All for Joomla All for Webmasters

RRUGA E EHLI SUNETIT DHE XHEMATIT NË LIDHJE ME EMRAT DHE CILËSITË E ALLAHUT

. Posted in Teuhidi i Emrave dhe Cilesive. Vizita: 561

fShare
0
Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Pasuesit e Sunetit dhe të Xhematit janë atë ata të cilët janë bashkuar për marrjen e sunetit të të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe për të vepruar sipas tij me zemrat dhe trupat e tyre në fjalë, vepër e besim.

Rruga e tyre në lidhje me Emrat dhe Cilësitë e Allahut është si vijon:

 

1. Në pohim: Ata pohojnë atë që ka pohuar Allahu për Veten e Tij në Librin e Tij apo në gjuhën e të Dërguarit të Tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), pa bërë devijim të fjalës nga kuptimi i saj, pa e zhveshur fjalën nga kuptimi i saj, pa bërë përshkrim dhe pa bërë përngjasim me krijesat.

 

2. Në mohim: Ata mohojnë atë që ka mohuar Allahu nga Vetja e Tij në Librin e Tij, apo në gjuhën e të Dërguarit të Tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), duke besuar qëndrimin e përsosmërisë së të kundërtës së tyre për Allahun e Lartësuar. Kjo, sepse çdo gjë që Allahu e ka mohuar nga Vetja e Tij është prej cilësive të mangëta të cilat bien ndesh me Përsosmërinë e domosdoshme të Allahut. Të gjitha cilësitë e mangëta, si pamundësia, gjumi dhe vdekja janë absurde për Allahun e Lartësuar për shkak të domosdoshmërisë së përsosmërisë së Tij dhe ato që Ai ka mohuar nga Vetja e Tij, me to është për qëllim     mohimi i asaj cilësie që është mohuar, si dhe pohimi i përsosmërisë së të kundërtës së saj.

Kjo, për shkak se mohimi i thjeshtë nuk tregon përsosmëri, vetëm nëse përmban një cilësi të pohimit mbi të cilën ajo hidhet, si në Fjalën e Allahut: "Atë nuk e merr as kotja dhe as gjumi." El Bekare, 255. "Dhe nuk na preku ndonjë gjë prej lodhjes." Kaf, 38.

Kështu, Allahu i Lartësuar e mohoi kotjen dhe gjumin nga Vetja e Tij në ajetin El Kursi, për shkak të përsosmërisë dhe mbajtjes së Tij të çdo gjëje që ekziston, ndërsa në ajetin e dytë, Ai e mohoi nga Vetja e Tij lodhjen, për shkak të përsosmërisë së Fuqisë dhe Mundësisë së Tij. Kështu që, mohimi në këtë rast përmban një prej cilësive të përsosmërisë.

Ndërsa thjesht mohimi nuk është përsosmëri, pasi që shkaku i tij mund të jetë pamundësia ose dobësia, siç është fjala e poetit Nexhashi i cili ofendon fisin Beni el-Axhlan:

"Një fis që nuk tradhton me shkeljen e besës së tij

dhe as nuk i bëjnë padrejtësi njerëzve, qoftë sa kokrra e elbit"

 

Ai e ka mohuar nga ata padrejtësinë, por jo për t'i lavdëruar ata, por për t'i ofenduar, sepse ata nuk munden dhe janë të paaftë për ta bërë një gjë të tillë.

 

Po kështu edhe fjala e një poeti tjetër që thotë:

"Por populli im, edhe pse janë të shumtë në numër,

ata nuk i dalin përballë sherrit edhe nëse ai është i dobët"

Ai nuk i lavdëron ata për mosdashjen e sherrit, por i shan ata për pamundësinë dhe frikën e tyre, për këtë shkak ai thotë në vargun tjetër:

"Ah! Sikur të kisha kundër tyre një popull që kur nisen

Shpërthejnë luftën, qofshin kaluar apo këmbësorë"

 

Shkaku i mohimit të një cilësie mund të jetë edhe mospërputhja me të, kështu që nuk mund të përmbajë lavdërim, si p.sh.: nëse thua: "Muri nuk bën padrejtësi".

 

Prej këtu, na bëhet e qartë se mohimi i thjeshtë nuk tregon përsosmëri, vetëm nëse përmban pohimin e përsosmërisë së të kundërtës së tij.

 

Dijetari i Islamit, Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë:

"Duhet të jetë e ditur se mohimi nuk përmban lavdërim dhe as përsosmëri, vetëm nëse përmban pohim, përndryshe mohimi i plotë nuk përmban lavdërim dhe as përsosmëri, sepse mohimi i plotë është mosekzistencë e plotë dhe kjo e fundit është një asgjë, ndërsa ajo që nuk është asgjë, ajo është ashtu siç thuhet: "Asgjë", aq më tepër të jetë lavdërim apo përsosmëri. Sepse me mohim të plotë cilësohet asgjëja dhe absurdja, të cilat nuk cilësohen me lavdërim apo përsosmëri." 

 

3. Qëndrimi dhe heshtja për ato cilësi të cilat nuk janë pohuar dhe as nuk janë mohuar në Kuran dhe Sunet dhe për të cilat janë kundërshtuar njerëzit, siç është p.sh. "trupi", mbushja e vendit, drejtimi i të qënurit të Tij e të tjera si këto. Rruga e selefëve (të parëve tanë të mirë) në këto gjëra është të qëndruarit në shprehjet që kanë ardhur dhe nuk i pohojnë e as nuk i mohojnë ato të tjerat, sepse ato nuk janë përmendur në tekstet hyjnore.

Ndërsa në lidhje me kuptimin e tyre, ata pyesin me hollësi për të dhe nëse është për qëllim ndonjë kuptim i kotë nga i cili Allahu është i Pastër, ata e kthejnë mbrapsht atë dhe nëse është për qëllim ndonjë kuptim i vërtetë i cili nuk është absurd për Allahun, ata e pranojnë atë.

Fjala "trup" p.sh.: ata qëndrojnë në shqiptimin e saj, ndërsa për domethënien e saj ata bëjnë sqarime. Nëse me atë fjalë është për qëllim diçka aksidentale dhe e montuar ku çdo pjesë e tij ka nevojë për pjesën tjetër e tjerë e tjerë, kjo është absurde për Zotin e Përjetshëm dhe Mbajtësin e të gjitha krijesave të Tij.

Dhe nëse është për qëllim me fjalën "trup", diçka që qëndron me Veten e Tij dhe cilësohet me ato që i shkojnë për shtat Atij, kjo nuk është absurde për Allahun, sepse Ai i Lartmadhërueshëm qëndron me Veten e Tij dhe është i cilësuar me Cilësitë e përsosura të cilat i shkojnë për shtat Atij.

 

Kështu është edhe për "drejtimin", ata ndalojnë nga të shprehurit e tij, ndërsa për domethënien e tij, nëse është për qëllim drejtimi i poshtëm, Allahu është i Pastër nga kjo gjë dhe nëse është për qëllim drejtimi i sipërm i cili e përfshin Atë brenda tij, kjo është gjithashtu absurde për Allahun, ndërsa nëse është për qëllim se Allahu është në drejtimin e sipërm të lartësisë i cili nuk e përfshin Atë, kjo është e qëndrueshme për Allahun.

Kjo është rruga e tyre me të gjitha shprehjet e përmbledhura, siç do të vijë sqarimi i kësaj kur të flasim për shprehjet përmbledhëse.

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Burimijetes.com

 

19.07.2010

fShare
0
Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2018 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com