All for Joomla All for Webmasters

THËNIE RRETH HADRAS SUFISTE

. Posted in Njohuri rreth Akides.

Pin It

Thënie rreth hadras[1] sufiste nga dijetarët e katër medhhebeve

Dr. Haldun bin Meki el-Haseni

 

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi i Allahut janë për robin dhe të dërguarin e Tij Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

Allahu i Lartësuar e dërgoi zotërinë tonë Muhamedin, salallahu alejhi ue selem, me fenë e vërtetë, për ta bërë atë dominuese mbi të gjitha fetë dhe për këtë e pajisi me Kuranin si dhe i dha urtësinë (Sunetin).

I dërguari i Allahut na caktoi rrugët e udhëzimit dhe dritës, kështu që kush i përmbahet kësaj rruge do të jetë i udhëzuar, ndërsa ai që mënjanohet dhe devijon prej saj ka për të humbur.

Prej këtyre gjërave është edhe të mësuarit e dhikrit dhe etikës së tij, madje dijetarët islamë janë përpjekur në maksimum për t’i sqaruar ato dhe nxitur në punimin e tyre.

Megjithatë edhe përkundër kësaj, disa njerëzve iu duk bukur kundërshtimi i sunetit të Profetit, salallahu alejhi ue selem, madje të tillët menduan se janë duke vepruar drejt. Kështu ata rrëshqitën dhe devijuan nga rruga e drejtë dhe e gjitha kjo sepse sajuan rrugë dhe besime të ndryshme, prej tyre edhe imitimi që i bënë pasuesve të feve të tjera.

Mënyra se si ata bëjnë dhikër është se mblidhen nëpër teqe, zavije[2] apo shtëpi, bëjnë një rreth dhe më pas fillojnë të këndojnë poezi (këngë sufish) me zëra melodioz e duke i shoqëruar me def, qyp apo me qemane; sigurisht që çdo tarikat ka vegla të posaçme që i përmend gjatë hadras apo dhikrit, më pas këndojnë e dredhin zërat  me shprehjen Hu[3] sikur të ishin gra apo në kabare, apo të çmendur dhe më pas pretendojnë se ata po shprehin emrin e Allahut. I lartësuar është Allahu nga një veprim i tillë!

Pasi këngët të kenë pushtuar zemrat dhe vendin, fillojnë dhe kërcejnë duke u rrotulluar, dredhur e spërdredhur, sikur të ishin vërtet të pirë ose të xhindosur e më pas pretendojnë se ky është dhikër.

Ata gënjejnë, sepse dijetarët dhe fukahatë islamë, të cilët janë kujdestarët e fesë dhe Sheriatit i kanë sqaruar dhe demaskuar këto bidate të shpifura, si dhe kanë bërë me dije devijimin e tyre nga rruga e Islamit.

Ndaj dhe duke u nisur nga ky fakt, jam përpjekur të sjell, për ata të cilët kërkojnë të vërtetën e qartë, disa nga fetvatë e dijetarëve të katër medhhebeve, duke e lutur Allahun ta bëjë këtë përpjekje të dobishme dhe t’u hapë zemrat atyre të cilët janë mashtruar me këto bidate, si dhe t’i kthejë sërish në sunetin e të dërguarit Muhamed, salallahu alejhi ue selem.

 

E para: Medhhebi Hanefi

Ka thënë Imam Bezazij Hanefi në “Fetaua bezazije” botimi i tretë (4/349):

Imam Nesefiu në librin “Sherh Kenz” ka thënë se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Çdo argëtim që bën biri i Ademit është i padobishëm, përveçtri gjërave: argëtimi me gruan, mësimi i kalit dhe hedhja e shtizës." Ky është një tekst i qartë rreth ndalueshmërisë së kërcimit të cilin sufitë e quajnë sema[4], padyshim se kjo është një sema e cila ka në të prishje (në këtë botë) dhe dënim në botën tjetër.

Ndërsa Imam Tahavi -Allahu e mëshiroftë!- në hashijen e tij rreth librit “Al Marraki” (2/311) ka thënë: "Ndërsa kërcimi, ulërimat dhe rënia e veglave si paftat e teneqesë(që vihen dhe në dajre), fyellit, të cilave i bien disa të ashtuquajtur sufi, padyshim se ajo është e ndaluar me ixhma (unanimisht), sepse ato janë sjellje të jobesimtarëve."

Ndërsa në "Jetijme" ka thënë: Është pyetur Haluani për ata që quhen sufi, të cilët dallojnë me veshjen dhe që janë angazhuar me kërcime e këngë e të cilët pretendojnë se kanë pozitë! Ai tha: "A mos po gënjejnë në emër të Allahut, apo janë të xhindosur?"

Në “Tuhfetu el Muluk” nën titullin "Sjelljet e sufive" (1/284) thuhet: "Duhet të ndalohen sufitë të cilët pretendojnë se kanë arritur uexhdin[5] dhe dashurinë, nga ngritja e zërit, shqyerja e rrobave dhe dëgjimi i muzikës (sufiste), sepse një gjë e tillë është e ndaluar gjatë leximit të Kuranit, e ç’mund të thuash për dëgjimin e muzikës i cili është i ndaluar e sidomos në këtë kohë?!"

Po ashtu Imam Bedrudin Ajni Hanefi në librin "Umdetul Kari" (21/401) ka thënë: "Dhe (në emër të ghina-s etj.) këta sufi injorantë kanë trilluar bidate. Ata nuk janë të besueshëm, nëse ju do të hulumtoni thëniet e tyre dhe të shikoni praktikat e tyre, padyshim do të gjeni shenjat e jomuslimanëve dhe zindikëve."

Imami Muhamed Alau Din Hasfaki Hanefi -Allahu e mëshiroftë!- në librin "Dur el Mukhtar" (4/446) ka shkruar: "Kushdo që mendon që raksi (vallëzim ritmik) është hallall është kafir, veçanërisht ata të cilët vallëzojnë me të dhe bëjnë muzikë."

Imam Shihabudin Mahmud bin Abdullah Alusi -Allahu e mëshiroftë!- në librin e tij "Rruhul Meani" ka thënë: "Nga semaja (këndimi) e ndaluar është dhe semaja e sufive në kohët e sotme edhe nëse ajo është pa vallëzim (ritmik), sepse dëmet e saj janë më të shumta në numër se të përmenden këtu. Shumë prej atyre që ata i quajnë poezi, janë nga gjërat më të neveritshme që lexohen, e përtej kësaj ata besojnë se ato i afrojnë tek Allahu dhe pretendojnë se më i apasionuari pas tyre është ai i cili e ka më të theksuar frikën dhe shpresën. I vraftë Zoti, për gënjeshtrat që thonë!" “Ruh El Mani”, vëll. 11 f. 74.

Po ky imam -Allahu e mëshiroftë!- në një faqe para kësaj ka thënë: "Profeti, salallahu alejhi ue selem, i ka mallkuar ato gra që i përngjajnë burrave dhe ata burra që i përngjajnë grave. Kushdo i cili i frikësohet Allahut dhe ka kuptuar diçka prej madhështisë së tij, nuk mund të imagjinohet që ai të kërcejë e t’i duartrokasë duarve[6], sepse këto nuk i kryen vetëm se një injorant. Argument për injorancën e tyre është fakti se Sheriati nuk ka ardhur me diçka të tillë as në Kuran e as në Sunet, madje atë nuk e ka kryer asnjë Profet dhe askush nga pasuesit e vërtetë të tyre, përkundrazi atë e kryejnë injorantët dhe të mangëtit, të cilëve u është përzier e vërteta me dyshime, ndërkohë që Allahu thotë: "Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje." En-Nahl, 89.

Kanë shkuar selefët (të parët e mirë) dhe brezat e fundit të nderuar e nuk kanë kryer një gjë të tillë, prandaj kjo nuk është tjetër vetëm se tekë e vetes dhe kurrsesi nuk është vepër që të afron te Zoti i botëve. Vepruesi i saj nëse është prej atyre që merren si shembull dhe beson se ai nuk e kryen një gjë të tillë vetëm se është vepër e mirë, nuk ka dyshim se ajo që ka kryer është shumë e shëmtuar, sepse ai i çon njerëzit që ta marrin atë si adhurim, ndërkohë që ajo nuk është vetëm se çmenduri". 11/73

 

E dyta: Medhhebi Maliki

Ebul Abas el Kurtubi -Allahu e mëshiroftë!- autori i librit "El Mufhim fi Sheril Muslim" ka thënë rreth këngëve sufiste: "Ndërsa në lidhje me atë se ç'kanë shpikur sufitë (prej këngëve), nuk ka kundërshti rreth ndalueshmërisë së saj, por shpirtrat e dhënë pas dëshirave të shfrenuara kanë mbizotëruar mbi shumë njerëz të cilët mbahen për të mirë, aq sa ka ndodhur që disa prej tyre të bëjnë veprime prej të çmendurish dhe fëmijësh, të cilët kërcejnë dhe lëvizin sa andej këndej, e ku fundi i pafytyrësisë së të cilëve arriti deri aty saqë e konsideruan atë prej veprave të mira dhe fryt i pozitave të larta. Por në të vërtetë kjo nuk është vetëm se gjurmë e devijimit (jofetarisë) dhe thënie e atyre që i ka marrë koka erë, Zoti na ruajttë!” Fethul Bari (2/442).

Kadi Ebu Bekër Tartush -Allahu e mëshiroftë!- është pyetur: "Çfarë thotë fakihu ynë për sufitë ë cilët mblidhen për të përkujtuar Allahun dhe të dërguarin Muhamed, salallahu alejhi e selem, më pas këndojnë poezi duke i rënë lëkurave (dajres/defit) me shkopa, ndërkohë që disa të tjerë çohen dhe kërcejnë, e rrotullohen derisa vilanosen e më pas ulen për të ngrënë. A lejohet prezantimi me ta apo jo?”

Allahu ju mëshiroftë: "Rruga e tyre është dembellëk, injorancë dhe devijim, sepse Islami nuk është gjë tjetër veçKuranit dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij, salallahu alejhi ue selem. Ndërsa kërcimin dhe rrotullimin të parët që e shpikën ishin pasuesit e Samiriut[7] i cili kur u ndërtoi viçin nga ari filluan të kërcenin rreth tij e të vinin përqark (rrotulloheshin). Kështu pra ajo është feja e jomuslimanëve, adhuruesve të viçit. Ndërsa meloditë me shkopinj të parët që e sollën ishin zenadikat (të devijuarit/të pafetë), në mënyrë që t’i largonin njerëzit nga libri i Allahut, ndërkohë që Profeti, salallahu alejhi ue selem, dhe shokët e tij qëndronin (gjatë adhurimit) sikur mbi koka të kishin zogj të përulur dhe nënshtruar. Kërkohet nga sulltani dhe ndihmësit e tij që t’i pengojë të prezantojnë (për të kryer këto rituale) në xhami apo gjetkë, madje nuk lejohet për askënd që beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit që të prezantojë me ta…".

Ndërsa në librin "Ndalimi i këngëve (me muzikë)" ka thënë: "Jemi informuar se një grup njerëzish prej vëllezërve tanë -Allahu na udhëzoftë ne dhe ata!-, i ka devijuar shejtani dhe epshi duke nxitur tek ata dashurinë për këngët (me muzikë) dhe dëgjimin e melodive, duke besuar se ajo është prej fesë dhe se i afron tek Allahu i Lartësuar. Një grup muslimanësh (sufitë), e kanë bërë këtë publike dhe me të kanë devijuar nga rruga e besimtarëve, si dhe kanë kundërshtuar dijetarët, fukahatë dhe bartësit e fesë.”

"Këdo që e kundërshton të Dërguarin, pasi i është dhënë udhëzimi dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë të ecë andej nga është nisur dhe do ta përcëllojmë në zjarrin e Xhehenemit. Eh, sa vendbanim i keq që është ai!" En-Nisa, 115.

Është pyetur Imam Malik se çfarë lejohet nga këngët te banorët e Medines? Ai ka thënë: "Atë tek ne e bëjnë të prishurit.” Dhe ka ndaluar të kënduarit dhe dëgjimin e tyre.

Ndërsa Ebu Hanife i urren këngët (me ritëm dhe muzikë) dhe e ka konsideruar atë prej gjynaheve, madje ky është medhhebi i dijetarëve të Kufes[8], Sufjan Theurit, Hamad bin Seleme, Ibrahim Nekhai dhe Shabiut. Nuk dimë që të ketë kundërshtim mes tyre rret kësaj, madje nuk dimë që të ketë kundërshtim edhe mes dijetarëve të Basras rreth urryeshmërisë dhe ndalimit prej saj.

Sa i përket Shafiut, ai në librin “Kada” ka thënë: "Këngët janë zbavitje (argëtim) i urryer, ai përngjason me të kotën. Madje Shafiu i urrente edhe meloditë[9] me shkopa duke pohuar se ajo është sajesë e zindikëve (të pafeve) me të cilën shpërqendrojnë muslimanët nga Kurani.

Ky grup (sufitë), janë në kundërshtim me bashkësinë islame, sepse ata i kanë bërë këngët fe duke i shfaqur ato edhe në xhami". El Madkhal: (3/100).

 

Në vitin 661 h u përpilua një fetva me të cilën kanë punuar dijetarët e të katër medhhebeve në të cilën thuhej:

Çfarë thonë zotërinjtë fukaha, imamllarët e fesë dhe dijetarët e muslimanëve -Allahu i dhëntë sukses dhe i ndihmoftë të arrijnë kënaqësinë e Tij!- për një grup muslimanësh të cilët kanë ardhur në qytet e që vijnë në xhami e atje u bien shuplakave (duke bërë melodi), këndojnë dhe kërcejnë herë me ritmin e trokitjes së duarve e herë me def dhe pafta teneqeje, a lejohet sipas Sheriatit një vepër e tillë në xhami? Na jepni përgjigje, Zoti ju shpërbleftë dhe ju mëshiroftë!

Shafitë kanë thënë: "Semaja e urryer (që ka valle e melodi) i përngjan të kotës. Çdokush që e beson dhe vepron me të, i refuzohet dëshmia".

Malikitë kanë thënë: "Është detyrë për të parët e muslimanëve t’u tërheqin vërejtjen dhe të tregohen të ashpër me ta, madje t’i nxjerrin nga xhamitë, derisa të pendohen dhe të kthehen."

Hanbelitë kanë thënë: "Ai i cili vepron këto nuk falesh pas tij, nuk pranohet dëshmia e tij, as gjykimi që ai jep nëse është gjykatës, madje nëse lidh një akt martesor, ai nuk merret për bazë, sepse është i pavlefshëm".

Hanefitë kanë thënë: "Hasra (rrogozi/qilimi) mbi të cilin është kërcyer, nuk lejohet të falesh në të derisa të lahet dhe vendi në të cilin kërcehet nuk lejohet të falesh në të, derisa të gërmohet dhe të hidhet". Madkhal ibën el Haxh: (3/99).

 

 

E treta: Medhhebi Shafi

Imam Shafiu -Allahu e mëshiroftë!- ka thënë: "Kam lënë në Irak diçka të cilën e quanin tegbijr vepër që e shpikën zenadikat[10], me të cilën largojnë njerëzit nga Kurani."

Imam Iz bin Abduselam -Allahu e mëshiroftë!- në librin "Kavaidul Ahkam fi Mesalihi el Enam" (2/186) ka thënë: "Ndërsa kërcimi dhe duartrokitja (që bëhet gjatë dhikrit sufi), është mendjelehtësi dhe spërdredhje, e njëjtë me spërdredhjen e grave, të cilën nuk e bën veçse një i mangët apo gënjeshtar. Nuk mundet që të kërcejë me këngë veçse ai të cilit i ka fluturuar mendja dhe i ka ikur zemra, sepse Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Njerëzit më të mirë janë ata të shekullit tim, pastaj ata që vijnë pas tyre dhe më pas ata që vinë pas tyre". Dhe askush prej tyre nuk e bënte një vepër të tillë.

Po ashtu ai ka thënë në librin "Kavaidul Ahkam" të cilin e ka recensuar Abdul Gani Deker (679): "Kërcimin nuk e kryen vetëm se ai që është me të meta mendore, dhe nuk lejohet vetëm se për gratë".

Imam Sherbini -Allahu e mëshiroftë!- në librin "Mugni Muhtaxh" (4/426) ka thënë: "Imam Subki -Allahu e mëshiroftë!- i cili është nga dijetarët e mëdhenj shafi, ka thënë: "Semaja që bëhet në ditët tona është e urryer dhe humbje (devijim), dhe është veprim të cilin e bëjnë injorantët dhe shejtanët. Cilido që pretendon se ajo është afrim tek Allahu, padyshim që ka gënjyer, po ashtu ata që thonë se ajo shton aftësitë për shijen (dheuk)[11], ai është injorant ose shejtan. Cilido që ia atribuon Seman Profetit, salallahu alejhi ue selem, duhet të edukohet me një edukim të rreptë dhe ai hyn në grupin e mashtruesve ndaj tij, salallahu alejhi ue selem. Cilido që gënjen me vetëdije ndaj tij, le t’i përgatisë vetes një karrige në zjarr. Kjo assesi nuk është rruga e të dashurve të Allahut, partisë së Tij dhe pasuesve të Profetit, salallahu alejhi ue selem, përkundrazi kjo është rruga e atyre që pasojnë logjikën, të kotën dhe lojërat (dredhitë). Të tillëve u tërhiqet vërejtje me fjalë, dorë dhe zemër."

Imam Bedër Bin Xhema'a në përgjigjen që dha në lidhje me një pyetje rreth semasë ka thënë: "Në lidhje me semanë medhhebi i Ebu Hanifes është më i ashpëri, dhe thëniet e tij për të janë thëniet më të rrepta. Nxënësit e tij kanë pohuar se dëgjimi i saj është prishje (fisk), ndërsa të kënaqurit me të është kufër, e pas kufrit nuk ka cak tjetër."

Kurse Imam Maliku kur është pyetur për të ka thënë: “Atë tek ne e bëjnë të prishurit.” Madje në librat e nxënësve të tij pohohet se nëse dikush blen një skllave dhe gjen se ajo këndon, ka të drejtë ta kthejë duke e konsideruar atë të metë."

Imam Ahmedin e ka pyetur biri i tij Abdullahu për seman dhe ai ka thënë: “O biri im! Këngët bëjnë që në zemër të shfaqet hipokrizia (nifaku).” Më pas përmendi thënien e Imam Malikut: “Atë tek ne e bëjnë të prishurit.”

Kurse Imam Shafiu nxënësve të tij në Egjipt u ka thënë: "Kam lënë në Irak diçka të cilën e quanin tegbijr (vallet sufiste) vepër që e shpikën zenadikat (të pafetë), me të cilën largojnë njerëzit nga Kurani."

Nëse kjo thënie e tij shkon për (vallen sufiste) e cila është poezi ku të pranishmit i përshtatin melodi me zëra dhe shkopinj, atëherë çfarë mund të thuash vallë për semanë e cila bëhet në ditët tona?! Çdokush i cili thotë se ajo është e lejuar, padyshim se ka shpikur në fenë e Allahut atë e cila nuk është prej saj." Ithaf Sadetu El Mutakin (6/458)

 

 

E katërta: Medhhebi Hanbeli

Në librin "El Mugni" të Imam Ibën Kudame el Makdisi, autori Allahu e mëshiroftë ka folur për zbavitjen dhe llojet e saj dhe ndër të tjera ka thënë: "Ndërsa rënia e dajres nga burrat është e urryer në çdo rast, sepse dajres nuk i binin vetëm se gratë dhe huntha[12], kështu që rënia e dajres prej burrave është përngjasim i tyre me gratë dhe Profeti, salallahu alejhi ue selem, i ka mallkuar ata burra që i ngjajnë grave." “El Mugni” (14/159-160)

Po ashtu, Imam Ibën Kudame -Allahu e mëshiroftë!- është pyetur: “Çfarë thonë fukahatë për atë që dëgjon kur i biet defit, paftave të teneqesë dhe këngëve dhe rrotullohet e kërcen, a lejohet një gjë e tillë apo jo, duke e ditur se ai beson se është e dashur nga Allahu dhe se rrotullimi dhe kërcimi me to është për Allahun?”

“Ai i cili vepron një vepër të tillë ka bërë gabim, ka humbur dinjitetin, kurse ai që është i dhënë pas saj nuk i merret për bazë dëshmia, nuk i pranohet fjala, dhe kjo do të thotë se nuk i pranohen hadithet që përcjell nga Profeti, salallahu alejhi ue selem, as dëshmia mbi shikimin e hënës dhe lajmet në lidhje me çështjet e fesë. Ndërsa besimi që ai ka se kjo është shprehje e dashurisë së Allahut nuk është ashtu, ai mund ta dojë Allahun me diçka tjetër veçkësaj, si dhe mund t’i pranohen tek Allahu vepra të tjera veçkësaj. Ndërsa kjo vepër është gjynah dhe lojë, e ka përçmuar Allahu dhe i dërguari i Tij, si dhe e kanë urryer dijetarët dhe e kanë konsideruar bidat, e kanë ndaluar veprimin e saj, ndaj dhe nuk mundet që Allahut t’i afrohesh duke e kundërshtuar e as nuk mund t’i bindesh duke kryer ndalesat e Tij. Cilido që bën rrugë të tij për tek Allahu kundërshtimin e Tij, s'do të fitojë tjetër veçlargimit dhe përzënies. Cilido që konsideron si fe lojën dhe epshin (dëshirat), është sikur ai i cili bën prishje në tokë. Çdokush që kërkon të arrijë tek Allahu i Lartësuar me rrugë tjetër veçrrugës së Profetit, salallahu alejhi ue selem, dhe sunetit të tij, padyshim që do të jetë larg nga arritja e qëllimit të tij.”

Ebu Bekër Ethrem -Allahu e mëshiroftë!- ka thënë: “E kam pyetur Ahmed bin Hmbelin për tegbirin (dhikrin melodioz), dhe ai tha: “Është bidat."

 

Kjo temë është bazuar në një studim të shkruar nga Dr. Khaldun bin Meki el-Haseni, me disa ndërhyrje të pakta të cilat u pa e udhës se do t’i jepnin një kuptim më të qartë kësaj teme.

 

Përktheu dhe përshtati: Bledar Tefik Haxhiu

Burimi Jetes

23.08.2016

 

 

______________________

[1] Hadra, janë grumbullimet që bëjnë sufitë, në të cilat bëhet dhikër dhe lavdërohet Profeti, salallahu alejhi ue selem, sipas mënyrës sufiste të cilën e shtjellon edhe ky shkrim.

[2] Zavije, janë faltoret apo vendet të cilat i përdornin për veçim sufitë si shkak adhurimi dhe ushtrimi të ibadetit.

[3] Hu, është përemri i vetës së tretë numri njëjës Ai, të cilin e përmendin sufitë në dhikrin e tyre dhe me të cilin kanë për qëllim Allahun e Lartësuar.

[4] Semaja, është term i cili përdoret nga sufitë për këndimin e dhikrit, poezive dhe lavdërimeve profetike me melodi apo me vegla muzikore.

[5] Tegbijr, vjen me kuptimin melodi e cila vjen si pasojë e recitimit të vjershave e shoqëruar me rënien në lëkurë të thatë me dorë apo shkop. E ka marrë këtë emër nga gubari –dheu/pluhuri- dhe kjo sepse këto lëkura kanë qenë të pluhurosura.

Ndërsa në një kuptim tjetër ka ardhur si: dhikri i cili bëhet me zë të lartë dhe melodi të ndryshme i cili kishte si synim nxitjen e njerëzve rreth saj.

[6] Këtu ka për qëllim duartrokitjen me anë të së cilës realizohen tinguj dhe melodi që përshtatet me rimën e poezive.

[7] Samiriu, ka qenë hebre nga populli i Musait, alejhi selam, i cili ndërtoi viçin me bizhuteritë e argjendit dhe e adhuruan në vend të Allahut.

[8] Kufe, ka qenë një vilajet dhe është një qytet nga qytetet e Irakut, ndodhet pranë lumit Eufrat.

[9] Këtu bëhet fjalë për tingujt dhe melodinë -tak taket- që dalin nga përplasja e shkopave.

[10] Zenadika, është shumësi i fjalës zendik që vjen me kuptimet: jomusliman, i prishur, devijuar dhe hipokrit.

[11] Dheuk (shije), është një term të cilin e përdorin sufitë i cili nuk ka për qëllim njërën prej shqisave e cila është shija, porse ajo nënkupton atë që ndien (gjen) sufisti në zemër prej inspirimit dhe zbulesës (keshfit), dhe jo argumentit dhe të studiuarit. Metllai Khusus el Kelim: (193).

[12] Ky është personi i dyshimtë që nuk dihet a është mashkull apo femër ose sepse ka të dy organet gjenitale së bashku, ose nuk ka asnjërën nga këto, por që në këtë rast shfaq karakteristikat e femrës në sjellje.

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com