All for Joomla All for Webmasters

DILEMAT E ATYRE QË MOHOJNË RINGJALLJEN

. Posted in Njohuri rreth Akides.

Pin It

 

Dilemat e atyre që mohojnë ringjalljen janë tri:

E para:Pjesët e trupit të njeriut përzihen me pjesët e tokës në mënyrë të atillë, saqë është e pamundur të dallohet një njeri nga një tjetër.

E dyta:Allahu nuk ka fuqi ta rikthejë njeriun ashtu siç ishte!

E treta:Ringjallja është diçka e pavlerë. Urtësia e do që ekzistenca dhe vazhdimësia e njeriut në këtë botë të jetë e tillë, ku njerëzit lindin dhe vdesin pambarimisht. Sa herë që ikën një brez vjen një tjetër dhe kështu me radhë pambarimisht, ama të vdesë e gjithë raca njerëzore dhe pastaj të ringjallet përsëri, këtu nuk ka ndonjë urtësi, thonë ata.

 

Në Kuran argumentet për ringjalljen janë tre llojesh:

1. Përsosmëria e dijes së Zotit.

Allahu u përgjigjet njerëzve që mohojnë ringjalljen duke thënë: “Ai na sjell shembull, duke harruar krijimin e vet dhe thotë: Kush do t’i ringjallë eshtrat kur të kalben? Thuaj: Do t’i ringjallë Ai që i krijoi për herë të parë; Ai ka njohuri të plotë për çdo krijesë.” Kurani, 36:78-79. Gjithashtu: “Ora (e Kiametit) do të vijë me siguri, andaj ti (o Muhamed) sillu me zemërgjerësi. Vërtet Zoti yt është Krijuesi Madhështor, i Gjithëdijshmi.” Kurani, 15:85-86. “Ne e dimë sa prej tyre i merr toka...” Kurani, 50:4.

 

2. Plotfuqishmëria e Allahut për të bërë gjithçka.

Allahu i lartësuar thotë: “Po si jo! Ne jemi të Zotë t’ia ribëjmë bashkë me përsosmëri edhe majat e gishtave të tij.” Kurani, 75:4. Po ashtu: “Kjo ndodh (që ta dini) se Allahu është e Vërteta, se Ai i ringjall të vdekurit, se Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.” Kurani, 22:6. Ndërsa duke i përmendur të dyja bashkë, Plotfuqishmërinë dhe Dijen e Tij, Ai thotë: “Vallë, a nuk është Zoti Ai që krijoi qiejt dhe Tokën, t’i rikthejë ato? Po! Ai është Krijuesi i çdo gjëje dhe i Gjithëdijshmi!” Kurani, 36:81.

 

3. Përsosmëria e urtësisë së Tij.

Allahu i lartësuar thotë: “Ne nuk i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre, për t’u zbavitur.” Kurani, 44:38. “Ne nuk e kemi krijuar kot qiellin, Tokën dhe çfarë ndodhet midis tyre.” Kurani, 38:27. “Vallë, a mendon njeriu se do të mbetet pa përgjegjshmëri?” Kurani, 75:36. “Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” Kurani, 23:115. “A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se ne do t’i bëjmë të njëjtë me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jetë e njëjtë? Sa keq që gjykojnë ata!” Kurani, 45:21.

Pra, për këto arsye është e drejtë të thuhet se ringjallja pranohet nga logjika e shoqëruar me tekstet fetare. Përsosmëria e Zotit, e emrave dhe atributeve të Tij, e vërteton ekzistencën e botës tjetër dhe e bën atë një domosdoshmëri. Allahu është i përsosur dhe larg çdo të mete që i veshin mohuesit e Tij, po kështu edhe cilësitë dhe atributet e Tij janë të përkryera dhe aspak të mangëta.

 

Shkëputur nga “El Feuaid” Ibn Kajim el Xheuzije

Burimi Jetës

04.02.2017

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com