All for Joomla All for Webmasters

Poema e besimit (Distiku 43)

. Posted in Poema e besimit.

Pin It

Fjala e autorit:

Nuk do të mbesë në zjarrin e skëterrës asnjë monoteist

Dhe sikur të ketë vrarë njeriun e ndaluar qëllimisht

Në hadithin të cilin e ka nxjerrë Tirmidhiu nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tregohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu i madhëruar thotë: “Nxirreni nga zjarri atë që më ka njësuar Mua dhe më është frikësuar në ndonjë vend!” Kurse në dy përmbledhjet e sakta të haditheve, transmeton Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Do të dalë nga zjarri ai që thotë se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut.”

Për fjalën e autorit: “Dhe sikur të ketë vrarë njeriun e ndaluar qëllimisht”, pasuesit e sunetit janë të mendimit se monoteistët (njësuesit e Zotit) nuk do të jenë përherë në zjarr. Qëndrimi i përhershëm në zjarr nuk do të jetë për askënd, përveç jobesimtarëve të cilët mohuan njësinë e Allahut (që Allahu është Një e i Vetëm) dhe përgënjeshtruan atë me të cilën erdhën të dërguarit e Tij. I Lartmadhëruari ka thënë:

“Ata që mohuan dhe përgënjeshtruan argumentet Tona, ata janë banues të zjarrit.” Maide 86. Hazini në komentin e tij të Kuranit ka thënë: “Ky ajet është citat i prerë dhe tregon se të qëndruarit e përhershëm në xhehenem, nuk do të jetë për askënd përveç jobesimtarëve, sepse shoqëria kërkon lidhjen e ngushtë (të jesh i pandashëm), ashtu siç thuhet se filani është shok me filanin, domethënë ka lidhje të ngushta me të.”

 

"Lubabu Tauijl",vëll .I, f.438 shkëputur nga “Akidetul Islamijeh” të Azuziut, f. 350.


Përsa i përket përhershmërisë që është deklaruar në disa tekste për disa  nga mëkatarët, si: vrasësi me paramendim, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Kush vret një besimtar me qëllim, dënimi i tij është xhehenemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë…” Nisa 93. Për gjykimin e kësaj çështjeje dijetarët kanë rënë në kundërshtim. Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Për të nuk ka pendim (teube)!" Ai e ka marrë në konsideratë ajetin nga pamja e tij e jashtme.

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se qëndrimi i përhershëm në xhehenem është për atë i cili nuk pendohet, sepse nëse ai pendohet, Allahu do t’ia pranojë atij pendimin, duke u argumentuar në fjalën e Allahut të Madhëruar:

 “Edhe ata që përveç Allahut, nuk  i luten ndonjë zoti tjetër, nuk vrasin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, nuk bëjnë imoralitet; ndërsa kush i punon këto, ai e gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi Ditën e Kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë. Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai fal shumë.”  Furkan 68-70.

 Gjithashtu, për personin në këtë gjendje është thënë se nëse pendohet, ai është në dëshirën e Allahut të Madhëruar. Për këtë Ebu Hurejra është shprehur: “Shpërblimi i tij, nëse ai do të shpërblehet.” Atëhërë atë mund ta kapë Mëshira e Mëshiruesit të mëshiruesve, ose ndonjë punë e mirë apo të mirat e tij ia shlyejnë të këqijat. Nëse nuk do ta përfshijë mëshira e Zotit dhe futet në zjarr, ai nuk do të qëndrojë në të pambarim, sepse përhershmëria mund të jetë qëllimi i një qëndrimi të gjatë. Arabët thonë: “E burgosa filanin me burgim të përjetshëm, ku as filani, as burgu nuk do të jenë të përhershëm.” (Shih tefsirin e Kurtubit dhe të Ibn Kethirit) 

Autor: Taha Shejbani

Komentoi: Husein es Serraxh

Burimi i Jetës - 2007

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com