All for Joomla All for Webmasters

DISA FJALË PËR ALEGORINË (3)

. Posted in Teuhidi i Emrave dhe Cilesive. Vizita: 507

Pin It

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit

Së dhjeti: Kundërshtimi i dijetarëve në origjinën e shfaqjes së alegorisë.

Dijetarët kanë rënë në kundërshtim në lidhje me origjinën e shfaqjes së alegorisë dhe në qëndrueshmërinë e saj në gjuhën arabe dhe në Kuran. Ata janë ndarë në tri grupe, fjalët e të cilëve janë si vijon:

 

  1. Alegoria është përdorur në gjuhë dhe në Kuran. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve, mufesirinëve, usulijunëve, gjuhëtarëve, poetëve, etj. Madje Jahja ibën Hamza el Alavi ka thënë në librin e tij "Et-Tiraz" se për këtë kanë rënë dakord të gjithë dijetarët me "ixhma". Por kjo thënie është paksa e stërmadhuar për shkak të ekzistencës së kundërshtarëve të konsiderueshëm.
  2. Mohimi i ekzistencës së alegorisë krejtësisht, si në gjuhë edhe në Kuran. Tek ky mendim ka shkuar Ebu Is'hak el Isfraini dhe atë e ndoqi shejhu i Islamit, Ibën Tejmija, dhe nxënësi i tij, Ibën el Kajim.
  3. Alegoria gjendet në gjuhë por jo në Kuran. Këtë mendim ka Varid Edh-Dhahiri, biri i tij Muhamedi, Ibën el Kas Esh-Shafii, Ibën Huejz Mindad el-Maliki dhe Mundhir ibën Seid El-Bluti. Ndërsa nga bashkëkohorët, këtë mendim ka pasur edhe dijetari i madh Muhamed El-Emin Esh-Shenkiti.

 

Së njëmbëdhjeti: Argumentet i atyre që e kanë mohuar ekzistencën e alegorisë:

Ata që thonë se alegoria nuk ekziston as në gjuhë dhe as në Kuran, apo që nuk ekziston në Kuran, argumentojnë me disa argumente prej të cilave po përmendim:

 

  1. Çdo kuptim alegorik është gënjeshtër e cila lejohet të mohohet. Kështu që sipas fjalës se në Kuran ka alegori, kjo do të thotë se në Kuran ka gjëra që lejohet të mohohen. Dijetari i madh Muhamed El-Emin Esh-Shenkiti (Allahu e mëshiroftë) thotë: "Argumenti më i qartë për mosekzistencën e tij në Kuran është bashkimi i të gjithë atyre që e pranojnë alegorinë se çdo kuptim alegorik lejohet të mohohet, duke qenë se mohuesi i saj është i sinqertë në të njëjtën kohë. Ti mund t'i thuash atij që thotë: "Pashë një luan duke gjuajtur me hark", se ai nuk është luan, por një burrë trim. Kështu që prej fjalës që në Kuran ka alegori, rrjedh se në Kuran ka gjëra të cilat lejohet të mohohen. Por nuk ka dyshim se nuk lejohet të mohohet gjë nga Kurani."
  2. Pohimi i alegorisë është rrugë për mohimin e Cilësive të Allahut dhe komentimin e tyre. Dijetari i madh Muhamed El-Emin Esh-Shenkiti thotë: "Rrjedhoja e sigurt dhe reale ndërmjet pohimit të alegorisë në Kuran dhe mundësisë së mohimit të disa cilësive të Allahut është diçka që e kemi parë në realitet. Kjo ka qenë rrugë për mohimin e shumë cilësive të përsosura e të përkryera të Allahut të cilat janë përmendur në Kuran.

Nëpërmjet fjalës për pohimin e alegorisë, mohuesit e Cilësive kanë arritur në mohimin e tyre dhe thanë: Allahu nuk ka Dorë reale, nuk qëndron mbi Arsh, nuk zbret e të tjera si këto në shumë ajete të Cilësive të Allahut, duke pretenduar se me këto shprehje nuk janë për qëllim cilësitë reale, por ato janë shprehje alegorike. Dora p.sh.: sipas tyre është përdorur për të treguar mirësinë, ose fuqinë. Fjala qëndrim mbi Arsh është përdorur për të treguar mbisundimin e tij. Zbritja është përdorur për të treguar zbritjen e çështjes së Tij e kështu.

Kështu ata mohuan cilësitë e pohuara me shpalljen hyjnore nëpërmjet pohimit të alegorisë.

Megjithëse e vërteta e cila është rruga e ehli sunetit dhe xhematit, është pohimi i cilësive që ka pohuar Allahu për Veten e Tij dhe besimi në to, pa përshkrim, pa përngjasim, pa mohim dhe pa krahasim."

Ky shkak, d.m.th.: mohimi i cilësive nëpërmjet pohimit të alegorisë, është shkaku më i madh i cili i ka shtyrë mohuesit e alegorisë në mohimin e saj.

 

  1. Thënia se të gjitha shprehjet kanë kuptim të vërtetë dhe origjinal dhe se ndarja e tyre në të vërteta dhe alegorike është diçka e shpikur të cilin nuk e kanë pas njohur arabët. Shejhu i Islamit Ibën Tejmije thotë për alegorinë: "Ajo nuk është e  njohur tek arabët dhe të parët e këtij populli nuk kanë thënë: Kjo fjalë është me kuptim të vërtetë dhe kjo tjetra me kuptim alegorik. Por ky është një term i shpikur në këtë popull pas kalimit të tre brezave të parë të tij."  Këtë fjalë ai (Allahu e mëshiroftë) e ka përsëritur në shumë vende në librin e tij "El-Iman" dhe në "Emrat dhe Cilësitë" prej librit "Mexhmuul-fetava".
  2. Përdorimi i alegorisë në Kuran do të thotë që ta cilësosh Allahun se Ai është kapërcyes në shprehje, gjë për të cilën nuk ka ardhur lejë, sepse Emrat dhe Cilësitë e Allahut janë fikse dhe nuk ka vend për logjikën njerëzore në to, siç është e ditur.

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Burimijetes.com

02.06.2011

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2018 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com