All for Joomla All for Webmasters

Argumentet nga Kurani dhe Suneti për shtimin dhe pakësimin e imanit

. Posted in Njohuri rreth Akides. Vizita: 1017

Pin It

ngjitje zbritjeArgumentet për shtimin dhe pakësimin e imanit gjenden me shumicë në Kuran, Sunet dhe në fjalët e myslimanëve të parë. Ndër to po përmendim:

- "... u shtohet Besimi kur u lexohen shpalljet e Tij...” (El Enfal, 2);

- “Allahu ua shton udhëzimin atyre, që janë në rrugë të drejtë” (Merjem, 76);

- “...e t’u shtohet besimi atyre që besojnë...” (Mudethir, 31);

- “Është Ai, që zbriti qetësi në zemrat e besimtarëve, për t’ua shtuar besimin, krahas besimit që patën. ” (El Fet'h, 4);

- “(Shpërblim kanë edhe ata) të cilëve njerëzit (hipokritë) u thanë: “Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni!” - e kjo gjë ua shtoi atyre besimin dhe thanë: “Neve na mjafton Allahu, Ai është mbrojtës i mrekullueshëm.” ( Al Imran, 173) Si mund të thuhet për këtë ajet dhe për atë para tij se shtimi i besimit nënkupton shtimin e dispozitave fetare që duhen besuar?! A mund të thuhet se shprehja “shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni" është ndonjë dispozitë fetare?! A është zbritja e qetësisë në zemrat e besimtarëve ndonjë dispozitë fetare?! E vërteta është se Allahu e zbriti qetësinë në zemrat e besimtarëve gjatë kthimit të tyre nga Hudejbija, me qëllim që t’ua shtonte prehjen shpirtërore dhe bindjen. Këtë e mbështet ajeti: “Atë ditë ata ishin më afër mohimit sesa besimit ” (Al Imran, 167);

- “Kur shpallet ndonjë sure, disa prej atyre (që hanë dyshim dhe hipokrizi) thonë: “Kujt prej jush do t'ia shtojë besimin kjo sure?” Për sa u përket besimtarëve, atyre (kjo sure) ua shton besimin dhe ata gëzohen. E, sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemrat e veta, ajo ua shton edhe më dyshimin që kanë dhe ata vdesin si femohues. ” (Et-Teuhe: 124-125).

Juristi Ebu Lejth Samarkandi (Allahu e mëshiroftë!), duke komentuar ajetin e fundit, ka regjistruar në komentin e tij një hadith të përcjellë nga Muhammed Ibn Fadl dhe Ebul Kasim Sabadhi nëpërmjet Faris Ibn Maradavejhut, ky nëpërmjet Muhamed Ibn Fadl Ibn Abidit, ky nëpërmjet Jahja Ibn Isait, ky nëpërmjet Ebu Mutiut, ky nëpërmjet Hammad Ibn Selemas, ky nëpërmjet Ibn Muhazzimit dhe ky nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: «Një delegacion nga fisi Thakif shkoi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të!) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, a shtohet dhe a pakësohet imani?”. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të!) tha: “J0, imani është i plotësuar në zemër. Çdo shtim apo pakësim i tij është mosbesim.”.» Mësuesi ynë Imaduddin Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) është pyetur për këtë hadith dhe ka thënë: «Transmetuesit nga Ebu Lejthi deri tek Ebu Mutiu janë të gjithë të panjohur dhe nuk janë përmendur kurrkund në librat e njohur që kanë regjistruar biografitë e transmetuesve të haditheve. Për sa i përket Ebu Mutiut, emri i tij i plotë është Hakem Ibn Abdillah Ibn Meslema Belhi. Ai është cilësuar si i dobët (për nga besueshmëria e përcjelljes së haditheve) nga Ahmed Ibn Hanbeli, Jahja Ibn Maini, Amër Ibn Ali Fel-lasi, Buhariu, Ebu Daudi, Nisaiu, Ebu Hatim Raziu, Ebu Hatim Muhamed Ibn Hibban Bustiu, Ukajli, Ibn Adiju, Darekutniu etj.. Ndërsa përcjellësi i hadithit nga Ebu Hurejra, Ibn Muhazzimi, emri i tij nuk është shkruar saktë nga shkruesi, sepse në të vërtetë ai quhet Jezid Ibn Sufjan dhe është cilësuar si transmetues me besueshmëri të dobët nga shumë ekspertë të haditheve. Kështu, p.sh., Shuëba Ibn Haxhxhaxhi i ka braktisur transmetimet e tij, kurse Nisaiu ka thënë se ai është i braktisur. Madje, Shuëba e ka akuzuar atë se i trillon hadithet, duke thënë: “Nëse atij i japin dy qindarka, ai mund t’u sajojë shtatëdhjetë hadithe.”.»

Që fetaria dhe imani i një personi mund të jenë të mangëta, e tregon edhe hadithi ku Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të!) i ka përshkruar gratë se e kanë të mangët mendjen dhe fenë (Regjistroi Muslimi 79). Ai ka thënë, gjithashtu:


“Askush nga ju nuk beson, derisa të jem më i dashur për të se fëmijët e tij, prindërit e tij dhe mbarë njerëzimi.” (Regjistruan Buhariu 15, Muslimi 44 dhe Ahmedi 3/207,275,278.) Qëllimi është mohimi i plotësisë së imanit. Hadithet e ngjashme që flasin për pjesëtimin e imanit janë të shumta, si p.sh.: hadithi i degëve të imanit, hadithi i ndërmjetësimit, gjatë të cilit nxirren nga Xhehenemi ata që kanë iman në zemër sa kokrra më e vogël e farës etj..

Pas gjithë këtyre haditheve si mund të thuhet se imani i banorëve të qiellit dhe i atyre të Tokës është i njëjtë, ndërsa dallimi mes tyre u përcaktuaka nga çështje të tjera, përveç imanit?!

 

Referenca: Koment i "Besimit të Tahaviut", f.331-332.

Burimi i Jetës

04.12.2017

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2017 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com