All for Joomla All for Webmasters

NDËRMJETËSIMI - PJESA E PARË

. Posted in Libri i Njesimit.

Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Autori e përmend ndërmjetësimin në librin e njësimit, sepse politeistët kur adhuronin idhujt thoshin: "Ne i adhurojmë ata që të ndërmjetësojnë për ne te Allahu, na afrojnë te Allahu." Ata janë të humbur në të. Ndërmjetësimi te Allahu është me lejen e Tij dhe nuk ia ka nevojën ndokujt që të ndërmjetësojë te Ai.

Allahu thotë: " Ti tërhiqu vërejtjen me këtë (Kuran) atyre që kanë frikë se do të mblidhen para Zotit të tyre, kur nuk do të ketë as mbrojtës, as ndërmjetësues për ta..." El En Am, 51.

Me ndërmjetësimin është si qëllim:

1. Nderimi i ndërmjetësuesit.

2. Dobia për atë që ndërmjetësohet.

Ndërmjetësimit është që të përfitohet dobia dhe të largohet dëmi.

Shembull për përfitimin e dobisë është ndërmjetësimi i Profetit alejhi selam për banorët e xhenetit, për hyrjen e tyre në xhenet. 

Shembull për largimin e dëmit është ndërmjetësimi i Profetit alejhi selam për atë që e meriton të hyjë në xhehenem dhe të mos hyjë në të.

Thënia: "Ti tërhiqu vërejtjen..." ka për qëllim se me tërheqjen e vërejtjes është lajmi për frikën përfshirëse. Fjala është për Profetin alejhi selam që të bëjë të ditur lajmin e dhënë.

Thënia:  "... kanë frikë se do të mblidhen..." d.m.th.: frikësohen për ndëshkimin e hidhur që mund t'u ndodhi në atë grumbullim.

Thënia: "... nuk do të ketë as mbrojtës, as ndërmjetësues për ta..." d.m.th.: atë ditë nuk ka kush që t'i ndihmojnë dhe askush nuk do mund t'i ndërmjetësojë. Ky ajet vërteton më së miri se nuk ka ndërmjetësim pa lejen e Allahut, ndërmjetësimi pa lejen e Allahut është i pamundur.

Thënia: " Thuaj: 'I tërë shefaati (ndërmjetësimi) i takon vetëm Allahut…'" Ez Zumer, 44. I tërë ndërmjetësimi i takon vetëm Alahut dhe nuk ka asnjë ndërmjetësim jashtë lejes dhe dëshirës së Tij.

Dijetarët e ndajnë ndërmjetësimin në dy llojë:

1. Ndërmjetësim i posaçëm për Profetin alejhi selam, i cili është në disa lloje:

a) Ndërmjetësimi i madh e cili ka një vënd të nderuar në atë që e ka premtuar Allahu. Njerëzit Ditën e Kiametit, në atë qëndrim do t'i kapë brenga e dëshpërimi aq sa ata nuk mund ta përballojnë. I thonë njëri-tjetrit: "Kërkoni dikë që të na bëjë ndërmjetësim tek Allahu. Shkojnë tek Ademi, babai i njerëzisë, i përmendin atij disa prej cilësive me të cilat Allahu e dalloi atë, se Allahu e krijoi atë me Dorën e Tij, i urdhëroi melekët t’i bëjnë sexhde, ia mësoi atij emrat e çdo gjëje. I thonë: 'Bëj ndërmjetësim për ne tek Zoti yt. A nuk e sheh se në çfarë gjendje jemi?' Ai arsyetohet se e kishte kundërshtuar Allahun në ngrënien e pemës. Është e ditur se kur ndërmjetësuesi ka diçka që ia cënon dinjitetin për ndërmjetësimin që do të bëjë, ai nuk mund ta bëjë atë prej turpit, edhe pse Allahu ia pranoi Ademit pendimin, e zgjodhi atë dhe e udhëzoi." Allahu thotë: " … dhe kështu Ademi theu urdhrin e Zotit të vet dhe gaboi."

" Pastaj Zoti i tij e zgjodhi atë dhe iu kthye atij duke e  falur dhe duke e udhëzuar atë”. Ta Ha 121 – 122. Për shkak të turpit të madh të tij nga Allahu kërkoi ndjesë ( arsyetua ).

Pastaj shkojnë tek Profeti Nuh – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! – dhe i përmendin disa prej cilësive të tij që u dallua me to, se ai ishte i pari i të dërguarve të Allahut në tokë, por edhe ai arsyetohet se i kishte kërkuar Allahut atë që nuk kishte dije kur tha: "... Zoti im, vërtetë që biri im është nga familja ime dhe nuk ka dyshim që premtimi Yt është i vërtetë dhe se Ti je më i drejti i gjykuesve". Hud, 35.

Pastaj shkojnë tek Ibrahimi – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! – i përmendin atij disa nga cilësitë e tij, ai arsyetohet se kishte gënjyer tri herë, të cilat ishin të vërteta sipas qëllimit të tij.

Pastaj shkojnë tek Musai – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! –, i përmendin atij disa prej cilësive të tij që të çojnë në ndërmjetësim, porse ai arsyetohet me vrasjen e njeriut, pasi nuk ishte i urdhëruar për vrasjen e tij. Ai ishte njëri prej popullit të faraonit. Kur i kërkoi ndihmë atij personi prej beni israilëve, Musai i ra me grusht e ai vdiq.

Pastaj shkojnë tek Isai – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! –, i përmendin atij disa prej cilësive të tij që të çojnë në ndërmjetësim. Ai nuk paraqet ndonjë arsyetim por i kalon tek ai që ishte me pozitë më të lartë, u thotë: " Shkoni tek Muhamedi, robit që i janë falur gjynahet e kaluara dhe të ardhshmet. I orienton për tek Muhamedi pa u treguar arsyen që e pengon të ndërmjetësojë." Buhariu dhe Muslimi.

Ata i vijnë Muhamedit – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! –, i cili ndërmjetëson tek Allahu për të rehatuar të tubuarit (në fushën e masherit).

b) Ndërmjetësimi i tij për banorët e xhenetit që të futen në të, sepse ata kur e kalojnë Siratin, arrijnë tek dyert e xhenetit dhe i gjejnë të mbyllura. Kërkojnë dikë që t’u bëjë ndërmjetësim. E kështu që Profeti – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! – do të ndërmjetësojë tek Allahu për hapjen e dyerve të xhenetit dhe për hyrjen e njerëzve në të. Për këtë tregon fjala e Allahut të Lartësuar: "...derisa kur të arrijnë tek ai, dyert do të jenë të hapura...". Ez Zumer, 73.

c) Ndërmjetësimi i tij për xhaxhanë e tij, Ebu Talibin, që t'i lehtësohet atij dënimi. Ky ndërmjetësim është përjashtuar nga fjala e Allahu: "Kësisoj, asnjë ndërmjetësim i ndërmjetësuesve nuk do t’u sjellë atyre ndonjë dobi". El Muddethir, 48.

Po kështu, fjala e Allahut:"Atë Ditë asnjë ndërhyrje nuk do të vlejë veçse për atë, për të cilin i Gjithëmëshirshmi ka dhënë leje dhe fjala e të cilit është pranuar prej Tij". Ta-Ha. 109.

Kjo, sepse Ebu Talibi kishte ndihmuar Profetin dhe e kishte mbrojtur atë, pavarësisht prej kësaj ai nuk do të dalë nga zjarri, por vetëm do t’i lehtësohet, – Allahu na ruajt! – do të jetë një cektësi prej zjarri ku do të ketë dy këpucë zjarri, prej të cilave do të valojnë trutë e tij.

Ky ndërmjetësim është i veçantë për Profetin – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! –. Askush nuk mund të bëjë ndërmjetësim për kafirin (jobesimtarin) me përjashtim të Profetit – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! – e megjithatë edhe atij nuk iu pranua ndërmjetësimi plotësisht, por vetëm me lehtësim.

2. Ndërmjetësimi i përgjithshëm për Profetin – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! – dhe për të gjithë besimtarët, e cila është disa llojesh:

a) Ndërmjetësimi për atë që e meriton zjarrin që të mos hyjë në të. Kjo argumentohet me fjalën e të Dërguarit – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! –: " Nuk ka ndonjë musliman që vdes e ta falin xhenazen e tij dyzet burra, të cilët nuk i shoqërojnë Allahut asgjë vetëm se Allahu do t'i bëj ata ndërmjetësues për të". Muslimi.

Ky ndërmjetësim është para se të futen në zjarr. Allahu bën që ata të ndërmjetësojnë për këtë.

b) Ndërmjetësimi për ata që janë futur në zjarr e që të dalin prej tij. Për këtë kanë ardhur hadithe me rrugë të shumta transmetimi. Janë bashkuar të gjithë sahabët në këtë dhe kanë rënë dakord të gjithë ithtarët e fesë (muslimanë) përveç dy grupeve: mutezilët dhe hauarixhët. Ata e mohojnë ndërmjetësimin për gjynahqarin kategorikisht. Për vepruesin e gjynaheve të mëdha ata thonë se do të jenë në zjarr përgjithmonë dhe ai, i cili meriton përhershmërinë në zjarr nuk i bën dobi ndërmjetësimi.

Gjithashtu, ata mohojnë se Profeti – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! – e të tjerë veç tij do bëjnë ndërmjetësim për vepruesit e gjynaheve të mëdha që të mos hyjnë në zjarr ose të dalin prej tij. Nuk ka dyshim se thënia e tyre, në bazë të argumente dhe me konsensusin e dijetarëve, është e rreme dhe e pa pranueshme.

c) Ndërmjetësimi në ngritjen e gradave të besimtarëve. Këtë e argumenton duaja e besimtarëve që i bëjnë njëri-tjetrit. Ashtu siç tha Profeti – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! – për Ebu Selemeh: " O Allah, fale Ebu Selemen, ngrije gradën e tij me të udhëzuarit, zgjeroja dhe ndriçoja varrin dhe bëre të vazhdojnë pasardhësit e tij".Muslimi.

Duaja është ndërmjetësim, siç ka thënë i Dërguari – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! –:" Nuk ka ndonjë musliman që vdes e ta falin xhenazen e tij dyzet burra, të cilët nuk i shoqërojnë Allahut asgjë, vetëm se Allahu do t'i bëjë ata ndërmjetësues për të". Muslimi.

 

Nga “Kaulu mufid ala kitabi teuhid” i Shejkh Muhamed ibn Salih el Uthejmin

 Përktheu: Tomor Boriçi

Burimijetes.com

01.11.2008

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com