All for Joomla All for Webmasters

NJË STUDIM I SHKURTËR PËR DISA SHPREHJE PËRMBLEDHËSE (5)

. Posted in Teuhidi i Emrave dhe Cilesive.

Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Së pesti: Qëllimet. Kjo është gjithashtu prej shprehjeve që përdorin mutekelimunët dhe më poshtë po paraqesim disa hollësira në lidhje me këtë shprehje:

 

a) Qëllimet në kuptimin gjuhësor janë shumësi i fjalës qëllim i cili është synimi që ke për të arritur, apo synimi që shfaqet dhe të cilin e studion. Qëllimi në gjuhë mund të përdoret gjithashtu për nevojën, synimin dhe arsyen.

b) Qëllimi në zakonin e dijetarëve të fjalës e oratorisë është: “Ajo për të cilën kryhet vepra nga vepruesi."

Ndërsa El-Xhela Ed-Devai thotë: "Qëllimi është ajo gjë që e shtyn vepruesin të kryejë veprën. Ai është motori i parë dhe me të bëhet vepruesi veprues."

Me këtë shohim se kuptimi gjuhësor dhe ai i mutekeliminëve përputhen me njëri-tjetrin dhe se qëllimi është synimi më i lartë i vepruesit nga kryerja e veprës dhe se ai e shtyn atë që të veprojë.

 

c) Çfarë kanë për qëllim mutekelimunët me këtë shprehje? Ata duan të rrëzojnë urtësinë nga Veprat e Allahut të Madhëruar dhe nga sheriati i Tij.

d) Argumenti i tyre për këtë është se mutekelimunët dhe veçanërisht esh'aritë thonë: “Ne e pastrojmë Allahu nga qëllimet dhe Ai nuk ka ndonjë qëllim të caktuar me dispozitat e sheriatit dhe as me krijimin e Tij.” Kështu ata e kanë rrëzuar urtësinë prej këtyre dhe kanë pohuar se Allahu nuk i ka vënë dispozitat e sheriatit, veçse nga thjeshtë Dëshira e Tij dhe asgjë tjetër. Nëse Ai dëshiron të ndalojë diçka e bën atë të ndaluar dhe nëse dëshiron të bëjë diçka të detyrueshme, Ai e bën atë të detyrueshme.

Ata gjithashtu thonë: Nëse pohojmë se Allahu ka ndonjë urtësi në ligjet që ka vënë, atëherë do të biem në dy gjëra të ndaluara:

E para: Nëse Allahu ka ndonjë qëllim, atëherë Ai ka nevojë për atë qëllim ashtu që të përfitojë prej tij, ndërsa Allahu është i pastër nga diçka e tillë.

E dyta: Nëse ne do t'i quanim dispozitat si të arsyetueshme, d.m.th.: nëse do të pohonim urtësinë dhe arsyen e vënies së tyre, atëherë do të ishte e domosdoshme që të ngarkonim Allahun me atë që përmban urtësia e vënies së dispozitave, sepse ligji sillet me arsyen e tij, duke rënë kështu në atë që kanë rënë mu'tezilitë prej mveshjes së të mirës dhe më të mirës Allahut. Sepse "qëllimi" tek mu'tezilitë ka të njëjtën domethënie të qëllimit dhe synimit, prandaj ata e quajnë të domosdoshme që Vepra e Allahut të jetë e lidhur me qëllimin e saj.

e) Kthimi i përgjigjes atyre:

 

1. Kjo shprehje "qëllimet" nuk është përmendur as në Kuran, as në sunet dhe as nuk e kanë përdorur dijetarët e Islamit, sepse prej saj mund të supozohet diçka negative dhe mohimi i saj mund të bëjë të kuptosh mohimin e urtësisë. Kështu që duhet bërë shkoqitje dhe më mirë është që të përdoret shprehja "urtësi", ose "mëshirë" a "dëshirë" e të ngjashme me to të cilat janë përmendur në tekstet e sheriatit. 

 

2. “Qëllimi" nga i cili pastrohet Allahut është ai që shtyn ndonjë dëm apo i ofron ndonjë dobi Allahut, sepse Allahu nuk ka krijuar dhe nuk ka vënë dispozita me qëllim që dobia e tyre të kthehet tek Ai, por me qëllim që dobia e tyre të kthehet tek vetë krijesat. Nuk ka dyshim se kjo është përsosmëri e plotë. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata nuk i bëjnë dëm aspak Allahut."  Al Imran, 176. "Nëse ju bëheni mosbesimtarë, Allahu nuk ka nevojë për ju, sidoqoftë." Ez Zumer, 7.      

Në një Hadith Kudsi thuhet: "O robërit e mi, ju nuk mund ta arrini dobinë Time që të më bëni dobi dhe as nuk mund ta arrini dëmin Tim që të më bëni dëm."

Kjo gjithashtu është diçka e mbjellë në natyrshmërinë e njeriut.

 

3. Ndodhja e gjërave për Allahun, kur gjendet shkaku dhe urtësia e saj është diçka e saktë dhe e vërtetë, por kjo është në kundërshtim me mendimin e mu'tezilive, nga ana se Allahu i Madhëruar është Ai i Cili ia ka vënë detyrë Vetes së Tij urtësinë dhe nuk ia ka ngarkuar dikush tjetër. Siç thotë Allahu i Lartësuar: "Allahu ia ka bërë detyrë mëshirën Vetes së Tij." El-En'am, 54, dhe"Dhe është detyra Jonë ndihma e besimtarëve."  Er-Rum, 47.

Apo siç thuhet në hadithin e Muadh ibën Xhebel (radiallahu anhu) kur ishte mbi një gomar me të Dërguarin (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) dhe ai i tha: "A e di se kush është e drejta e Allahut mbi njerëzit dhe e drejta e njerëzve tek Allahu?” Muadhi tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e di më mirë.” Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: “E drejta e Allahut mbi njerëzit është që ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë shok Atij asgjë, ndërsa e drejta e njerëzve tek Allahu është që të mos e dënojë atë që nuk i bën shok Atij."

Kjo është një e drejtë të cilën Allahu ia vuri detyrë Vetes së Tij dhe Allahu ka të drejtë t'i vërë detyrë Vetes së Tij ç'të dojë.

 

Pastaj krahasimi i së mirës dhe më të mirës nga Veprat e Allahut, nuk kthehet tek mendja e njerëzve dhe kandarët e tyre, por kjo kthehet tek ajo që përmban Urtësia e Allahut të Madhëruar. Ato mund të jenë në kundërshtim me atë që mendojnë krijesat në pamje të parë me mendjet e tyre të kufizuara. Ndalimi i shiut, për shembull, shumë prej njerëzve mund t'i duket se nuk është më e mira, por ndalimi i tij mund të jetë më e mira, por me të është për qëllim diçka tjetër, si në Fjalën e Allahut të Lartësuar: "U shfaq shkatërrimi në tokë e në det nga ajo që kanë bërë duart e njerëzve, ashtu që Allahu t'u bëjë të vuajnë një pjesë të asaj që vepruan, se ndoshta ata kthehen (tek e vërteta)." Er-Rum, 41.

Po kështu edhe gradualiteti i mosbesimtarëve me mirësi dhe sprovimi i besimtarëve me fatkeqësi, të gjitha këto përfshijnë në vetvete disa shembuj për urtësinë të cilën nuk mund ta arrijnë me përfshirje mendjet e njerëzve, përveç një pakice të vogël prej saj.

Madje edhe krijimi i Iblisit, bërja të mundur bërjen e gjynaheve, sëmundjet etj, përmbajnë urtësi të cilat i sfidojnë mendjet dhe qartësojnë Madhështinë e Urtësisë së më të Urtit të të Urtëve.

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Burimijetes.com

06.03.2011

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com