All for Joomla All for Webmasters

RREGULLA NË LIDHJE ME CILËSITË E ALLAHUT TË LARTËSUAR

. Posted in Teuhidi i Emrave dhe Cilesive.

Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Rregulli i parë: Cilësitë e Allahut janë të gjitha Cilësi të Përsosura, pa mangësi të asnjë lloji apo forme në to. Si p.sh: Jeta, Dija, Fuqia, Dëgjimi, Shikimi, Mëshira, Lartësia, Madhështia e të tjera. Për përsosmërinë e tyre argumentojnë tekstet Hyjnore, logjika dhe natyrshmëria njerëzore.

Prej argumenteve nga tekstet Hyjnore është Fjala e Allahut të Lartësuar: "Për ata që nuk besojnë në Botën Tjetër është shembulli më i keq, ndërsa për Allahun është Shembulli më i Lartë." En-Nahl, 60.

Shembulli më i Lartë janë Cilësitë më të Larta dhe të Përkryera.

 

Ndërsa argumentimi me logjikë është se çdo gjë që ekziston në të vërtetë, është e domosdoshme që të ketë cilësi, qofshin ato cilësi të plota e të përkryera, apo cilësi të mangëta. Këto të dytat janë të paqëndrueshme për Allahun e Përsosur dhe që meriton të adhurohet, kështu që bëhen të domosdoshme ato të parat.

Pastaj, është provuar me shqisa dhe me sytë tanë se krijesat posedojnë disa cilësi të plota e të përsosura, kështu që Ai që i dhuron këto cilësi është më i parë që t'i posedojë ato.

 

Ndërsa argumentimi me natyrshmërinë njerëzore është sepse shpirtrat e pastër janë të prirë që ta duan Allahun, ta madhërojnë dhe ta adhurojnë Atë.

Dhe a mund të duash, të madhërosh e të adhurosh tjetër, përveç Atij që është posedon Cilësitë e plota e të përkryera të cilat i shkojnë për shtat Lartësisë dhe Hyjnisë së Tij?!

Pastaj, disa cilësi janë të përsosura plotësisht, si cilësitë e mësipërme dhe këto cilësi janë të qëndrueshme për Allahun e Lartësuar.

Disa të tjera janë plotësisht të mangëta dhe ato nuk i mvishen Allahut të Madhëruar. Sip.sh: Injoranca, verbëria, shurdhimi etj.

Ndërsa disa cilësi të tjera janë të përsosura në disa raste dhe të mangëta në disa raste të tjera. Me këto cilësi mund të cilësohet Allahu në rastin kur janë të përsosura dhe nuk mund të cilësohet kur janë të mangëta. D.m.th që Allahu cilësohet me to në mënyrë të kufizuar, si p.sh: kurthvënia, dinakëria, mashtrimi etj. (Thuhet: Allahu është Dinak me ata që janë dinakë. Allahu mashtron ata që mashtrojnë, e kështu).

 

Rregulli i dytë: Fusha e Cilësive të Allahut është më e gjerë se ajo e Emrave të Tij, sepse çdo Emër përmban një Cilësi, siç e pamë në rregullin e dytë prej rregullave të Emrave dhe sepse disa prej Cilësive janë të lidhura me Veprat e Allahut të cilat nuk kanë mbarim.

Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe sikur të gjitha pemët që janë në tokë të ishin pena dhe deti (i të gjithë botës të ishte bojë) bashkë me shtatë dete të tjerë që t'i shtoheshin atij, prapëseprapë Fjalët e Allahut nuk do të shterronin. Allahu është i Gjithëfuqishëm, më i Urti gjithëgjykues." Lukman, 27.

Prej shembujve për këtë është se disa Cilësi të Allahut, si Ardhja, Marrja, Kapja, Violenca, ne e cilësojmë Allahun me këto Cilësi ashtu si kanë ardhur, por nuk e quajmë me to. Nuk themi: Prej emrave të Allahut është Ardhësi, I Dhunshmi, Marrësi, Kapësi, Zbritësi e të tjera si këto, edhe pse mund të njoftojmë për Allahun me to dhe ta cilësojmë me to.

 

Rregulli i tretë: Cilësitë e Allahut ndahen në dy lloje: Të qëndrueshme dhe të mohueshme.

Cilësitë e qëndrueshme e të pohueshme janë ato që Allahu ka pohuar për Veten e Tij në Librin e Tij apo në gjuhën e të Dërguarit të Tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem). Të gjitha këto Cilësi janë të përkryera dhe pa asnjë lloj mangësie në to, siç është Jeta, Dija, Fuqia, Qëndrimi mbi Arsh, Dy Duart, Fytyra. Këto Cilësi duhet të pohohen ashtu siç i shkon për shtat Allahut të Madhëruar, gjë të cilën e pamë në fjalën për rrugën e ehli sunetit në lidhje me Emrat dhe Cilësitë e Allahut.

 

Ndërsa cilësitë e mohueshme janë ato cilësi të cilat Allahu i ka mohuar nga Vetja e Tij në Kuranin e Tij, apo në gjuhën e të Dërguarit të Tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem). Si p.sh: Mosdëgjimi, gjumi e cilësi të tjera të mangëta. Këto cilësi duhet të mohohen nga Allahu i Madhëruar.

 

Rregulli i katërt: Cilësitë e pohueshme janë cilësi lavdërimi dhe përsosmërie, sa më shumë të shtohen e të shumëllojshmërohet domethënia e tyre, aq më shumë shfaqet përsosmëria e të Cilësuarit me to. Për këtë shkak, cilësitë e pohueshme të cilat Allahu i ka treguar për Veten e Tij janë më shumë se cilësitë të cilat Ai i ka mohuar. Rregulli për këtë është pohimi i hollësishëm (ashtu si janë treguar) dhe mohimi i përgjithshëm. Pohimi është i qëllimshëm për vetë veten e tij, ndërsa mohimi, përgjithësisht nuk është përmendur, veçse në rastet e mëposhtme:

 

a)    Për të sqaruar përgjithësinë e Përsosmërisë së Tij, si në Fjalën e Allahut të Lartësuar: "Asgjë nuk është si Ai" Esh-Shura, 11, "Dhe s'ka asnjë të barabartë me të" El-Ihlas, 4.

b)    Mohimi i asaj të cilën ia kanë mveshur përgënjeshtruesit, si në Fjalën e Allahut: "Sepse ata i mveshën Mëshiruesit fëmijë. Por Mëshiruesit nuk i shkon që Ai të ketë fëmijë." Merjem, 91-92.

c)    Largimi i të dyshuarit për ndonjë mangësi në Cilësitë e Tij të Përsosura që kanë lidhje me këtë gjë, si në Fjalën e Allahut: "Ne nuk i kemi krijuar qiejtë, tokën dhe ç'ka ndërmjet tyre thjesht për lojë." [Ed-Duhan: 38], "Ne i krijuam qiejtë dhe tokën dhe ç'ka ndërmjet tyre për gjashtë ditë dhe nuk na kapi ndonjë lodhje." Kaf, 38.

 

Megjithëse mohueshmëria është e përmbledhur kundrejt pohueshmërisë së Cilësive, por ajo në vetvete përmban përmbledhje dhe shkoqitje.

Përmbledhja në mohueshmëri është që të mohosh nga Allahu i Madhëruar çdo gjë që e kundërshton Përsosmërinë e Tij prej llojeve të ndryshme të të metave e mangësive , si në Fjalën e Allahut të Lartësuar: "Asgjë nuk është si Ai" Esh-Shura, 11"A di ndonjë të barabartë me Të?!" Merjem, 65, "I Pastër është Zoti yt, Zoti i Fuqisë, nga ajo që i përshkruajnë." Es-Safat, 180.

 

Ndërsa shkoqitja në mohueshmëri është që të pastrohet Allahu nga çdo e metë e mangësi në veçanti. Pastrohet nga fëmija, nga bashkëshortja, nga kotja, nga gjumi e të tjera cilësi nga të cilat Allahu është i Pastër.

Rregulli i pestë: Cilësitë e pohueshme ndahen në dy lloje: Vetjake dhe Veprore:

 

a)    Cilësitë vetjake janë ato Cilësi me të cilat Allahu ka qenë dhe vazhdon të jetë i cilësuar me to dhe të cilat nuk ndahen nga Ai, si Dija, Fuqia, Dëgjimi, Shikimi, Krenaria, Urtësia, Fytyra, Dy Duart etj.

b)    Cilësitë veprore të cilat quhen gjithashtu Cilësitë e të zgjedhurit, janë ato cilësi të cilat kanë lidhje me Dëshirën e Allahut; nëse Ai do, e bën diçka dhe nëse nuk do, nuk e bën. Këto cilësi ripërtërihen sipas Dëshirës së Allahut, siç është qëndrimi mbi Arsh dhe zbritja në qiellin e dynjasë.

 

Cilësia mund të jetë njëkohësisht Vetjake dhe Veprore, siç është të Folurit i cili, duke u nisur nga origjina e tij, ai është cilësi Vetjake, sepse Allahu ka qenë Folës dhe vazhdon të jetë Folës. Ndërsa duke u nisur nga çdo e folur më vete, ajo është cilësi veprore, sepse të folurit është i lidhur me Dëshirën e Allahut i Cili flet kur të dojë dhe ç'farë të dojë, dhe çdo cilësi që lidhet me Dëshirën e Tij, ajo pason Urtësinë e Tij e cila mund të jetë e njohur për ne, por mund të jetë edhe e panjohur dhe e pakapshme nga ne.

Por ne e dimë me dije të sigurt se Allahu i Lartësuar nuk Dëshiron veçse atë që përputhet me Urtësinë e Tij, siç e tregon edhe Fjala e Tij: "Por ju nuk mund të dëshironi, vetëm nëse dëshiron Allahu. Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë." El-Insan, 30.

 

Rregulli i gjashtë: Cilësitë Vetjake dhe Veprore ndahen në dy lloje: Logjike dhe të njohura me lajm Hyjnor:

 

a)    Cilësitë logjike janë ato cilësi, për pohimin e të cilave bashkohen argumentet Hyjnore të sheriatit, argumentet e logjikës dhe ato të natyrshmërisë së pastër. Shumica e Cilësive të Allahut janë të këtij lloji, si dëgjimi, shikimi, fuqia, mundësia, etj.

b)    Cilësitë e njohura me lajm Hyjnor të cilat quhen edhe Cilësitë e përcjella nga Lajmet e qiellit. Këto cilësi nuk mund të njihen veçse me anë të teksteve Hyjnore. Rruga për njohjen e tyre është vetëm teksti Hyjnor, megjithëse logjika e shëndoshë nuk i refuzon ato. Si p.sh: Dy Duart e Allahut, zbritja e Tij në qiellin e dynjasë etj.   

 

Rregulli i shtatë: Cilësitë e Allahut janë fikse dhe nuk ka vend për futjen e logjikës në to. Ne nuk e cilësojmë Allahun, veçse me atë me të cilën Ai e ka cilësuar Veten e Tij në Librin e Tij, apo në gjuhën e të Dërguarit të Tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem).

Mënyra e argumentimit të Kuranit dhe Sunetit për pohueshmërinë e një cilësie të Allahut është në tre lloje:

 

a)   Të shprehurit e qartë të cilësisë, si p.sh: Fuqia, Krenaria, Mëshira etj, si në Fjalën e Allahut: "E gjithë krenaria është për Allahun." En-Nisa, 139, "Allahu është Furnizuesi i Madh me Fuqi të fortë." Edh-Dharijat, 58, "Zoti yt është i Pasur dhe me Mëshirë." El-En'am, 133.

b)    Përmbajtja e emrit atë cilësi, si p.sh: I Gjithëfuqishmi dhe Falësi i Madh. Allahu i Lartësuar thotë: "Ai i Cili ka krijuar vdekjen dhe jetën, ashtuqë t'iu sprovojë juve, o ju vepërmirë! Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, Falësi i Madh." El-Mulk, 2. I Gjithëfuqishmi e përmban cilësinë e Fuqisë dhe Falësi i Madh e përmban cilësinë e të falurit.

c)    Shprehja qartë e një vepre apo përshkrimi i cili argumenton për një cilësi të caktuar. Si p.sh: Qëndrimi mbi Arsh, të Ardhurit etj. Allahu i Lartësuar thotë: "Mëshiruesi mbi Arsh qëndroi." Ta-ha, 5, "Dhe vjen Zoti yt dhe engjëjt radhë-radhë." El-Fexhr, 22.

 

Rregulli i tetë: Gjërat që i ngjiten Allahut, nëse janë sende, ato janë prej krijesave dhe nëse janë cilësi, ato janë prej Cilësive të Allahut.

Sqarimi i kësaj është se ato që i ngjiten Allahut janë dy llojesh:

 

  1. Qenie më vete, si p.sh: Robi i Allahut, deveja e Allahut, etj. Këto janë prej krijesave të Allahut dhe ngjitja e tyre Allahut është nga ana e ngjitjes së krijesës Krijuesit të saj, por kjo mund të përmbajë edhe nderim, si p.sh: Shtëpia e Allahut, Deveja e Allahut. Dhe mundet që të mos përmbajë nderim, si p.sh: Toka e Allahut, qielli i Allahut etj.
  2. Të qënurit e të ngjiturës cilësi dhe jo qenie më vete, si p.sh: Dëgjimi i Allahut, Fuqia e Allahut, Shikimi i Allahut etj. Kjo ngjitje tregon se ajo cilësi qëndron me Allahun dhe se Allahu është i Cilësuar me të. Kjo hyn në temën e ngjitjes së cilësisë tek i cilësuari.

 

Rregulli i nëntë: Fjala për disa cilësi është njësoj si fjala për disa cilësi të tjera. Me këtë rregull është për qëllim kundërshtimi i atyre që pohojnë disa cilësi të Allahut dhe mohojnë të tjerat. Atij që vepron kështu i thuhet: Ti duhet t'i pohosh të gjitha, ose t'i mohosh të gjitha!

Ai që pohon disa cilësi dhe mohon të tjerat, ai është në mëdyshje dhe në kundërshtim me veten e tij, gjendje e cila tregon kotësinë dhe mossaktësinë e asaj fjale.

 

Rregulli i dhjetë: Fjala për Cilësitë është njësoj si fjala për Qenien e Allahut. Kjo, sepse si Allahu i Lartësuar nuk është asgjë, as në Qenien e Tij, as në Cilësitë e Tij dhe as në Veprat e Tij. Allahu ka Qenie të Vërtetë dhe asaj nuk i ngjan asnjë qenie tjetër. Qenia e Allahut është e cilësuar me Cilësi të Vërteta të cilave nuk u ngjajnë cilësitë e krijesave.

 

Rregulli i njëmbëdhjetë: Ana e jashtme e teksteve të Cilësive të Allahut janë të njohura për ne nga një anë dhe të panjohura nga një anë tjetër.

Për nga ana e domethënies së tyre, ato janë të njohura për ne, ndërsa nga ana e formës dhe mënyrës së tyre, ato janë të panjohura për ne, si p.sh: Qëndrimi mbi Arsh; kuptimi i tij është i njohur për ne dhe ai është Lartësia, Ngritja lartë, Ngjitja dhe qëndrimi.

Por forma dhe mënyra e tij është e panjohur për ne, sepse Allahu na ka njoftuar se Ai qëndroi mbi Arsh, por nuk na ka njoftuar se si qëndroi.

Kështu thuhet për të gjitha Cilësitë e Allahut të Madhëruar.

 

Rregulli i dymbëdhjetë: Për lidhjen ndërmjet Cilësive dhe Qenies së Allahut.

Fjala përmbledhëse në këtë çështje është se lidhja ndërmjet Cilësive dhe Qenies së Allahut është lidhje reciproke. Besimi në Qenien e Allahut bën të domosdoshëm besimin në Cilësitë e Tij dhe anasjelltas. Nuk mund të përfytyrohet ekzistenca e një qenieje të zhveshur nga cilësitë e dukshme nga jashtë, ashtu si edhe nuk mund të ekzistojë ndonjë cilësi e dukshme nga jashtë, vetëm nëse ajo qëndron në një qenie.

 

Rregulli i trembëdhjetë: Lidhja e cilësive me njëra tjetrën nga ana e gjurmëve dhe domethënieve të tyre.

Lidhja e tyre me njëra-tjetrën mund të jetë se ato janë sinonime ose me kuptim të përafërt nga ana kuptimore, si p.sh: Dashuria, mëshira, gëzimi, kënaqja, qeshja etj.

Por ka edhe cilësi të cilat janë antonime të njëra-tjetrës, si: Shfaqja dhe fshehja, dobia dhe dëmi, pengimi i rrëskut dhe dhënia e tij.

Ndërsa disa cilësi të tjera janë të kundërta për nga kuptimi i tyre, si p.sh: Nxehja me urrejtjen përballë pëlqimit, ose mospëlqimi me dashurinë, e kështu…

Cilësimi i Allahu të Madhëruar me këto cilësi të dyfishta të cilat janë marrë nga Emrat e Tij të kundërt me njëri-tjetrin, apo me cilësitë me kuptim të kundërt, apo me cilësitë që janë sinonime nga ana e argumentimit të të njëjtës Qenie dhe të ndryshme nga njëra-tjetra në vetvete përgjithësisht, këto janë argument për përsosmërinë në të cilën nuk e shoqëron askush, sepse ato argumentojnë përfshirjen e Mundësisë absolute, Urtësisë absolute dhe të veçuarit në sistemimin e të gjitha çështjeve të kozmosit.

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Burimijetes.com

29.09.2010

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com