All for Joomla All for Webmasters

GJYKIMI PËR ATË QË MOHON NJË PREJ CILËSIVE TË ALLAHUT TË POHUAR NË KURAN APO SUNET

. Posted in Teuhidi i Emrave dhe Cilesive. Vizita: 394

fShare
0
Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Kjo çështje kërkon maturi, kujdes, pastaj shkoqitje.

Thuhet: Ai që mohon një prej Cilësive të Allahut e cila është e pohuar në tekstet hyjnore hyn në një prej gjendjeve të mëposhtme:

 

E para: Ai që e mohon atë mund të jetë me vetëdije për qëndrueshmërinë e tekstit që pohon atë Cilësi, qoftë ai ajet kuranor apo hadith dhe nuk ka asnjë dyshim e cila mund t'i ketë ndryshuar kuptimin e tekstit, por e mohon me kryeneçësi, nga qëllimi i prishur, zemra e sëmurë dhe kundërshtimi i të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) pasi që i është bërë e qartë e vërteta.

Ky person është kafir, jobesimtar, për shkak të përgënjeshtrimit të tij Fjalës së Allahut, apo fjalës së të Dërguarit të Tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem).

 

E dyta: Mohuesi i një Cilësie mund të jetë në përpjekje për të gjetur të vërtetën dhe i njohur për sinqeritetin dhe pranimin e këshillës, por ai gabon dhe e komenton atë Cilësi ndryshe nga kuptimi i drejtpërdrejtë i saj, ose për shkak se ai nuk e di tekstin që e pohon atë, ose për shkak të mosnjohjes së tij të domethënies së saktë të tij.

Gjykimi për këtë është se ai mund të jetë i justifikueshëm dhe gabimi i tij i falshëm, sepse mohimi i tij ka lindur për shkak të komentimit të gabuar dhe jo për shkak të kryeneçësisë dhe qëllimit të prishur.

 

E treta: Ai mund të jetë ndjekës i dëshirave dhe epsheve të tij, duke e lënë mangët kërkimin e së vërtetës dhe duke folur pa dije, por ai nuk ka për qëllim kundërshtimin e të Dërguarit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe nuk i është bërë plotësisht e qartë e vërteta. Kështu që gjykimi për të është se ai është mëkatar dhe mund të jetë i shthurur (fasik).

Dijetari i Islamit Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë: "Sa për quajtjen kafir të dikujt, e sakta është se ai që përpiqet të njohë të vërtetën prej popullit të Muhamedit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), por gabon, ai nuk ka rënë në kufër, por atij i falet gabimi i tij. Ndërsa atij që i bëhet e qartë ajo me të cilën ka ardhur i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe ai e kundërshton të Dërguarin (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) pasi që t'i jetë bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, ai është kafir (josbesimtar). Ndërsa ai që ndjek epshet e tij dhe e lë mangët kërkimin e së vërtetës, pastaj flet pa dije, ai është mëkatar dhe gabimtar, madje mund të jetë edhe i shthurur (fasik), ose mund të jetë që të mirat e tij të jenë më shumë se të këqijat e tij.

Kështu që bërja kafir ndryshon me ndryshimin e gjendjes së personit. Jo çdo gabimtar, çdo bidatçi, çdo injorant dhe çdo i humbur, është kafir, madje as i shthurur, madje as mëkatar."

Pastaj thotë (Allahu e mëshiroftë!): "E them këtë edhe pse unë gjithmonë, dhe ata që ulen tek unë e dinë këtë gjë timen, se unë jam më i shumti prej njerëzve që ndaloj nga quajtja e dikujt të veçantë kafir, i shthurur apo mëkatar, vetëm nëse dihet se atij i është bërë i qartë argumenti qiellor të cilin kush e kundërshton, mund të jetë kafir, ose fasik, ose mëkatar. Unë e pohoj se Allahu ia ka falur këtij populli atë që bëjnë gabimisht dhe kjo përfshin gabimin në çështjet e lajmeve gojore apo në çështjet e veprave.

Selefët kanë vazhduar të kundërshtohen për shumë prej këtyre çështjeve, por askush prej tyre nuk ka dëshmuar mbi ndokënd se ai është kafir, i shthurur, apo mëkatar."

Derisa tha: "Unë u bëj të qartë se ajo që është përcjellë nga selefët dhe dijetarët e mëdhenj prej hedhjes së fjalës së bërjes kafir në përgjithësi, të atij që thotë kështu e kështu, kjo është e vërtetë, por duhet të bëhet dallim ndërmjet thënies në përgjithësi dhe veçimit të një personi të caktuar."

 

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Burimijetes.com

24.11.2010

 

 

fShare
0
Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2018 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com