All for Joomla All for Webmasters

KUSH ËSHTË KOMPETENT TË BËJË HALLALLIN DHE HARAMIN?

. Posted in Njohuri rreth Akides.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon vetëm Allahut, paqja, nderimi dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e Profetëve, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij të nderuar, mbi shokët e tij besnik dhe të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Feja islame në të gjithë tërësinë e saj është ndërtuar në dispozita mes urdhërimit dhe ndalimit, hallallit dhe haramit[1], ndaj dhe që njerëzit të jenë të orientuar siç duhet në këto dispozita, Islami nuk e ka lënë këtë derë të hapur që ta përdorë kush të dojë e si të dojë, porse ka treguar se ajo është specifikë e Allahut Ligjvënësit të drejtë e plot urtësi: “Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi (gjykimi). Qoftë bekuar Allahu, Zoti i botëve!”[2]Pra në këtë pikë Islami ka caktuar se ai i cili e posedon të bërit hallall dhe haram është vetëm Ligjvënësi i drejtë -Allahu i lartësuar-, duke e hequr këtë kompetencë nga duar e njerëzve. Kështu që, nuk ka mundësi askush që ta marrë këtë të drejtë, qoftë ai monark, sulltan apo dijetar.

E gjithë kjo parathënie na tregon qartë dhe prerë se hallall është vetëm ajo që është lejuar në tekstet e Kuranit dhe Sunetin[3], sikurse haram është vetëm ajo që është ndaluar në këto dy burime. Ndaj dhe çdokush që përpiqet që një gjë të tillë ta bëjë të drejtë dhe funksion të tijin, ai sigurisht që e ka kaluar kufirin dhe ka kundërshtuar të drejtën hyjnore në legjislacionin për krijesat.

Madje nëse njerëzit i pasojnë të parët e tyre –qofshin pushtetarë apo dijetarë-, në bërjen hallall apo haram të gjërave të cilat nuk janë të tilla në Kuran dhe Sunet, ata vetëm se i kanë marrë këta njerëz si zota në vend të Allahut.

Allahu i lartësuar tregon në Kuranin famëlartë se si ranë në këtë lloj shirku[4]popujt e mëparshëm ku thotë: “Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një Zot, përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim)”.[5]Në një hadith të saktë transmetohet se kur i dëgjoi këto ajete shoku i Profetit salallahu alejhi ue selem, Adij ibën Hatim[6]i tha Profetit: “Po ne nuk i kemi adhuruar ata”. Profeti e pyeti: “A nuk i bënin ata gjërat e ndaluara të lejuara dhe ju i konsideronit si të lejuara (hallall)? A nuk i bënin ata gjërat e lejuara të ndaluara dhe ju i konsideronit si të ndaluara (haram)?” “Po -u përgjigj ai-, kjo është e vërtetë”. Atëherë Profeti i tha: “Ky është adhurimi që i bënit ju atyre”.[7]

Shejhul Islam Ibën Tejmije –Allahu e mëshiroftë-, përmend se Rrabia ibën Enesi i ka thënë Ebu Alijes: “Si ranë bijtë e israelit (çifutët) në këtë lloj idhujtarie?” Ai u përgjigj: “Ata ranë në këtë lloj idhujtarie për faktin se gjetën në librin e Zotit atë me të cilën u urdhëruan dhe ndaluan dhe thanë: “Ne do të veprojmë si na thonë rabinët, atë që na e urdhërojnë ata do ta kryejmë dhe atë që ata na e ndalojnë do ta lëmë, kështu ata vepruan se ç’thanë njerëzit dhe e hodhën pas shpine librin e Allahut”. Gjithashtu ky dijetar përmend edhe fjalën e Ebu el Buhteriut i cili ka thënë: “Ata nuk u ranë në sexhde këtyre njerëzve, madje nëse do të ishin urdhëruar që t’i adhuronin, ata kurrë nuk do ta kishin bërë, por ata i urdhëruan duke ua bërë të lejuarat e Allahut të ndaluara dhe të ndaluarat e Allahut të lejuara dhe ata iu bindën e kështu ranë në hyjnizimin e tyre”.[8]

Nga sa u tha më lartë, del qartë rrezikshmëria e konsiderimit hallall apo haram, të gjërave të cilat nuk janë të tilla dhe kjo duhet të na vlejë si një paralajmërim që të mos flasim pa dije në lidhje me këto çështje, sepse kur dikush thotë se kjo është e lejuar apo kjo është e ndaluar, atëherë ai ka folur në emër të Allahut dhe të flasësh në emër të Allahut pa dije është vërtet një çështje e rrezikshme dhe gënjeshtër për Allahun. Allahu na tërheq vërejtjen në Kuran kur thotë: “Prandaj, mos thoni me gjuhët tuaja të rreme:“Kjo është e lejueshme e kjo e ndaluar”, që kështu të trilloni gënjeshtra për Allahun. Me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë”.[9]Dhe: “Thuaj: “Çfarë mendoni ju për ushqimin që jua ka zbritur Allahu, një pjesë të të cilit e bëni të ndaluar e një pjesë tjetër të lejuar?” Thuaj: “A ju ka lejuar Allahu për këtë apo po shpifni gënjeshtra për Allahun?”[10]

Ajetet tregojnë qartë rrezikshmërinë e madhe që ka të konsiderosh si të ndaluar atë e cila nuk është e tillë në fenë e Allahut dhe anasjelltas, ndaj dhe me të drejtë gjejmë tek selefët[11]se tregonin një kujdes të madh në lidhje me fetvatë dhe të folurit për fenë e Allahut në përgjithësi, gjë e cila për të ardhur keq nuk shihet me të njëjtën rrezikshmëri nga shumë prej muslimanëve të sotëm, për faktin se çdokush merr iniciativën për të folur, dhënë mësime dhe gjykime edhe pse mund të ketë shumë pak ditë në këtë fe, madje edhe pse ndoshta nuk është ulur ndonjëherë në jetën e tij përpara dijetarëve.

Imam Maliku tregon: “Një burrë hyri njëherë tek Rrabia ibën ebi Abdurrahman[12]dhe e gjeti duke qarë. Çfarë ke që qan? -e pyeti ai duke u frikësuar për të nga gjendja në të cilën ai ishte-. Ai prapë e pyeti dhe i tha: “Mos vallë të ka rënë ndonjë fatkeqësi?” E ai iu përgjigj: “Jo, porse po pyeten njerëz të cilët nuk kanë dije, dhe po ndodh në Islam çështje e madhe! Më pas i tregoi për injorantët kur të drejtojnë (prijnë) njerëzit dhe të cilët do t’i devijojnë ata nga e vërteta duke thënë: “Disa të cilët japin fetva këtu, e meritojnë burgun më tepër sesa hajdutët”.[13]Allahu e mëshiroftë këtë dijetar të tabinëve, çfarë do të thoshte e do të vepronte nëse do të ishte në kohën tonë?

Por meqenëse në shumicën e rasteve janë pushtetarët dhe dijetarët ata që bien në këtë sprovë -bërjen e hallallit haram dhe të kundërtën-, dhe ata të cilët pasohen nga njerëzit, patjetër na del detyrë të sqarojmë sadopak se si vlerësohen pasuesit e tyre në këto qëndrime.

Shejh Muhamed ibën Salih el Uthejmin –Allahu e mëshiroftë-, gjatë komentimit të hadithit të lartpërmendur në librin e tij: “Kaulul Mufid ala kitab Et Teuhid” thotë: “Dije se pasuesit dhe ndjekësit e dijetarëve dhe qeveritarëve në lidhje me hallallin dhe haramin, ndahen në tre kategori:

a) T’i pasojnë në këtë çështje duke qenë të kënaqur me vendimet e tyre dhe duke urryer vendimin e Allahut; njerëz të tillë janë jobesimtarë, sepse kanë urryer atë që ka zbritur Allahu, kështu që Allahu ua ka çuar dëm punët e tyre.

b) T’i pasojnë ata, por njëkohësisht janë të vetëdijshëm dhe të kënaqur me gjykimin e Allahut si dhe e pranojnë se gjykimi i Allahut është më i mirë dhe më i përshtatshëm për njerëzit dhe shtetet, porse i pasojnë këta njerëz si shkak të epshit apo të përfitimeve materiale. Një person i tillë nuk konsiderohet jobesimtar, porse ai është i prishur dhe konsiderohet si gjynahqarë.

c) T’i pasojnë ata duke mos patur dituri, apo duke menduar se ky që ata kanë vepruar është gjykimi i Allahut. Njerëz të tillë ndahen në dy kategori:

1. Njerëz të cilët mund të arrijnë tek e vërteta, porse që kanë neglizhuar; të tillët konsiderohen gjynahqarë, sepse Allahu ka urdhëruar që të pyeten dijetarët në raste kur njeriu është i paditur.

2. Njerëz të cilët nuk kanë dije dhe që nuk kanë mundësi të arrijnë të mësojnë, kështu që ai i pason ata duke i imituar dhe mendon se kjo është e vërteta. Këta njerëz nuk kanë përgjegjësi (e as mëkat), sepse ata bënë atë të cilën u urdhëruan dhe janë të justifikuar në ndjekjen e tyre, prandaj është përcjellë se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Atij që i jepet fetva pa dije, gjynahu i tij bie mbi atë që ia dha këtë fetva…”.[14]Nëse ne do ta ngarkonim atë me mëkat për shkak të gabimit të tjetërkujt; atëherë sigurisht që do ta vendosnim në vështirësi e siklet dhe njerëzit nuk do të kishin më siguri nga askush, nga frika se mos konsideroheshin gjynahqarë.[15]

Edhe njëherë duam të vëmë theksin se kjo çështje është e rrezikshme, ndaj i bëj thirrje të gjithë thirrësve dhe imamllarëve, që të qortojnë besimtarët dhe t’u tërheqin vërejtjen atyre, në mënyrë që të mos flasin për fenë e Allahut pa dije e kështu të humbin veten e të tjerët, por le t’ia lënë këto çështje që t’i trajtojnë dijetarët kompetentë apo nxënësit e dijes, nëse duan të jenë të shpëtuar. Imam Ibën Hazm el Endelusi –Allahu e mëshiroftë-, ka thënë: “Nuk ka sëmundje më të keqe për dijen dhe dijetarët se sa hyrja e të huajve të cilët nuk janë kompetentë; sepse ata janë injorantë dhe mendojnë sikur dinë dhe prishin duke menduar se rregullojnë”.[16]

Ndërsa Ebul Ferexh ibën Xheuzi –Allahu e mëshiroftë-, ka thënë për ata që flasin për fenë, apo japin fetva pa dije: “Njerëz të tillë, janë sikurse ai i cili orienton udhëtarët pa e njohur rrugën, si i verbëri i cili dëshiron t’i tregojë kiblen njerëzve dhe sikurse ai i cili nuk e ka haberin nga mjekësia e që bën si mjek; madje ai është më i keq se të gjithë këta”.[17]

 

Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

18.04.2010

 



[1]Hallall ka kuptimin: të lejuara, ndërsa haram ka kuptimin: të ndaluara.

[2]Sure A’raf, 54.

[3]Kjo për shkak se Profeti flet në emër të Allahut dhe me shpalljen e Allahut: “Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij”. Sure En Nexhm, 34.

[4]Idhujtarie, sepse në këtë rast këtyre njerëzve u kanë dhënë kompetencat e Allahut, sepse vetëm Ai ka të drejtë të vendosë ligje dhe kjo është e drejtë ekskluzive vetëm për Të.

[5]Sure Teube, 31.

[6]I cili para se të pranonte Islamin kishte qenë i krishterë.

[7]Transmeton Tirmidhiu dhe Imam Ahmedi, hadithi është i saktë.

[8]Mexhuatu el Fetava 7/67.

[9]Sure Nahël, 116.

[10]Sure Junus, 59.

[11]Të parët tanë të mirë, prej sahabeve, tabinëve dhe dijetarëve të cilët kanë ecur në metodën e tyre.

[12]Një nga dijetarët tabinë prej të cilit ka mësuar imam Maliku –Allahu e mëshiroftë-.

[13]Xhami bejan el ilmi ue fadlihi”, 578.

[14]Ahmedi, Ebu Daudi dhe Ibnu Maxhah. Shejh Albani e ka konsideruar këtë hadith të mirë.

[15]“Kaulul Mufid ala kitab Et Teuhid”, 2/739-740.

[16]“Mudavatu Nufus”, 1/345.

[17]“I’lam el Muaki-ine”, 6/131.

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com