All for Joomla All for Webmasters

DISA FJALË PËR ALEGORINË (1)

. Posted in Teuhidi i Emrave dhe Cilesive. Vizita: 599

fShare
0
Pin It

 

(El-mexhaz)

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Alegoria është shprehje e njohur tek dijetarët e gjuhës, retorikës, tefsirit dhe usulit-bazave të fesë, etj. Kjo shprehje ndeshet shpesh edhe në librat e akides dhe veçanërisht në temën e Emrave dhe Cilësive. Kjo për shkak se mohuesit e Cilësive të Allahut e kanë marrë atë si mbështetje për të mohuar Cilësitë e Allahut të Madhëruar.

Me qëllim që të të bëhet e qartë domethënia e alegorisë po paraqesim këtë përmbledhje të shkurtër e cila bën të qartë qëllimet e saj dhe të vërtetën e kundërshtimit në të, e të tjera të kësaj natyre.

 

Para se të hyjmë në fjalën për alegorinë, do të ishte mirë të qëndronim pak në termin "e vërteta", sepse alegoria, tek ata që e marrin për bazë atë, qëndron përballë të vërtetës.

D.m.th.: fjala ndahet në fjalë me kuptim të vërtetë, të drejtpërdrejtë dhe në fjalë me kuptim alegorik, metaforik. Më poshtë po sqarojmë këto gjëra, derisa të bëhet e qartë çështja.

 

Së pari:Përkufizimi i "të vërtetës": Ajo është fjala e përdorur në vendin e saj për të cilin është vendosur, pa komentuar vendosjen e saj. Ose, e vërteta është përdorimi i shprehjes në vendin e caktuar për domethënien e saj në origjinë.

P.sh.: fjala "luan" argumenton për kafshën e njohur. Fjala "diell" tregon yllin e madh të njohur. Fjala "det" argumenton ujin e shumtë e të kripur, e kështu të gjitha termat e gjuhës.

 

Së dyti: Përkufizimi i alegorisë: Alegoria është përdorimi i shprehjes jo në vendin e vendosur për domethënien e saj në origjinë, për shkak të një lidhjeje ndërmjet dy kuptimeve, të vërtetit dhe alegorik, dhe për shkak të gjendjes së një arsyeje që pengon të jetë për qëllim kuptimi i vërtetë i asaj shprehjeje.

 

Së treti: Shpjegimi i fjalëve të përkufizimit të alegorisë: Fjala "jo në vendin e caktuar për të": D.m.th.: jo në kuptimin e caktuar për atë fjalë i cili quhet kuptimi i vërtetë, apo origjinal të cilin e kanë përmendur fjalorët e gjuhës. Siç është p.sh.: vendosja e fjalës "luan" për kafshën e egër që njohim, po kështu fjala "hëna" etj.

Fjala "për shkak të një lidhjeje": Kjo lidhje është ajo që lidh ndërmjet kuptimit origjinal të fjalës me kuptimin alegorik të saj, siç është trimëria në shprehjen: "Pash një luan që vërsulej me shpatën e tij!" Këtu nuk është për qëllim me fjalën "luan" kafsha e njohur, por burri trim. Kështu që kjo shprehje ka kaluar nga kuptimi i saj origjinal në kuptimin alegorik, lidhja ndërmjet të cilëve në këtë rast është trimëria.

 

Fjala "arsye penguese" është ajo që e pengon mendjen që të shkojë në kuptimin origjinal të fjalës, si "vërsulej me shpatën e tij", sepse luani nuk vërsulet me shpatë. Kështu që bëhet e qartë se me këtë fjalë është për qëllim alegoria dhe jo e vërteta, sepse luani nuk mbart shpatë.

Po kështu edhe fjala jote për burrin bujar: "Erdhi deti." E shembuj të tjerë si këto të cilat do t'i përmendim më pas.

 

Së katërti: Shembuj. Për të sqaruar më shumë alegorinë dhe përfytyrimin e saj po paraqesim disa shembuj, si më poshtë.

Kur banorët e Medinës dolën të presin të Dërguarin (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) kur po kthehej nga lufta e Tebukut bashkë me shokët e tij, ata thanë:

 

"Doli mbi ne hëna pesëmbëdhjeçe

Nga kodrat e lamtumirës"

 

Alegoria në këtë varg poetik është në fjalën "hëna pesëmbëdhjeçe" me të cilën ata kanë për qëllim të Dërguarin (sal-lallahu alejhi ue sel-lem). Ky përdorim është alegorik, sepse përdorimi i vërtetë për hënën është trupi qiellor që shfaqet natën në qiell.

Ndërsa lidhja ndërmjet dy kuptimeve është bukuria dhe ndriçimi. Hëna pesëmbëdhjeçe është e bukur dhe ndriçuese, po kështu edhe i Dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem).

Ndërsa arsyeja penguese nga të pasurit për qëllim të vërtetën është fjala "kodrat e lamtumirës" (vend jashtë Medinës). Kjo fjalë pohon alegorinë e fjalës "hënë", për shkak se hëna e vërtetë nuk shfaqet ndërmjet kodrave të lamtumirës, por shfaqet në qiell, siç është e ditur. Kështu që bëhet e qartë se me këtë fjalë është për qëllim kuptimi alegorik dhe jo kuptimi origjinal.

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Burimijetes.com

26.04.2011

 

fShare
0
Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2018 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com