All for Joomla All for Webmasters

Poema e besimit (Distiku 42)

. Posted in Poema e besimit.

Pin It

Fjala e autorit:

Përveç idhujtarisë çdo mëkat atij që do ia fal Zoti im

Dhe çdo besimtar nga një mohues do të ketë si flijim

 

     Allahu i Madhëruar ka thënë:

“S'ka dyshim se Allahu nuk e fal t’i përshkruhet Atij shok, e përveç këtij (mëkati) i fal kujt do. Kush i përshkruan Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.” Nisa 48.

Gjithashtu thotë:

“ Është e vërtetë se Allahu nuk fal t’i bëhet Atij shok, e përveç këtij (mëkati), të tjerat ia fal atij që dëshiron. Ai që i përshkruan shok Allahut, ai e ka humbur rrugën tepër larg.” Nisa 116.

     Në librin e saktë të Buhariut tregohet nga Ubade ibnu Samiti (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Më jepni besën se nuk do t’i përshkruani Allahut shok, nuk do të vidhni, nuk do të bëni imoralitet, nuk do t’i vrisni fëmijët tuaj, nuk do të shpifni duke trilluar me qëllim gënjeshtrën (duke i bërë të paligjshëm fëmijët që u përkasin bashkëshorteve të tyre) dhe se nuk do të më kundërshtoni mua në punë të mira. Kush e prish besën me çka do qoftë nga këto do të jetë i ndëshkuar në këtë botë, e që kjo do t’i shërbejë atij si shpagim për mëkatet. Ndërsa ai që shkel diçka nga këto dhe Allahu ia fsheh (ia mbulon këtë gabim), atëherë kjo çështje i takon Allahut, nëse dëshiron e fal dhe nëse dëshiron e ndëshkon.

Ibën Xheriri (Allahu e mëshiroftë!) thotë se Neueuiu ka thënë: “Përgjithshmëria e këtij hadithi veçohet18 me fjalën e Allahut të Madhëruar: “S’ka dyshim se Allahu nuk e fal t’i bëhet Atij shok…”  sepse nëse dezertuesi (lënësi i fesë) vritet për dezertimin e tij, atëherë kjo vrasje nuk është shpagim për të (nga mëkatet). Kurse unë them se ky hadith bazohet në atë se fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) : “Me çka do qoftë nga këto” përfshin të gjitha ato që u përmendën (në hadith) dhe kjo është e qartë.”

Gjithashtu është thënë: “Mundet që qëllimi të jetë për mëkatet që u përmendën pas idhujtarisë. Në këtë kontekst, fjalimi u drejtohet muslimanëve dhe nuk futet derisa të ketë nevojë për nxjerrjen e tij. Këtë e mbëshet transmetimi i Muslimit: “E ai ndaj të cilit zbatohet ligji (dënimi i caktuar nga sheriati)…” "Fet'h" vëll. I, f. 84.

E rëndësishme është, se vepruesit e mëkateve janë nën Dëshirën dhe Vullnetin e Allahut të Madhëruar dhe jo siç thonë kërcënuesit prej hauarixhëve dhe mutezilëve se është e obligueshme që Allahu i Madhëruar të zbatojë kërcënimin dhe se kush futet në zjarr (xhehenem), nuk do të dalë prej tij. Kështu, ata me këtë pretendim të kotë dhe të pasaktë të tyre, i mohuan të gjitha hadithet e ndërmjetësimit. Pretendim i pasaktë është edhe ai i murxhive, të cilët thonë se besimin nuk e dëmton mëkati dhe Allahu i Madhëruar fal kë të dojë me Mirësinë e Tij, dhe ndëshkon kë të dojë me Drejtësinë e Tij.

  Ndërsa fjalën e autorit: “Dhe çdo besimtar nga një mohues do të ketë si flijim", e argumenton edhe hadithi të cilin e ka transmetuar imam Muslimi nga Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili ka thënë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur të bëhet Kiameti, Allahu për çdo musliman e shpaguan me një hebre apo një të krishter dhe atij i thotë: “Ky është liruesi yt nga zjarri.”  Imam Neueuiu (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kuptimi i asaj që ka ardhur në hadithin e Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se për secilin prej jush është ndërtuar një vend në xhenet dhe një vend në xhehenem, do të thotë se besimtari kur futet në xhenet ia zëvendëson vendin atij në xhehenem mosbesimtari, sepse ai e meriton atë për shkak të mohimit (mosbesimit) të tij.” Me kuptimin e hadithit të mësipërm shpjegohet edhe domethënia e fjalës së autorit “do të ketë si flijim” pasi besimtarit ishte  përcaktuar vendi në zjarr dhe jobesimtari është liruesi i tij, sepse Zoti i Madhëruar krijoi për në zjarr një numër të caktuar që do ta mbushë me ta xhehenemin. Pra, hyrja e jobesimtarëve në zjarr për shkak të mëkateve dhe mohimit të tyre, bëhet edhe lirues i muslimanëve nga zjarri. Zoti e di më së miri.

"Rijadu Salihin" f. 212.

Për këtë mund të argumentohemi edhe me hadithin që gjendet në dy përmbledhjet e sakta të haditheve, të transmetuar nga Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Në Ditën e Kiametit Allahu i Madhëruar do t'i thotë Ademit: “O Adem!” Ai i thotë: “Si urdhëroni, lumturia dhe mirësia janë në Dorën Tënde.” Ai thotë: “Çohu dhe nxirre grupin e zjarit!” Ai thotë: “Ç’është grupi i zjarrit o Zot?” I thotë: “Për çdo njëmijë, nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë vetë, duke lënë vetëm një.” Ky është momenti kur do të plaket fëmija, kur çdo shtatzënë e hedh barrën e saj dhe kur ti i, sheh njerëzit si të pirë, por ata nuk janë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër. Tha: "Njerëzve (që ishin aty prej shokëve të Profeti), nuk u erdhi mirë dhe thanë: “O i Dërguari i Allahut! Për çdo njëmijë, nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë dhe mbetet vetëm një?! E kush prej nesh është ai i vetmi (që do të shpëtojë)?! I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit, doli te ta dhe tha: “Përgëzohuni, se nga jexhuxhët dhe maxhuxhët janë njëmijë, e nga ju një.”

Autor: Taha Shejbani

Komentoi: Husein es Serraxh

Burimi i Jetës - 2007

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com