih el Uthejmin

 Përktheu: Tomor Boriçi

Burimijetes.com

05.06.2007

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com