All for Joomla All for Webmasters

Poema e besimit (Distiku 2)

. Posted in Poema e besimit.

Pin It

poema besimit kopertinaFjala e autorit :

Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Tij

Përjetësisht i Fuqizuar i Vetëm që në hershmëri

 

      “Dëshmoj” do të thotë njoftoj. Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë  në komentimin e Fjalës së Allahut të Madhëruar: "Allahu ka dëshmuar se s'ka të adhuruar përveç Tij" se “Frazat e përdorura nga selefët për dëshminë, vërtiten rreth fjalëve: gjykim, vendim, sqarim dhe lajmërim.” Të gjitha këto kuptime janë të vërteta dhe nuk bien në kundërshtim ndërmjet tyre, pasi dëshmia përfshin fjalët e dëshmuesit, lajmin dhe thëniet e tij, përmban njoftimin dhe sqarimin e tij. Ajo  ndahet në katër shkallë:

  1.  Dija, njohja për saktësinë dhe vërtetimin e asaj që dëshmohet.
  2.  Ta thotë atë, ta shqiptojë edhe nëse nuk e dinë të tjerët, madje ta thotë atë në vetvete, ta përmend atë, ta shqiptojë ose ta shkruajë atë.
  3.  Të njoftojë të tjerët për atë që dëshmon, t’i lajmërojë ata dhe t’ua sqarojë atyre.
  4.  T'i detyrojë të tjerët në përmbajtjen e saj dhe t'i urdhërojë të tjerët me të.

Pastaj ka thënë se shkalla e dijes të cilën dëshmia e përmban është e domosdoshme, sepse  në rast të kundërt personi dëshmon për atë që nuk ka dije. Allahu i Madhëruar thotë: “Përveç atyre që dëshmuan në të vërtetën e që e dininZuhruf-86. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë për atë që dëshiron të dëshmojë: “Si shembulli i atij, dëshmo!” dhe tregoi me shenjë nga dielli. Transmeton Tirmidhiu.

      Shkalla e të folurit dhe e lajmërimit. Çdokush që flet dhe lajmëron për diçka, ka dëshmuar për atë edhe pse nuk e ka shqiptuar fjalën “dëshmi”. Allahu i Madhëruar thotë: “E i quajtën engjëjt, adhuruesit e Mëshiruesit, femra. A ishin të pranishëm ata në krijimin e tyre? Dëshmia e tyre do të regjistrohet dhe ata do të merren në pyetje”. Zuhruf 19. Pra, Allahu e ka konsideruar fjalën e tyre dëshmi edhe pse ata nuk e kanë përdorur fjalën dëshmi.

      Shkalla e njoftimit dhe informimit ndahet në dy lloje: njoftim me fjalë dhe njoftim me vepra. Kjo duhet të jetë edhe  metoda e çdo mësimdhënësi, njëherë e shpjegon me fjalë dhe një herë e ilustron me shembuj…”

Shkëputur nga libri “Medarixhus-salikijn” vëll. I,  f. 332.

     

      Fjala e autorit “Nuk ka zot tjetër veç Tij” duhej thënë “S’ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij”, sepse vetëm pohimi i teuhidit rrububijeh nuk e fut njeriun në Islam. Allahu i Madhëruar i ka dërguar profetët e Tij, si dhe i ka zbritur librat e Tij, për t’u adhuruar i Vetëm pa i shoqëruar Atij askënd. E ky është njësimi i adhurimit, njësimi me anë të veprave. Ndërsa për njësimin rrububije nuk ka obligime e as vepra në të. Vetë Allahu i ka krijuar krijesat e Tij në një instinkt të tillë, siç e ka urdhëruar profetin e Tij që t’i pyesë idhujtarët: “Thuaj: Kush është Zoti i qiejve dhe Zoti i Arshit të Madh? Ata do të thonë Allahu! Thuaju: E pse nuk frikësoheni pra?Muminun 86-87. Gjithashtu Allahu i Madhëruar thotë: “E nëse do ti pyesësh ata: kush i ka krijuar qiejt dhe tokën? Do të thonë Allahu…Llukman 25. Kjo tregon se pranimi i rrububijes nuk e fut personin në islam.

Dijetari islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Qëllimi me njësimin nuk është thjesht njësimi rrububije që do të thotë, të besuarit se Allahu i Vetëm është Krijuesi i botës siç e mendojnë këtë ehlu-lkelami dhe sufistët, kështu ata mendojnë se duke vërtetuar këtë me argument kanë (vërtetuar) arritur kulmin e besimit. Nëse personi pranon atë që meriton Zoti prej cilësive dhe i largon Atij çdo të metë që Ai ia ka larguar Vetes së Tij, e pranon se Ai i Vetëm është Krijues i çdo gjëje, nuk është njësues deri sa të dëshmojë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut të Vetëm. Pra të pohojë se Allahu i Vetëm është i Adhuruari që e meriton të adhurohet dhe që kërkon  një adhurim të vetëm dhe pa i shoqëruar Atij asgjë. Termi “el ilah” do të thotë i adhuruar që meriton adhurimin dhe nuk do të thotë i aftë për të krijuar…"Fet’hul Mexhijd"  f. 16.

Qëllimi është se njohja e Zotit është e krijuar dhe instinktive, ndërsa pohimi që kërkohet është pohimi i adhurimit, e siç përmendëm, adhurimi është një term që përmbledh çdo vepër të dukshme apo të fshehtë të cilën e do dhe me të kënaqet Allahu. Këto vepra ndahen në vepra të zemrës, gjuhës dhe gjymtyrëve, siç ka thënë Ibnul Kajimi (Allahu e mëshiroftë!): “Adhurimi mbështetet mbi 15 rregulla. Kush i plotëson ato ka plotësuar shkallët e adhurimit. Për ta sqaruar këtë themi se adhurimi ndahet në vepra të zemrës, gjuhës dhe gjymtyrëve. Gjithashtu adhurimi ka pesë dispozita për gjykimin e veprave: obligim, e ndaluar,  e pëlqyeshme, e papëlqyeshme dhe e lejuar, ku çdonjëra prej tyre ka të bëjë me zemrën, gjuhën dhe gjymtyrët”.

"Fet'hul mexhijd" f. 17.

 

      Fjala e autorit “Përjetësisht i Fuqizuar, i Vetëm që në hershmëri

 

      “Fuqizohet” do të thotë Vetëmbahet nga kjo ka ardhur dhe emri i Tij “Fuqiplotë” që ka kuptimin “i Vetëekzistueshëm” që nuk ka nevojë për askënd.

      “Në hershmëri” do të thotë që në “përjetësi”. Kështu, kuptimi i saj është se Allahu i Madhëruar është cilësuar që në përjetësi me qëndrueshmëri dhe me të gjitha cilësitë e Tij të plota dhe mosekzistenca e tyre është mangësi. Gjithashtu Allahu i Madhëruar është i Pastër nga të gjitha mangësitë dhe i Vetëm, si i tillë, askush nuk e shoqëron Atë në gjithça që i takon vetëm Atij.

Me këtë autori ka filluar të sqarojë çështjen e Emrave dhe Cilësive të Allahut të Madhëruar, ndërsa ne duke iu lutur Allahut të na japë sukses do të sqarojmë në përgjithësi akiden e pasuesve të sunetit në lidhje me këtë çështje.

Baza  e akides së tyre është: pohimi i asaj që ka pohuar Allahu për Vetveten në librin e Tij, apo të asaj që ka pohuar i dërguari i Tij për Të, duke mos i përngjasuar dhe përshkruar ato, si edhe mohimi i gjithçaje të cilën Allahu e ka mohuar për Vetveten, apo çdo gjëje që ka mohuar i dërguari i  Tij për Të, duke mos i deformuar dhe i ndryshuar ato. Pra, besimi i tyre është pohim pa përngjasim e pa përshkrim dhe mohim pa deformim e pa ndryshim.

Fjala deformim (ta’til) në gjuhë ka kuptimin zbrazje, boshatisje, siç është fjala e Allahut të Madhëruar “…dhe pus i boshatisur”, domethënë i zbrazët, pa ujë dhe pavlerë. Apo siç është fjala e bidatçinjve që kur u thuhet atyre: Allahu është i Ditur, thonë: Allahu nuk është i paditur. Ndërsa ndryshimi (tahrif) është animi i Emrave dhe Cilësive të Allahut nga kuptimet e tyre reale në kuptime të tjera, që nuk kuptohen vetëm se me argumente, si keqinterpretimi i Dorës në fuqi. Ndërsa përngjasimi (teshbih) është të krahasohet Allahu me krijesat e Tij, siç kanë vepruar disa bidatçinj duke e krahasuar me një person të ulur mbi fron, larg të metave qoftë Ai. Përshkrimi (tekjif) është që t’i përshkruash Allahut mënyrë ose formë, dhe qëllimi nuk është se Ai nuk ka formë, por të largohemi nga përfytyrimi sepse imagjinata jonë nuk e arrin një gjë të tillë.

Të parët tanë të ndershëm besojnë se çdo lloj përngjasimi, përshkrimi, deformimi, dhe ndryshimi konsiderohet mohim në Emrat dhe Cilësitë e Allahut. Allahu i Madhëruar thotë:

Allahu ka Emrat më të bukur, prandaj luteni Atë me to, e largohuni prej atyre që bëjnë shtrembërime (mohojnë) në Emrat e Tij. Ata do të shpërblehen për atë që vepruanAraf 180.

Kjo tregon se njerëzit ndahen në dy lloje: vërtetues dhe mohues. Vërtetues janë ata të cilët pohojnë Emrat dhe Cilësitë ashtu siç Allahu ka përshkruar me to Vetveten, duke mos e përngjasuar Atë dhe duke mos i deformuar ato nga kuptimi i tyre.

Ndërsa mohuesit janë ose përngjasues ose deformues.

Akidja e selefëve bazohet në Fjalën e Allahut të Madhëruar:

Asgjë nuk është i ngjashëm me Të. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.Shura-11.

duke pohuar kështu Cilësitë e Tij dhe mohuar përngjasimin me çdo krijesë. Nga ky ajet ata kanë nxjerrë dy rregulla të rëndësishme:

E para: Të folurit për Cilësitë është i njejtë me të folurit për Qenien. Kjo do të thotë se çdo kush që i pohon Allahut një Qenie të Shenjtë, e cila nuk i përngjason asnjë qenie tjetër, duhet që t’i pohojë Atij edhe Cilësi të shenjta që nuk u përngjasojnë cilësive të krijesave, sepse qenia njihet vetëm nëpërmjet cilësive.

E dyta: Pohimi i disa Cilësive, kërkon pohimin e Cilësive të tjera në të njëjtën mënyrë. Pra, ashtu siç Allahu i Madhëruar nuk ka shembull të ngjashëm në Dijen e Tij, Aftësinë e Tij, Dëshirën e Tij, po ashtu nuk ka shembull të ngjashëm as edhe në Zemërimin e Tij, Zbritjen e Tij apo në Ardhjen e Tij, etj.

 

Autor: Taha Shejbani

Komentoi: Husein es Serraxh

Burimi i Jetës - 2007

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com