All for Joomla All for Webmasters

FRYTET E BESIMIT NË TEUHIDIN E EMRAVE DHE CILËSIVE

. Posted in Teuhidi i Emrave dhe Cilesive.

Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Dija për Emrat dhe Cilësitë e Allahut, meditimi i tyre dhe të kuptuarit e tyre ashtu siç ka dashur Allahu, është dija më e rëndësishme dhe më fisnike, siç e thamë më herët, për shkak të fryteve të mëdha e të dobishme që ajo sjell.

Dijetarët e Islamit, të hershëm e të tanishëm, janë përkujdesur për sqarimin e Emrave dhe Cilësive të Allahut, për shpjegimin e tyre, qartësimin dhe sqarimin e fryteve të besimit në të. Prej fryteve të besimit në Teuhidin e Emrave dhe Cilësive të Allahut janë:

1.Dija për Emrat dhe Cilësitë e Allahut është rruga për njohjen e Allahut. Kjo sepse    Allahu i ka krijuarit krijesat e Tij që ta njohin dhe ta adhurojnë Atë, gjë e cila është qëllimi i krijimit të tyre. Kështu që, marrja me të është të merresh me atë për të cilën je krijuar, ndërsa lënia dhe humbja e tij është nënvleftësim i asaj për të cilën je krijuar. Për këtë arsye është e padrejtë që njeriu mbi të cilin mirësitë e Allahut janë të vazhdueshme, të mos e njohë Zotin e tij dhe t'i kthejë shpinën njohjes së Tij.

Pastaj, nëse njerëzit duan që ta njohin Zotin e tyre, ata nuk kanë rrugë tjetër përveç njohjes së Tij me anë të teksteve hyjnore të cilat e përshkruajnë Atë dhe flasin qartë për Veprat dhe Emrat e Tij, siç është ajeti El Kursi, fundi i sures El Hashr, sureja El Ihlas e të tjera.

2.Njohja e Allahut të çon në dashurinë për Të, frikën prej Tij, shpresën tek Ai dhe kryerja e veprave me sinqeritet për Të, gjë e cila është vetë lumturia e njeriut. Por, nuk ka rrugë për njohjen e Allahut, vetëm se me njohjen e Emrave dhe Cilësive të Tij, si dhe kuptimin e domethënies së tyre, rregullave të tyre dhe atë që ato përmbajnë.

3.Pastrimi i shpirtrave dhe drejtimi i tyre në rrugën e adhurimit të të Vetmit që është Një, gjë e cila është fryt për shkak të fryteve që arrihen me nga njohja e Emrave të Allahut dhe Cilësive të Tij, ngase sheriati që ka zbritur nga Allahu ka për qëllim rregullimin e njeriut dhe rruga e këtij rregullimi është ecja e njerëzve sipas rrugës së adhurimit të Allahut, Një e të Pashoq. Dija për Emrat dhe Cilësitë e Allahut të ruan nga rrëshqitjet, me Lejen e Allahut, si dhe u hap njerëzve dyert e optimizmit, rrënjos besimin dhe ndihmon në durim. Nëse njeriu e njeh Zotin e tij me Emrat dhe Cilësitë e Tij, si dhe përvetëson kuptimet e tyre, kjo gjë ndikon rrënjësisht tek ai dhe i mbushet zemra me më të lartën njohuri e dituri.

Për shembull, Emrat e Madhështisë së Allahut ta mbushin zemrën me madhërim dhe lartësim të Allahut.

Emrat e bukurisë, mirësisë, bamirësisë, mëshirës dhe bujarisë ta mbushin zemrën me dashuri për Allahun, me mall për takimin me Të, me dëshirim të asaj që gjendet tek Ai dhe me falënderim e lavdërim vetëm të Atij.

Emrat e krenarisë, urtësisë, dijes dhe fuqisë, ta mbushin zemrën me nënshtrim, frikë dhe përulje para Tij të Madhërishmit.

Ndërsa Emrat e diturisë, njohjes së përpiktë, gjithëpërfshirjes, mbikëqyrjes dhe vështrimit, ta mbushin zemrën me ruajtjen nga mbikëqyrja e Allahut në lëvizjet dhe qëndrimet në mesin e njerëzve dhe në vetmi, si dhe me ruajtjen e mendjes nga mendimet e këqija e të ulëta, apo nga dëshirat e prishura.

Emrat e pasurisë dhe butësisë ta mbushin zemrën me nevojë, domosdoshmëri dhe kthim të fytyrës nga Allahu i Madhëruar në çdo kohë e gjendje.

4.Largimi nga gjynahet, sepse trupat mund të anojnë nga kryerja e gjynaheve, por ti kujton që Allahu të sheh ty dhe kujton qëndrimin para Tij, kështu që largohesh prej tyre dhe nuk i vepron ato.

5.Shpirtrat janë vështrues që ruajnë atë që posedojnë të tjerët dhe ndoshta hyn në to diçka prej mospëlqimit dhe smirës, por kur kujton që prej emrave të Allahut është emri "El Hakim" (i Urti), ndërsa i Urti është ai që e vendos çdo gjë në vendin e saj, atëherë e ndalon veten tënde nga smira dhe zilia për tjetrin, e ndalon nga epshet e saj dhe nga e keqja e saj.

6.Njeriu bie në gjynahe dhe i ngushtohet vendi për atë që ka bërë, pastaj i vjen shejtani që ta bëjë atë të prishë mendimin për Zotin e tij, por ai kujton që prej Emrave të Allahut është "Err-Rrahim" (Mëshirëploti), "Et-Teuab" (Pranuesi i pendimit) dhe "El-Gafur" (Falës i Madh), kështu që ai nuk vazhdon në gjynahe, por i lë ato dhe pendohet tek Zoti i tij e i kërkon falje, atëherë e gjen Atë Falës të Madh, Pranues të pendimit dhe Mëshirëplotë.

7. Prej atyre fryteve është se njeriun e zënë fatkeqësitë, të papëlqyeshmet e sprovat, por ai strehohet në bazën e fortë dhe fortesën e fortifikuar, kështu që tronditja dhe ankthi largohen dhe i hapen atij dyert e optimizmit dhe shpresës.

8.Mund të ndeshesh me të këqijtë dhe armiqtë e fesë së Allahut prej mosbesimtarëve dhe tiranëve të cilët përdorin të gjitha mënyrat për të të luftuar, për të dëmtuar, për të ndaluar rrëskun dhe për të marrë edhe jetën, por ti e di që rrësku dhe jeta janë vetëm në Dorën e Allahut, gjë e cila mbjell tek ti trimërinë dhe adhurimin e të mbështeturit tek Allahu në punët e jashtme e të brendshme të zemrës.

9.Njeriun e zënë sëmundjet e ndryshme dhe ndoshta mjekimi i tyre bëhet i pamundur, apo mundet që sëmundja të vazhdojë gjatë me të dhe pesimizmi t'i hyjë në zemër kur ai të mos shohë asnjë rrugëzgjidhje. Atëherë kujton që Shëruesi është Allahu dhe i ngre duart tek Ai për t'i kërkuar shërim, duke t'u hapur kështu dyert e optimizmit, pastaj ndoshta Allahu ta shëron atë sëmundje, ose largon prej teje diçka më të madhe se ajo (të cilën ti nuk e di), ose ia zëvendëson duanë e tij me dhënien e durimit, qëndrueshmërisë dhe bindjen, gjë e cila është më e mirë për ty sesa shërimi nga ajo sëmundje.

10.Njohja e Allahut të Madhëruar është origjina e të gjitha gjërave, saqë ai që e njeh Allahun me njohuri të vërtetë, ai argumenton me atë që njeh prej Cilësive dhe Veprave të Allahut për ato që Ai vepron dhe ligjeve që Ai vendos, sepse Allahu nuk vepron veçse atë që e përmbajnë Emrat dhe Cilësitë e Tij. Kështu, veprat e Tij sillen rreth drejtësisë, mirësisë, mëshirës dhe urtësisë.

11.Atij që i hapet kjo derë, dera e Emrave dhe Cilësive të Allahut, atij i është hapur dera e Teuhidit të kulluar i cili nuk mund të arrihet veçse nga njësuesit e plotë.

12.Shtimi i imanit (besimit). Dija për Emrat dhe Cilësitë e Allahut është nga shkaqet më të mëdha për shtimin e besimit dhe kjo për shkak të asaj që kjo dije mbjell në zemrat e njerëzve prej dashurisë për Allahun, kthimin tek Ai me pendim, me frikërespekt, me lartësim e madhërim të Krijuesit të lartëmadhëruar. "Dhe atyre të cilëve janë udhëzuar, Ai ua shton udhëzimin dhe u jep atyre devotshmëri në këtë rrugë." Muhamed,17.

13. Kush i numëron nëntëdhjetë e nëntë Emra prej Emrave të Allahut, hyn në Xhenet. I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thotë: "Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra, njëqind pa një. Kush i numëron ato, hyn në Xhenet."

Domethënia e numërimit të tyre do të vijë më pas, kur të flasim për rregullat në Emrat dhe Cilësitë e Allahut.

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Burimijetes.com

14.07.2010

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com