All for Joomla All for Webmasters

NDËRMJETËSIMI - PJESA E DYTË

. Posted in Libri i Njesimit.

Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nëse dikush do të thoshte se ndërmjetësimi është vetëm me lejen e Allahut, atëherë si mund të quhet duaja që bën njeriu për vëllanë e tij ndërmjetësim, pa lejen e Zotit? 

Përgjigja: Allahu e ka urdhëruar njeriun që të lutet për vëllanë e tij të vdekur, atëherë urdhri për lutje është leje dhe më shumë.

Ndërsa ndërmjetësimi i pretenduar nga adhuruesit e idhujve prej adhuruesve të tyre është i papranueshëm, sepse Allahu nuk i jep leje për ndërmjetësim askujt me përjashtim të atyre që është i kënaqur prej ndërmjetësuesve dhe atyre për të cilët ndërmjetësohet.

Atëherë nga ajeti "Allahut i takon i gjithë ndërmjetësimi” përfitohet se ndërmjetësimi është i shumëllojtësh, siç u përmend.

Allahu i Madhëruar thotë: “...E kush është ai që mund të ndërhyjë tek Ai përveç se me lejen e Tij...?”. El Bekare, 255.

Thënia: "...E kush është ai..." d.m.th.: askush nuk mund të ndërmjetësojë tek Allahu pa lejen e Tij.

Thënia:"...tek Ai...". Allahu është në lartësi dhe askush nuk ndërmjetëson tek Ai qoftë edhe i afërt, si melaiket e afërt, vetëm se me lejen e Tij absolute, e cila mund të jetë vetëm pas kënaqësisë.

Nga ajeti përfitohet se për ndërmjetësimin është kusht leja e Allahut, për shkak të sundimit të Tij të plotë. Sa më shumë të plotësohet sundimi i një mbreti atëherë nuk flet tek ai pa lejen e tij askush. Për këtë zhurma në mexhlisin e ndonjë të madhi konsiderohet poshtërim. Argument se ai nuk është i madh tek ata që janë tek ai.

Sahabët kanë qenë me Profetin alejhi selam sikur mbi kokat e tyre qëndronin zogjtë prej respektit dhe mos të folurit, vetëm nëse hapej fjala atëherë flisnin.

Allahu i Madhëruar thotë: "Dhe ka shumë melekë në qiej, ndërmjetësimi i të cilëve nuk vlen, vetëm pasi Allahu të ketë dhënë lejim për atë që Ai do dhe e pëlqen". En Nexhm, 26.

Thënia:"Dhe ka shumë melekë..." edhe pse numri i melekëve në qiell është tepër i madh, e megjithatë nuk vlen ndërmjetësimi i tyre asgjë pa lejen e Allahut dhe pëlqimit të Tij. 

Thënia:“...vetëm pasi Allahu të ketë dhënë lejimin për atë që Ai do dhe e pëlqen.”

Ndërmjetësimi ka dy kushte:

1. Lejimi prej Allahut: "...vetëm pasi Allahu të ketë dhënë lejimin”.

2.Kënaqësia (pëlqimi) e Tij ndaj ndërmjetësuesit dhe të ndërmjetësuarit sipas fjalës së Allahut: “...e pëlqen”.

Po ashtu, siç thotë Allahu në një ajet tjetër:“...ata me të cilët Ai është i kënaqur...”. El Enbija, 28.

Duhet patjetër leja e Allahut të Lartësuar dhe kënaqësia e Tij për ndërmjetësuesin dhe të ndërmjetësuarin, me përjashtim të lehtësimit të ndëshkimit për Ebu Talibin siç u përmend më parë.

Ky ajet ka ardhur në kontekstin e sqarimit të pavlefshmërisë së adhurimit të "el-lat" dhe "el-uza". Allahu pas përmendjes së Miraxhit dhe çka i ndodhi Profetit – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! – në të, ka thënë: "Vërtet që ai (Muhamedi) pa disa nga Shenjat më të Mëdha të Zotit të tij!". En Nexhm, 18. do të thotë se pa shenja që tregojnë për madhështinë dhe lartësimin e Allahut.

Pastaj ka thënë: "A i keni menduar ju atëherë El Late dhe El Uza (dy idhuj të arabëve paganë)? Dhe atë të tretin, Menatin?". En Nexhm, 19-20.

Kjo formë pyetësore është për poshtërim, sepse Allahu pas përmendjes së madhështisë së Tij ka thënë më lajmëroni Mua për "El Lat" dhe "El Uza" çfarë madhështie kanë ata.

Ky është kulmi i poshtërimit, nga ku Allahu thotë: "A mendoni se bijtë janë tuajt, e të Tij (Allahut)bijat? Atëherë vërtetë që ajo është një ndarje tepër e padrejtë! Ata janë vetëm emra që ua keni ngjitur (idhujve)ju dhe baballarët tuaj, kurse Allahu nuk zbriti për ta asnjë provë. Por ata (mosbesimtarët)ndjekin vetëm hamendje dhe çfarë ata dëshirojnë, ndërkohë që tashmë u ka ardhur Udhëzimi nga Zoti i tyre! Apo do t’i takojë njeriut ajo që ai dëshiron? Por Allahut i përket e Fundit (Bota e Përtejme) edhe e para (kjo botë). Dhe ka shumë melekë në qiej...". En Nexhm, 21-26.

Edhe melekët që janë në qiell nuk u vlen ndërmjetësimi pa lejen dhe kënaqësinë e Allahut. E çfarë mund të thuhet për "El Lat" dhe "El Uza, të cilat janë në tokë?! Për këtë ka thënë: "Dhe ka shumë melekë në qiej...". Megjithëse melekët janë në qiell dhe në tokë, por ka për qëllim melekët që janë në qiejt e lartë, të cilat janë tek Allahu qoftë edhe melekët e afërt, mbajtësit e Arshit, nuk vlen ndërmjetësimi i tyre, vetëm pasi Allahu të japë leje për atë që dëshiron dhe që është i kënaqur.

"Thuaj: 'Thirrni ata, të cilët i menduat për zota pos Allahut!' Ata nuk posedojnë as sa një grimcë si në qiej e në tokë dhe as që kanë në to ndonjë pjesë dhe Ai nuk ka prej tyre ndonjë përkrahje." Es Sebe, 22.  

Thënia: " Thuaj: 'Thirrni...'" Urdhri këtu është për sfidim dhe për paaftësi. Fjala: "…Thirrje...” përmban dy kuptime:

1. Sillni ata;

2. Lutni ata me lutjen e kërkimit.

Sikur t'i kërkonin atyre me duan e kërkimit, ata nuk do t’u përgjigjeshin atyre siç thotë Allahu: "Nëse ju luteni dhe u thërrisni atyre, ata nuk e dëgjojnë thirrjen tuaj, por edhe sikur ta dëgjonin atë, ata nuk mund t’ju përgjigjen juve dhe Ditën e Llogarisë ata do të mohojnë adhurimin tuaj ndaj tyre. Dhe askush nuk mund të të njoftojë ty (O Muhamed)si Ai i Cili është i Mirënjohuri, i Gjithëdituri i çdo gjëje".

Edhe me qartësimin e këtyre ajeteve madhështore, përsëri disa njerëz i bëjnë shirk (shokvënie) Allahut të Lartësuar dhe kërkojnë shpëtim prej dikujt tjetër veç Allahut.

Edhe nëse do t’i thërrisni ata të prezantoheshin nuk do të vinin, edhe sikur të vinin, nuk do t’u bënte dobi ardhja e tyre.

"... Ata nuk posedojnë as sa një grimcë…" Ky shembull sillet në pakicë e ata nuk kanë në posedim as më të vogël se grimca. Qëllimi i përmendjes së grimcës është në formën e ilustrimit dhe kur në diçka është si qëllim ilustrimi qoftë për pakicë apo shumicë ai nuk ka ndonjë domethënie, por ka si qëllim gjykimin e tërësishëm.

Prej kësaj nuk ka pse të na lindë ndonjë paqartësi në lidhje me pohimin e posedimit që Allahu ka bërë për njeriun, posedimi i njeriut është i mangët, jo përfshirës, përtërihet dhe zhduket nuk ka kurrfarë përngjasimi me posedimin që ka Allahu.

"…dhe as që kanë në to ndonjë pjesë…"Ata që lutni veç Allahut nuk posedojnë asnjë gjë në qiell dhe në tokë, si më vete po ashtu dhe të përbashkët.

" …dhe Ai nuk ka prej tyre ndonjë përkrahje (ndihmë)". Allahu nuk ka ndihmës asnjë prej këtyre idhujve dhe thotë: "Thuaj: 'Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri – tjetrin" El Isra, 88.  

Nuk ka nevojë të ketë ndihmues në punët e Tij dhe për këtë idhujve u mohohet çdo gjë për të cilën lidhen adhuruesit. Ata nuk posedojnë asgjë qoftë në vete, në bashkëpunim dhe në ndihmë, sepse ai që të ndihmon edhe nëse nuk është pjesëtar me ty ai ka merita tek ti, për këtë ndoshta e favorizon duke i dhënë atë që dëshiron.

Nëse këto tri çështje (posedimi më vete, në bashkëpunim dhe ndihmë) janë mohuar, atëherë mbetet vetëm ndërmjetësimi, të cilin Allahu e ka mohuar me fjalën e Tij: "Dhe ndërmjetësimi nuk bën dobi tek Ai, përveç i atij të cilit Ai i jep leje". Sebe, 23.

Ndërmjetësimi i tyre tek Allahu është i pavlefshëm, sepse ato janë idhuj e për këtë Allahu nuk u jep leje atyre. Politeistëve në bazë të të vepruarit të tyre u janë ndërprerë të gjitha mjetet dhe shkaqet.

Këto janë prej ajeteve më madhështore që tregojnë për pa pranueshmërinë e adhurimit të idhujve, për shkak se ato nuk i bëjnë dobi adhuruesve të tyre në vetmi, në bashkëpunim, në ndihmë dhe në ndërmjetësim, atëherë adhurimi i tyre është i kotë, i pa pranuar.

Allahu thotë:"Dhe kush është në rrugë më të gabuar se ai që lut në vend të Allahut dikë që nuk do t'i përgjigjet atij deri në Ditën e Gjykimit, pse ata (që luten) janë gafilë (të pavëmendshëm)ndaj lutjes së tyre ". El Ahkaf, 5. Edhe nëse mund të jenë njerëz me mëndje të shëndoshë.

Të gjitha këto ajete tregojnë qartazi se njeriu e ka për detyrë ndërprerjen e të gjitha lidhjeve të tij me tjetërkënd veç Allahut dhe t'i drejtohet vetëm Allahut në adhurim, frikë, shpresë, kërkimin e ndihmës, dashuri dhe madhërim, derisa të jetë rob i vërtetë i Allahut.

Të jetë epshi, dëshira, dashuria, urrejtja, miqësimi dhe armiqësimi për Allahun dhe në Allahun, sepse ai, (njeriu) është i krijuar vetëm për adhurim.

Allahu i Lartësuar thotë: "A menduat se Ne ju kishim krijuar për lojë (e pa ndonjë qëllim)dhe se nuk do të mund të ktheheshit prapë tek Ne?". El Mu'minun, 115. D.m.th.: menduat se nuk do t'u urdhërojmë, a po ndalojmë, edhe sikur t’u kishim krijuar vetëm për ngrënie, pirje e martesë do të ishte krejtësisht kotësi, por aty pas kësaj ka diçka, është adhurimi i Allahut të Lartësuar në këtë dynja.

"...dhe se nuk do të mund të ktheheshit prapë tek Ne?”  D.m.th.: menduat se nuk do të ktheheni tek Allahu e t'u shpërblejmë (për punët tuaja), nëse është ky mendimi i juaj, atëherë ky është mendim i pa bazë.

Ebul Abasi thotë se Allahu mohon të gjitha ato me të cilat lidhen mushrikët (politeistët). Mohon se dikush tjetër veç Tij ka sundimin, është pjesëtar në të apo është ndihmës i Allahut dhe nuk mbetet vetëm ndërmjetësimi. Sqaron se edhe ai (ndërmjetësimi) nuk vlen pa lejen e Allahut.

Allahu thotë: "Ata nuk mund të ndërmjetësojnë veçse për atë të cilin Ai është i kënaqur". El Enbija, 28.

Thënia: "...Mohon se dikush tjetër veç Tij ka sundimin..." d.m.th.: veç Allahut dhe vjen në fjalën e Allahut: "... Ata nuk posedojnë as sa një grimcë si në qiej e në tokë…". Es Sebe, 22.

Thënia: "...apo është pjesëtar në të..." vjen në fjalën e Allahut:"...as nuk kanë aspak pjesë në ndonjërin prej tyre…"

Thënia: "...apo është ndihmës i Allahut..." vjen në fjalën e Allahut:"Ai nuk ka prej tyre ndonjë përkrahje (ndihmë)..." pa përjashtim.

"...dhe nuk mbetet vetëm ndërmjetësimi..."qartëson se ndërmjetësimi është i vlefshëm vetëm se për atë që Allahu jep leje. Siç ka thënë Allahu: "Ata nuk mund të ndërmjetësojnë vetëm për ata me të cilët Ai është i kënaqur".

Gjithashtu thotë:"...E kush është ai që mund të ndërhyjë tek Ai përveç se me lejen e Tij...?". El Bekare, 255. Dihet se Allahu nuk është i kënaqur me idhujt, sepse ata janë të pa pranueshëm e për këtë ndërmjetësimi i tyre është i mohuar.

Dije se shirku (shokëvënia) i politeistëve në të kaluarën ka qenë në adhurimin e idhujve, ndërsa tani është në bindjen e krijesave në mëkate. Shenjtërojnë të parët e tyre më shumë se Allahun, kur e pohojnë këtë, u thuhet atyre: "Ata nuk posedojnë asgjë, janë njerëz si ju, kanë dalë aty ku del urina dhe gjaku i lehonisë, ata nuk kanë pjesë në qiell, as nuk posedojnë për ju ndërmjetësimin tek Allahu. E çfarë ju shtynë të lidheni me ta?" Ka prej tyre që i bëjnë ruku e sexhde të parit të tij siç bëhet për Zotin.

Detyrë për ne në lidhje me të parët tonë është që t'u bindemi. Bindja ndaj tyre është bindje ndaj Allahut. Adhurimi i tyre siç adhurohet Allahu është injorancë dhe kufër.

Allahu ka mohuar që idhujt e tyre t'u bëjnë dobi, madje për këtë ka thënë: "Vërtet që ju (jobesimtarë)dhe ata të cilët ju i adhuroni në vend të Allahut jeni vetëm se lëndë djegëse për xhehenemin dhe sigurisht që ju do të hyni në të".

"Po të kishin qenë këta (idhujt që i adhuroni ju)zota, ata nuk do të kishin hyrë atje (në xhehenem). Por ata të gjithë do të banojnë në të".El Enbija, 98.

Vetë idhujt nuk i bëjnë dobi vetëve të tyre, nuk ndërmjetëson për veten e tyre e si mund të jetë ndërmjetësues për të tjerët, madje ato vet dhe adhuruesit e tyre do të jenë në zjarr.

Ndërmjetësimi që pretendojnë politeistët Ditën e Kiametit është i mohuar, ashtu siç mohohet dhe në Kuran dhe siç ka lajmëruar Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të!–: "Do të vijë, do t”i bjerë në sexhde Zotit të tij dhe do ta falënderojë Atë, - nuk fillon me ndërmjetësimin fillimisht -. Pastaj i thuhet atij: 'Ngrije kokën tënde, fol të dëgjohesh, kërko të të jepet, kërko ndërmjetësim të të pranohet ndërmjetësimi'." Buhariu.  

Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – ka lajmëruar: "se ai do të vijë, do t”i bjerë në sexhde Zotit të tij…".

Kur Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! –, i cili është më i madhi i njerëzve me pozitë tek Allahu, nuk ndërmjetëson vetëm pasi të falënderojë Allahun. E falënderon Allahun me falënderime që ia hap Allahu ku ai nuk i dinte ato më parë. E zgjat sexhden e tij. E çfarë mund të thuhet për këta idhuj? A munden të ndërmjetësojnë ato për adhuruesit e tyre.

" …Ngrije kokën tënde…" d.m.th.: prej sexhdes.

Ebu Hurejra i tha Profetit – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të!–: "Kush është më i lumturi prej njerëzve që do të marrë ndërmjetësimin tënd?" Tha: "Kush thotë: LA ILAHE IL ALLAH (vetëm Allahu është Ai që e meriton adhurimin) me sinqeritet nga zemra e tij." Buhariu.

Ebu Hurejra i ka thënë Profetit – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të!–: "Kush është më i lumturi prej njerëzve që do të marrë ndërmjetësimin tënd?" Kjo pyetje është prej Ebu Hurejrës drejtuar Profetit alejhi selam. Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – i tha atij:“Vërtet kam menduar se nuk do të më pyesë askush tjetër veç teje për këtë, pasi vërejta përkushtimin tënd ndaj dijes”. Në këtë ka argument se prej mënyrave të marrjes së dijes është dhe të pyeturit.

Thënia: "Kush thotë: LA ILAHE IL ALLAH (vetëm Allahu është Ai që e meriton adhurimin)me sinqeritet nga zemra e tij". Prej kësaj del se politeistët nuk kanë fat të përfitojnë nga ndërmjetësimi, sepse ata nuk thonë: LA ILAHE IL ALLAH (vetëm Allahu është Ai që e meriton adhurimin). Allahu i Lartësuar thotë: "Vërtet kur iu tha atyre LA ILAHE IL ALLAH (vetëm Allahu është Ai që e meriton adhurimin)ata e mbajtën veten lart (duke e mohuar atë)"

"Dhe thoshin: 'A do t’i braktisim ne zotat tanë për një poet të çmendur?'" Es Safat, 35-36.

 

Po kështu, Allahu tregon për thënien e tyre duke thënë: "A i ka bërë Ai zotat (të gjithë)në Një Zot? Vërtetë që kjo është e çuditshme". Sad, 5. Metë vërtetë veprimi i tyre është i çuditshëm.

Allahu thotë:"Por në të vërtetë ti u habite (me fyerjen e turpshme të tyre)kur ata u tallën (me ty dhe me Kuranin). Es Safat, 12.

Po kështu, fjala e Allahut: "E nëse ti (Muhamed) çuditesh (përse të përgënjeshtrojnë), është edhe më e çuditshme thënia e tyre: 'A do të kemi krijim të ri pasi të jemi bërë dhe?'...". Err Rrad, 5.

Thënia: " …me sinqeritet nga zemra e tij"lë të kuptohet se kush e thotë atë me hipokrizi nuk ka fat për ndërmjetësim. Hipokritët thonë LA ILAHE IL  ALLAH dhe dëshmojnë se Muhamedi është i Dërguar i Allahut, por Allahu i Lartësuar e përgënjeshtron dëshminë e tyre dhe thotë: "Allahu e di se ti je vërtetë i Dërguari i Tij dhe Allahu dëshmon se hipokritët janë me të vërtetë gënjeshtarë."

D.m.th.: ata janë gënjeshtarë në dëshminë e tyre"se ti je vërtetë i Dërguari i Tij". Po kështu në fjalën e tyre "LA ILAHE IL ALLAH", sepse po të kishin dëshmuar me vërtetësi nuk do të kishin hipokrizi dhe nuk do të fshihnin kufrin (mohimin).

Thënia:"...me sinqeritet" do të thotë: e pastër prej çdo dyshimi, syefaqësie, fame. Ajo është dëshmi reale.

Thënia: "...nga zemra e tij" do të thotë:  çdo gjë vërtitet rreth zemrës, e cila është një copë mishi në gjokset e njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë:"…në të vërtetë sytë nuk verbërohen, por verbërohen zemrat në kraharor. " Në fillim të ajetit Allahu thotë: "A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të kenë zemra me të cilat do të kuptojnë dhe veshë me të cilat do të dëgjojnë?".El Haxh, 46.

Ndërsa Profeti thotë: "Nuk ka dyshim se në trup është një copë mishi, nëse ajo rregullohet, rregullohet i gjithë trupi." Buhariu. Me këtë bëhet e pa vlefshme thënia se të logjikuarit është në tru. Nuk mohohet se truri ka ndikim në të kuptuar dhe të logjikuar, por të logjikuarit është në zemër.

Për këtë arsye imam Ahmedi ka thënë: "Logjika është në zemër dhe ka lidhje me trurin."

Kush e thotë fjalën e sinqeritetit "LA ILAHE IL ALLAH" sinqerisht nga zemra e tij, padyshim se do të drejtohet për tek Allahu duke ndërmarrë rrugët që e çojnë për tek Ai, duke ndjekur urdhrat e Tij dhe u largohet ndalesave të Tij.

Ai ndërmjetësim do të jetë për të sinqertët, me lejen e Allahut dhe nuk do të jetë për atë që i bën shirk (shok) Allahut në adhurim.

E vërteta e tij është se Allahu i Lartësuar është Ai i Cili i jep mirësi të sinqertëve, i fal ata me ndërmjetësimin e duasë së atij që e lejon të ndërmjetësojë, për ta nderuar atë dhe për të arritur vendin e lartë.

Thënia: "Ai ndërmjetësim do të jetë për të sinqertët..." sepse ata që i bëjnë shok Allahut nuk e përfitojnë dot. Allahu për ta thotë: "Kësisoj, asnjë ndërmjetësim i ndërmjetësuesve nuk do t’u sjellë atyre ndonjë dobi". El Mudeth'thir, 48.

Thënia: "E vërteta e tij është se Allahu i Lartësuar është Ai i Cili i jep mirësi të sinqertëve, i fal ata me ndërmjetësimin e duasë së atij që i lejon të ndërmjetësojë..." d.m.th.: çështja e ndërmjetësimit, dobia prej saj, është se Allahu do që ta fali atë për të cilin bëhet ndërmjetësimi, por nëpërmjet këtij ndërmjetësimi.

Urtësinë e këtij ndërmjetësimi e ka sqaruar në fjalën e tij: "...për ta nderuar atë dhe për të arritur vendin e lartë" Po të donte Allahu i falte ata pa ndërmjetësues, por Ai do që të vërë në dukje vlerat e ndërmjetësuesit dhe nderimin i tij para njerëzve.

Është e njohur se kujt ia pranon Allahu ndërmjetësimin, ai merr një gradë të lartë tek Ai.

Ndërmjetësuesit i bëhet nderim në dy forma:

1. Nderimi i ndërmjetësuesit duke e pranuar ndërmjetësimin e tij.

2. Shfaqja e pozitës së tij tek Allahu i Lartësuar.

"... vendin e lartë" d.m.th.: është vend për të cilin meriton të lavdërohet dhe personi që e meriton më shumë këtë është Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! –. Allahu i premtoi atij këtë vend të lartë dhe për këtë e pranon ndërmjetësimin e tij pasi tërhiqen të gjithë profetët dhe më të mirët prej tyre.

Të gjithë ata që do të ndërmjetësojnë Ditën e Kiametit prej besimtarëve do të kenë vend për të cilin meritojnë të lavdërohen sipas vlerës së ndërmjetësimit të tyre. 

Ndërmjetësimin, të cilin e ka mohuar Kurani është ai në të cilin ka shirk (shokvënie). Dhe pikërisht ndërmjetësimi është pohuar vetëm me lejen e Tij në disa vende, ndërsa i Dërguari – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të!– ka sqaruar se ndërmjetësimi do të jetë vetëm për ata që janë të sinqertë dhe kanë teuhidin (njësimin) të pastër. Këtu përfundon edhe fjala e shejhul islam Ibën Tejmije.

Thënia: "...dhe pikërisht ndërmjetësimi është pohuar vetëm me  lejen e Tij, në disa vende...." Për këtë është fjala e Allahut: “...E kush është ai që mund të ndërhyjë tek Ai përveç se me lejen e Tij...?”. El Bekareh, 255. Po kështu fjala e Tij: "Dhe ndërmjetësimi nuk bën dobi te Ai, përveç i atij të cilit Ai i jep leje". Es Sebe, 23.Po kështu fjala e Tij: “Dhe ka shumë melekë në qiej, ndërmjetësimi i të cilëve nuk vlen, përveç vetëm pasi Allahu të ketë dhënë lejim për atë që Ai do, e dëshiron...”. En Nexhm, 26.

Thënia: "...ndërsa i Dërguari – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – ka sqaruar se ndërmjetësimi do të jetë vetëm për ata që janë të sinqertë dhe kanë teuhidin (njësimin) të pastër...". Për mushrikët, nuk do të ketë ndërmjetësim, sepse ndërmjetësuesit e tyre janë idhujt, të cilët janë të pa pranueshëm.

Shënim:Futja e temës së ndërmjetësimit në librin e teuhidit ( njësimit) është për faktin se ndërmjetësimi i shirkut mohon teuhidin (njësimin), kurse distancimi prej tij është realitet i teuhidit.

 

 Nga “Kaulu mufid ala kitabi teuhid” i Shejkh Muhamed ibn Salih el Uthejmin

 Përktheu: Tomor Boriçi

Burimijetes.com

08.11.2008

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com