All for Joomla All for Webmasters

NJË STUDIM I SHKURTËR PËR DISA SHPREHJE PËRMBLEDHËSE (3)

. Posted in Teuhidi i Emrave dhe Cilesive.

Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Së treti:  Aksidentalet: Këtë shprehje e përdorin pasuesit e shkencës së fjalës dhe të filozofisë. Prej thënieve të tyre është: "Ne e pastrojmë Allahun e Lartësuar nga gjërat aksidentale (të krijuara), nga nevojat, pjesët përbërëse, kufijtë dhe anët." 

Ata gjithashtu thonë: "I Lartësuar është Ai që është larg aksidentaleve, nevojave dhe pjesëve përbërëse!"

 

Në rreshtat vijuese do të bëhet fjalë për shprehjen "aksidentalet", ndërsa shprehjet e tjera do të përmenden më pas.

 

  1. Domethënia e fjalës "aksidental" në gjuhë. Aksidentalja në gjuhë është diçka e paqëndrueshme, jo fikse, apo diçka jo e domosdoshme për diçka tjetër, apo diçka që nuk është e pamundur ndarja e saj nga diçka tjetër. Prej shembujve për këtë është: Gëzimi për njeriun është diçka aksidentale, sepse ai nuk është i qëndrueshëm, por aksidental që shfaqet dhe zhduket. Po kështu edhe zemërimi, pëlqimi etj.
  2. Aksidentalja në përdorimin e mutekeliminëve (pasuesit e shkencës së fjalës dhe filozofisë): El-Fejumi thotë: “Aksidentalja në zakonin e mutekeliminëve është diçka që nuk qëndron vetë dhe nuk mund të gjendet veçse me diçka me të cilën mund të qëndrojë.” Ndërsa Er-Ragib El-Asfehani thotë: "Aksidentalja është diçka që nuk ka qëndrueshmëri dhe prej kësaj e kanë përdorur mutekelimunët aksidentalen për atë që nuk ka qëndrueshmëri, veçse me diçka të qëndrueshme dhe bazë, si ngjyra dhe e ngrëna."
  3. Çfarë kanë për qëllim mutekelimunët me fjalën e tyre: "Allahu është i pastër nga aksidentalet"?  Qëllimi i tyre me këtë fjalë është mohimi i Cilësive të Allahut, sepse sipas tyre, aksidentalet janë cilësi.
  4. Cili është dyshimi i tyre? Ata thonë se aksidentalet nuk mund të qëndrojnë, veçse me trupat, ndërsa trupat janë të ngjashëm me njëri-tjetrin, kështu që pohimi i Cilësive të Allahut do të thotë se Allahu ka trup, ndërsa Allahu është i pastër nga kjo gjë. Prej këtu, ne i mohojmë Cilësitë, sepse në pohimin e tyre i mvishet Allahut trup, d.m.th.: cilësohet sikur Allahu është trup, ndërsa trupat janë të ngjashëm dhe pohimi i Cilësive është kufër dhe humbje e sigurt. Ky është dyshimi dhe argumentimi i mutekelimunëve.
  5. Kthimi përgjigje mutekelimunëve në këtë çështje është në disa pika:

 

1. Fjala "aksidentalet" nuk është përmendur as në Kuran dhe as në Sunet, as me mohim dhe as me pohim, gjithashtu nuk është përmendur as nga selefët e popullit. Rruga e njohur e ehli sunetit në lidhje me shprehje të tilla është heshtja për atë shprehje, kështu që as nuk i pohojmë aksidentalet dhe as nuk i mohojmë.

Ndërsa për domethënien e tyre bëhen shkoqitje dhe pyeten ata që i thonë ato: “Nëse keni për qëllim me to diçka që përmban mangësi në lidhje me Allahun e Madhëruar, si mërzitja, pendimi, sëmundja, frika etj, atëherë kjo domethënie është e saktë dhe Allahu është i Pastër nga këto, sepse ato janë të meta dhe jo sepse janë aksidentale.”

Ndërsa nëse keni për qëllim mohimin e asaj që ka pohuar Allahu në Librin e Tij, apo në gjuhën e të Dërguarit të Tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), prej Cilësive të Tij si Zemërimi, Gëzimi, Kënaqja etj., duke thënë se këto janë aksidentale, kjo është e kotë dhe e kthyer mbrapsht dhe nga pohimi i tyre nuk rrjedh asnjë domosdoshmëri.

 

2. Jo të gjitha Cilësitë e Allahut janë aksidentale, por disa prej tyre janë aksidentale, si Gëzimi dhe Zemërimi, ndërsa disa të tjera nuk janë aksidentale, siç janë disa cilësi Vetjake si Dora, Fytyra, Këmba, Gjuri etj. Këto nuk janë aksidentale, por të ngjitura me Veten dhe të pandara nga Ajo.

 

3. Fjala juaj: "Aksidentalet nuk mund të qëndrojnë veçse me një trup tjetër", është e kotë, sepse aksidentalet mund të qëndrojnë edhe pa trup tjetër, siç thuhet: “Natë e gjatë.” Fjala jonë "e gjatë" është cilësim i natës dhe nata nuk është trup. Po kështu thuhet edhe për shprehjen "i nxehtë i madh", "sëmundje e dhembshme", "i ftohtë i egër" etj.

 

4. Fjala se trupat janë të ngjashëm, është fjalë e kotë, sepse trupat nuk janë të ngjashëm as me qeniet, as me cilësitë dhe as me krijimin e tyre. Kështu p.sh.: milingona dallon në madhësi nga deveja, ndërsa trupi që matet me karat ndryshon në peshë nga ai që matet me kintar dhe në prekje ndryshon e ashpra nga e buta dhe i buti nga i egri, e kështu.

 

5.  Fjala "trup" (për Allahun) është shpikur nga mutekelimunët dhe kjo shprehje merret sipas rregullit të shprehjeve përmbledhëse; nëse pohimi i Cilësive sjell domosdoshmërish që Allahu të jetë trup, në kuptimin tuaj, kjo nuk na dëmton.

Por, nëse keni për qëllim me "trupin", diçka të qëndrueshme me Veten e Tij dhe të cilësuar me Cilësitë që i shkojnë për shtat Atij, kjo është e vërtetë, sepse ne besojmë se Allahu është Qenie e cilësuar me Cilësi që i shkojnë për shtat Atij. Kështu që nëse ke për qëllim me "trupin" këtë gjë, kjo është e saktë.

Ndërsa nëse ke për qëllim me "trupin" diçka të përbërë nga gjymtyrë, gjak e mish dhe pjesët e të cilit kanë nevojë për njëra-tjetrën, apo të ngjashme me këtë, kjo është e kotë dhe e pavërtetë, sepse kjo do të thotë që Allahu të jetë i krijuar apo i shpikur, gjë e cila është absurde. Kështu që ne nuk jemi dakord me pohimin e "trupit" për Allahun dhe as për mohimin e tij, sepse ai përmban të vërtetë dhe të kotë.

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Burimijetes.com

31.01.2011

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com