All for Joomla All for Webmasters

REALITETI I BESIMIT SIPAS EHLI SUNETIT

. Posted in Njohuri rreth Akides.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Besimi është jetë e zemrave dhe trupave, balsam i lumturisë, çelës i suksesit në dynja dhe ahiret. Zemrat prej tij trashëgojnë qetësi, ndërsa shpirtrat kënaqësi. Sa herë që njerëzit vazhdojnë të përparojnë në ngritjen e besimit, provojnë shijen dhe ëmbëlsinë e tij, ndërsa shpirtrat kënaqen me të. I Dërguari i Allahut -alejhi selam- ka thënë: “Tri gjëra nëse gjenden tek njeriu ai do ta shijojë ëmbëlsinë e besimit: të jetë Allahu dhe i Dërguari Tij më i dashur se çdo gjë, të dojë njeriu vetëm se për Allahun, të urrejë të kthehet në kufër siç urren të hidhet në zjarr.” Buhariu dhe Muslimi.

Realiteti i besimit më të cilin erdhi i Dërguari Muhamed -alejhi selam- ngrihet mbi tri shtylla, nëse njëra prej tyre bie, besimi është i pavlefshëm. Këto shtylla janë: bindja me zemër, shprehja me gojë dhe zbatimi me gjymtyrë.

Imam Shafiu ka thënë: “Sahabët, tabiinët dhe të tjerë pas tyre janë në konsensus (ixhma) se besimi është fjalë, punë dhe synim, nuk ndahet njëri nga të tre prej tjetrit.”[1]

Shtylla e parë (besimi, bindja në zemër) përfshin dy çështjet e tjera që ato të realizohen.

E para:pranimi i zemrës, ku për qëllim me të është miratimi i zemrës për atë që na ka njoftuar Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij -alejhi selam-. Pra, të pranojë se ato janë të vërteta dhe se gjykimi me to është drejtësi dhe se në to nuk ka aspak dyshim.

E dyta:puna e zemrës, ku për qëllim më të është të punuarit sipas asaj që ka obliguar Allahu për robërit e tij. Prej punëve të zemrës përmendim: dashurinë për Allahun e Lartësuar dhe të Dërguarin e Tij -alejhi selam-, të urryerit e jobesimtarëve, familjeve të tyre dhe të ngjashmëve me ta. Të gjitha këto futen në punët e zemrës.

Argumentet që besimi me zemër është kusht janë të shumta. Prej tyre përmendim fjalën e Allahut të Lartësuar: “Beduinët thanë: ‘Ne kemi besuar!’ Thuaj: ‘Ju nuk keni besuar ende’, por thoni: ‘Ne jemi dorëzuar’, e ende nuk po u hyn besimi në zemrat tuaja…” Huxhurat, 14.

“Nuk gjen popull që e beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, e ta dojë atë që e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, ose fëmijët e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Ata janë që në zemrat e tyre (Ai) ka skalitur besimin…”Muxhadele, 22.

Le të shikojmë me kujdes pjesën e ajetit “Ata janë që në zemrat e tyre (Ai) ka skalitur besimin…”,fjalë kjo që i bën zemrat banesë të besimit dhe vendqëndrim të përhershëm të tij.

Të gjitha këto argumente dhe të tjera veç tyre argumentojnë se besimi me zemër është origjina e besimit dhe thelbi i tij. Kush e humb besimin në zemër ai nuk ka besim, përkundrazi ai konsiderohet si i dalë nga feja, hipokrit.

Për sa i përket shtyllës së dytë, të shprehurit me gojë, për të i Dërguari -alejhi selam- ka thënë: “Jam urdhëruar që t’i luftoj njerëzit derisa të thonë: nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut. Nëse e thonë këtë janë të mbrojtur nga unë gjaku dhe pasuria e tyre, përveç se me të drejtë.” Buhariu dhe Muslimi.

Imam Neveviu në shpjegimin e hadithit ka thënë: “Në këtë hadith besimi paraqitet si kusht me pohimin dhe besimin e dy dëshmive...”.

Ndërsa Imam Ibën Tejmije ka thënë: “Muslimanët kanë rënë dakord se kush nuk vjen me dy dëshmitë, ai është jobesimtar.”[2]

Qëllimi me dy dëshmitë nuk është thjesht shqiptimi i tyre, por vërtetimi i kuptimit të tyre, pohimi i tyre haptazi dhe fshehurazi. Kjo është dëshmia e cila i bën dobi poseduesit të saj tek Allahu i Lartësuar.

Kushti i tretë është: të punuarit më gjymtyrë. Më këtë është për qëllim të vepruarit e çdo gjëje që Allahu i Lartësuar ka urdhëruar të veprohet dhe të ndaluarit nga çdo gjë që Allahu i Lartësuar ka ndaluar të veprohet.

Argumentet se kjo është pjesë përbërëse e besimit janë të shumta sa nuk llogariten, por ne po përmendim disa prej tyre. Prej tyre është fjala e Allahut: “Besimtarë janë vetëm ata që i besuan Allahut, të Dërguarit e Tij, e mandej nuk dyshuan dhe për hir të Allahut luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre. Të tillë janë ata të vërtetët.” Huxhurat, 15.

Allahu i ka cilësuar si të vërtetët e besimit, për shkak të punimit të veprave të mira, të cilat janë domosdoshmërisht edhe punë e zemrës dhe fryt i saj.

Prej këtyre argumenteve përmendim edhe fjalën e Allahut të Lartësuar: “E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve kur përmendet Allahu u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre. Dhe, të cilët falin (rregullisht) namazin dhe nga ajo, me çka Ne i furnizuam, ata japin.Të tillët janë besimtarë të vërtetë dhe për këtë kanë vende të larta te Zoti i tyre, kanë falje dhe kanë furnizim në mënyrë të ndershme.” Enfal, 2-4.

Le të shikojmë me kujdes se si Allahu i cilësoi ata si besimtarë të vërtetë kur ata punuan vepra të mira. Futja e punëve të mira në besim argumenton faktin se ato janë pjesë e besimit.

I Dërguari i Allahut -alejhi selam- ka thënë: “ Ju urdhëroj të besoni Allahun e vetëm. A e dini se ç’është besimi në Allahun e vetëm?” Thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë.” Tha:“Të dëshmosh se nuk meriton të adhurohet askush tjetër përveç Allahut, të falësh namazin, të japësh zekatin, të vish me një të pestën e plaçkës së luftës”. Buhariu dhe Muslimi. I Dërguari -alejhi selam- e komentoi besimin në hadith me punët e mira.

Gjithashtu, i Dërguari -alejhi selam- ka thënë: “Besimi është shtatëdhjetë e ca degë ose gjashtëdhjetë e ca degë. Më e mira prej tyre është fjala: nuk meriton të adhurohet askush tjetër përveç Allahut, ndërsa më e ulta prej tyre është largimi i një pengese nga rruga. Edhe turpi është degë e besimit.” Muslimi.

Imamllarët kanë qenë të kujdesshëm ndaj këtij hadithi dhe armiqve të tij në futjen e bindjes në besim dhe kundërshtarëve të degëzimit të imanit. Në këtë hadith ka qartësim se besimi është i degëzueshëm. Çdo degë e tij quhet besim. Kështu, namazi është prej besimit, po kështu edhe agjërimi dhe punët e brendshme si: turpi, mbështetja etj.

Këto degëzime nuk e largojnë apo zhdukin besimin, siç është degëzimi i dëshmisë se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut apo largimi i një pengese nga rruga. Midis këtyre dy skajeve të degëzimit të besimit të përmendur në hadith ka diferencë të madhe, por që të dy këto, si dëshmia se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut, si largimi i një pengese nga rruga, në hapësirën e besimit janë të afërta.

Ky është realiteti i besimit dhe këto janë shtyllat e tij. Lidhja midis besimit në zemër dhe zbatimit me gjymtyrë të këtij besimi është lidhje e bashkërenditur, me kuptimin që nuk mundet njeriu të pretendojë dhe të shfaqë besimin me zemër dhe të vazhdojë të mos punojë vepra të mira e të mos largohet nga veprimi i veprave të ndaluara. I gjithë ky proces i sapopërmendur është i padobishëm sheriatikisht dhe nuk duhet të ekzistojë sot.

Kështu, thelbi i besimit me zemër lëviz me shpejtësi gjymtyrët për të punuar dhe gojën për të dëshmuar. Besimi nuk është me t’u pretenduar e as me t’u zbukuruar, por ai është bindje në zemër që pohohet me gojë e vërtetohet me punë.

 

Përktheu: Erion Sulo

Burimijetes.com

28.08.2007

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com