All for Joomla All for Webmasters

NJË STUDIM I SHKURTËR PËR DISA SHPREHJE PËRMBLEDHËSE (4)

. Posted in Teuhidi i Emrave dhe Cilesive. Vizita: 555

fShare
0
Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Së katërti: Pjesët përbërëse, apo organet, shtyllat dhe gjymtyrët. Këto, gjithashtu, janë prej shprehjeve të përmbledhura të cilat përmbajnë të vërtetë dhe të kotë në vetvete.

Më poshtë po paraqesim disa prej kuptimeve të tyre, qëllimin e mohuesve të Cilësive me përdorimin e tyre dhe përgjigjen e ehli sunetit kundër pretendimeve të tyre.

a) Kuptimi i këtyre fjalëve është i përafërt:

Pjesët përbërëse janë pjesët e diçkaje. Kur themi: Ndava diçka, d.m.th.: e ndava në disa pjesë.

Shtyllat janë shtyllat që mbajnë diçka dhe pjesa e fortë tek e cila mbështetet dhe mbahet në të.

Pjesët janë ato prej të cilave përbëhet një trup. Pjesa e diçkaje është ajo nga e cila formohet trupi i plotë, si pjesët e anijes, apo pjesët e shtëpisë.

Ndërsa gjymtyrët janë shumësi i fjalës gjymtyrë. Qentë gjuajtës, luanët dhe shpendët gjuajtës janë quajtur gjymtues, ose ngaqë ato e gjymtojnë prehën e tyre, ose ngaqë e arrijnë ushqimin me duart e tyre. Pastaj u quajtën gjymtyrët që arrijnë kapjen e gjërave "gjymtyrë" në ngjashmëri me një nga këto dy kuptime.

E ngjashme me këto shprehje është edhe shprehja "veglat", "mjetet" etj.

b) Qëllimi i mohuesve të Cilësive me përdorimin e tyre është mohimi i disa Cilësive Vetjake të pohuara me argumente të prera, si: Dora, Fytyra, Kërciri, Këmba dhe Syri.

c) Çfarë i ka shtyrë ata në mohimin e këtyre Cilësive? Ajo që i ka shtyrë ata në mohimin e këtyre Cilësive është besimi i tyre se këto cilësi tek krijesat janë pjesë përbërëse, gjymtyrë, organe, shtylla, vegla etj. Kështu që, ata mendojnë se pohimi i këtyre cilësive për Allahun përmban përngjasim dhe trupëzim, kështu që sipas atyre, këto cilësi duhet të mohohen për t'iu larguar kësaj gjëje. Ata shkuan në përdorimin e këtyre shprehjeve të përmbledhura me qëllim që fjala e tyre të gjejë vend dhe të pranohet nga të tjerët.

d) Përgjigja e ehli sunetit është se ata thonë se edhe pse këto cilësi llogariten si pjesë përbërëse tek krijesat, apo gjymtyrë a organe, por ato nuk llogariten si të tilla në lidhje me Krijuesin, por ato janë Cilësi të cilat Ai i ka pohuar për Veten e Tij, ose që i ka pohuar për Të i Dërguari i Tij (sal-lallahu alejhi ue sel-lem). Ne nuk mund të ndërhyjmë tek ato cilësi me logjikën dhe dëshirat tona, por besojmë dhe i marrim ato ashtu si kanë ardhur, ndërsa realitetin dhe formën e tyre i lëmë tek Allahu i Madhëruar, për shkak se ne nuk e njohim realitetin dhe formën e Qenies së Allahut, ndërsa njohja e realitetit të cilësisë qëndron në njohjen e realitetit të Qenies, siç është e ditur.

Këto Cilësi, d.m.th.: Dora, Kërciri e të ngjashme me to, si dhe shumë Cilësi të tjera të Allahut, mund të bashkohen me cilësitë e krijesave të Tij në shprehje dhe në kuptimin e përgjithshëm, para se t'i ngjiten Allahut (por realiteti i tyre është krejtësisht i ndryshëm). Pas ngjitjes së tyre, Cilësitë e Krijuesit veçohen nga ato të krijesave. Cilësitë e Krijuesit i shkojnë për shtat Atij, Madhështisë së Tij, Mbajtjes së krijesave nga Ai. Ndërsa cilësitë e krijesave i përshtaten krijueshmërisë së tyre dhe dobësisë së tyre.

Prej këtu, i thuhet atij që i përdor ato shprehjet përmbledhëse të mësipërme se nëse ke për qëllim që të mohosh nga Allahu i Madhëruar të qënurit e Tij trup, kufomë, gjymtyrë etj, atëherë fjala jote është e saktë dhe mohimi yt është në vendin e tij. Por nëse ke për qëllim mohimin e Cilësive të pohuara e të qëndrueshme për Të, për të cilat ti mendon se ato përmbajnë trupëzim, apo domosdoshmëri të tjera të kota si këto, atëherë fjala jote është e kotë dhe mohimi yt nuk është me vend.

Kjo për sa i përket domethënies së këtyre shprehjeve, ndërsa për sa i përket shqiptimit të tyre, është e domosdoshme që të qëndrosh në shprehjet e sheriatit që janë përdorur në mohim apo pohim, për shkak të pastërtisë së tyre nga supozimet e prishura.

Shpjeguesi i librit të "Akides Tahavije" thotë: "Por nuk thuhet për këto Cilësi se ato janë organe, apo gjymtyrë, apo vegla, apo shtylla, sepse shtylla është një pjesë e qenësisë, ndërsa Allahu është Një i Vetëm dhe për të Cilin kanë nevojë të gjitha krijesat (Es-Samed). Ai nuk copëzohet, ndërsa gjymtyrët përmbajnë kuptimin e ndarjes dhe copëzimit. Allahu është i Pastër dhe i Lartë nga kjo. Prej këtij kuptimi është edhe Fjala e Allahut: "Të cilët e bënë pjesë-pjesë Kuranin (sipas qejfit të tyre dhe duke besuar në një pjesë e duke lënë pjesën tjetër)" El-Hixhr, 91.

Gjymtyrët kanë edhe domethënie të arritjes dhe përfitimit. Po kështu edhe veglat janë mjetet prej të cilave përfitohet në tërheqjen e të mirave dhe shtyrjen e të këqijave.

Të gjitha këto domethënie janë të mohuara nga Allahu i Lartësuar, për këtë shkak ato nuk janë përmendur në Cilësitë e Allahut të Madhëruar. Kështu që shprehjet e sheriatit kanë domethënie të sakta dhe janë të pastra nga supozimet e prishura. Prandaj nuk duhet devijuar nga këto shprehje, as në mohim dhe as në pohim, ashtu që të mos pohosh ndonjë domethënie të kotë, apo të mohosh ndonjë domethënie të saktë. Të gjitha këto shprehje të përmbledhura mund të përdoren si nga ai që thotë të vërtetën, ashtu edhe nga ai që thotë të kotën.

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Burimijetes.com

26.02.2011

 

fShare
0
Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2018 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com