All for Joomla All for Webmasters

Poema e besimit (Distiku 4)

. Posted in Poema e besimit.

Pin It

poema besimit kopertinaFjala e autorit :

Dëgjues, Shikues, i Gjithëditur e Folës

I Plotfuqishëm t’i kthejë botrat, siç qe dhe Krijonjës

 

      Fjala e tij “Dëgjues, Shikues” pohon dy Cilësi të Allahut të Madhëruar: Dëgjimin dhe Shikimin. Përsa i përket Dëgjimit, Allahu i Madhëruar i përfshin të gjitha zërat duke i dalluar me dije dhe saktësi. Kjo tregon se Allahu i Madhëruar i dëgjon të gjitha zërat në mënyrë të plotë e gjithëpërfshirëse. Ai dëgjon lavdërimin e mbajtësve të Arshit, lavdërimin e engjëjve të qiellit, lavdërimin e të gjithë njerëzve dhe xhindëve si dhe të gjithë krijesave, pavarësisht nga ndryshimi i zërave, gjuhëve apo dialekteve të tyre. I dëgjon të gjithë në një çast të vetëm, pa iu përzier Atij zëri me zërin, apo gjuha me gjuhën tjetër.

Dëgjimi i Tij i ka përfshirë të gjitha qeniet, siç ka thënë Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!): Falenderimi i takon Allahut, i Cili përfshin me Dëgjimin e Tij të gjitha qeniet. Pasha Allahun erdhi dialoguesja (Haule bint Thalebeh) të bisedojë me Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për çështjen e burrit të saj (Eus bin Samit). Pasha Zotin unë isha në një qoshe të shtëpisë dhe nuk e dija se ç’po i thoshte. Atëherë Allahu i Madhëruar shpalli që nga sipër shtatë qiejve: “Vërtet, Allahu i dëgjoi fjalët e asaj, e cila bisedoi me ty lidhur me burrin e vet, që u ankua te Allahu, prandaj Allahu e dëgjon bisedën tuaj, Allahu është Dëgjues, Shikues (Vështrues).” Muxhadele 1. Transmetoi Buhariu.

      Ndërsa, përsa i përket Shikimit, Allahu i Madhëruar përfshin me të, të gjitha gjërat e vëzhgueshme, persona apo ngjyra qofshin ato, sado larg apo të imëta qofshin ato. Tek Ai nuk ndikon asnjë pengesë apo perde. Ai i shikon ato nga të gjitha anët në mënyrë të plotë e gjithëpërfshirëse. Në shumë raste, në Kuran këto dy cilësi përmenden bashkë, për të pohuar gjithpërfshirjen, siç thotë Allahu i Madhëruar:

 

“Askush dhe asgjë nuk është si Ai. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” Shura 11.

 

“Vërtet, Allahu i dëgjoi fjalët e asaj, e cila bisedoi me ty lidhur me burrin e vet, që u ankua te Allahu, prandaj Allahu e dëgjon bisedën tuaj, Allahu është Dëgjues, Shikues (Vështrues).” Muxhadele 1.

Gjithashtu dhe Fjala e Tij drejtuar Musait dhe Harunit:

 

“Ai (Allahu) tha: “Mos u frikësoni se Unë jam me ju (me Ndihmën Time), Dëgjoj dhe Shikoj.” Ta Ha 46.

Po ashtu edhe Fjala e Tij:

“Allahu ju urdhëron që t’u jepni amanetin të zotëve të tyre, dhe kur të gjykoni, të gjykoni me drejtësi mes njerëzve. Sa e mirë është kjo që ju këshillon! Allahu Dëgjon dhe Shikon çfarë veproni.” Nisa 58.

Ebu Davudi transmeton nga Ebu Hurejrja se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e lexoi këtë ajet dhe kur mbërriti tek Fjala e Allahut të Madhëruar: “Allahu Dëgjon dhe Shikon çfarë veproni” vendosi gishtin e madh te veshi dhe gishtin tregues te syri.

Këtë Profeti e ka bërë për të pohuar këto dy cilësi. Vërtet që Allahu i Madhëriur i ka përçmuar “zotat” e idhujtarëve (politeistëve) ngaqë ata as nuk dëgjojnë e as nuk shikojnë. Allahu i Madhëruar ka thënë:

“A kanë ata (idhujt) këmbë të ecin me to, a kanë duar të rrëmbejnë me to, a kanë sy të shohin me to, a kanë vesh të dëgjojnë me to?…” Araf 195.

Ashtu si edhe Ibrahimi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka vënë në dukje mangësitë e “zotave” të idhujtarëve për shkak të mosdëgjimit të tyre. Allahu i Madhëruar thotë:

“Lexoju atyre ngjarjen e Ibrahimit kur i tha babit të vet dhe popullit të tij: “Çfarë jeni duke adhuruar?” Ata i thanë: “Adhurojmë idhujt, vazhdimisht u jemi besnik atyre!” Ai tha: “A ju dëgjojnë ata juve kur u luteni?” ose “A ju sjellin dobi juve apo dëm?…” Shuara 69-73.

Allahu i shkatërroftë gjymtuesit (muatilët) të cilët i deformuan Cilësitë e Allahut të Madhëruar. Allahu i ka përçmuar idhujtarët ngaqë idhujt e tyre nuk i zotëronin këto cilësi.

      Në fjalën e tij “i Gjithëditur” pohohet Cilësia e Diturisë, me të cilën arrihen të gjitha njohuritë ashtu siç janë, pa u ndryshuar.

Allahu i Madhëruar thotë:

“…Ai është i Gjithëdijshmi, i Urti.” Tahrim 2.

“…Më tregoi i Gjithëdijshmi, Njohësi i të fshehtave.” Tahrim 3.

“…Ai e di ç'futet në Tokë dhe ç'del prej saj, ç'zbret prej qiellit dhe ç'ngjitet në të,…” Hadid 4.

“Çelësat e fshehtësisë janë vetëm tek Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di askush veç Tij. Ai e di çka ka në Tokë dhe në det, Ai e di për çdo gjethe që bie dhe s’ka kokërr në thellësi të tokes, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë që nuk është në librin e qartë.” En Am 59.

      Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Çelësat e fshehtësisë janë pesë dhe askush përveç Allahut nuk i di ata”, pastaj lexoi Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Ska dyshim se vetëm Allahu e di kur do të ndodhë kiameti, Ai e di kur e lëshon shiun, Ai e di se ç’ka në mitra. Askush nuk e di përveç Tij se çfarë do t'i ndodhë nesër, dhe askush nuk e di, përveç Tij, se në ç’vend do të vdesë. Allahu është më i Dijshmi, më i Njohuri.” Llukman 34.

      Në fjalën e tij “Folës” pohohet Cilësia e të Folurit, pasi Allahu i Madhëruar, Flet me Fjalë reale siç tha Allahu i Madhëruar:

 

“… e Musait i Foli Allahu me Fjalë” Nisa 164.

 

“E kur Musai erdhi në kohën që i caktuam, i Foli Zoti i Vet…” Araf 143.

      Interpretimi i muatilëve (shtrembërueseve të kuptimeve të Cilësive të Allahut) se ajo që i foli Musait ishte pema dhe jo Allahu i Madhëruar, është interpretim i gabuar, pasi Allahu thotë në Kuran:

 

“Dhe kur arriti tek ai (zjarri) nga ana e djathtë e luginës së atij vendi të bekuar me pemë, u thirr: ‘O Musa, ska dyshim se Unë jam Allahu, Zoti i botëve.” Kasas 30.

Pra është e pamundur që pema të thotë Unë jam Allahu.

       Gjithashtu edhe skolastikët (ehlul-kelam) kanë gabuar në mendimin e tyre, se  Fjala e Zotit të Madhëruar është e folur (fjalë) në vetvete. Për këtë ata argumentohen se nëse i pohojmë Allahut të Madhëruar zë e kemi përngjasuar Atë me krijesat. Argumentimi i tyre është i pabazë, sepse pohimi i zërit nuk përmban krahasim, pasi Allahut të Madhëruar nuk i përngjan asgjë. Allahu i  Madhëruar ka thënë:

“… Zoti i tyre i thirri: A nuk ua ndalova ju dyve atë pemë?…” Araf 22.

Kjo tregon se thirrja nuk realizohet, veçse me zë të dëgjueshëm. Siç ka ardhur në një hadith të nxjerrë nga imam Ahmedi dhe Taberaniu nga Abdullah ibn Enes i cili thotë: kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) duke thënë: “Do t'i ringjallë Allahu njerëzit të zhveshur dhe të pabërë synet dhe do t'i thërrasë ata me zë, ku ata që ndodhen larg do ta dëgjojnë ashtu si ata që janë afër: Unë jam Mbreti Unë jam Mbisunduesi. ”

Për të hedhur poshtë  fjalën e bidatçinjve mjafton poshtërimi që Allahu i Madhëruar i ka bërë Beni Israilëve, kur morën si zot atë që as nuk fliste dhe as i drejtonte në ndonjë rrugë, duke thënë:

“Në mungesë të tij, (pas vajtjes në Tur për të marrë Teuratin) Populli i Musait bëri nga stolitë e veta një trup viçi (për ta adhuruar atë). Ai kishte britmë (sikur pallte). A nuk e shihnin ata se ai nuk ju fliste as nuk i udhëzonte në ndonjë rrugë të drejtë. E morën atë (viçin si idhull), e ishin të padrejtë (ndaj vetes së tyre).” Araf 148.

      Në fjalën e tij: “I Plotfuqishëm t’i kthejë botrat, siç qe dhe Krijonjës” pohohet Cilësia e Fuqisë. Allahu i Madhëruar thotë:

 

“…Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.” Bekare 20.

Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “E di se Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë dhe se Allahu e ka përfshirë çdo gjë me Diturinë e Tij.”

Transmeton Ibn Sunnij siç ka ardhur në librin e lutjeve.

Në këtë hadith ka kundërpërgjigje për mohuesit e ringjalljes. Allahu i Madhëruar thotë: "Ashtu siç e filluam krijimin e parë, ashtu do ta rikthejmë atë." Për këtë çështje do të  flasim më vonë.

 

Autor: Taha Shejbani

Komentoi: Husein es Serraxh

Burimi i Jetës - 2007

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com