All for Joomla All for Webmasters

ARGUMENTET QË PROVOJNË SAKTËSINË E RRUGËS SË TË PARËVE TANË TË MIRË

. Posted in Teuhidi i Emrave dhe Cilesive. Vizita: 511

fShare
0
Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Rruga e të parëve tanë të mirë, pasuesve të sunetit dhe xhematit është ajo që duhet ndjekur në Emrat e Allahut dhe Cilësitë e Tij dhe ajo është rruga më e paqshme, më e ditur dhe më e qëndrueshme dhe nuk ekziston rrugë tjetër e saktë në këtë temë, në temën e Emrave dhe Cilësive të Allahut, përveç rrugës së tyre në pohimin dhe marrjen e atyre emrave ashtu si kanë ardhur. Për këtë gjë argumentojnë prova e fakte të shumta, prej të cilave po përmendim:

1. Për rrugën e të parëve tanë të mirë argumenton Kurani dhe Suneti. Prej argumenteve të Kuranit është Fjala e Allahut: "Të Allahut janë emrat më të bukur, kështu luteni Atë me to dhe largojuni shoqërisë së atyre që i mohojnë (e përdhosin) Emrat e Tij! Ata do të shpërblehen me atë që kanë vepruar." El Earaf, 180.

Gjithashtu: "Asgjë nuk është si Ai dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi." Esh-Shura, 11.

Gjithashtu, Fjala e Allahut: "Dhe mos ndërhy tek ajo për të cilën nuk ke dijeni!" El-Isra, 36.

Ajeti i parë argumenton për domosdoshmërinë e pohimit të Emrave të Allahut pa i devijuar dhe pa i zhveshur ato nga domethënia e tyre, sepse këto të dyja janë prej mohimit dhe përdhosjes së Emrave të Tij.

Ajeti i dytë argumenton domosdoshmërinë e mohimit të përngjasimit, ndërsa ajeti i tretë argumenton domosdoshmërinë e mohimit të përshkrimit dhe domosdoshmërinë e të qëndruarit dhe heshtjes nga ajo për të cilën nuk ka ardhur argument që e pohon apo e mohon atë.

Ndërsa nga Suneti, argumentet janë gjithashtu të shumta, prej të cilave po përmendim fjalën e tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): "O Zoti im, Ti je i Pari dhe para Teje nuk ka  asgjë. Ti je i Fundit dhe pas Teje nuk ka asgjë. Ti je i Dukshmi dhe mbi Ty nuk ka asgjë. Ti je i Fshehti dhe nën Ty nuk ka asgjë."

2. Logjika. Logjika argumenton për saktësinë e rrugës së të parëve tanë të mirë dhe mënyra e argumentimit të saj është se fjalët e hollësishme për atë që është e domosdoshme, e lejuar apo absurde për Allahun, nuk mund të arrihet veçse me Njoftimet Qiellore, me Kuranin dhe Sunetin, kështu që bëhet e detyrueshme ndjekja e tyre, duke pohuar atë që pohojnë, duke mohuar atë që mohojnë dhe duke heshtur në atë që kanë heshtur.

3. Natyrshmëria. Argumentimi i natyrshmërisë së njeriut për saktësinë e rrugës së të parëve tanë të mirë është sepse shpirtrat e pastër janë krijuar në natyrshmërinë e dashurisë për Allahun, për madhërimin dhe adhurimin e Tij. A mund të duash, të madhërosh e të adhurosh tjetër përveç Atij që e njeh se Ai posedon Cilësitë e përsosura dhe që është i Pastër nga cilësitë e mangëta?!

4. Përputhshmëria e saj me Kuranin dhe Sunetin. Kush vëzhgon rrugën e të parëve tanë të mirë me dije e drejtësi, ai e gjen atë në përputhje me atë që thotë Kurani dhe Suneti, si në vija të përgjithshme edhe në hollësira. Kjo për shkak se Allahu e zbriti Kuranin me qëllim që njerëzit të meditojnë në ajetet e tij, të veprojnë sipas tyre, nëse janë dispozita dhe të besojnë në to, nëse janë njoftime.

5. Të parët tanë të mirë prej sahabeve e tabiinëve janë trashëgimtarët e pejgamberëve dhe të Dërguarve të Allahut. Ata e morën dijen e tyre nga burimi i mesazhit hyjnor, sepse Kurani zbriti me gjuhën e sahabeve dhe në kohën e tyre. Ata janë njerëzit që kanë qenë më pranë burimit të pejgamberllëkut të pastër. Ata janë njerëzit me natyrshmërinë më të pastër e të çiltër dhe më të paktët në shtirje e shtrëngim. Si të mos jetë kështu, ndërsa ata i ka pastruar Allahu në Librin e Tij, i ka lavdëruar ata dhe ndjekësit e tyre me besnikëri, siç thotë Allahu i Lartësuar: "Ndërsa ata të hershmit dhe të parët nga emigruesit dhe ensarët (medinasit), si dhe ata të cilët i pasuan ata me besnikëri, Allahu është i kënaqur prej tyre dhe ata janë të kënaqur prej Tij. Ai u ka premtuar atyre Xhenete (kopshte) nën të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jenë përgjithmonë në to. Kjo është fitorja e madhe." Et-Teube, 100.

Allahu i ka kërcënuar me dënim të dhembshëm ata të cilët ndjekin rrugë tjetër nga ajo e tyre duke thënë: "Dhe kushdo që e kundërshton të Dërguarin pasi që t'i jetë bërë i qartë atij Rruga e Drejtë dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne do t'i japim atij atë që ai vetë ka zgjedhur dhe pastaj do ta fusim në Xhehenem. Sa përfundim i keq që është ai!" En-Nisa, 115.

Nuk ka dyshim se rruga e besimtarëve është rruga e sahabeve prej muhaxhirinëve dhe ensarëve, si dhe e atyre që i kanë ndjekur ata me besnikëri.

Nëse është kështu, atëherë është absurde që njerëzit më të mirë dhe brezat më të mirë të kenë bërë neglizhim në këtë temë duke shtuar apo hequr diçka.

6. Ajka e eulijave të Allahut të Lartësuar të cilët janë të sinqertët prej të parëve të këtij populli dhe prej të mëvonshmëve të tyre, janë në rrugën e Ehli Sunetit dhe xhematit të cilët i pohojnë Emrat dhe Cilësitë e Allahut dhe ata janë njerëzit më të largët nga rrugët e mohuesve.

7. Vetëkundërshtimi i dijetarëve të shkencës së fjalës dhe oratorisë, pështjellimi i tyre dhe ngatërrimi i tyre. Kjo argumenton për saktësinë e rrugës së të parëve tanë të mirë, sepse po të ishte e saktë rruga e të mëvonshmëve, atëherë nuk do të binin në kundërshtim me veten e tyre, nuk do të ngatërroheshin, nuk do të ishin në mëdyshje dhe as nuk do t'i fusnin të tjerët në mëdyshje e huti.

8. Kthimi i shumë prej dijetarëve të oratorisë tek e vërteta dhe tek rruga e të parëve tanë të mirë. Shumë prej kokave të shkencës së fjalës e filozofisë të cilët arritën majat në këtë fushë, në fund u kthyen tek rruga e të parëve tanë të mirë dhe hoqën dorë nga shkenca e fjalës, pastaj shfaqën pendimin e tyre prej saj.  

Er-Razi, për shembull, njëri prej kokave të mëdha të shkencës së fjalës, vajton veten e tij dhe qan për të, duke thënë:

 

Skaji i arritjes së mendjeve është pengesa

Dhe shumica e përpjekjeve të njerëzve është humbje

Shpirtrat tanë janë të panjohur për trupat tanë

Dhe maksimalja e dynjasë sonë është vuajtja dhe mjerimi

Ne nuk kemi përfituar nga studimet tona gjatë gjithë jetës

Veçse kemi mbledhur në të "thuhet" dhe "thanë"

Sa prej burrave të shteteve kemi parë

Por që të gjithë humbën dhe u zhdukën

Dhe sa prej maleve i kanë ngritur brezaret e tyre

Burra të cilët u zhdukën, por malet ngelën male

 

Ibën Salah thotë: Më ka treguar El Kutub Et Tugai dy herë, se ai ka dëgjuar Fehrudin Er Razin të thotë: "Ah! Sikur të mos isha ngatërruar me shkencën e fjalës e oratorisë! Pastaj qau."

Shumë prej këtyre oratorëve (mutekelimun) e kanë pohuar se kanë rënë në qorrsokakë e dilema dhe në kundërthënie të pakrahasueshme.

Ibën Ebi El Hadid, njëri prej kokave të mëdha të muetezilive, pas zhytjes së thellë në shkencën e fjalës e filozofisë tha:

Befas, ajo që kisha mbledhur ishte

Ajo që më solli bela të mëdha

Kështu që u gjenda në një shkretëtirë pa asnjë shenjë

Dhe u mbyta në det pa pasur anije

Prej atyre që u zhytën në shkencën e fjalës (ilmul-kelam) dhe më pas u kthyen në rrugën e të parëve tanë të mirë ka qënë edhe Ebu El Meali El Xhuuejni, El Hasrushahi dhe Ebu Hamid El Gazali.

Ndërsa prej të mëvonshmëve të cilët u zhytën në këtë fushë dhe që nuk dolën me ndonjë përfitim prej saj, por  përkundrazi u futën në dilema e pasiguri, është edhe imam Esh-Sheukani i cili ka treguar për veten e vetë duke thënë:

"Unë po të tregoj ty për veten time dhe po të shpjegoj atë në të cilën rashë dje. Në ditët e kërkimit të dijes dhe në zjarrin e rinisë, unë u ngatërrova me këtë shkencë së cilës herë i thonë "ilmul-kelam", herë "ilmut-teuhid" dhe herë "ilmu usulid-din" –Shkenca e Bazave të Fesë. Kalova nëpër duar shkrimet e grupeve të ndryshme prej tyre duke shpresuar të kthehesha me përfitim dhe dobi, por nuk arrita gjë tjetër përveç dilemave e pasigurive. Kjo ishte nga shkaqet të cilat bënë të dashur tek unë rrugën e të parëve tanë të mirë, ndërkohë që unë kisha qenë në atë rrugë më parë. Por unë desha të mësoja më tepër për të dhe të mbushja zemrën, për këtë shkak thashë për ato rrugë të filozofisë:

Më e shumta që arrita nga studimet e mia

Prej vështrimit tim pas një meditimi të gjatë

Ishte qëndrimi ndërmjet dy rrugëve i hutuar

por nuk mund të bëhet i ditur ai që nuk ndeshet veçse me dilema

Megjithëse unë u zhyta në thellësitë e saj

Por vetja ime nuk u kënaq pa notuar në të"

 

Me këto na bëhet e qartë saktësia e rrugës së të parëve tanë të mirë në temën e Emrave dhe Cilësive të Allahut.

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Burimijetes.com

22.07.2010

 

fShare
0
Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2018 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com