All for Joomla All for Webmasters

HAUARIXHËT (2)

. Posted in Njohuri rreth Akides.

Pin It

Fraksionet në mesin e Hauarixhëve[1]

Bismilahi Rrahmani Rrahim

Pasi Hauarixhët u shkëputën nga bashkësia e muslimanëve, ata u veçuan dhe në mesin e tyre nuk ishte askush prej sahabeve, madje në mesin e tyre nuk kishte njerëz me dije, përveç disa hafizave mendjelehtë të cilët nuk kishin dije dhe fikh për çështjet e fesë.

Në fillimet e tyre Hauarixhët çështje të tyre kryesore për të cilën dhe u shkëputën e konsideruan si jo muslimanë (qafira) masat e muslimanëve, kishin çështjen e gjykimit, por divergjencat e tyre u mbetën vetëm në këtë pikë, përkundrazi për shkaqe politike dhe sociale divergjencat u shtuan në mesin e Hauarixhëve, ata do të fillonin të debatonin dhe të përçaheshin në mes vete për çështje herë-herë të rëndomta, por herë-herë të panjohura deri më atëherë. Ata filluan të hapnin konflikte mes tyre rreth faktit se ç’qëndrime duhet të mbanin me ata që nuk emigronin në vendin e tyre? Çili duhet të ishte gjykimi që duhet të mbanin me fëmijët e kundërshtarëve.

Të gjitha këto qëndrime çuan në kundërshtime në kampin e Hauarixhëve, gjë që bëri të lindnin fraksione të reja në mesin e tyre sa herë që ata binin në kundërshtim rreth një çështjeje të caktuar.

Këtu do të përpiqemi të përmendim disa nga fraksionet e Hauarixhëve me diçka prej parimeve të tyre.

Elmuhakimetu

Ky grup, sikur e përmendëm në temën e parë, ishte emërtimi fillestar me të cilin njiheshin të gjithë Hauarixhët dhe ishte grupimi më i madh i tyre. Ky grup, sikur edhe thamë më parë, u veçua dhe u nda nga ushtria dhe kampi i prijësit të besimtarëve Ali ibën ebi Talib –Allahu qoftë i kënaqur me të- në momentin kur dy ushtritë muslimane bënë një pakt nëpërmjet dy të zgjedhurve për gjykim mes tyre, më pas kjo i shtyu t’i konsideronin edhe qafira masat e muslimanëve dhe vetë Aliun.

Në momentin që ata u ndanë dhe u vendosën në vendin e quajtur Harura, silleshim me muslimanët të cilët nuk ishin me idetë e tyre me një sjellje të ashpër dhe të neveritshme, madje arritën deri atje sa t’i luftonin njerëzit e t’i vrisnin masat e thjeshta vetëm me pretekstin se ata ishin nën gjykimin e Aliut që, sipas pretendimeve të tyre, tashmë ishte i pafe (qafir). Madje i pari i Hauarixhëve në atë kohë Abdullah bin Uehb Rasibi, ndërmori një luftë kundër Aliut në vendin e quajtur Nehrauan ku pësuan disfatë fatale.

Nga veprat më të shpifura që ata kanë bërë ishte vrasja e sahabit Abdullah bin Habab i cili u foli me disa fjalë që i nxiste të hiqnin dorë nga fitneja. Ata jo që nuk e dëgjuan, por e therën në bregun e lumit dhe i shpuan barkun gruas së tij e cila ishte shtatzënë. Kjo ngjarje bëri që Aliu t’i luftonte dhe t’i shkaktonte disfatë dhe shkatërrim Hauarixhëve.

El Ezarika

I pari i këtij grupi ishte Nafi bin Ezrek i cili bashkoi të gjithë njerëzit që kishin mendimet e tij dhe i bindi që të drejtoheshin për në Meke, nëse Abdullah bin Zubejr -i cili ishte i pari i muslimanëve në Gadishullin Arabik- do të pranonte parimet e tyre do t’i bashkëngjiteshin atij e do të luftonin së bashku ushtrinë e Shamit, e nëse nuk pajtohej me ta do të largoheshin prej tij.

Pasi shkuan në Mekë dhe panë që Abdullah bin Zubejri nuk u pajtua me mendimet e tyre u larguan për në Basra e më vonë për në Ahuaz.[2]

Duhet thënë se Nafi bin Ezrek ishte personi i cili inicioi dhe shkaktoi divergjencat mes Hauarixhëve dhe Ezarikat konsiderohen si mëma e bashkësisë Hauarixhe pas Muhakimetu.

Nafi bin Ezrek ishte i pari i cili i konsideroi si të ndaluara martesën me masën e muslimanëve, ushqimet (mishrat) e tyre, lejoi që ata të luftoheshin, të robëroheshin e t’u merrej e konfiskohej pasuria, madje edhe atyre që kishin mendimet e tyre, por që nuk ishin bashkuar me grupin dhe kampin e tij. Po ashtu i konsideroi qafirë të gjithë ata të cilët binin në gjynahe të mëdha, si dhe të gjithë ata të cilët nuk mendonin sikur ai, madje lejoi dhe vrasjen e fëmijëve e të grave të kundërshtarëve.

Nexhdat

Ky grup i Hauarixhëve ka patur si të parë fillestar Nexhdetu bin Amir dhe pasuesit e tij u quajtën me emrin e tij. Nexhdat qëndruan rreth të parit të tyre Nafi bin Ezrek (të parin e grupit Ezarika) derisa panë prej tij disa gjëra të cilat i konsideruan si bidate shkatërruese dhe më pas u veçuan me të gjithë ata të cilët kishin këto mendime për të.

Megjithatë edhe pse Nexhde bin Amir u veçua me këtë grup të Hauarixhëve e mori shumë toka nga tokat e shtetit Islam, ai nuk do të mund të drejtonte i qetë, përkundrazi njerëzit e tij u rebeluan dhe filluan ta përndiqnin derisa e vranë.

Shkaqet që çuan në rebelimin e pasuesve të tij ishin të shumta, ato nuk erdhën njëherazi, por të veçanta, e megjithatë shkaktuan pakënaqësi tek pasuesit e tij.

Një prej tyre ishte se Nexhde përgatiti dy batalione, njëra që do të luftonte në det dhe tjetra në tokë dhe kur erdhi koha që të ndante plaçkën e luftës ai u dha batalionit që luftoi në det me shumë se ata në tokë, kjo gjë bëri që një pjesë e njerëzve të rebelohen dhe të thërrisnin për distancim dhe rebelim ndaj Nexhdetu bin Amir.

Një shkak tjetër është se kur sulmoi Medinën e Profetit, salallahu alejhi ue selem, zunë si robëreshë një nga vajzat e Uthmanit[3] e cila iu dha njërit prej luftëtarëve. Nexhde ia bleu atë dhe më pas e liroi dhe e dërgoi tek Abdul Melik bin Meruan i cili ishte i pari i muslimanëve në atë kohë. Kjo i zemëroi dhe i rebeloi jashtë mase pasuesit e tij dhe i thanë: ti ia dhe robëreshën tonë armikut tonë.

Një tjetër shkak ishte se disa nga pasuesit e tij u larguan dhe u ndanë nga ai dhe i vunë kusht se nuk ktheheshin e nuk bashkoheshin më me të vetëm nëse bënte teube (pendohej) në publik, në fakt Nexhde ashtu veproi, bëri teube në publik, por më pas ata u kthyen dhe thanë se nuk është e denjë për ne që ta vëmë atë të pendohet, ndërkohë që ai është imami ynë, kështu që kërkuan prej tij të bënte teube të dytë për teuben e parë që bëri në publik dhe kjo çoi më pas në mosmarrëveshje.

Të gjitha këto ngjarje dhe të tjera bënë që natyra mes tyre të ishte e tensionuar dhe armiqësore e cila në fund mbaroi me vrasjen e vet Nexhde bin Amir.

El Ibadhije

I pari i tyre fillestar dhe real, të cilin e grenë mbi çdo kënd tjetër është Xhabir bin Zejd Ezdi, por kanë marrë këtë emër për shkakun se pasuesi i tij Abdullah bin Abadh u shqua për kundërshtimin që i bënte të parëve të muslimanëve. Me këtë emër njihen tek të gjithë dijetarët që kanë folur për grupet dhe sektet.

Ibën Abadhi ka qenë bashkëkohës me Abdullah bin Zubejrin të cilin e konsideroi të pafe dhe luftoi së bashku me Hauarixhët e tjerë ushtritë e Shamit. Para se të dilte Ibën Abadhi në skenë ndjekësit e Zhabir bin Zejd Ezdit quheshin: “thirrësit”, ose “xhemati i muslimanëve” dhe në momentin që u shfaq Ibën Abadhi me mendimet e tij politike dhe filozofike, ky grup u njohën me emrin e tij.

Duhet thënë se Ibën Abadhi ka qenë nga krerët e Hauarixheve dhe përputhej me të tjerët prej tyre në shumë çështje dhe baza që ata kishin në atë kohë, me përjashtim të disa dispozitave në lidhje me muslimanët të cilët i kundërshtonin e nuk besonin me besimin e tyre.

 Çështjet me të cilat Ibadhitë nuk përputheshin me grupet e tjera të Hauarixhëve:

Qëndrimi i tyre ndaj kundërshtarëve: Nëse do të shohim grupet e tjera të Hauarixhëve gjejmë se ata konsideronin si muslimanë vetëm vetet e tyre, ndërsa të tjerët ishin të pafe dhe idhujtarë të cilët ishte detyrë që të luftoheshin, nuk lejohej martesa me ta, as mishrat e tyre dhe se atdheu i tyre ishte vend që i kishin shpallur luftë. Ndërsa Ibadhitë edhe pse disa herë e shikonin detyrë luftën ndaj muslimanëve, ata pohonin se këta (muslimanët) kishin rënë në Kufrin e mirësisë[4] dhe u jepnin atyre gjykimin si njehsues me të cilët lejohej të martoheshe, të haje nga mishrat e tyre dhe të jetoje në mesin e tyre. Megjithatë duhet të pohojmë se edhe pse kjo ishte çështja ndarëse mes tyre dhe grupeve të tjera të Hauarixhëve, sërish Ibadhijet janë Hauarixhë për faktin se ata e tepronin në konsiderimin si të pafe të Uthmanit e Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Ata e tepronin në rebelimin ndaj prijësve dhe të parëve të muslimanëve për shkak të padrejtësive, sikurse e tepronin edhe në të konsideruarit të pafe për shkak të gjynaheve dhe armiqësimi i tyre.

Shejhul Islam, Ibën Tejmije, pasi përmendi emrat e Hauarixhëve tha: “Prej grupeve të tyre janë Ibadhijet, ndjekësit e Abdullah bin Abadhit, Ezarikat ndjekësit e Nafi bin Ezrek dhe Nexhdatët, pasuesit e Nexhde Haruriut”.[5]

Ibadhijet gjenden sot në shtetin e Umanit në Gadishullin Arabik, sikurse gjenden edhe në disa vende në Afrikë, si Marok dhe Mali.

 

 



[1]Ky shkrim kryesisht është mbështetur më shumë në librin me titull: “Hauarixhët, historiku mendimet e tyre akaidike dhe qëndrimi i Islamit ndaj tyre”, të dijetarit: Dr. Galib bin Alij Auaxhi. Dhe më pak nga libri “Shkrime dhe studime rreth pasimit të epshit, përçarjes dhe bidatit si dhe qëndrimi i selefëve rreth tyre”, të dijetarit të njohur: Pro. Dr. Nasir bin Abdulkerim el Akël.

[2]Vend i cili është në Iranin e sotëm.

[3]Dhëndërrit dy herë të Profetit salallahu alejhi ue selem, të cilin Hauarixhët e konsideronin si të pafe (qafir).

[4]Pra se kishin mohuar mirësitë e Allahut.

[5]Mexhmu Fetaua: 8/481.

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com