All for Joomla All for Webmasters

HAUARIXHËT (1)

. Posted in Njohuri rreth Akides.

Pin It

Metodologjia, cilësitë dhe qëndrimi i selefëve ndaj tyre.[1]

Bismilahi Rrahmani Rrahim

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e Profetëve, Muhamedin, familjen e tij të nderuar, shokët e tij besnik dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Muslimani gjithmonë përpiqet dhe mundohet ta ruajë besimin e tij nga devijimi dhe shtrembërimi, ai gjithmonë përpiqet që të jetë pasues i rrugës profetike e të mos bjerë në kundërshtim e përçarje apo lajthitjen e grupeve të humbura, duke ndjekur kështu porosinë e Allahut i cili në librin e Tij ka thënë:

“Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!”[2]

“Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat”.[3]

Ndërsa Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ky umet do të përçahet në shtatëdhjetë e tre grupe, prej tyre njëra do të jetë e shpëtuar, ndërsa shtatëdhjetë e dy do të jenë në zjarr”. Njerëzit e pyetën: Cila është grupi i shpëtuar? “Ata janë xhemati (bashkësia islame), dora e Allahut është me xhematin”.[4]

Duhet thënë se në përgjithësi grupet e humbura kanë dalë dhe kanë lindur si shkak i përballjes me fenomene qofshin këto të dala në masën e muslimanëve, apo qofshin fenomene me të cilat përballet dikush prej individëve në mesin e këtij umeti.

Si shkak i fenomeneve që kanë mbërthyer shoqëritë islame, kanë lindur shumë grupe dhe fraksione të cilat kanë devijuar nga e vërteta dhe xhemati i muslimanëve, por nga më kryesoret dhe më të rrezikshmet, kanë qënë Hauarixhët dhe Shiat, të cilat dolën thuajse në të njëjtën kohë, apo shumë pranë njëra-tjetrës. Ata dolën dhe u shfaqën nga fundi i jetës së Halifes së tretë Uthmanit –Allahu qoftë i kënaqur me të-, dhe idetë e tyre vazhdojnë të jenë prezent në umet sot e kësaj dite, sidomos kur në umet shfaqen fenomene të ngjashme si ato nga ku dolën dhe lindën këto grupe dhe fraksione. Shejhul Islam Ibën Tejmije ka thënë: “Këto dy grupe –Hauarixhët dhe Shiat- u shfaqën pas vrasjes së Uthmanit, ndërkohë që umeti në Hilafetin e Ebu Bekrit, Umerit dhe fillimet e hilafetit të Uthmanit ishin si një trup i vetëm e nuk kishin mospajtime”.[5]

Në këtë shkrim do të jemi pikërisht me një nga këto dy grupe dhe këta janë Hauarixhët, në mënyrë që të behet e qartë për muslimanët se cilët janë ata dhe cilat janë tiparet e tyre në mënyrë që të kenë kujdes e të mos bien në kthetrat e tyre duke mos e kuptuar një gjë të tillë, sidomos në ditët e sotme të cilat janë të trazuara e ku gjen shumë prej muslimanëve të atillë që marrin informacione dhe mësime nga të katër anët duke mos qenë koshient me burimin e tyre dhe drejtimin e bartësit që i përhap ato.

Është e vërtetë që për këtë grup kanë shkruar e folur edhe vëllezër të tjerë para meje, por sërish kjo nuk më pengon ta përpiloj këtë shkrim si këshillë për muslimanët dhe përkujtim për ta, sepse siç thotë dhe Allahu përkujtimi i bën dobi besimtarëve.

Përkufizimi i Hauarixhëve

Hauarixhët janë ata të cilët bëjnë tekfir për shkak të gjynaheve dhe dalin kundra prijësit të muslimanëve dhe bashkësisë së tyre.

Ky përkufizim përfshin si grupet e para të Hauarixhëve, po ashtu edhe ata të cilët e ndërtojnë besimin mbi bazat e tyre apo ndjekin metodologjinë e tyre, si grupet e tekfirit dhe hixhretit e të ngjashëm me ta. Duke u nisur nga kjo themi se Hauarixhët mund të dalin në çdo kohë dhe do të dalin në fund të kohës sikur ka paralajmëruar i Dërguari salallahu alejhi ue selem: “Do të dalin njërëz në fund të kohës, të cilët janë të rinj në moshë, me ëndrra qesharake, ata flasin me fjalët e krijesave më të mira, por besimi i tyre nuk i arrin gurmazet e tyre. Ata dalin nga feja ashtu si del shigjeta nga shënjestra e saj. Kudo që t’i gjeni luftojini ata, sepse kush i lufton ata do të ketë shpërblim për luftimin e tyre deri në Ditën e Gjykimit”.[6]

Epitet e Hauarixhëve

Hauarixhët kanë patur një sërë epitetesh, prej tyre mund të përmendim:

1. Hauarixh(të dalë/separatistë). Janë quajtur kështu sepse Profeti, salallahu alejhi ue selem, i ka cilësuar se do të dalin[7] në kohë mosmarrëveshjeje mes muslimanëve”.[8] Sikurse ata do të dalin dhe rebelohen ndaj prijësit të muslimanëve dhe bashkësisë islame me bindje (të veçanta) dhe shpatë dhe ky është një përshkrim i përgjithshëm për të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

2. Elmuhakime. Janë quajtur me këtë emër sepse braktisën Aliun dhe bashkësinë islame për shkak të çështjes së gjykimit. Ata pretenduan se Aliu vendosi të gjykonin njerëzit, ndërkohë që thanë: nuk ka gjykim tjetër veç gjykimit të Allahut. Ndërkohë që konsideruan si qafir Aliun, dy gjykuesit[9] dhe të gjithë ata të cilët propozuan një gjë të tillë apo që ishin dakord me të. Ky është epitet dhe emër i Hauarixhëve të parë.

3. El Hururije. Këta janë ata të cilët u rebeluan dhe dolën kundra Aliut dhe bashkësisë së sahabeve; u quajtën kështu për faktin se kur u rebeluan ndaj Aliut u vendosën në një vend që quhej Harura në Irak.

4. Ehlu Nehrauan (banorët e Nehrauanit). Janë quajtur kështu duke u njohur me emrin e vendit në të cilin i luftoi Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të.

5. Shurrat (blerës). U quajtën kështu sepse pretenduan se ata i kanë blerë shpirtrat e tyre në kërkim të kënaqësisë së Allahut duke luftuar muslimanët. Ky epitet u përdor për Hauarixhët e parë, sikurse vazhdojnë Hauarixhët bashkëkohorë Ibadhijet[10] ta shohin këtë epitet të mundshëm nëse përmbushen kushtet, si dhe e konsiderojnë këtë pistë prej pistave të fesë.

6. Elmarika(felëshues). Sepse Profeti, salallahu alejhi ue selem, i ka quajtur të tillë kur ka thënë: “Ata dalin prej fesë”.[11]

7. Mukefiretu (tekfirbërësit).Sepse këta bëjnë tekfir muslimanët për shkak të gjynaheve të mëdha, sikurse konsiderojnë qafirë (të pafe) ata të cilët i kundërshtojnë ata dhe kjo është një cilësi për të gjithë ata që ndjekin këtë rrugë e metodologji.

8. Nasibetu (munduesit). Janë emërtuar kështu sepse ata e munduan Aliun dhe i shfaqën atij armiqësi, si dhe u shprehën qartë për urrejtjen e tyre.

Thënia e Hauarixhëve ishte e para thënie e cila shkaktoi përçarje mes Umetit

Përplasja e parë e cila shkaktoi ndarje, përçarje dhe rebelim ndaj bashkësisë së muslimanëve dhe prijësit të tyre, vërtitet rreth dy çështjeve të cilat bashkohen në të njëjtën bazë e cila është: “Të bërit qafir për shkak të gjynaheve dhe konkluzioneve të tij”.

Ndërsa këto dy çështje janë:

Çështja e parë:Të gjykuarit dhe gjykimi. Në momentin që muslimanët ranë dakord që të gjykojnë dy gjykatësit që ata caktuan (rreth konflikteve të tyre); Ebu Musa Esh’arij i cili përfaqësonte Aliun -Allahu qoftë i kënaqur me ta- dhe Amru bin Asin i cili përfaqësonte Muavijen –Allahu qoftë i kënaqur me ta-, dolën Hauarixhët dhe kundërshtuan. I pari i cili e publikoi këtë ishte Urvetu bin Xherir i cili tha: “Po gjykoni në fenë e Allahut burrat?” Më pas këtë fjalë e përqafuan disa grupe prej hafizave injorantë, arabëve (nomadëve), ata të cilët u rebeluan kundra Uthmanit etj., nga pasuesit e Aliut. Ata thanë: “Nuk ka gjykim tjetër veç atij të Allahut.” Kështu që kjo u bë simboli i tyre me të cilën ata u ndanë nga i pari i muslimanëve dhe bashkësia islame. Më pas kjo thënie prodhoi një rezultat tjetër e cila ishte të bërit qafir për shkak të rënies në mëkate.

Çështja e dytë:Të bërit qafir. Ata konsideruan qafirë Aliun, Muavijen dhe dy gjykuesit –Allahu qoftë i kënaqur me ta-, madje të gjithë ata të cilët u kënaqën nga ky gjykim duke marrë në aparencë kuptimin e ajetit: “Vendimi i takon vetëm Allahut”.[12] Duke vendosur kështu rreth kësaj të gjitha konkluzionet e kufrit, prej të cilave se Aliu në momentin që vendosi për të gjykuar burrat, atëherë nuk është i denjë për të qenë i pari i muslimanëve, kështu besuan se ata janë liruar nga qeverisja dhe besa e tij dhe se ata duhet të vendosin një të parë prej tyre. Po ashtu besuan se muslimanët e tjerë u kthyen qafirë, vetëm nëse shkonin dhe emigronin tek ata, dhe se kushdo që vinte për të gjykuar burrat dhe kënaqej me këtë gjykim ishte qafir.

 

 Vazhdon....

Përzgjodhi: Bledar Tefik Haxhiu

Burimijetes.com

26.07.2012

 



[1]Ky shkrim është bazuar mbi librin: “Shkrime dhe studime rreth pasimit të epshit, përçarjes dhe bidatit si dhe qëndrimi i Selefëve rreth tyre” të dijetarit të njohur Pr. Dr. Nasir bin Abdulkerim el Akël, Allahu e rujtë, dhe e vendostë në shërbim të fesë së Tij.

[2]Sure Al Imran, 103.

[3]Sure En’am, 153.

[4]Me këtë tekst e ka përmendur Ibën ebi Asim dhe e ka saktësuar imam Albani në zinxhirin e haditheve të sakta nr. (1492).

[5]  Mexhmu el Fetaua: 13/32.

[6] Sahih Buhari.

[7]  Do të dalin nga bashkësia islame, duke pretenduar se bashkësia janë në të kotën, ndërsa ata në të vërtetën.

[8]  Sahih Muslim.

[9]Mugira bin Shu’be i cili përfaqësonte Aliun dhe besimtarët që ishin me të dhe Amru bin Asin i cili përfaqësonte Muaijen dhe besimtarët që ishin me të, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata.

[10]Sekt prej sekteve te Hauarixhëve të cilët gjenden sot e kësaj dite dhe sundojnë shtetin e Umanit në Gadishullin Arabik.

[11]Është përmendur më lartë se kush e ka nxjerrë këtë hadith.

[12]  Sure En’am: 57.

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com