All for Joomla All for Webmasters

Poema e besimit (Distiku 66)

. Posted in Poema e besimit.

Pin It

Fjala e autorit:

Besimtar është ai që të gjitha këto i ka besuar

Kush devijon nga kjo, vetëm se ka kundërshtuar

Kjo do të thotë se ai që beson këtë që e përmendëm, ai është besimtar me të cilin duhet të përforcojmë vëllazërinë islame e kush devijon nga ajo (çka përmendëm), ai ose devijon duke e tepruar ose duke lënë mangët. Që të dyja këto çështje janë të qortuara. Devijimi është dalja nga rruga, ndërsa tejkalimi është të kaluarit e kufirit në këtë dalje (nga rruga), ndërsa kundërshtimi është mosbindja dhe mos nënshtrimi. Allahu i Madhëruar ka thënë: "Ti (Muhamed) përqëndrohu vendosmërisht ashtu siç je i urdhëruar, e bashkë me ty edhe ata që u penduan (prej idhujtarisë), e mos tejkaloni (kufijtë e caktuar), se me të vërtetë ai është Shikues i asaj që veproni. Dhe mos anoni nga ata që bënë zullum, e për atë shkak t'ju kapë zjarri, sepse përveç Allahut nuk keni ndonjë mbrojtës, e mbeteni të pandihmuar." Hud 112-113. Dijetarët për këtë kanë thënë se metoda e ehli sunetit është e mesme, ndërmjet të tepruarit dhe të lënurit mangët, si dhe ndërmjet mospërmbajtjes dhe neglizhencës. Ehli suneti nuk ka  as tejkalim, as kalim të kufiri, as anim nga ndonjë çështje dhe as lënie pas dore (mangët) të asaj çështje. Ata në kapitullin e emrave dhe cilësive të Allahut të Madhëruar janë të mesëm, ndërmjet gjymtuesve (muatilëve) të cilët i përgënjeshtruan ajetet e Allahut dhe Cilësitë e Tij dhe e mohuan realitetin e asaj me të cilën Allahu e cilësoi me të Veten e Tij, derisa e përngjasuan atë me mosekzistencat dhe me gjërat e ngurta dhe ndërmjet krahasuesve, të cilët sollën për Të (Allahun) shembuj, duke e përngjasuar Atë me krijesat. Ehli suneti i ka pohuar Allahut të Madhëruar gjithçka që kanë treguar citatet e Kuranit dhe hadithit, për pohimin (vërtetimin) e Tij (Allahut të Madhëruar) dhe e kanë mohuar çdo gjë që citatet kanë treguar për mohimin e saj. Ata i kanë pohuar Allahut Emrat e bukur dhe Cilësitë e larta dhe i kanë mohuar (Atij) shqyrtimin (e tyre) si e qysh dhe krahasimin e përngjasimin (e tij) me krijesat. Atëherë, kemi pohim pa krahasim dhe përngjasim dhe mohim pa gjymtim. Ata janë më të veçuarit dhe më të lumturit e njerëzve me Fjalën e Allahut të Madhëruar: "Askush dhe asgjë nuk është si Ai. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi." Shura 11. Ndërsa në kapitullin e përcaktimit të Zotit (kaderit), ata janë të mesëm ndërmjet përgënjeshtruesve në Fuqinë e Allahut të Madhëruar dhe gjithpërfshirjen e Diturisë së Tij, Vullnetit dhe Krijimit të tij dhe ndërmjet xhebrijve (rrënuesve të fesë së Allahut të Madhëruar) të cilët e mohuan vullnetin e robit, zgjedhjen, fuqinë e veprimin e tij, derisa arritën në pozitën e idhujtarëve (u bënë sikurse idhujtarët) të cilët thanë: "...sikur të donte Allahu nuk do t'i bënim shok (nuk do të ishim idhujtarë) as ne, as prindërit tanë, e as nuk do të ndalonim asnjë send..." E'nam 148. Ehli Suneti e ka pohuar Diturinë e hershme të Allahut, Gjithpërfshirjen e Dëshirës, Vullnetit, dhe Krijimin e Tij në çdo gjë, prej tyre veprat e njerëzve, siç kanë pohuar se njeriu ka vullnet, zgjedhje, fuqi dhe punë, mbi të cilat renditet shpërblimi ose ndëshkimi, dhe Allahu është i Gjithëditur, i Urtë. Ndërsa në kapitullin e Emrave, dispozitave, premtimit dhe kërcënimit, ata janë mesatarë, ndërmjet kërcënuesve (el ueidijeh) të cilët e quajtën pabesimtarë (mohues) vetëm me kryerjen e një gjynahu të madh, duke i bërë ata të përhershëm në zjarr, duke i nxjerrë ata plotësisht nga imani dhe duke ua ndaluar atyre shefatin (ndërmjetësimin), dhe ndërmjet murxhive të cilët thanë se: "Imani i të prishurve (i atyre që janë dhënë pas epsheve) dhe imani i profetëve dhe i njerëzve të mirë (salihinëve) është një (i barabartë). Ehli suneti ka thënë: "Besimi ka rrënjë dhe degë, shtohet me bindje dhe pakësohet me kundërshtime, sikurse ka thënë Allahu i Madhëruar: "...Kur u lexohen ajetet e Tij (Allahut) atyre (besimtarëve ) u shtohet besimi..." En'fal 2. Gjithashtu i Lartësuari thotë: "...E atyre që besuan t'u shtohet edhe më besimi..." Mudethir 31. Përsa i përket sahabëve ata janë mesatarë, ndërmjet tepruesve prej shi’itëve24 të cilët  e shenjtëruan (ehlul bejt) pjesëtarët e familjes së Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe raportuan për ta imamatin (udhëheqjen) dhe pagabueshmërinë, por disa prej tyre pretenduan edhe hyjninë e Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), dhe ndërmjet hauarixhëve (që i kanë shoqëruar në këtë çështje shi’itët dhe që nuk marrin pjesë në shenjtërimin e familjes së Profetit) të cilët ishin dashakeqës dhe armiqësorë ndaj të gjithë sahabëve, kur i akuzuan ata duke i quajtur pabesimtarë (femohues)...Ehli Suneti ka thënë: "Sahabët janë më të mirët e këtij umeti pas Profetit të tyre (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe janë konkurues në vlerat e tyre. Më të lartët e tyre në vlera janë  katër halifët e drejtë, pastaj pjesa tjetër e dhjetë të përgëzuarve me xhenet dhe nuk besojnë se ata janë të pagabueshëm. Ehli suneti e mbajnë veten për grindjen që ndodhi ndërmjet tyre dhe thanë: "...Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që para nesh u paisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona asnjë urrejtjeje ndaj atyre që besuan..." Hashër 10.

"Menhexhul istidlal ala mesailil itikad" f.47-48. 

Autor: Taha Shejbani

Komentoi: Husein es Serraxh

Burimi i Jetës - 2007

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com