Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Së dyti: Kufizimi, gjithashtu, është prej fjalëve përmbledhëse të cilën e përdorin mohuesit e Cilësive të Allahut. Po cili është kuptimi i "Kufizimit" në gjuhë? Çfarë kanë për qëllim mohuesit e Cilësive me këtë fjalë? Cili është dyshimi i tyre në të dhe cila është përgjigja e pasuesve të sunetit?
a) Domethënia e "Kufizimit" në gjuhë është ndarja, ndalimi dhe pengesa ndërmjet dy gjërave e cila pengon përzierjen e tyre me njëra-tjetrën. Thuhet: kufizova këtë; d.m.th.: i vura kufij që të dallohet. Kufiri i shtëpisë është ai që e dallon atë nga shtëpitë e tjera. Përkufizimi i diçkaje është përshkrimi që përfshin domethënien e saj dhe që e dallon nga të tjerat.
b) Mohuesit e Cilësive të Allahut kanë për qëllim me fjalën "kufizim" mohimin e qëndrimit të Allahut mbi Arshin e Tij.
c) Dyshimi i tyre për këtë është se ata thonë: “Nëse do ta pohonim qëndrimin e Allahut mbi Arshin e Tij, atëherë kjo bën të domosdoshme që Ai të jetë i kufizuar, sepse ai që qëndron mbi diçka, ai është me përmasë të kufizuar. Njeriu p.sh, nëse qëndron mbi deve, ai kufizohet nga një zonë e caktuar, rrethohet nga ajo dhe gjithashtu është mbi diçka të kufizuar.” Duke u mbështetur këtu, ata e mohojnë qëndrimin e Allahut mbi Arshin e Tij, duke menduar se kështu ata e pastrojnë Allahun e Lartësuar nga të qenët i kufizuar, apo nga kufijtë.
d) Përgjigja e pasuesve të sunetit për këtë është se fjala "kufizim" nuk është përmendur as në Kuran, as në Sunet dhe as në fjalët e selefëve, por ajo është një shprehje e shpikur dhe aksidentale. Dhe neve nuk na takon që ta cilësojmë Allahun me diçka që Ai nuk e ka cilësuar Veten e Tij dhe as nuk e ka cilësuar Atë i Dërguari i Tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), as me pohim dhe as me mohim. Ne jemi pasues dhe jo shpikës.
Kjo për sa i përket shprehjes, ndërsa për domethënien, ne pyesim dhe shkoqisim, si gjithmonë dhe themi: Çfarë keni për qëllim me "kufizimin"?
Nëse keni për qëllim se Allahu është i kufizuar, d.m.th.: që dallon nga krijesat e Tij, i shkëputur nga ato, jashtë tyre, atëherë kjo është diçka e vërtetë dhe nuk përmban ndonjë mangësi në vetvete. Kjo është e qëndrueshme për Allahun me këtë kuptim.
Ndërsa nëse keni për qëllim me të qenët e Tij i kufizuar se Arshi e përfshin Atë dhe se ju doni ta mohoni këtë gjë nga Allahu duke mohuar qëndrimin e Tij mbi Arsh, kjo është diçka e kotë dhe domosdoshmëri e pasaktë, sepse Allahu i Lartësuar qëndron mbi Arshin e Tij, edhe nëse Ai është më i Madh se Arshi edhe pa Arshin.
Nuk është e domosdoshme prej të qëndruarit e Allahut mbi Arsh se Arshi e përfshin Atë, sepse Allahu i Madhëruar është më i Madh se çdo gjë dhe më Madhështor se çdo gjë. Të gjitha tokat janë në kapjen e Tij në Ditën e Kiametit, ndërsa qiejt janë të palosura në të Djathtën e Tij.
Muhamed bin Ibrahim el Hamd
Burimijetes.com
08.01.2011