All for Joomla All for Webmasters

SA NEVOJË KEMI PËR TË

. Posted in Njohuri rreth Akides.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon vetëm Allahut Zotit të gjithë botëve. Nderimet, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e profetëve Muhamedin, mbi familjen e tij të nderuar, mbi shokët e tij besnikë dhe mbi të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Gjykimit.

Pa dyshim se mbështetja në Allahun e Lartësuar, ka një pozitë të madhe në fenë islame. Një gjë të tillë e vëren çdo kush që mediton në tekstet të cilat flasin për të. Çdokush ka nevojë për të, aq sa nuk mund ta zëvendësojë me diçka tjetër qoftë dhe sa hap e mbyll sytë.

Nga ana tjetër mbështetja në Allahun konsiderohet prej adhurimeve më të larta, për nga lidhja e ngushtë që ka ajo me njësimin (Teuhidin) e Allahut të Madhëruar. I Gjithëpushtetshmi thotë në Kuranin famëlartë: “Mbështetu në të Gjithëjetshmin, i Cili nuk vdes kurrë”.[1]Ky ajet përmban një urdhër nga Allahu për Profetin e Tij[2] që të mbështetet në Të dhe të mos i varë shpresat tek askush tjetër veç Tij, sepse Ai është i Gjalli i cili nuk vdes kurrë; është i Forti që ka mundësi për çdo gjë, ndaj dhe kush mbështetet tek Ai, patjetër që do t’i mjaftojë me mbështetje dhe ndihmë. Ndërsa ai i cili mbështetet në dikë tjetër pos Allahut, padyshim që mbështetet në dikë të cilit do t’i vijë vdekja dhe do të zhduket, që është i pamundur dhe dobësia e rrethon nga çdo anë. Për këtë shkak çdokush që mbështetet në të tillët do të humbë e do të shuhet, sikurse çdokush që i var shpresat te dikush tjetër pos Allahut, i gjithë mundi dhe lodhja e tij do t’i shkojë kot dhe dëm.

Në një ajet tjetër Allahu i madhëruar thotë: “Dhe mbështetu në të Plotfuqishmin, Mëshirëplotin, i Cili e sheh qëndrimin tënd në këmbë (gjatë namazit) dhe lëvizjet e tua midis atyre që përulen në sexhde”.[3]

 E gjitha kjo tregon për vlerën që ka mbështetja në Allahun si dhe për rëndësinë që ka lidhja e fortë e zemrës me Të.

Mbështetja në Allah, nënkupton: lidhjen dhe mbështetjen e sinqertë dhe me besnikëri tek Allahu për të përfituar të mirat dhe për të larguar apo parandaluar dëmet, qofshin ato në lidhje me çështjet e kësaj bote, apo të botës tjetër. Thënë me fjalë të tjera: që robi ta lërë çështjen e tij në dorë të Allahut, si dhe të rrënjosë në zemër bindjen se nuk jep dhe nuk ndalon, nuk dëmton dhe nuk sjell mirë, askush tjetër veç Allahut të Madhëruar. Prandaj dhe Allahu i madhëruar i ka nxitur shpeshherë besimtarët në librin e Tij që t’i mbështeten Atij fuqishëm dhe nga ana tjetër u ka sqaruar atyre dobitë dhe vlerat që ka mbështetja në Të.

Prej këtyre ajeteve mund të përmendim: “...Në qoftë se jeni besimtarë, atëherë mbështetuni tek Allahu!”[4]“Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai”.[5]Ndërsa në një ajet tjetër e përmend atë si lavdërim për besimtarët të cilët e kanë bërë mbështetjen cilësi të pandashme të tyren.“Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten…”.[6]

Edhe në synetin e pastër, të shumtë janë tekstet që flasin për mbështetjen tek Allahu i madhëruar, prej tyre mund të përmendim hadithin e Umer bin Hatabit se Profeti salallahu alejhi ue slem ka thënë: “Nëse do të mbështeteshit tek Allahu me një mbështetje të plotë, Ai do t’ju furnizonte ashtu sikurse furnizon zogun, i cili del nga foleja e tij i uritur dhe kthehet i ngopur”.[7]

Hafiz Ibën Rexhebi –Allahu e mëshiroftë!-, ka thënë: “Ky hadith është bazë në çështjen e mbështetjes dhe se mbështetja në Allahun është nga shkaqet më të mëdha për të arritur dhe përfituar riskun (furnizimin). Prandaj dhe Allahu thotë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai”.[8]

Hadithi i mësipërm shpalos qartë atë se nëse njeriu do të ndërmerrte qoftë edhe shkakun më të vogël, pas mbështetjes në Allahun, ai sigurisht që do të arrinte furnizimin sikurse zogu i cili del nga foleja e tij i uritur dhe kthehet në mbrëmje i ngopur.

Po ashtu, përcillet nga Xhabir bin Abdullah se Profeti salallahu alejhi ue elem ka thënë: “Askush nuk do të vdesë pa e plotësuar riskun e tij, ndaj frikësojuni Allahut dhe kërkojeni atë në rrugë të mira, merreni atë që u është lejuar dhe largohuni prej asaj që u është ndaluar”.[9]

Këtu duhet të pohojmë diçka shumë të rëndësishme e të themi se: mbështetja e vërtetë është ajo e cila ngrihet mbi mbështetjen e plotë në Allahun dhe kryerjen e shkaqeve, të cilat Allahu i ka krijuar për t’u realizuar ajo që kërkon njeriu. Allahu i madhëruar thotë: “Frikësojuni Allahut! Besimtarët le të mbështeten vetëm tek Allahu! [10] Në këtë ajet Allahu e ka shoqëruar mbështetjen me devotshmërinë dhe ndrojtjen ndaj Tij, e cila përmban edhe kryerjen e shkaqeve të cilat e plotësojnë atë. Kjo për faktin se mbështetja në Allahun duke mos kryer shkaqet e kërkuara për plotësimin e asaj që kërkon, nuk është tjetër veçse paaftësi edhe nëse ajo është e veshur me një farë mbështetje, ndaj nuk duhet që besimtari ta kthejë mbështetjen në Allahun paaftësi, sikurse dhe paaftësinë nuk duhet që ta konsiderojë si mbështetje në Allahun e Madhëruar, përkundrazi ai duhet ta bëjë mbështetjen si një shkak prej shkaqeve me të cilën ai do të arrijë qëllimet e tij. Rreth kësaj argumenton dhe hadithi të cilin e përcjell Enesi se një burrë i tha Profetit salallahu alejhi ue selem: “O i dërguar i Allahut! A ta lidh devenë e pastaj të mbështetem në Allah, apo ta lëshoj e vetëm të mbështetem?” Ai tha: “Lidhe dhe më pas mbështetu.”[11]

Në këtë çështje kanë gabuar shumë njerëz duke ia varur paaftësinë e tyre mbështetjes e kështu humbën shumë të drejta dhe detyra ndaj vetes dhe familjeve të tyre, ndërkohë që profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Mjafton si mëkat për dikë, nëse dëmton ata që duhet t’i ushqejë”.[12] Për të tillë persona Profeti, bekimi dhe nderimi i Allahut qoftë mbi, të ka thënë: “Muslimani i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se muslimani i dobët, por tek të dy ka mirësi. Kujdesu për atë që të bën dobi, mbështetu në Allahun dhe mos u trego i paaftë. Nëse të godet diçka, mos thuaj: sikur të kisha bërë kështu do të ndodhte kështu, por thuaj: Caktimi i Allahut, çfarë deshi bëri, sepse (shprehja) sikur i hap portën shejtanit”.[13]

Duhet të vëmë theksin këtu se mbështetja e dobët te njeriu rrjedh si shkak i besimit të dobët që ai ka në caktimin e Allahut, kjo sepse ai i cili ia lë çështjet e tij Allahut, patjetër që duhet të kënaqet me ç’ka zgjedhë dhe përcaktuar Allahu për të. Ndërsa ai i cili ia dorëzon çështjet e tij dikujt tjetër veç Allahut dhe e lidh zemrën e tij me të, padyshim që ai është i mashtruar, i poshtëruar dhe i pakujdesshëm ndaj Zotit të tij Fuqiplotë. Ibnu Mes’udi përcjell se Profeti, bekimi dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Çdokënd që e godet vështirësi (fukarallëk) dhe ai ia paraqet atë njerëzve (duke u mbështetur tek ata), nuk do të mund ta largojë vështirësinë që i ka rënë, ndërsa ai që ia paraqit Allahut (duke u mbështetur tek Ai), gati sa nuk i është përgjigjur Allahu me furnizim...”.[14]

Shejhul Islam Ibën Tejmije –Allahu e mëshiroftë!-, ka thënë[15]: “Çdokush që shpreson prej krijesës dhe mbështetet tek ajo, do të zhgënjehet për atë që mendonte rreth saj, sepse ai është idhujtar. Allahu i lartësuar thotë: “Kush i shoqëron Allahut diçka (në adhurim), i ngjan atij që bie nga qielli e që e rrëmben zogu ose i ngjan atij që stuhia e erës e ka hedhur në një vend të largët e të humbur”.[16]

Ndërsa dijetari Abdurrahman bin Hasen Al Shejh –Allahu e mëshiroftë!- ka thënë: “Mbështetja është dy llojesh[17]:

Një:Mbështetja për gjëra të cilat nuk mund t’i realizojë vetëm se Allahu i madhëruar, si rasti i atyre që i mbështeten të vdekurve dhe tagutëve, duke shpresuar për realizimin e kërkesave të tyre, siç është: fitorja, ruajtjen e riskut (pasurisë) apo ndërmjetësimit. Kjo lloj mbështetje është shirk (idhujtari) i madh.

Dy:Mbështetja në shkaqet e prekshme, si rasti i atij që i mbështetet një princi apo pushtetari, për gjërat të cilat Allahu i ka dhënë fuqi dhe mundësi prej furnizimit apo largimin e ndonjë lëndimi prej tij. Ky është shirk i vogël.

Mbështetja e lejuar është ngarkimi i një njeriu për të bërë diçka të mundshme për të në vend të tij, por jo t’i mbështetet atij për gjërat me të cilat e ka ngarkuar, por t’i mbështetet Allahut që t’ia lehtësojë çështjen të cilën ai apo i ngarkuari kërkon të realizojë. Kjo bën pjesë në grupin e shkaqeve të cilat lejohen të kryhen e të shfrytëzohen, por jo që të mbështetet në to, përkundrazi të mbështetet në Krijuesin e shkaqeve dhe të pasojave.[18]

Ajo që e sqaron më qartë realizimin e mbështetjes në Allahun, duke marrë parasysh dhe shkaqet dhe lidhjen e zemrës me Allahun e vetëm, është ajo që tregon Ebu Bekri në hixhretin[19] e Profetit për në Medine ku thotë: “Pashë këmbët e idhujtarëve të cilët ishin mbi kokat tona, ndërkohë që ne ishim të fshehur në shpellë. Thashë: O i dërguar i Allahut! Nëse ndonjëri prej tyre do të hedhë sytë poshtë këmbëve të tyre do të na shohë. Ai tha: ‘Si mendon ti, o Ebu Bekër, për dy, i treti[20] i të cilëve është Allahu’.”[21]

Çdokush që mbështetet në Allahun, patjetër që do të arrijë të përfitojë prej mirësive dhe fryteve të tij -në vartësi të realizimit të tij-, atë që nuk ia pret mendja dhe që nuk mund të përshkruhet. I këtilli do të jetë njeriu më i qetë dhe me jetën më të mirë, ashtu sikurse ka thënë dhe Allahu: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai”.[22]

Në mbyllje dhe në përfundim të këtij shkrimi, nuk mund të anashkalojmë mënyrën se si duhet të sillen muslimanët në raste të tilla si ai që po kalon sot e gjithë bota në prezencën e virusit A (H1N1). Ajo që kërkohet prej muslimanëve është mbështetja e vërtetë dhe e fuqishme tek Allahu për t’i ruajtur nga kjo epidemi dhe të tjera si këto. Gjithashtu, ata duhet ta dinë se asgjë nuk ndodh pa caktimin e Allahut dhe se fenomene të tilla janë dënim për jobesimtarët dhe sprovë për besimtarët. Megjithatë besimtari duhet ta kuptojë se kjo është jetë e sprovës dhe nëse preket nga diçka e tillë nuk duhet të alarmohet, por të mbështetet tek Allahu dhe të shpresojë shërimin prej Tij.

Së fundmi, e lusim Allahun të na ruaj ne dhe të gjithë muslimanët nga çdo e keqe e cila përhapet si shkak i gjynaheve të robërve dhe të na bëjë prej atyre që mbështeten vetëm tek Ai dhe shpresojnë vetëm prej Tij.

Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

16.12.2009

 

 


[1]Furkan, 58.

[2]I cili sigurisht është urdhër edhe për mbarë besimtarët.

[3]Shuara, 217-219.

[4]El Maide, 23.

[5]Et Talak, 3.

[6]El Enfal, 2.

[7]Tirmidhiu, Nesai, Ibnu Maxha dhe Ahmedi.

[8]Et Talak, 2-3.

[9]Ibnu Maxha, Hakim dhe Ibnu Hibani. Sahih Albani.

[10]Sure Maide, 11.

[11]Tirmidhu, Ibën Huzejme dhe Taberani. Hasen, Albani.

[12]Ebu Daudi. Këtu qëllimi është dëmtimi i familjes, duke mos u kujdesur si duhet për ta ose për shkak të paaftësisë, ose për shkak të keqmenaxhimit të pasurisë.

[13]Ibnu Maxha. Sahih, Albani.

[14]Ebu Daudi, Tirmidhiu. Sahih, Albani.

[15]Mexhmuatul Fetava, 10/275.

[16]Sure Haxh, 31.

[17]Ky dijetar këtu shpjegon fjalën e Shejhul Islam Ibën Tejmijes në lidhje me mbështetjen e njeriut te krijesat, duke sqaruar se një gjë e tillë është shirk i madh që e nxjerrë njeriun nga feja ose shirk i vogël  i cili edhe ky është shumë i rrezikshëm. Kështu që, njeriu duhet që shpresën e tij ta vari vetëm tek Allahu i Madhëruar dhe vetëm Atij t’i mbështetet.

[18]Fet’hul Mexhid, 426. Mbështetja e të Lavdishmit në shpjegimin e librit të Teuhidit, 376.

[19]Emigrim, shpërngulje.

[20]I treti me mbrojte e përkujdesje dhe jo me qenien e Tij. I lartësuar është Allahu nga ajo që mund të shpifin për Të gënjeshtarët.

[21]Buhari dhe Muslimi.

[22]Sure Et Talak, 3.

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com