All for Joomla All for Webmasters

EMRAT E BUKUR TË ALLAHUT

. Posted in Koment i Emrave te Allahut.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

"O ju që keni besuar, kini frikë Allahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni vetëm se duke qenë muslimanë!" Ali imran, 102.

"O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se Allahu është Mbikëqyrës mbi ju." Nisa, 1.

"O ju besimtarë, kini frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta. Ai (Allahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh." Ahzab, 70-71.

Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit salallahu alejhi ue selem. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.

Rëndësia e temës “Emrat e bukur”

Nuk ka dyshim se dituria mbi Allahun, Emrat dhe Cilësitë e Tij është një prej diturive më të ndershme dhe më të vlefshme në përgjithësi, pasi nderi dhe vlera e diturisë është në bazë të vlerës së asaj që studiohet, e Ai që studiohet në këtë shkencë është Allahu i Lartësuar, Emrat, Cilësitë dhe veprat e Tij. Ndaj të marrurit me të kuptuarit e kësaj shkence, është nga gjërat e lartësuara dhe të mësuarit e arritja deri tek ajo, është prej gjërave më të ndershme që mund t’i jepet njeriut.

Njohja e Allahut na udhëzon në dashurinë ndaj Tij, frika, shpresa ndaj Tij, na mëson në mbikëqyrjen e Tij dhe të vepruarit me sinqeritet çdo vepër për Të. E, s’ka dyshim se kjo është lumturia e njeriut, dhe nuk ka mundësi e formë tjetër në njohjen e Allahut, vetëm se me njohjen e Emrave të Tij të bukur dhe studimi i domethënieve  të tyre.

Imam Buhariu, Muslimi dhe të tjerët shënojnë nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu i ka nëntëdhjetë e nëntë emra, kush i mëson ai do të hyjë në xhenet. Ai është Një (tek) dhe e do tekun”.

Ndërkaq në një transmetim tjetër thuhet: “Kush i njëson (rendit) do të hyjë në xhenet”.

(Rreth vërtetësisë së hadithit qëndron unanimiteti i dijetarëve)

Në këtë hadith do të ndalemi në disa pika:

E para:Dijetarët kanë mospajtime rreth kuptimit të fjalës njësim dhe për këtë kanë disa qëndrime, prej tyre mund të përmendim fjalët e Ibn Kajimit ku thotë se njësimi i tyre ka disa shkallë:

1. Njësimi i shprehjeve dhe numërimi i tyre;

2. Kuptimi i domethënieve të tyre;

3. Thirrja e Tij me ato, ashtu siç thotë Allahu: “Allahu ka emrat më të mirë, andaj thirreni me ato”. Araf, 180.

Thirrja ne vetvete përfshinë:

a) Falënderim dhe adhurim (ibadet);

b) Duaja (lutja) dhe kërkesa.

E dyta:Kanë ardhur transmetime të tjera rreth hadithit në forma të ndryshme shtesë duke përmendur Emrat e Allahut të Lartësuar; i shënojnë: Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe Hakimi. Mirëpo, këto transmetime janë të dobëta (daif) si nga senedi (zinxhiri i transmetuesve) ashtu edhe nga teksti, siç edhe kanë deklaruar një pjesë e madhe e dijetarëve.

Ibn Tejmije thotë se nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) nuk ka ardhur ndonjë hadith i vërtetë në lidhje me përcaktimin e tyre në nëntëdhjetë e nëntë emra. Ajo që është më e njohur tek njerëzit është hadithi të cilin e shënon Tirmidhiu të transmetuar nga Uelid bin Muslim prej Shuajb bin ebi Hamza. Dijetarët e hadithit thonë se këtë shtesë e ka përmbledhur Uelid bin Muslimi nga mësuesit e tij të hadithit. Lidhur me këtë çështje kemi edhe një hadith tjetër që e shënon Ibn Maxhe, i cili është më i dobët se hadithi i lartpërmendur.

 

Husein Eseraxh

Burimijetes.com

28.08.2007

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com