All for Joomla All for Webmasters

FUQIPLOTI, I FORTI, I PALËKUNDSHMI, I FUQISHMI

. Posted in Koment i Emrave te Allahut.

Pin It

(EL AZIZ, EL KAUIJ, EL METIN, EL KADIR,  EL MUKTEDIR) 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Allahu i Lartësuar thotë: “Zoti yt është ai i Fuqishmi, Ngadhënjyesi.” Hud, 66.

Gjithashtu thotë: “Allahu është furnizues i madh. Ai fuqiforti.” Dharijat, 58.

Gjithashtu thotë: ”Allahu është i fuqishëm, Allahu falë mëkatet, është Mëshirues.” Mumtehineh, 7.

“Në një vend të kënaqshëm, te Sunduesi i plotfuqishëm (te Allahu).”Kamer, 55.

“Dhe Ne bëmë përcaktimin e krijimit. Sa përcaktues të mirë jemi!” Murselat, 23.

Të gjitha këto emra kanë domethënie të përafërta. Ai (Allahu) është i Plotfuqishëm, Madhështori, Fuqiploti. “E tërë fuqia dhe ngadhënjimi i takon vetëm Allahut. Ai i dëgjon dhe i di të gjitha.” Junus, 65.

- Krenaria e fuqisë:Atë nuk mund ta mposhtë askush nga krijesat. Ai është Mposhtësi i të gjitha ekzistencave, Madhështisë së Tij i janë nënshtruar krijesat.

- Krenaria privuese:Ai është i Pasuri me Qenien e Vet dhe s’ka nevojë për askënd. Nuk mund t’i bëjnë dëm e as dobi, mirëpo Ai është Dëmsjellës, Dobiprurës, Dhënësi, Privuesi.

- Krenari mposhtëse:Kjo lloj krenarie i përket vetëm Atij, vetëm madhështisë së Tij i është nënshtruar, Dëshirës së Tij. Të gjitha krijesat janë në dorën e Tij. Asnjë vepër, asnjë lëvizje s’lëviz vetëm se me ndihmën e Tij, fuqinë dhe lejen e Tij. Atë që deshi u bë, atë që s’deshi nuk u bë, s’ka forcë e fuqi pos Tij.

Të tre domethëniet e Fuqisë së Allahut janë të përsosura.

Ndër emrat e Tij janë edhe:

EL KAUIJ EL METIN (I FORTI, I PALËKUNDSHMI), fuqia e Tij nuk krahasohet me fuqinë e askujt sado që fuqia e tyre të jetë e madhe. Nga Fuqia e Vet ka krijuar qiejt, tokën dhe atë çfarë ka mes tyre brenda gjashtë ditëve. Ai ka krijuar krijesat e pastaj i vdes e pastaj i ngjall e pastaj tek Ai kthehen: “Krijimi dhe ringjallja juaj nuk është më e rëndë se krijimi i një qenieje (një njeriu).” Lukman, 28. “Dhe Ai është që e shpik jetën dhe pastaj e përsërit atë, e ajo (përsëritja) është edhe më e lehtë për Te (sipas mendimit tuaj).” Rum, 27.

Ai është EL KADIR (I FUQISHMI), e nga gjurmët e fuqisë së Vet ti e sheh tokën të thatë (të vdekur), e kur ia lëshon ujin ajo gjallërohet, shtohet dhe nga të gjitha llojet rritë bimë të këndshme. Gjithashtu nga gjurmët e fuqisë së Vet është edhe ajo se çfarë ka bërë me popujt përgënjeshtrues, jobesimtarët mizorë, nga llojet e dënimeve të shumta, nuk i bën dobi atyre dredhia e tyre, kurthet e tyre, as pasuria e tyre, as ushtarët e as fortifikatat e tyre nga dënimi i Allahut të Lartësuar kur do të vijë urdhri i Allahut. Veçanërisht në këto kohë, kur këto fuqi të mëdha, zbulime mahnitëse të cilat kanë arritur janë nga përcaktimi i Allahut për ta, mësim për ta. Nga shenjat e Allahut i ka bërë të fuqishëm. Zbulimet e tyre nuk i bëjnë dobi nga ajo që i godet nga dënimet e ndryshme edhe përkundër përpjekjeve dhe angazhimeve të tyre në këtë. Mirëpo urdhri dhe fuqia e Allahut është më e madhe. Fuqisë së Tij i nënshtrohen botët.

Nga gjurmët e Fuqisë së Tij është edhe ajo që ka përmendur në librin e Vet, ndihmën e robërve të afërm të Tij përkundër numrit të tyre të vogël kundër armiqve të tyre të cilët janë numerikisht më tepër dhe më shumë të përgatitur, Ai thotë: "Sa e sa grupe të vogla me dëshirën e Allahut kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha!" Bekare, 249.

Gjithashtu nga gjurmët e fuqisë dhe mëshirës së Tij është çfarë u ka përgatitur banorëve të zjarrit dhe banorëve të xhenetit llojet e dënimeve përkatësisht llojet e begative të vazhdueshme që nuk ndërpriten e as nuk përfundojnë.

EL ADHIM – EL KEBIR(MADHËSHTORI, I MADHI)

Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është i Larti, Madhështori.” Bekare, 255. Gjithashtu thotë: “Ky (dënimi) është, pse kur bëhet thirrja për të besuar Allahun Një, ju e mohuat, e nëse i përshkruhej shok Atij, ju besuat, pra i tërë sundimi është në duart e Allahut, të Lartit, të Madhëruarit!” Gafir, 12.

Madhështori i Cili përmbledh në vete cilësitë e madhështisë, cilësitë e lavdërimit, nderimit, bukurisë.

Allahu është Madhështori. Atij i përket çdo atribut dhe domethënie që tregon për madhështi. Ndaj, krijesat nuk mund ta e lavdërojnë Atë siç meriton Ai, por Ai është ashtu siç e lavdëron Veten.

Domethëniet e Madhështisë për Allahun e Lartësuar janë dy llojesh:

1. Madhështia e Qenies dhe cilësive. Ai është i cilësuar me çdo cilësi të përsosur. E nga kjo përsosmëri Atij i takon më e përsosura, më madhështorja. Atij i përket dituria përfshirëse, fuqia, e madhështia. E nga madhështia e Tij qiejt dhe toka janë në dorën e të Gjithëmëshirshmit dhe ato janë të vogla, siç ka thënë Ibn Abasi dhe të tjerë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata nuk e çmuan Allahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa, në Ditën e Kiametit e tërë toka është në grushtin e Tij, e qiejt të mbështjellë në të djathtën e Tij.” Zumer, 67. Gjithashtu thotë: ”Allahu i mban qiejt dhe tokën që të mos zhduken, e nëse zhduken, s'ka askush pos Tij që mund t'i mbajë; Ai është që nuk ngutet, është që falë.” Fatir, 41.

Ndërsa në hadithin sahih të transmetuar nga i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) Allahu i Lartësuar thotë: “Krenaria është mbështjellësi im (rida-pjesa e lartme e ihramit), ndërsa madhështia është petku im (izar-pjesa e poshtme e ihramit), pra kush dëshiron të matet me Mua në këto dy gjëra, Unë do ta hedh në zjarr! “. Ndaj, krenaria dhe madhështia janë për Allahun. Janë atribute të cilat thelbin dhe esencën nuk arrin t’i kuptojë pos Allahut të Lartësuar.

2. Prej domethënieve të madhështisë së Allahut të Lartësuar është madhështia e nderit në shpirtra të robërve të Vet. Askush nga krijesat nuk meriton të madhërohet siç madhërohet Allahu i Lartësuar. Meriton të madhërohet nga krijesat në zemrat e tyre dhe gjuhët e tyre, me organet e trupit të tyre, duke u përpjekur në njohjen dhe dashurinë e Tij, përulësinë ndaj Tij, nënshtrimin ndaj madhështisë së Tij, frikën ndaj Tij. Shprehja e falënderimit të Tij përmes gjuhës, adhurimin e Tij. Prej madhërimit të Tij është edhe t’i kihet frikë Atij me një frikë të vërtetë. Të respektohet e mos t’i bëhet mëkate, të përmendet e mos të harrohet, të falënderohet e mos të mohohet. Gjithashtu, nga madhërimi i Tij është edhe madhërimi i asaj që ka ndaluar dhe ligjësuar: ”Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e Allahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.” Haxh, 32.“Pra, kështu: Kush madhëron atë që Allahu e bëri të shenjtë, ajo është më e dobishme për te Zoti i vet.” Haxh, 30.

Prej madhërimit të Allahut është edhe të mos kundërshtohet diçka nga ajo që ka krijuar dhe ligjësuar.

Husein Eserraxh

Burimijetes.com

10.03.2011

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com