All for Joomla All for Webmasters

Ndërmjet besimit të përgjithshëm dhe atij të detajuar

. Posted in Njohuri rreth Akides.

Pin It

imanNë lidhje me besimin, shumica e njerëzve apo që të gjithë, pretendojnë se janë besimtarë: “Shumica e njerëzve, sado që të dëshirosh ti, nuk janë besimtarë.„ Kurani - Suretu Jusuf, 103. Besimi i shumicës së atyre që besojnë është i përgjithshëm, ndërsa besimi në formë të detajuar në lidhje me atë me të cilën u dërgua Profeti (salallahu alejhi ue selem), si: njohuri, dituri, pohim, dashuri, njohjen e shirkut dhe urrejtjen ndaj tij etj., këtë e zotërojnë një pakicë e këtij umeti dhe të zgjedhurit e Profetit (salallahu alejhi ue selem). Ky besim është besimi që kishte Ebu Bekri dhe shokët e tij.

 

Shumë njerëz kanë si besim vetëm pohimin e ekzistencës së Krijuesit apo që Ai është i vetmi që i ka krijuar qiejt, Tokën dhe çfarë ka ndërmjet tyre, gjë të cilën nuk e refuzonin as adhuruesit e idhujve, si: kurejshët apo edhe të tjerë.

 

Sipas disa të tjerëve, besimi nënkupton shprehjen e dy dëshmive (shehadetit), pavarësisht nëse kryen vepra të mira, të nxitura nga ky besim apo jo, dhe pavarësisht nëse këto dëshmi janë thënë me çiltërsi nga zemra apo jo.

 

Disa të tjerë mendojnë se besimi është thjesht pohim (miratim) me zemër, se Allahu është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Sipas tyre njeriu është besimtar edhe nëse nuk e shqipton shehadetin dhe nuk kryen asnjë vepër të mirë, madje edhe nëse e fyen Allahun dhe të Dërguarin dhe kryen çdo vepër të shëmtuar e të rëndë. Pra, sipas tyre, përderisa 'beson' në njëshmërinë e Allahut dhe në profetësinë e Muhamedit, ai është besimtar.

 

Sipas disa të tjerëve, besimi nënkupton mohimin e cilësive të Allahut, si p.sh.: lartësimin e Allahut mbi Arsh, të folurit e Tij me fjalët që dëshiron, mohimin e librave, mohimin e dëgjimit, shikimit, vullnetit, fuqisë, dashurisë, urrejtjes e të tjera atribute me të cilat Allahu e ka përshkruar veten e Tij, ose e ka përshkruar me to Profeti i Tij. Pra, besimi sipas tyre, nënkupton mohimin dhe veprimin në përputhje me idetë, të cilat vijnë si rezultat i iluzioneve dhe dilemave, rreth të cilave edhe ata vetë kanë mosmarrëveshje, replika, debate etj. Kjo palë janë ashtu siç i ka përshkruar Umer bin Hatabi dhe Imam Ahmedi: “Ata kanë mospajtime rreth Librit, janë kundërshtues të Librit dhe që të gjithë ata bien dakord për t'iu shmangur Librit.„

 

Sipas disa të tjerëve, besimi nënkupton adhurimin e Allahut sipas tekave dhe qejfeve të tyre, duke mos iu përmbajtur aspak sheriatit të Profetit (salallahu alejhi ue selem).

 

Disa të tjerë mendojnë se besimi është ajo çfarë kanë trashëguar nga të parët e tyre, pavarësisht se çfarë kanë trashëguar. Besimi i këtyre ngrihet mbi dy themele: ky është mendimi i të parëve tanë, dhe, ajo çfarë thanë ata është e vërtetë.

 

Disa të tjerë, besimin e konceptojnë si moral i lartë, sjellje e mirë, fytyrë e qeshur, mosparagjykim i askujt dhe t'i lësh njerëzit të qetë në shkujdesjen në të cilën jetojnë.

 

Disa të tjerë besimin e konceptojnë si distancim nga kjo dynja dhe bukuritë e saj, që zemra të mos anojë nga ajo dhe të mos e lakmojë atë. Sipas kësaj pale një njeri i tillë është besimtar i zgjedhur, megjithëse në realitet mund të jetë i zhveshur nga besimi, në zemër e në vepra. Një shkallë më lart se kjo palë është një palë tjetër, që mendojnë se besimi është thjesht besim me zemër, pavarësisht nëse shoqërohet me vepra ose jo.

 

Të gjitha grupet që përmenda nuk e kanë njohur realitetin e besimit dhe as që bëhet fjalë ta posedojnë apo ta kenë vënë në zbatim atë. Ndaj ata janë të llojllojshëm: një pjesë e tyre e konsideron besimin atë që në të vërtetë është e kundërta e besimit. Një pjesë vlerësojnë si besim diçka që nuk luan rol në besim. Një pjesë vlerësojnë si besim diçka që në të vërtetë është një nga kushtet e domosdoshme të tij, por që nuk mjafton për ta arritur atë. Një pjesë ë tyre vendosën si kusht të besimit diçka që në të vërtetë bie ndesh më të. Disa të tjerë vunë si kusht të besimit diçka që nuk i përket atij në asnjë aspekt.

 

Besimi i vërtetë qëndron mbi të gjitha këto. Ai është një realitet i përbërë nga disa elementë: është njohje e asaj me të cilën u dërgua Profeti (salallahu alejhi ue selem), vërtetim dhe pohim me zemër, miratim me gjuhë, bindje me dashuri e përulje dhe të vepruarit sipas tij haptazi dhe në fshehtësi. T'i përmbushësh këto dhe të bësh thirrje për to sipas mundësive. Përsosmëria e besimit arrihet duke dashur për hir të Allahut dhe duke urryer për hir të Tij, duke dhënë për hir të Allahut dhe duke mohuar për hir të tij, dhe Allahu duhet të jetë i vetmi që meriton të adhurohet. Rruga për tek ky besim arrihet vetëm duke ndjekur Profetin (salallahu alejhi ue selem) me shpirt dhe me trup, e duke mbyllur sytë e zemrës para çdokujt, përveç Allahut dhe Profetit (salallahu alejhi ue selem).

Me ndihmën e Allahut vjen suksesi!

 

Ibn Kajim el Xheuzije

Burimi Jetës

06.05.2017

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com