All for Joomla All for Webmasters

TI NUK UDHËZON ATË QË DO

. Posted in Libri i Njesimit.

Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

"Në të vërtetë ti (Muhamed) nuk udhëzon atë që do". El Kasas,56.

Thënia: "Në të vërtetë ti (Muhamed)nuk udhëzon atë që do”. Fjala i është drejtuar Pejgamberit, sepse ai donte të udhëzohej xhaxhai i tij Ebu Talibi ose të dikush tjetër që është më i përgjithshëm. Pra, ti (O Muhamed) edhe pse ke një gradë të lartë tek Allahu nuk udhëzon atë që ti do.

Dihet se të gjitha çështjet janë në dorën e Allahut, i Cili thotë: "Ty (Muhamed) nuk të takon asgjë rreth çështjes se a do t’ua pranojë Ai pendimin apo do t’i dënojë ata...”. Al Imran, 128.

Gjithashtu, Allahu thotë: "Vetëm Allahut i takon dija për fshehtësitë e qiejve dhe të tokës, çdo çështje i kthehet (në kompetencë) vetëm Atij…". Hud, 123.

Udhëzimin që e mohon Allahu prej Profetit është udhëzimi i suksesit (pranimi i fesë, futja në të), ndërsa udhëzimin që e pohon është udhëzimi i orientimit dhe i argumentimit. Kjo ka ardhur në formë të pa kufizuar, për të sqaruar se ajo që është në dorë të Pejgamberit është udhëzimi i orientimit, e jo ta bëj atë të udhëzuar. Thotë Allahu: "…Në të vërtetë, edhe ti udhëzon për në rrugën e drejtë. ".EshShura, 52.

Allahu nuk ka caktuar filanin apo filanin, por qëllimi është se ti o Muhamed udhëzon udhëzimin e orientimit, drejtimit, ti vetëm hap rrugën përpara njerëzve, i sqaron dhe i orienton ata. Ndërsa futja e njerëzve në udhëzim nuk është çështje që i përket të Dërguarit, kjo është posaçërisht për Allahun. Detyrë për ne është të sqarojmë dhe të ftojmë, kurse udhëzimi i suksesit (futjen në fe) i përket vetëm Allahut. Kështu arrihet edhe bashkimi ndërmjet dy ajeteve El Kasas 56 dhe Esh Shura 52.

Në hadith të saktë transmetohet prej Ibnu El Musejjib, ky prej babait të tij, ka thënë  kur Ebu Talibi ishte në shtratin e vdekjes se Profeti shkoi tek ai, e aty pranë tij gjeti Ebu Xhehlin dhe Abdullah Ibnu Ebi Umijeh. Profeti i tha: "O xhaxhai im! Thuaj: LA ILAHE IL  ALLAH, një shprehje që unë ta përmend si argument tek Allahu për ty.Ata të dy i thanë: O Ebu Talib, a do ta braktisësh fenë e Abdul Mutalibit? Profeti ia përsëriti thënien e tij edhe ata të dy ia përsëritën thënien e tyre, aq sa fjala e fundit që ai u tha atyre (para se të vdiste) ishte: "Unë jam në fenë e Abdul Mutalibit". Pastaj Profeti tha: "Do të vazhdoj të kërkoj faljen e Allahut për ty nëse nuk ndalohem të veproj kështu". Pastaj u shpall ajeti: “Nuk shkon për Profetin dhe për ata që besojnë të kërkojnë faljen e Allahut për mushrikët edhe sikur ata të jenë më të afërmit...”. Et Teubeh, 113. 

Allahu zbriti në çështjen e Ebu Talibit ajetin: "Në të vërtetë ti (O Muhamed) nuk udhëzon atë që do, por Allahu udhëzon kë të dojë...". El Kasas, 56. 

Thënia: "O xhaxhai im!..." Profeti –paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të!– përdori këtë thirrje butësie, sepse xhaxhai është i njëjtë me babanë, pra si degë me të.

Thënia: "...Thuaj: LA ILAHE IL ALLAH..." Mundet që këtë ja tha në formë urdhërore dhe të detyrueshme, sepse çdonjëri e ka për detyrë të thotë:LA ILAHE IL  ALLAH. Mundet  që ai ja tha në formë këshille dhe orientimi. Po kështu, mundet t'ia ketë thënë në formë dëshire dhe butësie për të.

Ebu Talibi dhe ata që ishin me të e njihnin këtë fjalë dhe e njihnin kuptimin e saj, prandaj ai e mohoi atë.

Thënia: "...Ata të dy i thanë: 'O Ebu Talib, a do ta braktisësh fenë e Abdul Mutalibit?'..." Ata ishin Ebu Xhehli dhe Abdullah Ibnu Ebi Umijeh. Mënyra e të pyeturit të tyre është për mohim e asaj që i kërkohej, ata e dinin, nëse Ebu Talibi do të pohonte fjalën e teuhidit do të bënte njësim, kurse feja e Abdul Mutalibit ishte shirku (idhujtaria). Ata e ngacmonin nëpërmjet fanatizmit të tij fetar, me qëllim që ai të mos dilte nga feja e prindërve të tij.

Ebu Xhehli vdiq në fenë e Abdul Mutalibit. Ndërsa Abdullah Ibnu Ebi Umijeh dhe El Musejib, i cili ka transmetuar hadithe, pranuan Islamin. Allahu qoftë i kënaqur prej atyre dyve!

Profeti tha: “Do të vazhdoj të kërkoj faljen e Allahut për ty nëse nuk ndalohem të veproj kështu”. Duket sikur Profeti në vetveten e tij kishte diçka që e shqetësonte, deri sa tha: "...nëse nuk ndalohem...". Çështja ndodhi ashtu siç parashikoj dhe u ndalua nga ai.

Allahu ka zbritur: "Nuk shkon për Profetin dhe për ata që besojnë të kërkojnë faljen e Allahut për mushrikët edhe sikur ata të jenë më të afërmit..." Et Teube, 113. Pra, nuk shkon për Profetin dhe për ata që besojnë t'i kërkojnë falje Allahut për idhujtarët, edhe sikur ata të jenë prej të afërmve të tyre. Për këtë, kur Profeti bëri umren kaloi pranë varrit të nënës së tij, i kërkoi Allahut leje për të kërkuar falje për të, por Allahu nuk e lejoi. I kërkoi Allahut leje për të vizituar varrin e saj dhe e lejoi. Kur vizitoi varrin e saj qau, po ashtu qanë edhe ata që ishin rreth tij prej sahabëve.

Allahu e ndaloi atë që të kërkojë falje për idhujtarë, sepse ata nuk janë prej atyre që e meritojnë.

Kur e lut Allahun të bëjë atë që nuk e lejon është tejkalim i kufirit në lutje.

Allahu ka zbritur: "Në të vërtetë ti (O Muhamed) nuk udhëzon atë që do...". El Kasas, 56. Fjala këtu i është drejtuar Profetit se nuk e arrin suksesin për udhëzimin e atij që do.

"...por Allahu udhëzon atë që do...” D.m.th: udhëzon me udhëzimin e suksesit (e fut në fe) atë që dëshiron. Dije se çdo veprim i atribuohet dëshirës së Allahut të Lartësuar, e cila shoqërohet me urtësi. D.m.th: atë që e përmban urtësia e Tij për t'u udhëzuar e udhëzon dhe atë që e përmban urtësia e Tij që ta humbë e humb.

Ky hadith i pret lidhjet e shirkut me Profetin dhe të tjerët veç tij. Ata të cilët mbështeten në Profetin dhe i kërkojnë ndihmë klasifikohen si mushrikë. Kjo nuk u bën dobi atyre, sepse Allahu nuk e lejoi atë të kërkojë falje për xhaxhanë e tij, i cili qëndroi në një pozicion të rëndësishëm, e ndihmoi Profetin në thirrjen e tij. E çfarë mund të thuhet për atë që i bënë shok Allahun në adhurim?!

Paqartësi që lindin nga hadithi

E para: Pohimi dhe mohimi i udhëzimit. Siç është sqaruar më sipër.

E dyta: Fjala e të Dërguarit – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – në momentet e vdekjes së Ebu Talibit e trajton me fjalën e Allahut:"Dhe pa asnjë përfitim është pendimi i atyre të cilët vazhdojnë të bëjnë vepra të këqija derisa t’u vijë përballë vdekja dhe pastaj thonë: 'Tash pendohem'...". En Nisa. 18.

Shfaqet dukshëm pranimi i pendimit e tij. Përgjigja për këtë është në njërën nga dy pamjet.

1. Thuhet se kur Ebu Talibit i erdhi vdekja, d.m.th: u shfaqën tek ai shenjat e vdekjes, por nuk i kishte ardhur atij, por vdekje e tij u njoh pa diskutim. Sipas kësaj përshkrimi (të gjendjes së tij) nuk bie ndesh me ajetin.

2. Kjo është specifike për Ebu Talibin me të Dërguarin – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të!–. Argumentimi për këtë është në dy pamje:

a) Ai i tha: "Një fjalë që të argumentoj për ty tek Allahu". Nuk e ka thënë në formë të prerë se ajo do t'i bëj dobi dhe as nuk tha: "Një fjalë që të nxjerr ty nga zjarri".

b) Allahu i dha leje të Dërguarit – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të!–  për të ndërmjetësuar për xhaxhanë e tij, megjithëse ishte mohues. Ndërmjetësimi për të është që t'i lehtësohet ndëshkimi.

Pamja e parë me kuptimin se u shfaqën tek ai shenjat e vdekjes është e dobët, sepse fjala e tij: " kur Ebu Talibit i erdhi vdekja"  përputhet plotësisht me fjalën e Allahut: "...derisa t’u vijë përballë vdekja...". Sipas kësaj kjo është më e qartë në përgjigjen se kjo është specifike për të Dërguarin – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të – me xhaxhanë e tij Ebu Talib.

Pamja e dytë: Fjala e Allahut: "Nuk shkon për Profetin dhe për ata që besojnë të kërkojnë faljen e Allahut për mushrikët...". Ky ajet është në suren Teube, e cila ka zbritur vonë, në Medine. Ndërsa ndodhia e Ebu Talibit ka ndodhur në Mekë.

Kjo tregon se është vonuar ndalimi i kërkimit falje për idhujtarët. Prandaj i Dërguari –paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të!–  kërkoi leje për kërkimin e faljes për nënën e tij në kohën që ishte duke shkuar për umra.

Ishte e pamundur që ai të kërkonte faljen pasi kishte zbritur ajeti i ndalimit.

Qëllimi është qartësimi i përfshirjes së saj në fjalën e Allahut:"Nuk shkon për Profetin dhe për ata që besojnë të kërkojnë faljen e Allahut për mushrikët..." E nuk është kuptimi se ky ajet ka zbritur në këtë kohë.

Shkaku i zbritjes së ajetit është kërkimi leje prej Allahut për të kërkuar falje për nënën e tij. Nuk ka ndonjë pengesë që ajeti të ketë dy shkaqe zbritjeje.

Pamja e tretë: Dijetarët kanë thënë se është sunet t'i përmendësh atij që është duke vdekur fjalën "La ilahe il Allah", por pa i thënë "thuaj", sepse ai nga ngushtimi i gjoksit të tij prej vdekjes, thotë jo ose e urren këtë fjalë, ose domethënien e saj. Ndërsa në këtë hadith thuhet: "Thuaj"

Përgjigja e kësaj është se Ebu Talibi ishte mohus nëse i thuhej atij thuaj dhe refuzonte përsëri mbetej në mohimin e tij e nuk i bën dëm përmendja e saj. Ai ose do mbetet në kufrin e tij dhe nuk ka ndonjë dëm prej kësaj, ose do ta udhëzonte Allahu. E kundërta është për muslimanin, ai është në rrezik ndoshta dëmtohet në formën që u përmend pak më sipër.

Nga “Kaulu mufid ala kitabi teuhid” i Shejkh Muhamed ibn Salih el Uthejmin

 Përktheu: Tomor Boriçi

Burimijetes.com

28.02.2009

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com