All for Joomla All for Webmasters

ARGUMENTET PËR TEUHIDIN RUBUBIJEH

. Posted in Teuhidi i njohjes.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Argumentet për themelimin e teuhidit rububije janë të shumta dhe të shumëllojshme. Ato argumentojnë për veçimin e Allahut, Zot mbi të gjitha krijesat e Tij. Allahu i ka dhënë krijesave të Tij shumë argumente të cilat nëse do t'i meditonin me meditim të vërtetë dhe të mëndonin për to, ata do të udhëzoheshin në bindjen se kjo gjithësi ka një Krijues që e drejton dhe e rregullon atë.

Kurani është plot me argumente për të qënurit e Allahut Zot të çdo gjëje. Prej tyre është Fjala e Allahut të Madhëruar: "Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botëve." El Fatiha, 2.

"Allahu është Gjithëfurnizuesi, Zotëruesi i fuqisë." Dharijat, 58.

"Urdhëri i Tij nëse do ndonjë gjë është që të thotë "bëhu" dhe ajo bëhet. Larg të metave është Ai në Dorën e të Cilit është sundimi i çdo gjëje dhe tek Ai do të ktheheni." Jasin, 82-83.

"Në krijimin e qiejve dhe të tokës, në ndryshimin e natës dhe ditës, në anijet që notojnë nëpër det për dobi të njerëzve, në atë që zbret Allahu nga qielli prej ujit me të cilin ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe shpërndan në të prej të gjitha kafshëve, në lëvizjen e erërave dhe të reve të nënshtruara ndërmjet qiellit dhe tokës, në të gjitha këto ka argumente për njerëzit që logjikojnë." El Bekare, 164.

"Allahu është Ai i cili iu ka krijuar juve, iu furnizon, pastaj iu vdes, pastaj iu ringjall. A ka ndonjë prej shokëve tuaj (që ju i lusni) që mund të bëjë ndonjë gjë prej këtyre? I Pastër dhe i Lartë është Ai nga ajo që i shoqërojnë." Er Rum, 40.

Prej argumenteve të rububijes (Hyjnësisë) së Allahut mbi krijesat e Tij është:

1. Argumentimi i natyrshmërisë njerëzore. Kjo sepse Allahu i Madhëruar i ka bërë krijesat e Tij të prira për pohimin e Hyjnësisë së Tij dhe se Ai është Krijuesi, Furnizuesi, Rregulluesi dhe Ai që merr dhe që jep jetë.  Besimi në të qënurit e Allahut Zot i çdo gjëje është diçka e natyrshme dhe e mbjellë tek çdo njeri. Atë nuk mund t'a mohojë dhe as t'a ngrejë atë.

Shejhu i Islamit, Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: "Përderisa pohimi i Krijuesit është diçka e natyrshme, siç thotë i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): "Çdo fëmijë lind me natyrshmërinë njerëzore…", atëherë natyrshmëria përmban pohimin e Allahut dhe kthimin tek Ai me pendim e cila është edhe domethënia e fjalës "Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut", ndërsa Zot është Ai që njihet dhe adhurohet."

Për këtë shkak, idhujtarët në kohën e injorancës e pohonin teuhidin rububije edhe pse i bënin shok Allahut në adhurim.

Këtë gjë e vërteton edhe ajo që gjendet në përmbajtjet e poesive të tyre, siç është fjala e Anberas:

O Abël, ku të fshihem nga vdekja

Nëse Zoti im që është në qiell e ka caktuar atë?

Po kështu edhe fjala e Zuhejr ibën Ebi Selma që thotë:

Mos ia fshihni Allahut atë që keni në veten tuaj

Sepse çdo gjë të fshehtë Allahu e di!

Ai e vonon dhe e ruan në një libër

Për në Ditën e Llogarisë, ose e shpejton dhe merr hak

Këtë gje e ka sqaruar Allahu në Kur'an, si në Fjalën e Tij: "Nëse do t'i pyesje ata se kush i ka krijuar qiejtë dhe tokën, dhe ka nënshtruar diellin dhe hënën, ata do të thonë: Allahu. Atëherë si gënjehen e shmangen (nga e vërteta)?!" El Ankebut, 61.

2. Argumenti i shpirtërave. Shpirtrat janë argument i madh nga argumentet e Allahut të cilat argumentojnë për të qënurit e Tij Zot të çdo gjëje dhe nëse njeriu do të meditonte pak në veten e tij dhe në gjërat e habitshme që ka në të, ai do t'a mësonte se pas kësaj qëndron një Zot i Urtë, Krijues, I Mundshëm për çdo gjë.

Allahu i Lartësuar thotë: "Ai iu ka krijuar juve dhe e ka përsosur formën tuaj, e tek Ai është kthimi." [Et-Tegabun: 3]. "Për njeriun dhe Atë që e përsosi atë!" Esh Shems, 7.

3. Argumentimi me anë të horizontit, siç thotë Allahu i Lartësuar: "Ne do t'ua shfaqim atyre argumentet Tona në horizonte (gjithësi, kozmos) dhe në veten e tyre, derisa t'u bëhet e qartë se ai është i Vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmues përmbi gjithçka?!" Fusilet, 53.

Kështuqë, nëse njeriu do të meditonte në horizonte dhe në mrekullitë që Allahu ka krijuar në to, ai do t'a arrinte të mësonte se ky kozmos e ka një Krijues dhe se Ai është I Gjithëdijshëm, i Urtë.

 

Muhamed ibn Ibrahim el Hamd

Burimijetes.com

 

20.12.2008

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com