All for Joomla All for Webmasters

Cilësitë e teuhidit

. Posted in Njohuri rreth Akides. Vizita: 1417

Pin It

la ilahe il AllahTeuhidi është gjëja më e ëmbël, më e butë, më delikate, më e pastër dhe më e kthjellët, ndaj duhet ruajtur me shumë kujdes, sepse gjëja më e lehtë mund ta dëmtojë, ta bëjë pis apo të ndikojë në të. Ai është si shembulli i një petku të bardhë, në të cilin njolla më e vogël lë gjurmë, apo si një pasqyrë e pastër, në të cilën gjëja më e vogël lë shenjë në të.

Këto shenja e njolla të cilat mund të bien në teuhid, disa prej tyre bien shpejt, por edhe mënjanohen shpejt, disa bien shpejt, por mënjanohen me vështirësi, disa të tjera bien me vështirësi, por largohen me shpejtësi, ndërsa disa bien me vështirësi dhe largohen me vështirësi.

Mirëpo në anën tjetër merret parasysh edhe niveli i teuhidit tek njeriu, që do të thotë se nëse teuhidi është i fortë, i qëndrueshëm, bën që shumë nga këto gjurmë të zhduken dhe të mos mbetet ndikimi i tyre, po si shembulli i një uji të shumtë, në të cilin një papastërti e vogël nuk lë gjurmë. Ky fakt nuk duhet ta mashtrojë një tjetër, teuhidi i të cilit është i dobët, duke menduar se mund të përballojë atë që përballoi i pari, sepse te ky i fundit e njëjta gjë do të linte gjurmë dhe ndikime. Gjithashtu nëse vendi te personi ku bie papastërtia është shumë i pastër, ai e vëren menjëherë, përkundër një vendi tjetër që nuk është po aq i pastër. I pari e vëren dhe e mënjanon, ndërsa i dyti mund të mos e vër re këtë.

Faktor tjetër është forca e besimit dhe e teuhidit, sepse sa më i fortë të jetë besimi, i pengon lëndët e dëmshme dhe i mund ato, ndryshe nga besimi dhe teuhidi i dobët. Gjithashtu një person që ka depozituar shumë vepra të mira, që humbasin në to ato pak të këqija, tolerohet dhe falet nga Allahu më shumë se një tjetër që ka bërë këto gabime, por që nuk ka aq shumë vepra të mira të depozituara sa i pari. Poeti thotë:

Kur i dashuri bën një mëkat,

vijnë të mirat e tij me një mijë ndërmjetësime

Faktor tjetër është çiltërsia dhe vendosmëria në kërkesë, dëshira e fortë, bindja dhe nënshtrimi, të cilat i frenojnë ngacmuesit e jashtëm dhe ndërhyrësit e panjohur, që cenojnë qëllimin dhe synimin e tij. E kundërta ndodh me gënjeshtrën, nijetin e prishur dhe bindjen e dobët, të cilat i pengojnë fjalët dhe veprat e mira të kryejnë misionin e tyre.

 

Ibn Kajim,"El Feuaid" f.252-253.

Burimi i Jetës

12.12.2017

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2018 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com