All for Joomla All for Webmasters

RREGULLA NË LIDHJE ME EMRAT E ALLAHUT TË MADHËRUAR

. Posted in Teuhidi i Emrave dhe Cilesive. Vizita: 373

fShare
0
Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Rregulli i parë: Emrat e Allahut të Lartësuar janë të gjithë të Bukur, d.m.th që janë në kulm të bukurisë. Allahu i Lartësuar thotë: "Të Allahut janë Emrat më të Bukur..." El-Earaf, 180.

Kjo për shkak se ato përmbajnë Cilësi të përsosura në të cilat nuk ka asnjë të metë të asnjë lloj forme apo ane, as në mundësi të përmbajtjes së të metave dhe as në mundësinë e supozimit të tyre. Kjo sepse fjalët ose përmbajnë domethënie plotësisht të mangët, gjë nga e cila Allahu është i Pastër, ose argumentojnë kulmin e përsosmërisë dhe kjo është domethënia e Emrave dhe Cilësive të Allahut, ose argumentojnë përsosmëri, por e cila mund të përmbajë mangësi. Këto të fundit nuk mund të jenë Emra të Allahut, por mund të njoftohet me to për Të, siç është për shembull: "Folësi", "Dëshirues" etj.

Gjithashtu nuk mund të quhet Allahu me emra të cilat përmbajnë domethënie përsosmërie nga njëra anë dhe domethënie mangësie nga ana tjetër, por mund të njoftohet për Të me to, si për shembull "dinak".

Prej Emrave të Bukur është për shembull "I Përjetshmi" (El-Haju) i cili është një prej Emrave të Allahut që përmban Jetën e Plotë e cila nuk paraprihet nga mosekzistenca dhe as nuk pasohet nga mbarimi. Ajo është jetë e cila përmban në mënyrë të domosdoshme Cilësitë e Përsosura prej Dijes, Fuqisë, Dëgjimit, Shikimit etj.

 

Shembull tjetër për Emrat e Bukur të Allahut është "Dijeploti" (El-Alim) i cili është prej Emrave të Allahut që tregon dijen e plotë dhe gjithëpërfshirëse e cila nuk paraprihet nga mosdija dhe as nuk i ngjitet harresë.

Allahu i Lartësuar thotë: "Dija për të është tek Zoti im, në një Libër dhe Zoti im as nuk humb dhe as nuk harron." Ta-ha, 52.

Ajo është dituri e cila përfshin çdo gjë në përgjithësi e hollësi, qoftë ajo në lidhje me Veprat e Tij apo me veprat e robërve të Tij.

 

Kështu thuhet edhe për Emrat "Gjithëdëgjuesi", "Gjithëshikuesi", "I Gjithëmëshirshmi", "I Gjithëfuqishmi", "I Urti" e të tjera prej Emrave të Bukur të Allahut të Lartësuar.

 

Rregulli i dytë: Emrat e Allahut të Lartësuar janë Emra të Përveçëm dhe Cilësi. Ato janë Emra të Përveçëm nga ana e argumentimit të tyre për Qenien e Allahut dhe Cilësi nga ana e argumentimit të tyre për domethënien e tyre.

Sipas këndvështrimit të parë, ato janë sinonime, për shkak se tregojnë të gjitha Një të Emërtuar i Cili është Allahu i Madhëruar.

Ndërsa sipas këndvështrimit të dytë ato dallojnë nga njëri-tjetri, për shkak se çdonjëri prej tyre ka domethënie të veçantë. P.sh. "I Përjetshmi", "I Gjithëmundëshmi", "Gjithëdëgjuesi", "Gjithvështruesi", "Mëshirëploti", "I Urti"; të gjithë këto Emra janë për të Njëjtin të Emërtuar i Cili është Allahu i Lartëmadhëruar, por domethënia e Emrit "I Përjetshmi" është ndryshe nga domethënia e Emrit "I Gjithëdijshmi" dhe domethënia e "I Gjithëdijshmi" është e ndryshme nga domethënia e "I Gjithëmundëshmi", e kështu me radhë...

 

Rregulli i tretë: Nëse Emrat e Allahut tregojnë Cilësi të formës kalimtare, ato përmbajnë tre çështje:

E para: Qëndrueshmërinë e atij Emri.

E dyta: Qëndrueshmërinë e Cilësisë së Allahut që përmban ai Emër.

E treta: Qëndrueshmërinë e domethënies dhe domosdoshmërisë së atij Emri.

Për shembull, Emri "Gjithëdëgjuesi" përmban qëndrueshmërinë e Emrit "Gjithëdëgjues" si Emër i Allahut të Lartësuar, qëndrueshmërinë e "Dëgjimit" si Cilësi të Tij dhe qëndrueshmërinë e domethënies dhe domosdoshmërisë së tij e cila është se Ai dëgjon të fshehtën dhe të haptën, siç Allahu i Lartësuar: "Allahu e dëgjon dialogimin tuaj. Allahu është Gjithëdëgjues dhe Gjithëshikues." El-Muxhadele.

Kështu thuhet edhe për Emrat "I Gjithëdijshmi", "Mëshirëploti" e të gjithë emrat e tjerë të Allahut të kësaj forme.

 

Ndërsa, nëse Emri tregon një Cilësi të formës jokalimtare, ai përmban dy çështje:

E para: Qëndrueshmërinë e atij Emri.

E dyta: Qëndrueshmërinë e Cilësisë së Allahut të cilën përmban ai Emër.

P.sh. Emri "I Përjetshmi" përmban qëndrueshmërinë e këtij Emri për Allahun e Madhëruar dhe qëndrueshmërinë e "Jetës" si Cilësi të Allahut.

Po kështu edhe Emrat "Madhështori", "I Larti" etj.

 

Rregulli i katërt: Argumentimi i Emrave të Allahut të Lartësuar për Qenien dhe Cilësitë e Tij është në tre mënyra: Në përputhshmëri të plotë, në përmbajtje dhe në domosdoshmëri.

Kuptimi i argumentimit në përputhshmëri është shpjegimi i Emrit sipas domethënies së tij të plotë, apo sipas argumentimit të tij për të gjithë domethënien e tij.

Kuptimi i argumentimit në përmbajtje është shpjegimi i emrit sipas një pjese të domethënies së tij, apo sipas një pjese të kuptimit të tij.

Ndërsa kuptimi i argumentimit në domosdoshmëri është argumentimi i emrit për emra të tjerë mbi të cilat qëndron realiteti i këtij emri, ose argumentimi i tij për diçka të domosdoshme jashtë tij.

P.sh. "Krijuesi" është emër që tregon Qenien e Allahut dhe Cilësinë e të krijuarit në përputhshmëri të plotë, ndërsa në përmbajtje ai tregon vetëm për Qenien e Allahut dhe tregon në mënyrë të domosdoshme Dijen dhe Fuqinë e Allahut, sepse Krijuesi nuk mund të krijojë, vetëm nëse është i Mundshëm për të krijuar dhe nuk mund të krijojë, vetëm nëse është i Dijshëm.

 

Rregulli i pestë: Emrat e Allahut të Madhëruar janë Fikse në të cilat nuk ka vend për logjikën. Domethënia e kësaj është që të qëndrojmë në atë që ka ardhur në Kuran dhe Sunet dhe të mos e quajmë Allahun e Lartësuar, veçse me atë që Ai e ka quajtur Veten e Tij, apo e ka quajtur Atë i Dërguari i Tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), sepse logjika nuk mund t'i kapë emrat me të cilat i takon Allahut që të quhet me to.

Quajtja e Allahut të Madhëruar me atë që Ai nuk e ka quajtur Veten e Tij, apo mohimi i asaj me të Cilën Ai e ka quajtur Veten e Tij është krim kundrejt Allahut të Lartësuar, kështu që është e domosdoshme të sillemi me edukatën që i takon Allahut dhe të qëndrojmë me tekstet Hyjnore.

 

Rregulli i gjashtë: Emrat e Allahut nuk janë të kufizuara me ndonjë numër të caktuar, sepse i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë në një hadith të shumënjohur: "Unë të kërkoj Ty me të gjitha Emrat e Tu me të cilat Ti ke quajtur Veten Tënde, apo që e ke zbritur në Librin Tënd, apo që ia ke mësuar ndonjërës prej krijesave të Tua, apo që e ke mbajtur në dijen e të fshehtës aty tek Ti!"

Padyshim që atë që Allahu e ka mbajtur në dijen e të fshehtës nuk mund t'a përfshijë me njohje askush.

Ibën El-Kajim (Allahu e mëshiroftë) thotë në fjalën e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): "Apo që e ke mbajtur në dijen e të fshehtës aty tek Ti!": D.m.th. Je i Vetmi që e di, dhe nuk është kuptimi i saj se Ai ëhstë i Vetmi që quhet me atë Emër, sepse ky veçim është i qëndrueshëm edhe për emrat të cilat i ka zbritur në Librin e Tij."

Ndërsa kuptimi i fjalës së tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) në hadithin e transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi: "Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë Emra, njëqind pa një. Kush i numëron ato, hyn në Xhenet."

Kjo nuk do të thotë që emrat janë të kufizuar me këtë numër, sepse po të ishte për qëllim kufizimi i tyre, atëherë shprehja do të ishte kështu: "Emrat e Allahut janë nëntëdhjetë e nëntë dhe kush i numëron ato do të hyjë në Xhenet."

Ibën El-Kajim thotë në sqarimin e fazave të numërimit të Emrave të Allahut të cilat kush i numëron, hyn në Xhenet:

Faza e parë: Numërimi i fjalëve dhe numrit të tyre.

Faza e dytë: Kuptimi i domethënies dhe argumentimit të tyre.

Faza e tretë: Lutja me to, siç thotë Allahu i Lartësuar: "Të Allahut janë Emrat më të Bukur, prandaj luteni Atë me to!" El-Earaf, 180.

Lutja ka dy faza: E para: Lutje, lavdërim dhe adhurim.

E dyta: Lutje, kërkesë dhe kërkim."

 

Rregulli i shtatë: Disa prej Emrave të Allahut përdoren të thjeshtë ose të bashkangjitura me të tjerë, ndërsa disa Emra të tjerë nuk përdoren veçse të bashkangjitur me antonimin e tyre.

Shumica e emrave përdoren të thjeshtë ose të bashkangjitur me Emra të tjerë, si p.sh:

"I Gjithëmundëshmi", "Gjithëdëgjuesi", "Gjithvështruesi", "Mëshirëploti", "I Buti". Këto Emra dhe ato që janë të ngjashme me to, mundet që të quash me to Allahun, duke i përdorur të thjeshta, kështu siç janë ose të bashkangjitura me të tjerat. Kështu që mund të thuash: O i Gjithëfuqishëm! O Falësi i Madh! O Mëshirëplotë!

Ose të veçosh çdo Emër më vete duke thënë: O i Durueshmi! Ose: O Falësi i Madh! Ose: O Gjithëfuqishëm! E kështu...

 

Ndërsa disa emra të tjerë nuk mund t'i mvishen Allahut të thjeshta, por duhet patjetër që të bashkëngjiten me antonimin e tyre, si p.sh: Penguesi, Dëmprurësi, Hakmarrësi, Përçmuesi etj.

Nuk lejohet që këto emra të përdoren të ndarë nga e kundërta e tyre, por ato përdoren të bashkëngjitura me antonimet e tyre duke thënë: Dhënësi-Penguesi, Dobiprurësi-Dëmprurësi, Falësi-Hakmarrësi, Krenaridhënësi-Përçmuesi.

Kjo për shkak se përsosmëria është në bashkëngjitjen e çdonjërit prej këtyre emrave me antonimin e tij, sepse me këto emra është për qëllim se Allahu është i Veçuar në krijimin dhe sistemimin e krijesave të Tij dhe se Ai Vepron me to duke iu dhënë dhe duke iu ndaluar (riskun), duke iu prurë dobi dhe duke iu prurë dëm, duke i falur dhe duke marrë hak, duke i ngritur dhe duke i përçmuar.

Ndërsa që të lavdërohet me ndalimin e riskut, pa përmendur dhënien e tij, apo me hakmarrjen, dëmprurjen e tjerë, kjo është diçka që nuk shkon dhe nuk lejohet.

 

Këto emra të dyfishtë përdoren si një emër i vetëm nga i cili ndalohet që të ndahen gërmat e tij. Ato Emra, edhe nëse janë më shumë se një emër, ato përdoren si një emër i vetëm dhe për këtë shkak ato nuk kanë ardhur kurrë të ndarë nga njëri-tjetri dhe nuk janë përdorur, veçse të bashkangjitura.

Nëse thua: O Përçmues! O Dëmprurës! O Pengues i riskut! Ti nuk e ke lavdëruar Allahun dhe as nuk e falënderuar Atë, derisa të përmendësh të kundërtën e saj.

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Burimijetes.com

25.09.2010

 

fShare
0
Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2018 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com