All for Joomla All for Webmasters

NJË STUDIM I SHKURTËR PËR DISA SHPREHJE PËRMBLEDHËSE (1)

. Posted in Teuhidi i Emrave dhe Cilesive.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Së pari: Ana, Drejtimi. Kjo fjalë është prej fjalëve përmbledhëse të cilën e përdorin mohuesit e Cilësive të Allahut. Po cili është kuptimi gjuhësor i kësaj fjale? Ç'farë kanë për qëllim me përdorimin e saj? Cili është vërtetimi në domethënien e kësaj fjale? A është ajo prej atyre që pohohen për Allahun, apo prej atyre që mohohen nga Ai?

a) Kuptimi gjuhësor i kësaj fjale është mënyra e të drejtuarit dhe drejtimit që synon. Përdoret gjithashtu për rrugën dhe për çdo gjë nga e cila drejtohesh dhe nisesh për atje.

b) Mohuesit e Cilësive kanë për qëllim me fjalën "Anë" apo "Drejtim", mohimin e cilësisë së të qënurit lartë nga Allahu i Madhëruar.

c) Vërtetimi në këtë fjalë është që të thuhet: Përdorimi i fjalës "anë" në lidhje me Allahun e Lartëmadhëruar është diçka e shpikur e cila nuk është përmendur as në Kuran, as në Sunet dhe as nga ndonjë prej të parëve të këtij populli.

Prej këtu, nuk lejohet që kjo shprehje të përdoret për Allahun e Madhëruar, as me mohim dhe as me pohim, por duhet patjetër që të shkoqitet, sepse kjo domethënie përmban të vërtetë dhe të kotë.

Nëse me këtë fjalë kanë për qëllim anën e poshtme, kjo mohohet nga Allahu dhe është absurde për Të, sepse Allahu është më i Madh dhe më Madhështor nga përkufizimi i Tij prej krijesave të Tij. Si mund të jetë diçka e tillë, ndërsa Kursiji i Tij është më i gjerë se qiejt e toka?!

Ndërsa nëse është për qëllim me këtë fjalë se Allahu gjendet në të gjitha anët dhe se Ai është i shkrirë në krijesat e Tij, apo se Ai është në çdo vend, nuk ka dyshim që kjo është absurde në lidhje me Allahun dhe mohohet krejtësisht nga Ai.

Ndërsa nëse është për qëllim mohimi i ndonjë ane të caktuar për gjendjen e Allahut, siç thonë mohuesit e Cilësive të cilët thonë se Allahu nuk është në asnjë prej anëve; d.m.th.: nuk është në asnjë vend. Ai, sipas tyre, nuk është as brenda botës dhe as jashtë saj, as i ngjitur me të dhe as i shkëputur nga ajo, as lart dhe as poshtë. Kjo gjithashtu është absurde në lidhje me Allahun dhe mohohet nga Ai, sepse ky është përshkrim i asgjësë së thatë.

Ndërsa nëse është për qëllim me fjalën "anë", ana e lartësisë e cila i shkon për shtat Madhështisë dhe Krenarisë së Tij, pa e përkufizuar Atë dhe pa qenë i nevojshëm për ndonjë prej krijesave të Tij, kjo është diçka e vërtetë dhe e qëndrueshme për Allahun, si dhe kuptim i saktë për të cilin argumentojnë tekstet Hyjnore, logjika dhe natyrshmëria e pastër.

Domethënia e të qënurit të Allahut në qiell, d.m.th.: lart, ose kuptimi i parafjalës "në" është "mbi", d.m.th.: mbi qiell, siç thotë Allahu i Lartësuar: "Dhe do t'ju kryqëzoj juve në trungjet e palmave." Ta-ha, 71.D.m.th.: mbi trungjet e palmave. 

Me këtë sqarim bëhet e qartë e vërteta nga e kota në përdorimin e kësaj fjale.

Ndërsa për sa i përket shprehjes, ajo nuk pohohet dhe as nuk mohohet, por duhet që të përdoret në vend të saj shprehja që ka ardhur në tekste për këtë kuptim, dhe ajo shprehje është "lartësia" dhe "të qënurit mbi krijesat".

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Burimijetes.com

25.12.2010

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com