All for Joomla All for Webmasters

NJË STUDIM I SHKURTËR PËR DISA SHPREHJE PËRMBLEDHËSE (7)

. Posted in Teuhidi i Emrave dhe Cilesive. Vizita: 392

fShare
0
Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Së shtati: Seria. Një nga shprehjet përmbledhëse të cilat i përdorin mutekelimunët. Me qëllim që të bëhet e qartë domethënia e kësaj fjale, argumentimi i saj dhe ana e saktë dhe e gabuar në përdorimin e saj, po paraqesim këtë shpjegim të përmbledhur:

 

a)    Seria, siç thotë El Xhurxhani, është renditja e disa çështjeve dhe përsëritja e tyre pa mbarim.

b)    Shkaku i këtij emërtimi është marrë nga vargu i cili pranon të shtohen rrathët e tij pa mbarim. Kështu që lidhja ndërmjet këtyre dyjave është të qënurit e tyre pa limit në të dyja anët. Vargu, apo zinxhiri ka fillimin dhe mbarimin e tij, por anët e serisë janë koha e shkuar dhe ardhme.

c)    Qëllimi i mutekelimunëve me këtë shprehje ndryshon me ndryshimin e ardhjes së fjalës dhe me ndryshimin e thënësve të saj. Kështu që qëllimi i tyre mund të jetë mohimi i të qënurit të Allahut i cilësuar me disa cilësi të Tij në të shkuarën, si dhe mund të jetë qëllimi i tyre mohimi i vazhdueshmërisë së veprave të Allahut dhe veprimit të Tij, apo mohimi i përhershmërisë së Xhenetit dhe Xhehenemit, apo ndonjë qëllim tjetër.

d)    A është përmendur kjo shprehje në Kuran apo Sunet, apo prej selefëve? Përgjigja është "jo".

e)    Cila është rruga e ehli sunetit në trajtimin e kësaj shprehjeje? Rruga e tyre është e njëjta rrugë që ndjekin në shprehjet e tjera të përmbledhura. Ata heshtin në shprehjen "seri"; as nuk e pohojnë dhe as nuk e mohojnë, sepse ajo është një shprehje e shpikur dhe përmbledhëse e cila përmban të kotë dhe të vërtetë, gabim dhe saktësi. Kjo për sa i përket shprehjes, ndërsa për domethënien e saj ata bëjnë shkoqitje. Nëse duan me të diçka të vërtetë, e pranojnë dhe nëse duan diçka të kotë, ata e kthejnë mbrapsht.

f)    Prej këtu, vështrohet tek kjo shprehje dhe zbatohet me të rregulli. U themi atyre që e përdorin këtë shprehje:

 

1Nëse keni për qëllim me "serinë": Vazhdueshmërinë e veprave të Allahut, përherë pa fillim dhe pa mbarim, ky kuptim është i saktë dhe për të argumenton sheriati dhe logjika. Pohimi i kësaj është i detyrueshëm dhe mohimi i saj absurd. Allahu i Lartësuar thotë: "Veprues i përhershëm i asaj që dëshiron." Hud, 107.

Vepruesi i përhershëm është Ai që vepron vazhdimisht dhe nëse nuk do të vepronte në një prej dy kohëve (të shkuarës dhe të ardhmes), ai nuk do të ishte Veprues i përhershëm, kështu është e detyrueshme vazhdueshmëria e të vepruarit përherë pa fillim dhe pa mbarim.

Pastaj, ai që cilësohet si veprues është më i plotë se ai që nuk cilësohet si i tillë dhe sikur Zoti të mos e kishte këtë cilësi, Ai nuk do të ishte pa përsosmërinë e domosdoshme për Të, gjë e cila është absurde.

Dhe sepse të vepruarit është nga domosdoshmëritë e të jetuarit dhe çdo i gjallë vepron. Edhe Allahu është i Gjallë, kështu që Ai është Veprues dhe Jeta e Tij nuk ndahet kurrë prej Tij, pa fillim dhe pa mbarim.

Dhe sepse dallimi ndërmjet të gjallit dhe të vdekurit është të vepruarit. Allahu i Lartësuar është i Gjallë, kështu që është e domosdoshme që Ai të jetë Veprues dhe mosveprimi i Tij në ndonjë prej dy kohëve, të shkuarës dhe të ardhmes, është absurde, kështu që vazhdueshmëria e të vepruarit të Tij është e domosdoshme përherë, pa fillim dhe pa mbarim.

Përfundimi i kësaj çështje është se nëse është për qëllim me "serinë" vazhdueshmëria e veprave të Allahut, ky kuptim është i saktë dhe i domosdoshëm në lidhje me Allahun, ndërsa mohimi i tij është absurd.

 

2.Ndërsa nëse është për qëllim me "serinë" se Allahu i Lartësuar nuk ka pas vepruar dhe pastaj veproi, apo se Ai është cilësuar me ndonjë prej cilësive pasi që nuk ka qenë e cilësuar me të, apo se Ai e arriti përsosmërinë pasi që nuk e ka pasur, kjo domethënie është e kotë dhe nuk lejohet të thuhet.

Allahu i Lartësuar ka qenë dhe vazhdon të jetë i cilësuar me cilësitë e përsosura, me cilësitë vetjake dhe veprore dhe nuk lejohet të besohet se Allahu është cilësuar me një cilësi pasi që nuk e ka pasur atë, sepse cilësitë e Allahut janë të përsosura, ndërsa humbja e tyre është cilësi e mangët. Nuk lejohet që t'i ketë ardhur Atij përsosmëria, pasi që ka qenë i cilësuar me të kundërtën e asaj.

Imam Et-Tahaviu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: "Ai vazhdon të jetë me cilësitë e Tij gjithmonë, para se të krijonte krijesat e tij dhe Ai nuk shtoi gjë prej cilësive të Tij që të mos ketë qenë para krijimit të tyre. Ashtu si ka qenë me cilësitë e Tij pa fillim, ashtu do të vazhdojë me to pa mbarim. Shembull për këtë është cilësia e të folurit; Allahu i Madhëruar ka qenë Folës sa herë që ka dashur dhe kjo cilësi nuk i është krijuar Atij në ndonjë kohë dhe as nuk ka qenë pa të në ndonjë kohë, por Ai ka qenë gjithmonë dhe do të jetë përherë i cilësuar me të.

Po kështu edhe cilësia e të krijuarit. Kjo cilësi nuk është shpikur tek Ai pasi që nuk e ka pasur atë."

 

3.Nëse është për qëllim me "serinë", seria në veprat e bëra nga Allahu i Madhëruar, d.m.th.: se Ai ka krijuar dhe vazhdon të krijojë krijesa pas krijesash, pa mbarim, ky kuptim është i saktë dhe seri e mundshme, si dhe e lejuar në sheriat dhe logjikë. Allahu i Lartësuar thotë: "A mos u lodhën në krijimin e parë?! Jo, por ata janë në dyshim të thellë për një krijim të ri (ringjalljen)." Kaf, 15.

Pastaj, Allahu i Madhëruar vazhdon të krijojë krijesa dhe i rendit të dytat mbi të parat e kështu, njeriu dhe shtazët vazhdojnë të krijohen mbi krijimin e prindërve të tyre që në kohën kur e ka krijuar Allahu në fillim të krijimit.

 

4.Nëse është për qëllim me "serinë", seria me ndikues, d.m.th.: që të ndikohet diçka nga diçka tjetër pa mbarim dhe çdonjëri prej të ndikuarve ta përfitojë ndikimin e tij nga ai para tij, pa ndonjë cak, kjo është një seri absurde në sheriat dhe në logjikë, për shkak të absurditetit të ndodhjes së saj. Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe tek Ai është mbarimi. Ai është i Pari dhe para Atij nuk ka pasur asgjë. Ai është i Fundit dhe pas Tij nuk do të ketë asgjë. Ai është i Shfaquri dhe asgjë nuk është mbi Të. Ai është i Fshehti dhe asgjë nuk ka nën Të.

Fjala e serisë në ndikuesit çon në qenien e të rejave dhe të krijuarave pa Shpikës e Krijues, pastaj përfundon me mohimin e Krijuesit të Madhëruar.

 

Fjala përmbledhëse në çështjen e serisë në përgjithësi:

 

  1. Seria është radhitja e disa çështjeve të pambarim dhe ajo është marrë nga vargu dhe zinxhiri.
  2. Seria është prej shprehjeve përmbledhëse për të cilat duhet shkoqitje e hollësira, siç e pamë.
  3. Nëse është për qëllim me serinë, vazhdueshmëria e të vepruarit të Allahut dhe e veprave të Tij dhe se Ai është i cilësuar me cilësitë e përsosura, përherë pa fillim dhe pa mbarim, kjo është e vërtetë dhe e saktë dhe për këtë argumenton sheriati dhe logjika.
  4. Dhe nëse është për qëllim me serinë se Allahu i Madhëruar nuk i ka pasur cilësitë dhe të vepruarit e Tij dhe më pas veproi dhe mori cilësi të cilat e bënë të përsosur pasi që nuk ka qenë i cilësuar me përsosmërinë, apo nëse është për qëllim me serinë, seria në ndikuesit, ky kuptim është i kotë dhe i kthyer mbrapsht me sheriat dhe me logjikë.

 

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Burimijetes.com

21.04.2011

 

 

fShare
0
Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2018 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com