All for Joomla All for Webmasters

TEUHIDI EL ULUHIJEH

. Posted in Eja në Islam.

Pin It

 

Besimi në njësimin e Allahut si i vetmi  i Adhuruar, i Cili meriton të adhurohet me të drejtë. Ky lloj i teuhidit përbën edhe kuptimin e vërtetë të fjalës "La ilahe il lAll-llah– Nuk ka të adhuruar tjetër i cili meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut.” Me teuhidin uluhije është për qëllim veçimi i Allahut të Madhëruar me adhurim, përkushtimi i fesë vetëm Atij dhe refuzimi i idhujtarisë e idhujtarëve, ashtu siç Allahu i Madhëruar thotë:

 

وَمَا أُمِرُوا إِلَّا لِيَعْبُدُوا اللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ حُنَفَاءَ

 

"E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, përveç që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij."[1]

 

Allahu i Madhëruar thotë:

أَلَا لِلَّهِ الدِّينُ الْخَالِصُ

 

"Medoemos se feja e vërtetë është vetëm për Allahun.”[2]

 

 

وَقَضَى رَبُّكَ أَلَّا تَعْبُدُوا إِلَّا إِيَّاهُ

 

"Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër përveç Tij.”[3]

 

Gjithashtu i Lartësuari thotë:

 

وَلَقَدْ بَعَثْنَا فِي كُلِّ أُمَّةٍ رَسُولًا أَنِ اُعْبُدُوا اللَّهَ وَاجْتَنِبُوا الطَّاغُوتَ

 

"Ne dërguam në çdo popull të Dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!”[4]

 

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنْسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ (56)

 

"Nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për asgjë tjetër përveçse të më adhurojnë."[5] Ajetet me këtë kuptim janë të shumta.

 

Me teuhidin uluhije është për qëllim përkushtimi i fesë vetëm Allahut dhe veçimi i Tij me adhurim. Pra, të mos adhurojmë askënd tjetër përveç Allahut, të mos i lutemi askujt tjetër përveç Allahut, të mos i kërkojmë ndihmë askujt tjetër përveç Allahut, të mos presim kurban për askënd tjetër përveç për Allahun, të mos kërkojmë mbështetje, përkrahje, ngadhënjim dhe shpëtim nga askush tjetër përveç prej Allahut. Ashtu siç Allahu është i Vetmi i Cili na ka krijuar, na furnizon dhe përkujdeset për ne, ashtu dhe ne duhet që vetëm Atë ta veçojmë me adhurim. I Lartëmadhëruari thotë: "Unë jam Zoti juaj, pra më adhuroni vetëm Mua."[6]

 

Pra, ashtu siç Ai është i Vetmi Zot, i pa shok në zotërimin e Tij, ashtu dhe ju vetëm Atë adhuroni. Ashtu siç Ai nuk ka ortak në krijim, furnizim, në dhënien e jetës, përcaktimin e vdekjes dhe sistemimin e çështjeve, ashtu dhe gjatë adhurimit nuk duhet t'i shoqërohet ortak. A është e logjikshme të adhurohet tjetër kush përveç Allahut e ndërsa Ai të krijoi?! A është e logjikshme furnizimi të kërkohet prej dikujt tjetër e ndërsa Ai të furnizoi?! A është e logjikshme që shërimi të kërkohet prej dikujt tjetër, ndërsa Ai është i Cili shëron dhe mbron?!

 

I Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në njërën prej lutjeve thotë:  "O Allahu im, Zoti i njerëzve! Largoje dhimbjen dhe më shëro, se Ti je Ai që shëron! S'ka shërim përveçse prej Teje."

 

Ndërsa Ibrahimi, miku i Allahut, prijësi i njësuesve, tha: "Dhe kur të sëmurem Ai më shëron."[7]

 

Pra, me teuhidin uluhije është për qëllim veçimi i Allahut të Madhëruar me përulje ndaj Tij, nënshtrim, bindje, adhurim, namaz, haxh, lutje, kurban, betim dhe me të gjitha bindjet dhe adhurimet e tjera. Ndërsa "adhurimi" është term i përgjithshëm i cili përfshin çdo gjë që Allahu e do dhe është i kënaqur me të, qoftë fjalë apo vepër, e dukshme apo e fshehtë. Adhurimi është e drejtë absolute e Allahut të Madhëruar. Ai i cili adhurimin ia përkushton dikujt tjetër përveç Tij, i ka shoqëruar shok (ortak) Allahut të Madhëruar.

 

Përgatiti: Unejs Sheme

Burimi Jetes

12.02.2016

 

 



[1]Surja Bejjineh, ajeti 5.

[2]Surja Zumer, ajeti 3.

[3]Surja Isra, ajeti 23.

[4]Surja Nahl, ajeti 36.

[5]Surja Dharijat, ajeti 56.

[6]Surja Enbija, ajeti 92.

[7]Surja Shuarau, ajeti 80.

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com