All for Joomla All for Webmasters

CILA ËSHTË DETYRA JONË NË LIDHJE ME TEUHIDIN ESMAU UE SIFAT?

. Posted in Njohuri rreth Akides.

Pin It

 

Është detyrë për ne që: "Të besojmë në gjithçka me të cilën Allahu i lartësuar e ka cilësuar dhe emërtuar veten e vet në librin e Tij (Kur’ân) dhe me të cilat e ka emërtuar dhe cilësuar profeti i Tij në traditën e saktë profetike pa bërë taĥrîf (devijim), as tea’ŧîl (mohim te cilesive), pa bërë tekjîf (përgjasime) dhe as temthîl (shembëllime). Kështu ka thënë shejħul islam Ibnu Tejmij-jete dhe shumë dijetarë të tjerë, Allahu i mëshiroftë.

Taĥrîfi (devijimi) vërehet nëpër tekstet e sheriatit, tea’ŧîli (mohimi i cilësive) shfaqet në besimin e njeriut, tekjîfi (përgjasimi) dhe temthîli (shembëllimi) shfaqen në përshkrimin e cilësive të Allahut. Për ne është detyrë që ta ruajmë të pastër dhe të pa prekur besimin tonë nga këto të katërta.

Me fjalën taĥrîf (devijim) këtu kemi pasur për qëllim atë që shumë të humbur padrejtësisht e quajnë “te’uîl” pra shpjegim apo qartësim i hollësishëm i kuptimit të teksteve të shenjta (Kur’ân e sunet). Madje ata e quajnë veten e tyre dijetarë të te’uîl-it dhe me këtë dëshirojnë ta paraqesin sa më të pranueshme rrugën e tyre të gabuar dhe të pa bazë dhe që njerëzit të mos largohen prej tyre. Sepse njerëzit largohen nga fjala taĥrîf (devijim). Por kjo, pa dyshim është thjesht një zbukurim fjalësh pa bukë brenda.

Në të vërtetë te’uîli i tyre është taĥrîf (devijim). Taĥrîfi (devijimi) është transformimi i kuptimit të tekstit, nga kuptimi i tij i drejtpërdrejtë dhe qartësisht i kuptueshëm, në kuptime të tjera të pabaza. 
Kështu ne kemi të drejtë të themi: “Ky transformim i kuptimit nëse është i bazuar në argumente të qarta nga sheriati ai nuk quhet te’uîl me kuptimin që ju e dëshironi, por ai është te’uîl me kuptimin tefsir (shpjegim apo qartësim i kuptimit të tekstit, Kur’ân apo hadith qoftë). Por nëse ky transformim i kuptimit nuk është i bazuar në argumenta të qarta nga sheriati ai quhet taĥrîf devijim, pra ndryshim i kuptimit të vërtetë të fjalëve, gjë nga e cila na ka ndaluar Allahu i lartësuar. Këta vërtetë i pohojnë dhe i pranojnë emrat dhe cilësitë e Allahut të madhëruar por e shtrembërojnë kuptimin e drejtpërdrejtë të tyre dhe në këtë mënyrë i hyjnë asaj rruge të gabuar që bie ndesh me rrugën e pasuesve të traditës dhe të unitetit. Për këtë arsye ata nuk mund të quhen pasues të traditës dhe të unitetit (ehlu sun-neti uelxhema’ati). Pasuesit e vërtetë të traditës dhe të unitetit janë rigorozisht të kujdesshëm në pasimin e udhëzimeve të kësaj tradite dhe kurrë nuk mund të pranojnë taĥrifin (devijimin) .

Askush nuk mund të jetë më i ditur për Allahun se sa Ai për veten e Tij dhe askush nuk mund të sjellë lajm më të saktë dhe të sigurt se sa lajmi i Allahut. Askush nuk mund të qartësojë me qartësim më të mirë se sa qartësimi i Allahut në librin e Tij. Allahu i lartësuar thotë: “Dëshiron Allahu t’ju qartësojë juve” [El nisa 26.] , “Allahu ju qartëson juve që të mos humbisni nga rruga e drejtë” [El nisa 176.], “Dhe ne të shpallëm ty librin (Kuranin) si qartësim për gjithçka” [El nahl 89.], “dhe kush është më i vërtetë në fjalën e tij se sa Allahu?” [El nisa 122.], “ E kush është më fjalëmirë se Allahu?” [El nisa 87.]

Këto ajete dhe shume të tjera veç tyre tregojnë qartë se Allahu i lartësuar ua ka sqaruar krijesave me sqarimin më të plotë rrugën e drejtë që të çon tek Ai. Dhe pa dyshim dija më e rëndësishme të cilën krijesat kanë nevojë që ta marrin qartësisht dhe saktësisht është dija rreth Allahut emrave dhe cilësive të Tij. Sepse vetëm në këtë mënyrë ata mund ta adhurojnë Allahun duke qenë të qartë. Adhurimi i atij të cilit nuk ia njeh cilësitë apo i cili nuk është i cilësuar me cilësinë e sundimit absolut dhe të atij që urdhëron dhe ndalon, shpërblen dhe ndëshkon, është diçka e pamundur. Pra është e domosdoshme që të njohësh qartësisht emrat dhe cilësitë e të adhuruarit që ti drejtohesh atij dhe ta adhurosh saktësisht.

Shejhul islam ibnu Tejmijete thotë: “Është e pamundur logjikisht dhe fetarisht që profeti, nëpërmjet të cilit Allahu i lartësuar i nxori njerëzit nga errësirat në dritë, të cilit i shpalli Librin me të cilin ai të gjykojë me drejtësi në çështjet ku njerëzit ranë në kundërshtim, të lerë kapitullin e imanit në Allahun dhe njohurive rreth tij të ngatërruar, plot dyshime dhe të pa qartësuar. Është e pamundur që ai të mos ketë sqaruar plotësisht atë çfarë është e detyrueshme që të besojmë për Allahun prej emrave dhe cilësive të tij madhështore, çfarë lejohet të besojmë dhe të themi për të dhe çfarë është e ndaluar në këtë temë. Njohja e të tilla temave, pa dyshim konsiderohet si njohuri themelore e kësaj feje madhështore dhe të plotë. Kjo (pra njohuria e këtyre çështjeve) është puna më e mirë që mund të kryejë një adhurues i Allahut të madhërishëm. Si mund të mendohet që Ķur’âni të mos ketë gjykuar me drejtësi dhe vërtetësi në këtë temë të rëndësishme?! Si mund të mendohet që profeti dhe pas tij sahabët të cilët janë njerëzit më të mirë pas profetëve të mos kenë gjykuar me drejtësi dhe vërtetësi në këtë temë të rëndësishme?!”

Është e pamundur që profeti a.s ti mësojë dhe sqarojë umetit të tij edukatën e ngrënies pirjes, kryerjes së nevojave personale etj çështje si këto, dhe të mos u mësojë atyre se çfarë të thonë me gojët e tyre dhe çfarë të besojnë me zemrat e tyre rreth Zotit dhe të adhuruarit të tyre ndërkohë që kjo është kulmi i njohurisë dhe qëllimi më i lartë. Kjo është piksynimi më i vyer dhe mirësia më e madhe. Profeti a.s. ka thënë: “Allahu i lartësuar nuk ka dërguar asnjë profet pa i ngarkuar si amanet që ai ta udhëzojë popullin e tij në më të mirën e asaj që di për ta dhe ti ndalojë ata nga më e keqja e asaj që di për ta.

Është e pamundur që ata mes të cilëve jetoi profeti i fundit dhe ata që ardhën pas tyre të mos e kenë njohur të vërtetën në temën e njohjes së Allahut të lartësuar dhe të mos kenë folur për këtë çështje. Dihet shumë mirë se ata që i kanë zemrat të mbushura me dashuri për adhurimin e Allahut, pa dyshim që do të impenjoheshin maksimalisht për njohjen e adhurimit me të gjitha detajet dhe imtësitë e tij. Dhe nuk ka dyshim se adhuruesit më të mirë kanë qenë brezat e parë të këtij umeti. Është transmetuar saktësisht nga profeti a.s që ka thënë : “Njerëzit më të mirë janë shekulli im, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre. Më pas do të vijnë popuj të cilët dëshmojnë para se të betohen dhe betohen para se të dëshmojnë.”

Njeriu nuk duhet ta kalojë kufirin e tij në aspektin e tekjif-it përngjasimit dhe temthil-it shëmbëllimit. Kur ai është i pafuqishëm që të përfytyrojë shpirtin e tij që ndodhet brenda tij, si mundet që të pretendojë se mund të njohë vërtetësinë dhe realitetin konkret të emrave dhe cilësive me të cilat Allahu i lartësuar ka emërtuar dhe cilësuar veten e Tij?! Për këtë arsye është detyrë për çdo njeri që në fushën e emrave dhe cilësive të Allahut t’u largohet pyetjeve “pse dhe si”. Në këtë mënyrë ai nuk do të mendojë rreth kejfije-s (si janë konkretisht dhe realisht emrat dhe cilësitë e Allahut). Nëse njeriu ndjek një rrugë të tillë do të jetë gjithmonë i stabilizuar dhe i qetë. Kjo ishte gjendja e selefëve (dijetarëve të parë).

Për këtë çeshtje erdhi një burrë tek Imam Malik ibn Enes, Allahu e mëshiroftë, dhe e pyeti: “ O Ebu Abdil-lah! Allahu thotë në Kur’ân: “Rrahmani qëndroi mbi arsh”, si “qëndroi”? Imam Maliku uli kokën për një farë kohe dhe pastaj tha: “El Istiuau nuk është i pa njohur, mënyra se “si” nuk mund të llogjikohet, besimi i saj është uaxhib dhe pyetja rreth saj është bidat. Unë po të shoh se ti je veçse një bidatçi.”

Përgatiti: Uthman Agolli

Burimi Jetes

01.11.2015

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com